ATV

Tag: Ballina

  • Mediat botërore raportojnë për protestën masive në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Mediat botërore raportojnë për protestën masive në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për protestën e sotme në Tiranë, ku shumë qytetarë u mblodhën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Media prestigjioze “The Washington Post” shkruan se shqiptarët u mblodhën në sheshin qendror të vendit, në mbështetje të luftëtarëve të lirisë.

    “Protestues nga Kosova dhe vende të tjera evropiane mbushën sheshin kryesor “Skënderbej” në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) — një ish-grup guerrilësh shqiptarë të Kosovës që udhëhoqi luftën për pavarësi”, thuhet në shkrim.

    Po ashtu, media “The Telegraph” shkruan se mijëra shqiptarë ishin në protestë në sheshin “Skënderbej”.

    “Veteranët e luftës së Kosovës dhe mijëra mbështetës të tyre u mblodhën të premten në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në një protestë kundër një gjykate të mbështetur nga Bashkimi Evropian, e cila po ndjek penalisht ish-luftëtarët e tyre që luftuan në luftën e viteve 1998-1999 për pavarësinë nga Serbia, duke pretenduar se tribunali është i njëanshëm dhe i padrejtë”, thuhet në shkrimin e The Telegraph.

    Ndërsa, “Anadolu” shkruan se në kryeqytetin e Shqipërisë u mbajt protestë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me moton “Unë jam UÇK”.

    “Në Shqipëri është mbajtur një protestë kombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me moton “Unë jam UÇK”, raporton Anadolu.

    Kujtojmë se mijëra shqiptarë, nga të gjitha trojet shqip-folëse, ishin sot në sheshin “Skënderbej”, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, që mbahen në Hagë.

  • Rënia e numrit të nxënësve shqetëson ekspertët – paralajmërohet krizë në arsim dhe mungesë e fuqisë punëtore

    Rënia e numrit të nxënësve shqetëson ekspertët – paralajmërohet krizë në arsim dhe mungesë e fuqisë punëtore

    Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit, duke hapur shqetësime serioze për të ardhmen e sistemit arsimor dhe tregut të punës, raporton Ekonmia Online. 

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vendi ka humbur mbi 21 mijë nxënës brenda periudhës 2020–2024. Ekspertët e arsimit theksojnë se ky fenomen po thellohet dhe po zbulohet mungesa e reagimit institucional për t’u përshtatur me ndryshimet demografike dhe ekonomike.

    Drejtori i institutit për studime në edukim “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha se ulja e numrit të nxënësve është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së natalitetit dhe rritjes së emigrimit.

    “Rënia e numrit të nxënësve pa dyshim që ka karakter demografik të uljes së natalitetit, por edhe mbi të gjitha të rritjes së imigrimit. Nuk është një projeksion befasues – është në kuadër të asaj që si trend statistikor është prezent me vite e dekada tashmë. Befasuese, pa dyshim, ngelet mosreagimi institucional për përshtatje të politikave dhe investimeve karshi numrit në rënie të nxënësve në të gjitha nivelet arsimore, pa përjashtim”, tha Qehaja.

    Sipas Qehajës, nëse politikat arsimore nuk përshtaten me këtë realitet demografik, pasojat do të jenë të ndjeshme në disa dimensione.

    “Nëse politikat nuk korrigjohen karshi këtij trendi demografik, atëherë ne do të kemi në rritje mbi të gjitha trendin e fondit të mësimdhënësve të pashfrytëzuar. Aktualisht i kemi mbi 100 mësimdhënës të cilët janë tepricë me fond të paplotësuar të orëve, dhe ky pa dyshim do të jetë një fond i paplotësuar në rritje e tutje. Ne kemi hapësira të pashfrytëzuara të shumë shkollave në zona rurale dhe në të njëjtën kohë kemi shkolla të mbipopulluara në disa zona urbane me intensitete të larta. Ka një shthurje të shpërndarë si në resurse humane, ashtu edhe në resurse infrastrukturore si rezultat i këtij ndryshimi demografik, për të cilin nevojitet një reagim super i shpejtë në mënyrë që ky trend demografik të mos kthehet pastaj në një shqetësim të një përmase më të madhe”, tha ai.

    Qehaja paralajmëroi gjithashtu se rënia e numrit të nxënësve lidhet drejtpërdrejt edhe me fuqinë punëtore të ardhshme.

    “Ky trend në ulje i numrit të nxënësve kthehet edhe në trend në ulje të fuqisë punëtore të gatshme për tregun e punës. Kjo pa dyshim e vë në pah edhe domosdoshmërinë e përditësimit të shumë profileve, në mënyrë pra që për këtë numër të nxënësve, sado të reduktuar, të kemi profile studimi për të cilat më të vërtetë ka kërkesë tregu i punës. Dhe që këta studentë orientohen në profile që gjenerojnë ekonomi, në profile që kanë kapacitete absorbues”, theksoi ai.

    Në të njëjtën linjë me të, njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, tha se zvogëlimi i numrit të nxënësve është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së natalitetit dhe emigrimit, që po e boshatis Kosovën nga brezi i ri.

    “Ka disa faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie. Para së gjithash kemi të bëjmë me zvogëlimin e numrit të fëmijëve, pra zvogëlimin e natalitetit. Por edhe emigrimin e dimë që ka pasur një emigrim të konsiderueshëm në këtë kohë që ka qenë si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike, ngritjes së inflacionit, jo stabilitetit ekonomik e social që mbretëron në Kosovë. Por edhe faktorëve të tjerë që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kanë ndikuar në vendimin e familjeve për të emigruar nga Kosova. Kjo do të ketë pasoja në të ardhmen, për shkak se jemi duke humbur njërin prej aseteve më të rëndësishëm, njeriun – të riun, fëmijën e Kosovës – dhe ky zvogëlim i vazhdueshëm i numrit të banorëve do të reflektojë me një të ardhme të zymtë për vendin tonë”, tha Osmani.

    Ai theksoi mungesën e një reagimi të sinqertë nga politika dhe mungesën e një vizioni për ta trajtuar këtë krizë në rritje.

    “Mendoj se Kosova ende nuk ka një elitë politike të përgjegjshme e cila i merr përgjegjësitë në kuptimin e ndërmarrjes së hapave konkrete për të zbutur gjendjen dhe për të punuar në drejtimin e duhur. Politikanët janë ende të zënë me punët e tyre, më tepër për t’u rehatuar militantët por edhe për të mbushur xhepat e tyre, kështu që kjo fare pak ose aspak nuk u bën përshtypje. Ende nuk kemi udhëheqës e elitë politike që do të punonin për atë që paguhen. Është tragji-komike për vendin tonë – kanë kaluar më shumë se 25 vite dhe deri më sot nuk mund të themi që kemi pasur udhëheqës që kanë pasur dertin e vendit, por e kanë dertin e xhepit të vet”, tha ai.

    Osmani paralajmëroi gjithashtu se mungesa e popullsisë së re do të ndikojë direkt në ekonominë dhe tregun e punës në sektorë kyç.

    “Kosova do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët, por pa dyshim më të theksuara do të jenë sektorët që ndërlidhen me ndërtimtarinë, agrobiznesin, bujqësinë, blegtorinë, shërbimet e kështu me radhë. Të gjitha këto kërkojnë punëtorë të shkathët dhe të aftë të cilët do të jenë të gatshëm të punojnë. Natyrisht, nuk përjashtohet mungesa edhe e specialistëve të lartë të IT-së, por edhe të fushave të caktuara. Tashmë në shumë vise rurale të Kosovës është shfaqur ky fenomen, kur në shkolla ka numër të vogël nxënësish, por edhe shumë janë mbyllur. Pa dyshim që edhe problemi i tepricës së mësimdhënësve tashmë është shfaqur dhe më të vërtetë do të jetë e vështirë të kemi një menaxhim efektiv kur shumica e fondeve dhe e buxhetit shkon në paga dhe mëditje, dhe mbeten, do të thotë, fonde të pamjaftueshme për investime kapitale”, tha ai.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2020/2021 ishin të regjistruar gjithsej 229,664 nxënës, ndërsa në vitin 2023/2024 numri ka rënë në 215,431. Rënia ka qenë e vazhdueshme çdo vit: në 2021/2022 u regjistruan 224,429 nxënës, ndërsa në 2022/2023 numri zbriti në 220,578.

  • “Pa çlirimtarët s’ka shtet”, mesazhet që përcjellin qytetarët nga Kosova në Tiranë

    “Pa çlirimtarët s’ka shtet”, mesazhet që përcjellin qytetarët nga Kosova në Tiranë

    Protestues nga qytete të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe Evropa tanimë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, ku pas disa orësh nis protesta “Drejtësi për çlirimtarët”.

    Ata kërkuar të lirohen çlirimtarët pasi po mbahen padrejtësisht në Hagë. Sami Hoti nga Rugova e Gjakovës kanë vendos të vinë në protestë për shkak të padrejtësisë ndaj çlirimtarëve.

    “Të lirohen sa më shpejtë se po mbahen padrejtësisht dhe i bëj apel të gjithë shqiptarëve, ai që e ndien vetën shqiptar të na bashkëngjiten në këtë protestë”, tha ai.

    Muhamet Beqiri nga Skenderaj tha se sot i madh e i vogël duhet të jetë në këtë shesh të mrekullueshëm për këtë protestë të mrekullueshme.

    “Mesazhi i im dhe i gjithë këtyre sa më shpejt të lirohen të pafajshmit, le të arrestohen udbashat që kanë vrarë e kanë masakruar”, tha ai.

    E qytetari nga Tirana, Aliu thekson se ka dalur në këtë protestë për gjakun e shqiptarëve.

    “Të lirohen ushtarët e UÇK-së. Nuk kam ardhur për politikanët se këta janë të gjithë të korruptuar por kam ardhur për gjak shqiptar”, tha ai, raporton euronewsal.

    Kurse, një qytetar nga Vushtrria tha se popullit të Kosovës është duke iu bërë padrejtësi, pasi nëse dënohet UÇK-ja dënohet i gjithë populli shqiptar.

    “Jemi në përkrahje të çlirimtarëve, fal tyre sot Kosova po gëzon lirshëm, fal tyre fëmijët shkojnë në shkollë lirshëm, fal tyre çdo infrastrukturë, çdo arritje që është bërë fal tyre, duke fillua prej policisë, ushtrisë prej të gjithave i kemi fal çlirimtarëve….një herë e përgjithmonë të vendoset drejtësia në vend. Pa luftës kemi pas padrejtësi ndaj Haradinajt, Limajt pas andej ka ndodhur gjykata e UNMIK-ut që ka qen inkriminuese, e padrejtë, tani EULEX, tash një gjykatë e specializuar me urdhër me dëshmitë të falsifikuara nga Serbia”, tha ai.

    Protesta në Tiranë organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Gjatë ditës së djeshme në konferencë për media kanë njoftuar se nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusë.

  • Mijëra qytetarë nga Kosova ndalen tek pompa e derivateve ku zakonisht bëjnë ndalesa, këtë herë të gjithë së bashku në protestën në Tiranë 🇦🇱

    Mijëra qytetarë nga Kosova ndalen tek pompa e derivateve ku zakonisht bëjnë ndalesa, këtë herë të gjithë së bashku në protestën në Tiranë 🇦🇱

    Mijëra qytetarë nga Kosova janë nisur sot drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën gjithëkombëtare që po mbahet në kryeqytetin shqiptar, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

    Kolona të gjata automjetesh janë parë përgjatë “Rrugës së Kombit”, ndërsa shumë qytetarë janë ndalur në pikat e zakonshme të karburanteve për t’u bashkuar dhe organizuar për rrugëtimin drejt Tiranës 🇦🇱.

    Protesta po mbahet për të kërkuar drejtësi dhe trajtim të barabartë për ish-udhëheqësit e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte në Gjykatën Speciale të Hagës.

    Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve nga Kosova e Shqipëria po shihet si një shenjë e unitetit mbarëkombëtar dhe e mbështetjes së fortë për luftën çlirimtare dhe figurat e saj kryesore.

    https://www.facebook.com/share/v/1MvBXDdrMH/?mibextid=wwXIfr

  • KFOR: Mirëpresim respektimin e marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri

    KFOR: Mirëpresim respektimin e marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mirëpret respektimin nga autoritetet e Kosovës të marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit.

    Ky qëndrim i KFOR-it vjen pasi më 16 tetor, për disa minuta, disa makina të FSK-së kishin qëndruar në Mitrovicë të Veriut. FSK-ja dhe Policia e Kosovës thanë se trupat e FSK-së ngatërruan rrugën.

    KFOR-i tha se i pranon deklaratat e bëra nga autoritetet se njësiti i FSK-së gabimisht hyri në Mitrovicë të Veriut dhe shpejt u largua që aty.

    “KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga FSK-ja të marrëveshjes për të mos dislokuar personel të FSK-së në veri të Kosovës, pa njoftim paraprak dhe pa miratimin e komandantit të KFOR-it. Ky qëndrim u rikthesua gjatë bisedës telefonike mes komandantit të KFOR-it dhe komandantit të FSK-së të zhvilluar më 16 tetor. Komandanti i FSK-së theksoi se njësiti i FSK-së gabimisht kishte devijuar përkohësisht nga itinerari i tij”, tha KFOR në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

    FSK-ja tha se pjesëtarë të saj me disa automjete u futën gabimisht në veri të vendit, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes.

    Sipas kësaj force, incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së autokolonës nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.

    Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarë të FSK-së “e humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”.

    Kjo ngjarje nxiti reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët e cilësuan si shkelje të marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri, teksa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se kjo ngjarje ka rritur tensionet.

    Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

    Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

    Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.

    FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028./REL

  • Arrestohet në Malishevë një burrë i dyshuar për dhunim të një të miture

    Arrestohet në Malishevë një burrë i dyshuar për dhunim të një të miture

    Një vajzë e mitur dyshohet të jetë dhunuar në Malishevë, dy ditë më parë.

    Për këtë policia ka njoftuar se tashmë ka arrestuar të dyshuarin.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Më 16.10.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e lart-cekur ndaj viktimës së mitur femër. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Ambasadori i ri gjerman: Shpresoj që së shpejti Kosova do të ketë një qeveri për bashkëpunim të ngushtë

    Ambasadori i ri gjerman: Shpresoj që së shpejti Kosova do të ketë një qeveri për bashkëpunim të ngushtë

    Ambasadori i sapo emëruar gjerman në Prishtinë, Ranier Rudolph, është shprehur optimist se Kosova shumë shpejt do të formojë qeverinë e re me të cilën mund të bashkëpunojnë.

    Me rastin e pritjes për shënimin “Ditës së Bashkimit Gjerman”, diplomati  gjerman, nënvizoi se shteti i tij është dhe do të mbetet mik dhe partner i fortë i Kosovës.

    “Këtu në Kosovë, jam optimist që shumë shpejt do të ketë një qeveri, e cila do të jetë plotësisht e mandatuar si partner me të cilin qeveria jonë mund të bashkëpunojë”, theksoi ai.

    Diplomati gjerman ritheksoi mbështetjen karshi ambicies evropiane të Kosovës si dhe integrimin e saj ndërkombëtarë.

    “Gjermania është dhe mbetet një mik dhe partner i fortë. Ne jemi krenarë që kemi mbështetur rrugëtimin e Kosovës që shumë para pavarësisë së saj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Qeveria jonë, e cila mori detyrën në maj, konfirmoi mbështetjen tonë të gjatë për Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme. Edhe në parlamentin tonë, Bundestagun, mbështetja dhe miqësia me Kosovën janë të thella dhe të  në të gjitha partitë demokratike, siç e përjetova në shumë biseda javët e fundit në Berlin….Kosova është pjesë e Evropës. Unë dua të mbështes ambiciet evropiane të Kosovës dhe integrimin e saj ndërkombëtar. Procesi i zgjerimit të BE-së është një prioritet personal për ministrin e Jashtëm Johann Wadephul. Për secilin prej nesh në Evropë, hapi i parë drejt integrimit evropian është forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal me fqinjët tanë përkatës”, shtoi ai.

  • Sot në Tiranë kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë

    Sot në Tiranë kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë

    Tirana pritet të jetë sot në qendër të vëmendjes mbarëkombëtare, teksa në orën 17:00 në Sheshin “Skënderbej” do të zhvillohet protesta për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.

    Protesta, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pritet të mbledhë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare. Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se në këtë tubim do të marrin fjalën ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa nga Kosova janë nisur rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës.

    Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka konfirmuar pjesëmarrjen e deputetëve të mazhorancës, ndërsa Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë për të lehtësuar qarkullimin e protestuesve. Në anën tjetër, Partia Demokratike ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në tubim, me përjashtim të Fatmir Mediut që ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tij.

    Në mbështetje të protestës ka dalë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një reagimi në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, ka shprehur mbështetjen për protestën dhe ka kritikuar qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama.

    Kjo protestë vjen një muaj pas asaj të mbajtur në Hagë më 14 shtator, në prag të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

  • Mbyllet numërimi i votave në 21 komuna të Kosovës

    Mbyllet numërimi i votave në 21 komuna të Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përmbyllur procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në 21 Qendra Komunale të Numërimit (QKN).

    Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri në orën 21:30 të mbrëmjes së djeshme, ky proces është finalizuar në komunat Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Ferizaj.

    Elezi ka sqaruar se në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen tri procese të rëndësishme: verifikimi i rezultateve për kryetarë komunash, verifikimi i rezultateve të subjekteve politike për kuvendet komunale, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.

    Ndërkohë, në platformën zyrtare të KQZ-së po publikohen në mënyrë të vazhdueshme rezultatet nga çdo vendvotim, teksa procesi i përmbylljes së numërimit në komunat e mbetura pritet të përfundojë së shpejti.

  • Protesta e nesërme në Tiranë, Rruga e Kombit pa pagesë për 24 orë

    Protesta e nesërme në Tiranë, Rruga e Kombit pa pagesë për 24 orë

    Qeveria shqiptare ka vendosur të heqë pagesën në Rrugën e Kombit për 24 orë, duke filluar nga ora 09:00 të mëngjesit.

    Ky vendim vjen pas kërkesës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të lehtësuar pjesëmarrjen në protestën që do të mbahet në Tiranë.

    Kështu ka bërë të ditur kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

    “Lira ka emër – Drejtësi për çlirimtarët”, bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK”, ka shkruar Balla.