ATV

Tag: Ballina

  • Kurti takon kongresistin amerikan Ritchie Torres

    Kurti takon kongresistin amerikan Ritchie Torres

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Washington ka takuar kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, Ritchie Torres.

    Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti e ka falënderuar Torresin për qëndrimet e tij të hapura dhe të zëshme në mbështetje të Kosovës.

    Ai thuhet se e ka informuar “për progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar vitet e fundit, si dhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon”.

    “Në takim, kryeministri theksoi aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si orientim dhe objektiva strategjike të shtetit tonë. Kryeministri gjithashtu nënvizoi planet e mëdha investive në vend, përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, zhvillimin e hovshëm të sektorit të teknologjisë dhe mundësitë që kompanitë amerikane të bashkëpunojnë e të investojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

  • Sot përfundon masa e përkohshme e Kushtetueses

    Sot përfundon masa e përkohshme e Kushtetueses

    Sot, përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e cila që nga 6 shtatori ka ndaluar çdo veprim apo procedurë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Masa ishte kërkuar nga 9 deputetë të Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha, duke kontestuar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet joshumicë. Ajo hyri në fuqi më 5 shtator dhe ka qenë e vlefshme deri më 30 shtator, kur pritet një vendim përfundimtar nga Kushtetuesja.

    Gjykata e arsyetoi masën me qëllimin për të parandaluar çdo veprim që, sipas ankesës së Listës Serbe, do të mund të cenonte rendin juridik e demokratik të vendit. Ky subjekt, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kërkuar shpalljen antikushtetuese të disa vendimeve të seancës konstituive të 26 e 28 gushtit, përfshirë edhe zgjedhjen e nënkryetares nga grupi multietnik, Emilja Rexhepi.

    Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, e ka kritikuar ashpër këtë masë, duke e cilësuar si bllokim të procesit për formimin e institucioneve.

    Ngërçi politik ka lindur për shkak se asnjë parti nuk ka arritur shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e re. LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka fituar 48 ulëse, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe 9, koalicioni AAK–Nisma 8, ndërsa 11 ulëset tjera u takojnë komuniteteve joshumicë.

    Pas muajsh bllokade dhe vendimeve të Kushtetueses, mbetet të shihet nëse vendimi i sotëm do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.

  • Trump prezanton planin 21 pikësh për paqen në Gaza, pas takimit me Netanyahun

    Trump prezanton planin 21 pikësh për paqen në Gaza, pas takimit me Netanyahun

    Presidenti amerikan e ka prezantuar një plan për paqe prej 21 pikash, duke thënë se “njerëzve iu ka pëlqyer shumë” dhe e ka falënderuar Netanyahun që “është pajtuar” për të.

    Ai ka thënë se plani është përpiluar në bashkëpunim me shumë shtete tjera dhe i ka falënderuar “liderët nga kombet arabe dhe myslimane” si dhe shumë aleatë në Evropë.

    Trump ka thënë se nëse plani pranohet prej Hamasit, ai parasheh lirimin e të gjitha pengjeve.

    Sipas Trumpit, shtetet arabe dhe ato myslimane janë të përkushtuara për të “çmilitarizuar Gazën” sa më shpejt.

    Mes tjerash, Trumpi ka thënë se plani parasheh shkatërrimin e tuneleve dhe qendrave të prodhimit që i posedon Hamasi.

    Aty përfshihet edhe trajnimi i forcave policore lokale dhe tërheqja e ushtrisë izraelite nga Gaza në disa faza.

    Kërcënimi nga Hamasi do të “shkatërrohet”, ka thënë ai, duke shtuar se mbështet Netanyahun “për të bërë atë që duhet bërë”.

    Mes tjerash, Trump ka thënë se shumë palestinezë dëshirojnë të jetojnë në paqe, por që duhet “të marrin përgjegjësi” për fatin e tyre.

    “Palestinezët e kanë pasur një jetë të vështirë me Hamasin. Por nëse nuk pajtohen me këtë plan, ata nuk do të kenë kë ta fajësojnë përveç vetes”, ka thënë ai.

    Sipas Trumpit, tani i takon Hamasit të pranojë këtë propozim “jashtëzakonisht të drejtë” dhe që detyra e ndërtimit të paqes nuk do të jetë e lehtë, mirëpo shumë jetë janë në rrezik dhe që duhet provuar.

    Sa i përket zbatimit të planit, Trump ka thënë se ai do të ekzistojnë një “bordi i paqes” i cili do të mbikëqyret nga vetë ai.

    Në të do të marrin pjesë edhe liderë tjerë shtetesh, përfshirë ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

  • Kurti takohet me kongresmenin amerikan, e informon për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Kurti takohet me kongresmenin amerikan, e informon për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Capitol Hill nga kongresisti amerikan Jim McGovern.

    Në këtë takim, Kurti e njoftoi McGovern-in për zhvillimet e fundit në Kosovë, duke e falënderuar për angazhimin e tij të pandalshëm në kërkimin e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe për përkushtimin e tij në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan IndeksOnline.

    Gjatë bisedës, të dyja palët u pajtuan të punojnë së bashku për të forcuar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në rritjen e investimeve të biznesit.

  • “Kundër padrejtësisë në Hagë”- Më 17 tetor mbahet protestë në Tiranë, njofton OVL-UÇK

    “Kundër padrejtësisë në Hagë”- Më 17 tetor mbahet protestë në Tiranë, njofton OVL-UÇK

    Kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati, në një konferencë për media të mbajtur në Tiranë, ka njoftuar se protesta e radhës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të mbahet pikërisht në kryeqytetin shqiptar, pas atyre të mbajtur në Prishtinë dhe Hagë.

    Kjo protestë do të mbahet në sheshin ‘Skënderbej’ më 17 tetor, me fillim nga ora 17:00, me moton “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”.

    “Arsyeja tashmë është e qartë. Padrejtësia që po ushtrohet nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne, bashkëluftëtarët dhe kategoritë e dala nga lufta shprehim mirënjohje të përhershme për shtetin shqiptar, për përkrahjen dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj kësaj çështje madhore kombëtare. Mesazhi ynë është i qartë: Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po iu bëhet atyre”, deklaroi Gucati në këtë konferencë.

    “Prandaj sot, nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni: bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje e disa individëve, por çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësisë. Ju mirëpresim të gjithëve në Tiranë”, theksoi ai.

    ““Ne jemi shqiptarë dhe na bashkon një gjuhë e një flamur. Ai flamur është flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në sheshin ‘Skënderbej’, më 17 tetor nga ora 17:00, bashkohemi të gjithë të protestojmë kundër padrejtësisë që po bëhet në Hagë”, tha Gucati.

  • Bislimi takohet me ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë

    Bislimi takohet me ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë

    Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim ambasadorin e ri të Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.

    Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet të kenë diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    “Zëvendëskryeministri e informoi ambasadorin Blaj edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve të zhvilluar në Bruksel më herët gjatë muajit, ku përsëri u pa qartazi destruktiviteti i Serbisë në proces, tërheqja e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit dhe bllokimi i formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë”, thuhet tutje në komunikatën për media.

    Njoftimi i plotë:

    Në vijim diskutuan rreth procesit të integrimit evropian të Kosovës. Zëvendëskryeministri e falënderoi shtetin e Sllovenisë për partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në këtë rrugëtim, gjersa shprehu se vendi ynë vazhdon të ketë objektiv kryesor dhe të synojë marrjen e statusit të vendit kandidat. Zëvendëskryeministri e informoi ambasadorin Blaj edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve të zhvilluar në Bruksel më herët gjatë muajit, ku përsëri u pa qartazi destruktiviteti i Serbisë në proces, tërheqja e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit dhe bllokimi i formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.

  • Kongresisti amerikan pas takimit me Kurtin: Kosova është aleate e rëndësishme për paqen dhe demokracinë

    Kongresisti amerikan pas takimit me Kurtin: Kosova është aleate e rëndësishme për paqen dhe demokracinë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, George Latimer.

    Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Kryeministri Kurti informoi kongresistin Latimer mbi përparimin ekonomik të vendit, rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimet në sundimin e ligjit, të cilat janë reflektuar pozitivisht në raportet ndërkombëtare. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme të SHBA-së ndaj shtetit të Kosovës.

    Në një postim në rrjetet sociale, kongresisti George Latimer u shpreh i nderuar që u takua me Kryeministrin Kurti, duke vlerësuar përparimin e Kosovës si një shtet i ri që ka ngritur standardet e jetesës duke ruajtur parimet demokratike.

    Ai theksoi se ruajtja e lidhjeve të forta me aleatë si Kosova është mënyra më e mirë për të garantuar paqe, mirëqenie dhe demokraci në SHBA dhe jashtë saj.

    “Sot pata nderin të takohesha me Kryeministrin Kurti të Republikës së Kosovës. Si një shtet i ri, Kosova ka shënuar përparim të madh në përmirësimin e standardeve të jetesës, duke ruajtur parimet demokratike. Mbajtja e lidhjeve të forta me aleatë si Kosova është mënyra më e mirë për të ruajtur paqen, mirëqenien dhe demokracinë në Amerikë dhe jashtë saj.”, ka shkruar në postim Latimer.

  • Operacion i ndërlikuar shpëtimi: Detaje nga nxjerrja e trupit nga bunari në Pejë

    Operacion i ndërlikuar shpëtimi: Detaje nga nxjerrja e trupit nga bunari në Pejë

    Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Lybeniq të Pejës, ku një person ka humbur jetën pasi ka rënë në një gropë gjatë punës për pastrimin e një bunari, pranë varrezave të fshatit.

    Pas një operacioni të ndërlikuar që zgjati rreth 8 orë, është arritur të nxirret trupi i viktimës, Albert Pamaj, për të cilin Gazeta Sinjali ka raportuar.

    Operacioni për shpëtimin dhe më pas nxjerrjen e trupit është koordinuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës në bashkëpunim me kompaninë e Kërkim-Shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, si dhe njësitet e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

    Sipas njoftimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (SHKSHMK), “viktima kishte rënë në pus gjatë punës për pastrimin e tij. Pusi ishte me thellësi të konsiderueshme dhe kishte praninë e gazrave të dëmshëm dhe mungesë oksigjeni, çka e bëri operacionin tepër të ndërlikuar dhe të rrezikshëm për ekipet shpëtuese”.

    Nxjerrja e trupit u bë përmes pajisjeve të specializuara dhe përpjekjeve të koordinuara nga SHKSHMK dhe kompania e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

  • Një i vdekur e dy të lënduar në një aksident në rrugën Suharekë-Shtime

    Një i vdekur e dy të lënduar në një aksident në rrugën Suharekë-Shtime

    Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes një autobusi dhe një veture në rrugën Suharekë-Shtime.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se aksidenti ka ndodhur në mes fshatrave Duhle dhe Carralevë.

    “Si pasojë e aksidentit, një pasagjer i automjetit ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit. Nga të dhënat e para dyshohet se automjeti BMW ka humbur kontrollin dhe është përplasur me autobusin”, tha Bytyqi.

    Tutje, ai u shpreh se rruga Suharekë-Shtime është e bllokuar për qarkullim deri në përfundim të ekzaminimeve nga njësite kompetente policore.

    “Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në zhvillim”, u shpreh Bytyqi.

  • Ushtarë turq të Forcës Operacionale Rezervë zbarkojnë në Kosovë, KFOR del me njoftim

    Ushtarë turq të Forcës Operacionale Rezervë zbarkojnë në Kosovë, KFOR del me njoftim

    Forca Rezervë Operacionale Turke (ORF) kanë mbërritur në Kosovë për të filluar një vendosje të përkohshme në mbështetje të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO.

    Siç thuhet në njoftimin e KFOR-it, Njësia Turke ka marrë përsipër përgjegjësitë nga Batalioni Shumëkombësh i ORF-së sipas planit të rotacionit të mbikëqyrur nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Itali.

    “Në muajt në vijim, Batalioni Turk i ORF-së do të kryejë një sërë aktivitetesh së bashku me njësitë e tjera të KFOR-it, të gatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi në situatën e sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it

    “Përforcime të tilla rrisin fleksibilitetin operacional dhe gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve në zhvillim të sigurisë”, vazhdon njoftimi./ATVLIVE/