ATV

Tag: Ballina

  • Sot vazhdon përpjekja e 60-të e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

    Sot vazhdon përpjekja e 60-të e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

    Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, duke filluar nga ora 11:00. Kjo do të jetë përpjekja e 60-të me qëllim të kompletimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

    Seanca konstituive sot do të vazhdojë në tentimin e radhës për të zgjedhur nënkryetarin e pestë të Kuvendit, pozicion që i takon komunitetit serb të përfaqësuar në Kuvend.

    Në dy seancat e fundit, atë të 26 gushtit, kur u zgjodh kryetari dhe katër nënkryetarët, dhe në seancën e 28 gushtit, dështoi zgjedhja e nënkryetarit të komunitetit serb.

    Lista Serbe, si parti me 9 deputetë, ka insistuar në emrin e Slavko Simiqit për këtë pozitë. Emri i tij doli për votim tri herë, por nuk mori votat e mjaftueshme. Derisa Lista Serbe kishte të vetmin emër Slavko Simiqin, kryekuvendari Basha sqaroi se ai nuk mund të dilte më në votim bazuar në aktgjykimin e ri të Kushtetueses.

    Bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit vendosi që zgjedhja e nënkryetarit serb të bëhej përmes shortit, por as me këtë formë nuk arriti të zgjidhej ai.

    Në garë për nënkryetar në dy seancat e fundit ishte edhe Nenad Rashiq, i cili e propozoi vetën për këtë post dhe emri i tij u tërhoq edhe përmes shortit, por as ai nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme. Nenad Rashiq ka vetëm edhe një mundësi, meqë ka dështuar dy herë të marrë këtë mandat.

    Një ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani kërkoi që urgjentisht të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet Qeveria.

  • 35 Vjet nga Vizita Historike e Senatorëve Amerikanë në Kosovë

    35 Vjet nga Vizita Historike e Senatorëve Amerikanë në Kosovë

    Përkujtohet vizita e Bob Dole dhe delegacionit amerikan më 29 gusht 1990

    Sot, më 29 gusht 2025, shënohet 35-vjetori i një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës – vizita e delegacionit të senatorëve amerikanë të kryesuar nga miku i madh i shqiptarëve, Senator Bob Dole.

    Ky delegacion, që mbërriti në Prishtinë më 29 gusht 1990, përbëhej edhe nga senatorët John W. Warner, Jake Garn, Don Nickles, Alfonse D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack. Vizita e tyre u zhvillua në një periudhë të errët të shtypjes dhe mohimit të të drejtave themelore të shqiptarëve, duke u bërë një dritë shprese dhe një mesazh i fuqishëm se zëri i Kosovës po dëgjohej në botën demokratike.

    Një moment kthesë në kauzën e Kosovës

    Prania e senatorëve amerikanë i dha legjitimitet ndërkombëtar aspiratave të shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje. Vizita e tyre përforcoi strategjinë e rezistencës paqësore të udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe rriti besimin e qytetarëve të Kosovës në të ardhmen.

    “Vizita e senatorëve amerikanë në Prishtinë ishte një dëshmi se demokracia amerikane dhe populli shqiptar ndajnë të njëjtat vlera të lirisë, paqes dhe drejtësisë,” u theksua sot në mesazhet përkujtimore.

    Kontributi i diasporës shqiptare

    Në këtë përvjetor u nënvizua edhe roli i pazëvendësueshëm i veprimtarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, si Jim Xhema, kongresmeni Joseph DioGuardi dhe shumë të tjerë, të cilët ngritën çështjen e Kosovës në qendrat vendimmarrëse të politikës amerikane. Përkushtimi i tyre bëri që Kosova të trajtohej në arenën ndërkombëtare si një çështje e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

     

    Mirënjohje për miqtë amerikanë

    Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” dhe të mbarë komunitetit shqiptar në SHBA, kryetari i saj, Dr. Elmi Berisha, shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për senatorin Bob Dole dhe kolegët e tij, si dhe për të gjithë ata që ndihmuan që zëri i Kosovës të dëgjohej.

    “Ky përvjetor na kujton se miqësia shqiptaro-amerikane është një lidhje historike dhe e pathyeshme – një aleancë që mbetet themeli i paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin tonë. Lavdi kujtesës së atyre që punuan për lirinë e Kosovës! Mirënjohje të përjetshme miqve tanë amerikanë,” u shpreh Berisha.

  • Osmani, Basha e Kurti bëjnë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur

    Osmani, Basha e Kurti bëjnë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur

    Osmani, Basha e Kurti bëjnë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentari i ri Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.

    Homazhe bënë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, familjarë të të zhdukurve dhe qytetarë.

  • “Ujku shigjetë”, FSK njofton se do të stërvitet për gjashtë ditë në rajonin e Gjakovës

    “Ujku shigjetë”, FSK njofton se do të stërvitet për gjashtë ditë në rajonin e Gjakovës

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se nga data 31 gusht deri më 5 shtator 2025 do të zhvillojë ushtrimin fushor “Ujku Shigjetë”, në kuadër të përgatitjeve për validimin e Regjimentit të Tretë.

    Gjatë kësaj periudhe priten lëvizje të konvojeve ushtarake nga vendbanimet e FSK-së drejt rajonit të Gjakovës, konkretisht në Aeroportin e Gjakovës dhe Poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.

    Njoftimi i plotë:

    Njoftojmë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se nga data 31 gusht deri më 05 shtator 2025 ,Forca e Sigurisë së Kosovës do të realizoi ushtrimin fushorë “ Ujku Shigjetë”, në kuadër të përgatitjeve për validimin e Regjimentit të tretë.

    Gjatë kësaj periudhe do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbanimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe Poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

    E gjithë kjo lëvizje do bëhet me qëllim të realizimit të ushtrimit, andaj kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët./ATVLIVE/

  • Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale

    Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale

    Sot, në orën 23:59 përfundon afati 38 ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Ky lajm është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se deri në përfundim të ditës së sotme, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës: (1) përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose (2) përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    Sipas Elezit, “vetëm shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për votim nga jashtë vendit do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025”.

    Më tej, ai ka sqaruar se shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për votim jashtë vendit, do të largohen nga Lista e Votuesve brenda në Kosovë.

    “Është detyrim ligjor për KQZ-në që shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, t’i largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën e Votuesve jashtë Kosovës”, sqaroi Elezi.

    Por, çfarë ndodh me shtetasit që nuk regjistrohen për votim jashtë Kosovës?

    “Shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk janë regjistruar për votim me postë, janë në Listën e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Të dhënat për adresën e Qendrës së Votimit mund të shikohen këtu: https://qv.kqz-ks.org”, ka sqaruar Elezi.

     

  • Të shtunën vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit

    Të shtunën vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet të shtunën nga ora 11:00.

    Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, sot ndërpreu seancën pasi deputeti serb Nenad Rashiq nuk mori votat e nevojshme për t’u bërë nënkryetar nga minoriteti serb.

    Ai e ndërpreu seancën me arsyetimin se Rashiq “ka gjasat më të mëdha” që të zë këtë pozitë meqë, sipas tij, mori më shumë vota sesa kandidatët tjerë të Listës Srpska.

    Kjo e fundit s’ka marrë pjesë në votim meqë tha se zgjedhja me short, që u përcaktua nga Basha pasi i propozuari i Listës Srpska për nënkryetar, Slavko Simiq, s’mori votat për të tri herë radhazi nga Kuvendi, është jokushtetuese./ATVLIVE/

  • Një 5-vjeçare sulmohet nga ujku në Brod, tërhiqet zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë

    Një 5-vjeçare sulmohet nga ujku në Brod, tërhiqet zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se në Klinikën Emergjente të QKUK-së, është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga fshati Brod, komuna e Shtërpcës, që sipas familjarëve është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë.

    Sipas njoftimit, ajo ka lëndime në gjoks dhe shpinë.

    Gjendja e saj thuhet se është stabile, por se do të vazhdojë të trajtohet në QKUK.

    “Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare. Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja vlerësohet stabile. Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës. Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë”, thuhet në njoftim.

  • Krasniqi i kundërpërgjigjet Abdixhikut: Do të ishte mirë të bëhet pjesë e zhbllokimit, e kam lut me bo qeverinë e ish-opozitës

    Krasniqi i kundërpërgjigjet Abdixhikut: Do të ishte mirë të bëhet pjesë e zhbllokimit, e kam lut me bo qeverinë e ish-opozitës

    Kryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka adresuar deklaratat e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikur, pasi ky i fundit i cilësoi si ‘’gabim trashanik’’ votat e PDK dhe AAK për zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit.

    Krasniqi ka thënë se do të ishte mirë që Abdixhiku dhe partia që ky i fundit drejton të bëhen pjesë e zhbllokimit.

    ‘‘Partitë politike funksionojnë ndamas. E mira kish me qenë edhe zoti Abdixhiku edhe LDK me qenë pjesë e zgjidhjes edhe pjesë e zhbllokimit’’, ka thënë ai.

    Tutje, i pari i PDK-së ka përmendur si mundësi të mirë lutjen që ai ia ka bërë Abdixhikut për krijimin e një qeverie të ish-opozitës.

    Krasniqi ka thënë se nëse kjo do të ndodhte atëherë pagat e pensionet do të rriteshin dhe se bizneset s’do të përballeshin me rritje të tarifave të energjisë.

    ‘‘Një mundësi ideale e kemi pas prej 10 shkurtit, të cilin e kom lut ‘’hajde e bojmë qeverinë e ish opozitës’. Deri tash ju garantojë që e kishit pas Bedri Hamzën kryeministër, dhe katër muajt e fundit i kishin pas qytetarët pagat e rrituna, pensionet e rrituna, nuk kish pas shanse me u rritë tarifat e energjisë 300% për bizneset, edhe shumë prej probleme tjera ishin zgjidh deri tash. Vendimet e partive politike janë individuale, por pastaj edhe përgjegjësia ndaj qytetarëve është individuale apo edhe grupore’’, ka thënë ai./ATVLIVE/

  • Deputetja e Nismës për Bashën: Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë, dorëheqje ose shkarkim

    Deputetja e Nismës për Bashën: Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë, dorëheqje ose shkarkim

    Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku ka reaguar pas konferencës së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, ku tentoi të arsyetohej për shkrimin skandaloz ndaj UÇK-së.

    Ajo ka thënë se ky turp nuk kalon me një konferencë dhe duhet dorëheqje ose shkarkim.

    Reagimi i saj:

    Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë për shtyp!

    Dorëheqje ose shkarkim!

    Kërkoj që jo vetëm ne që ngritëm dorën kundër, por edhe njerëzit me gjykim të shëndoshë dhe ata që e duan vendin e sakrificën e UÇK-së, edhe brenda VV-së, të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Dimal Bashës.

    Një njeri që ka bashkautorësi në punime shkencore kundër UÇK-së, në linjë me Serbinë, Dik Martyn dhe Rusinë, nuk mund dhe nuk guxon të udhëheqë Kuvendin e Kosovës.

    PDK dhe AAK duhet të japin llogari për këtë shkarje të rëndë!

    Punimet shkencore nuk botohen me bashkautorësi pa besim dhe pa përputhje në qëndrime.

    Me votën e tyre, ata e bënë këtë narrativë pjesë të institucionit më të lartë të vendit.

  • IKD: Vetëpropozimi i Nenad Rashiq për nënkryetar, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren

    IKD: Vetëpropozimi i Nenad Rashiq për nënkryetar, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren

    Më 26 gusht, Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh Kryetar i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve.

    Në të njëjtën seancë u votuan dhe u zgjodhën tre nënkryetarët nga radhët e grupeve më të mëdha parlamentare, si dhe deputetja Emilja Rexhepi si nënkryetare nga komunitetet jo-shumicë.Megjithatë, procesi nuk u përmbyll me sukses sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, pozitë e garantuar me Kushtetutë dhe Rregullore për përfaqësim të barabartë të komuniteteve jo-shumicë.

    Pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën si është trajtuar zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

    Melos Kolshi, hulumtues në IKD ka thënë për “Front Online” se rasti paraqet një shkelje të thellë të rregullave kushtetuese dhe parlamentare, duke krijuar një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit.

    Ai thotë se procesi është zhvilluar në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta e rregullorja e Kuvendit.

    “Shkelja e Kushtetutës, Rregullores, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës parlamentare në lidhje me nënkryetarët nga radhët e Komuniteteve paraqet një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit. IKD ka monitoruar procesin e zhvillimit të seancës konstituive më 26 gusht dhe ka vërejtur se Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka zhvilluar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktika e deritanishme parlamentare”, tha ai.

    Në veçanti, Kolshi i referohet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet ku thuhet se “zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën e deritanishme parlamentare”.

    Kolshi ka deklaruar se edhe procesi i propozimit të Emilja Rexhepit për nënkryetare është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

    “Kjo Rregullore kërkon formën me shkrim të propozimit për nënkryetarë të Kuvendit, e cila formë nuk u respektua në rastin e Emilija Redžepi. Për këtë arsye, si procesi i propozimit të kandidatit për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, ashtu edhe zgjedhja e deputetes Emilija Redžepi në pozitën e nënkryetares së Kuvendit u bë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe në mungesë të transparencës. Marrëveshjet politike të cilat u prezantuan nga deputeti Elbert Krasniqi nuk mund të bëhen pjesë e një procesi kushtetues e ligjor. Shkelja e radhës në këtë proces ishte procesi i votimit”, u shpreh ai.

    Shkelje është evidentuar edhe në mënyrën e votimit, pasi, thotë Kolshi.

    “Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë dy (2) paragrafë të ndarë në lidhje me çështjen e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit. Këta dy (2) paragrafë flasin për dy (2) procese të vetme të votimit: votimi i tre (3) nënkryetarëve nga grupet më të mëdha parlamentaren dhe votimi i (2) nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë. Sikurse nuk mund të ndahet procesi i votimit të nënkryetarëve nga tri (3) grupet më të mëdha parlamentare, njëashtu nuk mund të ndahet as procesi i votimit të nënkryetarëve nga komunitetet. Kështu ka qenë edhe praktika parlamentare e deritanishme, përfshirë praktika e vitit 2021 e udhëhequr nga vet LVV”.

    IKD: Kuvendi duhet të përsërisë votimin për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve

    Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi ka deklaruar për “Front Online” se Kuvendi i Kosovës duhet të përsërisë votimin për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve përsëri pasi sipas tij, ka bërë shkelje të rendit kushtetues.

    “IKD kërkon nga Kryetari i ri i Kuvendit që në vazhdimin e seancës konstituive më 28 gusht, të përsëritet procedura e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Kolshi.

    Kolshi thotë se nënkryetarët nga komuniteti serb dhe jo-shumicë duhet të votohën së bashku.

    “Nënkryetari nga komuniteti serb dhe nënkryetari nga komunitetet tjera jo-shumicë, pas pranimit të propozimeve me shkrim, duhet të votohen së bashku, në pako. Kjo është e domosdoshme për të garantuar respektimin e rendit kushtetues dhe për të siguruar që procesi i konstituimit të Kuvendit të zhvillohet mbi bazën e rregullave të qarta ligjore e kushtetuese dhe brenda afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

    Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi është shprehur për “Front Online” se kandidatura e Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

    “Në lidhje me propozimin për votim të deputetit Nenad Rašić si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, ai nuk është i propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, të cilën shumicë e përbën Lista Serbe me 9 deputetë. Vetëpropozimi është i ndaluar si për nga forma që kërkohet me shkrim ashtu edhe për nga materia, që kërkohet të jetë përfaqësim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”, deklaroi ai.

    Kolshi nga IKD ka kritikuar mënyrën se si Kryetari i Kuvendit ka trajtuar këtë proces, duke thënë se ka filluar me procesin e shortit në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

    “IKD vëren se Kryetari i Kuvendit ka filluar me procesin e shortit në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ngase shorti aplikohet vetëm kur nuk ka propozime të paraqitura, ndërkohë që në këtë rast kishte propozime konkrete nga deputetët e komunitetit serb, të cilat nuk morën votat e nevojshme, dhe në anën tjetër, vet deputetët e këtij komuniteti, refuzuan me të drejtë shortin, për arsye se mënyra e realizimit të votimit për të dy nënkryetarët ishte jo kushtetuese”, potencoi Kolshi.