ATV

Tag: Ballina

  • Rikthehen kolonat në pika kufitare, deri në 80 minuta pritje

    Rikthehen kolonat në pika kufitare, deri në 80 minuta pritje

    Janë krijuar sërish kolona në vendkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, mëngjesin e sotëm pritjet për dalje nga Kosova në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë arrijnë deri në 80 minuta.

    Në Merdarë, kolona e automjeteve është rreth 600 metra, ndërsa te Dheu i Bardhë rreth 400 metra.

    Në pikat tjera kufitare, pritjet mbeten normale, nga 3 deri në 5 minuta.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit akademikut Nexhat Daci

    Sot i jepet lamtumira e fundit akademikut Nexhat Daci

    Akademiku Nexhat Daci, do të varroset sot me nderime shtetërore në varrezat e Dragodanit.

    Familja ka publikuar agjendën zyrtare të ceremonive mortore.

    Homazhet do të mbahen nga ora 09:00 deri në 11:45 në hollin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa akademia përkujtimore nga ora 12:00 deri në 12:45 në sallën plenare.

    Varrimi do të bëhet nga ora 13:40 deri në 14:20.

    E pamja mbahet nga 3 deri më 5 janar në Hotel Sirius.

  • Vdes Daci, Kurti: Do të mbetet figurë me rëndësi në shtetndërtimin e Kosovës

    Vdes Daci, Kurti: Do të mbetet figurë me rëndësi në shtetndërtimin e Kosovës

    Pikëlluese ka ardhur lajmi se Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka ndërruar jetë në ditën e parë të vitit 2026.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e Dacit.

    “Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 200”, shkroi Kurti.

    Daci, i lindur më 26 korrik 1944 në Tërnoc të Bujanocit, pati një karrierë të pasur akademike dhe shkencore, duke u zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe duke drejtuar këtë institucion dy herë.

    Daci, një nga figurat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës, la pas një trashëgimi të shquar si politikan, akademik dhe lider institucional.

  • Pas vdekjes së Dacit, Osmani: U angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi

    Pas vdekjes së Dacit, Osmani: U angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur trishtimin e saj për humbjen e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci, duke e cilësuar atë si një personalitet të veçantë. Ajo theksoi se Daci dha një kontribut të madh në krijimin e shtetit të Kosovës me dijen, maturinë dhe vizionin e tij.

    “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit, akademikut dhe profesorit të nderuar Nexhat Daci. Ai ishte një personalitet i jashtëzakonshëm që bashkoi dijen shkencore me angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”, ka shkruar Osmani.

    Ajo po ashtu ka theksuar rolin e Dacit gjatë periudhës më të vështirë për Kosovën, sidomos gjatë viteve të nëntëdhjeta, ku ai kontribuoi aktivisht në kauzën për liri dhe pavarësi si një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova. “Kontributi i tij shumëdimensional në ndihmën e shtetit, zhvillimin e arsimit të lartë dhe avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë,” përfundoi Osmani.

  • Vdes Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës

    Vdes Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës

    Ka ndërruar jetë politikani kosovar, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.

    I ndjeri ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit dhe edhe si President në detyrë të Kosovës pas vdekjes së Rugovës në vitin 2006.

    Ai është themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ka qenë aktiv në politikë edhe pas mandatit të tij si kryeparlamentar.

  • Aktakuzë për mashtrim e falsifikim: Dëmi në buxhet arrin mbi 7 milionë euro

    Aktakuzë për mashtrim e falsifikim: Dëmi në buxhet arrin mbi 7 milionë euro

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë, të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” si dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit – persona fizikë: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., si dhe persona juridikë: “A&F P. Sh.p.k”, “S. Sh.p.k” dhe “Sh.G Sh.p.k”, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

    Në aktakuzë thuhet se të pandehurit A.M. dhe N.D., në periudhën nga 2 prilli 2019 deri më 11 mars 2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT-it, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë.

    Si pasojë e këtyre veprimeve, buxheti i shtetit dyshohet se është dëmtuar në vlerë prej 1,824,970 euro.

    Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., në periudhën nga 26 tetori 2020 deri më 27 nëntor 2023, në cilësinë e personave zyrtarë në MASHT, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900 për qind më të larta se ato të tregut, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 2,148,282.35 euro.

    Gjithashtu, ata dyshohet se, në kundërshtim me kushtet e kontratës, kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia, në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar fillimisht në kontratë.

    Si rezultat i këtyre veprimeve, sipas aktakuzës, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në 3,626,243.80 euro.

  • Kurti thotë se punëtorët e sektorit publik do ta marrin pagën e 13-të në fillim të vitit

    Kurti thotë se punëtorët e sektorit publik do ta marrin pagën e 13-të në fillim të vitit

    Punëtorët e administratës publike në Kosovë do të marrin pagën e 13-të në fillim të vitit 2026, ka konfirmuar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një vizite në Telekomin e Kosovës.

    Ai ka sqaruar se vendimi për buxhetin e vitit të ardhshëm, që përfshin edhe këtë pagesë, do të dërgohet për miratim në mbledhjen e parë të Qeverisë së re.

    “Për të gjithë punëtorët e administratës publike me ligjin e buxhetit për vitin 2026-të, të cilin e kaluam njëherë në mbledhjen e Qeverisë më 31 tetor sivjet, pra të cilin tash në legjislaturën e 10 kur të konstituohet Kuvendi do ta kalojmë në dy lexime,” tha Kurti.

    Ai shtoi se paga e 13-të nuk do të ndahet në fund të vitit, por në fillim të vitit të ardhshëm:

    “Kam thënë që me këtë ligj të buxhetit parashihet paga e 13-të; kush punon 12 muaj në administratën shtetërore i ka 13 paga, por paga e 13-të nuk merret në fund të vitit, në dhjetorin e vitit 2026, por në vitin që do të nisë nesër”.

    Kurti bëri të ditur gjithashtu se shpërndarja e saj do të bëhet menjëherë pas formimit të Qeverisë së re:

    “Do të merret në fillim të vitit, varësisht kur konstituohet Kuvendi dhe sa shpejt e formojmë Qeverinë. Pra në mbledhjen e parë, përveç vendimit për ligjin për buxhetin 2026, gjithashtu do ta kemi edhe vendimin që pagën e 13-të e jep në fillim të vitit, do t’i kemi edhe tri të tjera”.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për lidhjen me fushatën zgjedhore, Kurti theksoi: “Por, mos ta përsëris veten nga fushata pra zgjedhjeve sepse ato përfunduan të dielën”.

  • KQZ: Aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, numërimi vazhdon më 1 janar në 11 komuna

    KQZ: Aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, numërimi vazhdon më 1 janar në 11 komuna

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon me intensitet të shtuar dhe se deri më tani janë procesuar mbi 74 për qind e vendvotimeve në nivel vendi.

    Në një konferencë për media, Elezi tha se aktivitetet e numërimit janë përmbyllur tashmë në 27 komuna.

    “Njoftojmë se deri më sot, aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, përkatësisht në Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj dhe Kaçanik”, tha Elezi.

    Ai sqaroi se procesi i numërimit do të vazhdojë pas një ndërprerjeje të përkohshme, duke bërë të ditur se rifillimi do të ndodhë më 1 janar 2026, nga ora 16:00, në 11 Qendra Komunale të Numërimit.

    “Procesi i numërimit do të vazhdojë të martën, më 1 janar 2026, në orën 16:00, në QKN-të e komunave: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë”, deklaroi Elezi.

    Sipas tij, deri të mërkurën, më 31 dhjetor 2025, në orën 12:00, janë procesuar mbi 1,900 vendvotime nga gjithsej 2,557.

    “Deri më tani, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 1,900 nga 2,557 vendvotime, apo më shumë se 74 për qind. Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat transmetohen në platformën e KQZ-së për rezultate”, u shpreh ai.

    Elezi njoftoi se sot në mesditë procesi i numërimit do të ndërpritet përkohësisht, pas përfundimit të procedimit të kutive të hapura.

    “Sot në mesditë, sapo të përfundojë procedimi i kutive që janë të hapura, do të ndërpresim procesin e numërimit të fletëvotimeve dhe do të rikthehemi sërish më 1 janar në orën 16:00”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

    Sa i përket votimit jashtë Kosovës, Elezi bëri të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.

    “Nga votimi me postë, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve kanë ushtruar të drejtën e votës”, theksoi ai.

    Sipas Elezit, deri më tani nga kutitë postare janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

    “Pas vlerësimit dhe verifikimit, nga më shumë se 28 mijë pako të pranuara, janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950 pako. Arsyeja më e shprehur për refuzim është se në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, deklaroi ai.

    Në fund, Elezi njoftoi se numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës do të nisë gjatë kësaj jave, ndërsa data dhe ora e saktë do të bëhen të ditura përmes një njoftimi zyrtar nga KQZ-ja.

  • Aktakuzë për krime lufte ndaj një ish-gardiani të Burgut të Prishtinës, kishte rrahur të burgosurit shqiptarë

    Aktakuzë për krime lufte ndaj një ish-gardiani të Burgut të Prishtinës, kishte rrahur të burgosurit shqiptarë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.T., i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999.

    Sipas aktakuzës, B.T., në cilësinë e gardianit në Burgun e Prishtinës dhe në një institucion paralel në Lipjan, së bashku me gardianë të tjerë, ka maltretuar sistematikisht të burgosurit shqiptarë.

    Ata dyshohet se kanë përdorur mjete të ndryshme për të torturuar të burgosurit, duke përfshirë shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte, çka ka shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.

    Gjithashtu, i pandehuri dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se i kanë lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra dhe i kanë kërcënuar me jetë, duke i krijuar një gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme.

    Prokuroria Speciale thekson se veprimet e tyre shkelin ligjet vendore, zakonet e luftës, Konventat Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokollet shtesë që mbrojnë popullatën civile gjatë konfliktit të armatosur.

  • Limaj reagon për herë të parë pasi s’e kaloi pragun: S’kemi arsye ta ulim kokën

    Limaj reagon për herë të parë pasi s’e kaloi pragun: S’kemi arsye ta ulim kokën

    Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka falënderuar votuesit e tij për mbështetjen, duke theksuar se rruga që ka ndjekur ka qenë “e drejtë”.

    Sipas rezultateve aktuale, Nisma e Limajt nuk arriti të kalojë pragun për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

    Limaj ka vlerësuar garën si një proces të zhvilluar “në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm”, duke shtuar se viti i ardhshëm do të sjellë më shumë punë për partinë e tij.

    “Çdo votë është amanet. Çdo përkrahës është forcë. Kjo është një etapë që na obligon të jemi edhe më të përgatitur. Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet”, ka deklaruar Limaj.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë të Kosovës, miq, përkrahës dhe bashkëudhëtarë të kësaj rruge,

    Në këtë fundvit, ju falënderoj nga zemra për çdo votë, për çdo mbështetje dhe për çdo rreshtim të ndershëm në këtë rrugë që e bëmë bashkë.

    Kjo nuk ka qenë një rrugë e lehtë.

    Por ka qenë e drejtë.

    Dhe ajo që ka më shumë vlerë se çdo rezultat është fakti se kemi qëndruar drejt, me kokën lart dhe me besim në atë që përfaqësojmë.

    Kjo garë u zhvillua në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm.

    Por përtej çdo shifre, ajo që mbetet është mbështetja juaj dhe bindja jonë se kjo rrugë ka kuptim dhe vazhdimësi.

    Teksa mbyllim një vit të vështirë dhe hyjmë në një vit të ri, dua ta them qartë: viti që vjen na pret me punë, me organizim dhe me përgjegjësi edhe më të madhe.

    Na pret me përkushtim dhe me ecje të sigurt drejt qëllimeve tona.

    Ne mbetemi të bindur se Kosova ecën përpara vetëm me bashkim, me pjekuri dhe me një vizion të qartë për të ardhmen.

    Prandaj, nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën.

    Çdo votë është amanet.

    Çdo përkrahës është forcë.

    Kjo është një etapë që na obligon të jemi edhe më të përgatitur.

    Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet.

    Ju uroj shëndet, paqe dhe mbarësi në familjet tuaja.

    Ju uroj një Vit të Ri me shpresë, energji të re dhe besim në Kosovën tonë.

    Ne vazhdojmë. Bashkë.

    Me vendosmëri!

    Gëzuar Vitin e Ri!

    F.L