ATV

Tag: Ballina

  • Numërimi i votave ndalet sot në ora 12:00, rifillon më 1 janar në orën 16:00

    Numërimi i votave ndalet sot në ora 12:00, rifillon më 1 janar në orën 16:00

    Procesi i numërimit të votave do të ndërpritet sot në ora 12:00 dhe do të rifillojë më 1 janar në ora 16:00, sipas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Ky orar është përcaktuar disa ditë më parë në kuadër të organizimit të punës gjatë ndërrimit të viteve, duke paraparë një pauzë të shkurtër për festat e fundvitit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, më 31 dhjetor numërimi do të vazhdojë deri në mesditë dhe më pas do të pezullohet për pjesën tjetër të ditës, ndërsa procesi do të rinisë pasditen e 1 janarit.

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se, pavarësisht ndërprerjes së përkohshme, procesi i numërimit do të vijojë sipas planit të parashikuar, duke garantuar transparencë dhe rregullsi gjatë numërimit të votave.

  • Osmani paralajmëron njohje të reja për Kosovën në fillim të vitit 2026

    Osmani paralajmëron njohje të reja për Kosovën në fillim të vitit 2026

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se vendi ka hyrë në një “tempo të re” sa i përket sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare dhe se në pjesën e parë të vitit 2026 priten “lajme të mira” për vendin në këtë drejtim.

    “Jemi shumë afër që të arrijmë 2/3 e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Osmani.

    Presidentja ka refuzuar të përmendë emrat e shteteve mosnjohëse me të cilat Kosova ka kontakte, duke shpjeguar se një publikim i tillë mund të pengohet nga Serbia.

    “Në fakt, ne në këtë vit kishim katër njohje, të cilat janë rezultat i një pune dhe i një angazhimi të vazhdueshëm. Dhe tani është krijuar një tempo e re, një tempo e re njohjesh, natyrisht e cila nuk do të ndalet, ka shumë shtete që janë afër marrjes së vendimit. Por, mos të harrojmë që gjithnjë i dëmton interesat e Kosovës, nëqoftëse flasim për këto shtete publikisht. Dhe dua t’ju bëj thirrje edhe njerëzve të tjerë, qoftë edhe brenda institucioneve dhe jashtë tyre, që mos t’i bëjnë publike emrat e shteteve që po punojnë, sepse kjo pastaj po e nxit Serbinë dhe shtetet e tjera që të angazhohen, shpeshherë edhe me mjete jashtë diplomacisë dhe me mjete të ndryshme presioni, për të bllokuar këtë proces të pakthyeshëm për Kosovën”, shtoi ajo për indeksonline.

    Bahamas u bë shteti i 121-të që e njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

  • Numërohen mbi 68 për qind e votave për deputetë, këto janë rezultatet e përditësuara në mëngjes

    Numërohen mbi 68 për qind e votave për deputetë, këto janë rezultatet e përditësuara në mëngjes

    68,95 përqind e votave të kandidatëve për deputetë kanë përfunduar së numëruari. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatet nga 1 mijë e 763 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë gjithsej.

    Kreu i VV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, e ka kaluar shifrën prej 240 mijë votash.

    Ai pasohet nga Glauk Konjufca që numëron mbi 187 mijë vota deri tash.

    Lista vazhdon me Albulena Haxhiun, Hekuran Muratin dhe Donika Gërvallën.

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza ka rreth mbi 109 mijë vota deri tash.

    Pas tij vjen Arian Tahiri me rreth 50 mijë vota, pasuar nga Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

    Tek LDK, në krye të listës është Lumir Abdixhiku me mbi 53 mijë vota.

    Hykmete Bajrami renditet menjëherë pas tij me gati 33 mijë vota, e ndjekur nga Ukë Rugova, Doarsa Kica Xhelili dhe Avdullah Hoti.

    Nga AAK, Ramush Haradinaj është i pari me rreth 27 mijë vota, i ndjekur nga Daut Haradinaj me mbi 17 mijë.

  • Aktakuzë ndaj S.A. për krime lufte, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 13 civilëve në Gjilan

    Aktakuzë ndaj S.A. për krime lufte, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 13 civilëve në Gjilan

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër S.A. për “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Ai akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në fshatinë Llashticë, komuna e Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

    “Sipas aktakuzës, më 30.04.1999, rreth orës 13:00, S.A, ka marrë pjesë në vrasjen e  trembëdhjetë (13) civilëve dhe në plagosjen e katër (4) personave të tjerë. Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një.”

    Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bazë të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse i  pandehuri S.A është i paarritshëm për organet e drejtësisë.”

  • E trishtë: Një 1-vjeçar vdes pas zjarrit që shpërtheu në një shtëpi në Prizren

    E trishtë: Një 1-vjeçar vdes pas zjarrit që shpërtheu në një shtëpi në Prizren

    Një fëmijë rreth 1-vjeçar ka humbur jetën, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një shtëpi në Prizren.

    Lajmin e trishtë e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit.

    Fëmija dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e thithjes së tymit.

    “Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit”.

    “Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e thithjes së tymit”.

  • Dita e Veteranit, Osmani: Përulemi para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr

    Dita e Veteranit, Osmani: Përulemi para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr.

    Ajo pohon se ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët.

    “Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë. Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së!”, thotë Osmani.

  • KQZ përfundon numërimin e rezultateve preliminare: LVV 49.34%, PDK 20.98%, LDK 13.57%, AAK 5.66%

    KQZ përfundon numërimin e rezultateve preliminare: LVV 49.34%, PDK 20.98%, LDK 13.57%, AAK 5.66%

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesimin e rezultateve preliminare nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

    Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ, pas numërimit të 100 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 49.34 për qind të votave, apo 433,394 vota.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 20.98 për qind, përkatësisht 184,318 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.57 për qind, apo 119,201 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.66 për qind të votave, me 49,698 vota, ndërsa Lista Serbe ka marrë 4.81 për qind, apo 42,235 vota. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka fituar 1.70 për qind, përkatësisht 14,957 vota.

    Ndryshe, ndonëse procesimi i rezultateve preliminare ka përfunduar, procesi i numërimit po vazhdon edhe në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).

    Aty po zhvillohet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

    Deri më tani janë numëruar mbi 26 për qind të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

  • 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Murati njofton ekzekutimin e pagesave

    100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Murati njofton ekzekutimin e pagesave

    Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka njoftuar se është ekzekutuar pagesa e shtesës së njëhershme prej 100 eurosh.

    Përmes një postimi në facebook, Murati ka bërë të ditur se transferimi është realizuar për fëmijët e moshës 0–16 vjeç, si dhe për përfituesit e pensioneve bazike dhe kontributive, kategoritë e luftës, personat me aftësi të kufizuara dhe skemat tjera përfituese, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Qeverisë.

    “Ashtu siç kishte njoftuar Kryeministri Kurti javën që shkoi, sot kemi bërë transferimin e shtesës së njëhershme prej 100 eurove për fëmijët 0-16 vjeç, si dhe për përfituesit e pensioneve bazike, kontributive, kategoritë e luftës, aftësive të kufizuara, dhe skemave tjera sipas kritereve të përcaktuara në vendim.Varësisht nga banka ku përfituesit kanë llogarinë, në orët në vijim do të pranojnë edhe mjetet e transferuara”, ka shkruar Murati.

  • Osmani paralajmëron kandidim për mandat të dytë presidencial

    Osmani paralajmëron kandidim për mandat të dytë presidencial

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes së vendit.

    Ajo e ka konfirmuar këtë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se pret fillimisht formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

    Osmani ka paralajmëruar se në periudhën në vijim do të zhvillojë bisedime me akterë të ndryshëm politikë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.

    Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik edhe në rast se nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe interesave të shtetit.

    Në intervistë, presidentja ka komentuar edhe raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentit Donald Trump, si dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Osmani ka folur gjithashtu për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për stabilitetin rajonal dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

  • Spiropali uron Kurtin: Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku drejt rrugës europiane

    Spiropali uron Kurtin: Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku drejt rrugës europiane

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e arritur në zgjedhje dhe besimin e marrë nga qytetarët e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Spiropali ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se zgjedhjet u zhvilluan me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare, si shenjë e pjekurisë demokratike të vendit.

    “Urime popullit të Kosovës për zgjedhjet e zhvilluara me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare, një shprehje e pjekurisë demokratike që na bën krenarë. Përgëzime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e arritur dhe besimin e marrë nga qytetarët, si dhe të gjithë spektrit politik për fushatën dhe standardet e arritura,” ka shkruar Spiropali.

    Ajo ka theksuar gjithashtu lidhjet e ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nënvizuar orientimin e përbashkët drejt integrimit evropian.

    “Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku krah për krah, me një zemër, një zë dhe në rrugë evropiane, sepse ajo që na bashkon është më e madhe se çdo kufi,” ka përfunduar ajo.