ATV

Tag: Ballina

  • Kapen dy kosovarë me mbi 27 mijë euro të padeklaruara në kufi me Shqipërinë

    Kapen dy kosovarë me mbi 27 mijë euro të padeklaruara në kufi me Shqipërinë

    Dy shtetas nga Kosova janë kapur në Pikën e Kalimit Kufitar në Morinë, teksa tentonin të futnin në territorin e Shqipërisë 27 mijë e 550 euro pa i deklaruar në doganë.

    Policia shqiptare bëri të ditur se në hetim janë vënë dy persona me inicialet A. G., njëri 51-vjeçar nga Kosova me vendbanim në Suedi, të cilit iu gjetën 12 mijë e 550 euro, dhe tjetri 44-vjeçar nga Suhareka, me 15 mijë euro në posedim.

    Shuma e parave është sekuestruar, ndërsa ndaj të dyve janë nisur procedurat hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Kukësit për veprime të mëtejshme.
    “Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”.

  • Rasti për korrupsion kundër Nagip Krasniqit, dëshmon eksperti i lartë për tregtim të energjisë, Hasan Kerolli

    Rasti për korrupsion kundër Nagip Krasniqit, dëshmon eksperti i lartë për tregtim të energjisë, Hasan Kerolli

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

    Në seancën e së enjtes, përballë trupit gjykues ka dhënë dëshminë e tij eksperti i lartë për tregtim të energjisë në këtë korporatë, Hasan Kerolli.

    Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, i ka shkaktuar shtetit një dëm financiar prej rreth 3.2 milionë eurosh.

    Sipas aktakuzës, ai i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa qenë e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

    Lidhur me këto akuza, Nagip Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 3 korrik.

  • Rama i reagon VV-së: Po i ngatërroni marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri me “çorbën e balotazheve komunale”

    Rama i reagon VV-së: Po i ngatërroni marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri me “çorbën e balotazheve komunale”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pas akuzave se ai kishte ardhur në Kosovë për të ndikuar në votimin për Gjykatën Speciale.

    Në një reagim publik, Rama tha se pretendimet e Vetëvendosjes janë të pavërteta dhe se partia e Albin Kurtit po përzien raportet institucionale mes dy shteteve me fushatën lokale në Kosovë.

    “Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale. Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti apo nevoja, ndërsa Lëvizja… dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim,” tha Rama.

    Ai shtoi se nuk është “në asnjë lloj gare me Vetëvendosjen”, por se e konsideron të papranueshme ngatërrimin e “marrëdhënieve institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”.

    Rama kujtoi se Gjykata Speciale u themelua për çështjen e “trafikut të organeve”, jo për të “marrë peng presidentin e Republikës së Kosovës”.

    Në fund, kryeministri shqiptar sqaroi se nuk është organizator apo folës në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por se e mbështet me zemër dhe do të merrte pjesë “si qytetar i thjeshtë”, nëse nuk do të ekzistonte rreziku që nisma të politizohej.

  • Lista Serbe i drejtohet sërish Kushtetueses

    Lista Serbe i drejtohet sërish Kushtetueses

    Më 16 tetor, Lista Serbe sërish ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

    “Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

    Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

    Kushtetuesja kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

    Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

    Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

    Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.

    Rashiq ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, duke udhëhequr dikasterin për Komunitete dhe Kthim.

    Lista Serbe thotë se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.

    Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, Kurti ka 15 ditë afat për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.

    Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota të deputetëve dhe Kurti ka thënë se në ditët në vijim do të zhvillojë diskutime me partitë për një koalicion qeverisës. LVV në zgjedhjet e 9 shkurtit ka fituar 48 ulëse në Parlamentin me 120 deputetë.

    Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

    Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

    Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja./REL

  • KQZ-ja publikon raportin përfundimtar, ja sa para harxhuan partitë politike në zgjedhjet e 9 shkurtit

    KQZ-ja publikon raportin përfundimtar, ja sa para harxhuan partitë politike në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Janë publikuar raportet përfundimtare për shpenzimet e partive politike në zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën në fillim të këtij viti, me 9 shkurt.

    Njoftimi është bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    ‘‘Pas çdo palë zgjedhje, subjektet politike që garojnë në zgjedhje duhet të dorëzojnë raportin financiar të fushatës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë kalendarike pas certifikimit të rezultateve. Raportet financiare të fushatës auditohen nga auditori i pavarur, dhe pas auditimit publikohen në ueb faqe”.

    “Në vijim mund të gjeni raportet financiare të fushatave për subjektet politike të cilat janë audituar, në bazë të zgjedhjeve që kanë marrë pjesë’’, ka shkruar KQZ, pë raportin që e gjeni këtu: LINKU I RAPORTIT.

  • Heqja e masave ndaj Kosovës në fokus të takimit Osmani–Von der Leyen

    Heqja e masave ndaj Kosovës në fokus të takimit Osmani–Von der Leyen

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të ecë përpara me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se me von der Leyen kanë diskutuar mbi zbatimin e Planit të Rritjes dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.

    “Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore.”, ka shkruar Osmani.

  • “Dardanët” mbështesin protestën gjithëkombëtare në Tiranë

    “Dardanët” mbështesin protestën gjithëkombëtare në Tiranë

    Mbështetje për protestën gjithëkombëtare që do të mbahet në Tiranë ka shprehur edhe Grupi i tifozëve të Kosovës, “Dardanët”.

    Përmes një njoftimi në Facebook, ata i janë bashkuar thirrjes së organizatave të dala nga lufta, duke kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësve të UÇK-së nga Haga.

    “Dardanët” theksojnë se mesazhi nga kryeqyteti shqiptar duhet të jetë i qartë se UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte dhe se adresa e krimeve është Beogradi.

    LEXONI EDHE:

    ​Osmani mbështet protestën në Tiranë, thotë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze

     

  • ​Osmani mbështet protestën në Tiranë, thotë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze

    ​Osmani mbështet protestën në Tiranë, thotë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze

    Presidentja Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e saj për protestën gjithëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ajo theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze.

    “E mbështes këtë protestë dhe e kam mbështetur secilën protestë që thërret për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej, asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësi. Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes se të drejtave të njeriut. Kosova dhe më konkretisht krerët të cilët ndodhën në Hagë pikërisht pse kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur para saj, tashmë po bëhen pesë vite, por ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë qe parimet më te larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të respektohen”, deklaroi Osmani në një prononcim për media pas një vizite në Klinikën e Onkologjisë.

  • “LIRIA KA EMËR”, motoristët nisin marshin nga Prekazi drejt Hagës

    “LIRIA KA EMËR”, motoristët nisin marshin nga Prekazi drejt Hagës

    Rreth 150 motoristë shqiptarë nga Kosova dhe diaspora kanë nisur sot marshin simbolik nga Prekazi drejt Hagës, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Marshimi nisi pas homazheve te varrezat e familjes Jashari. Sipas organizatorëve, qëllimi i marshit është të bëhet thirrje për drejtësi dhe përshpejtim të procesit gjyqësor.

    Për tu dal në mbështetje ish-krerë e të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë gjithëkombëtare.

    Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.

    Më 3 prill të vitit 2023 nisi procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ata nën akuzat për krime lufte janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

  • Vizita e von der Leyen, policia me masa të veçanta sigurie në kryeqytet

    Vizita e von der Leyen, policia me masa të veçanta sigurie në kryeqytet

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë sot Kosovë, ku do të zhvillojë takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Kjo vizitë është pjesë e një turi në Ballkanin Perëndimor për të rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për rrugën evropiane të rajonit. Në qendër të bisedimeve do të jetë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Ndërkohë, për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Policia ka njoftuar se do të zbatojë një plan të veçantë operacional.

    Ky plan përfshin ndërprerjen e përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore të Prishtinës gjatë kalimit së eskortës zyrtare, sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimit të aktiviteteve sipas agjendës së vizitës së saj në vend.