ATV

Tag: Ballina

  • E pazakontë: Qytetari thotë se herën e kaluar votoi me dokumente të shtetit të huaj, kësaj radhe nuk u lejua

    E pazakontë: Qytetari thotë se herën e kaluar votoi me dokumente të shtetit të huaj, kësaj radhe nuk u lejua

    Ekipi i ATV-së ka raportuar nga Qendra e Votimit “Destan Bajraktari” në Suharekë, ku është shënuar një rast i pakënaqësisë së një qytetari lidhur me të drejtën e votës.

    Qytetari deklaroi se ndonëse emri i tij figuron në listën e votuesve, atij nuk iu lejua të votojë për shkak se posedonte vetëm dokumente të një shteti të huaj. Sipas tij, në zgjedhjet e kaluara kishte arritur të votojë pa pasur probleme të tilla.

    “…Emrin e kisha, por me dokumente të huaja nuk më lanë me votu… Herën e kaluar nuk kam pasë problem, tash kemi problem…”, u shpreh qytetari për ATV-në.

    Lidhur me këtë çështje, reagime pati edhe nga studio. Artan Alijaj, ekspert për qeverisje dhe procesin politik, sqaroi se prania në listën e votuesve nuk është e mjaftueshme pa dokument identifikimi të vlefshëm.

    “Ju mund të jeni në listën e votuesve dhe mund të jeni edhe qytetar i Kosovës, por nëse s’keni dokument identifikimi nuk mund të votoni”, tha Alijaj.

    Ekipi i ATV-së në terren insistoi ta pyesë qytetarin se ku kishte votuar herën e kaluar, megjithatë ai refuzoi të përgjigjet në këtë pyetje.

    Ky rast ka nxitur diskutime për qartësinë e procedurave dhe rëndësinë e informimit të qytetarëve lidhur me dokumentacionin e nevojshëm për ushtrimin e të drejtës së votës.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • KQZ: 8.27% e votuesve votuan deri në orën 11:00

    KQZ: 8.27% e votuesve votuan deri në orën 11:00

    Mbi 165 qytetarë me të drejtë vote kanë votuar deri në orën 11:00 të dielën.

    Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se 165,404 persona apo 8.27% nga totali i votuesve kanë votuar deri tash.

    “Nga të dhënat që kemi marrë nga rreth 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 165,404 votues apo 8.27%. deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet në shkurt kishin votuar 169,650 votues”, ka thënë ai.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ekipi i ATV-së raportoi për parregullsi në një qendër votimi në Rahovec

    Ekipi i ATV-së raportoi për parregullsi në një qendër votimi në Rahovec

    Ekipi i ATV ka raportuar për parregullsi në qendrën e votimit në Fshatin Fortesë, në komunën e Rahovecit.

    Sipas Besnik Popajt, menaxher i qendrës, rreth orës 9:17 ka pasur një ndërprerje të rrymës deri në orën 10:30, e cila ka pamundësuar mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor për shkak të mungesës së ngrohjes.

    Gjithashtu, janë vërejtur probleme me fletëvotimet, disa prej të cilave ishin të nënvizuara:

    “Komisionerët dhe kryesuesit kanë hasur në disa fleta të votimit në të cilat janë disa shenja të pikësimit,” tha Popaj.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Personat me aftësi të kufizuara përballen me vështirësi serioze në procesin e votimit në Mitrovicë

    Personat me aftësi të kufizuara përballen me vështirësi serioze në procesin e votimit në Mitrovicë

    Myrvete Hasani, drejtoreshë e Handikos në Mitrovicë, në një lidhje direkte për ATV-në ka ngritur shqetësimin se personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbesin të anashkaluar, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore.

    Sipas saj, edhe pse ekzistojnë ekipe mobile për t’u mundësuar votimin kësaj kategorie, ato nuk po arrijnë t’i mbulojnë të gjithë personat në nevojë. Hasani theksoi se kushtet fizike në vendvotime janë ende të papërshtatshme.

    “…Unë vetë jam person me aftësi të kufizuara dhe me shumë vështirësi arrij të shkoj deri në katin e tretë për të votuar. Personat me aftësi të kufizuara kanë dëshirë të votojnë, por nuk kanë kushte…”, është shprehur ajo për ATV-në.

    Hasani shtoi se, ndonëse kanë pasur vizita nga deputetë dhe përfaqësues institucionalë, premtimet e dhëna kanë mbetur vetëm në nivel deklaratash, pa u shoqëruar me veprime konkrete.

    Ajo kërkon angazhim më serioz institucional për të garantuar të drejtën e votës dhe qasje të barabartë për personat me aftësi të kufizuara.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Prokurorja Pula për ATV-në: Incidentet e vogla po raportohen, pritet të trajtohen brenda ditës

    Prokurorja Pula për ATV-në: Incidentet e vogla po raportohen, pritet të trajtohen brenda ditës

    Prokurorja Laura Pula ka deklaruar për ATV-në se gjatë ditës së sotme janë raportuar disa incidente të vogla, por ato pritet të trajtohen brenda ditës.

    Sipas saj, duke u bazuar në përvojën nga zgjedhjet e kaluara, statistikat kanë treguar se zakonisht nuk ka shumë raste që duhet të trajtohen si vepra penale. Ajo shprehu shpresën që edhe kësaj here të mos ketë raste të tilla.

    “…Incidentet e vogla janë duke u raportuar, por duhet të trajtohen gjatë ditës. Duke u bazuar edhe në zgjedhjet e kaluara, statistikat kanë treguar se nuk ka shumë raste të cilat duhet të trajtohen si vepër penale. Uroj të mos e kemi as sot, por edhe nëse ka, ne këtu jemi…”, tha Pula.

    Prokuroria, theksoi Pula se mbetet në gatishmëri për të vepruar në rast se paraqiten shkelje që kërkojnë trajtim penal.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Parregullsi të tjera në Prishtinë: Mungesë zyrtarësh në Fakultetin Juridik

    Parregullsi të tjera në Prishtinë: Mungesë zyrtarësh në Fakultetin Juridik

    Parregullsitë në disa qendra të votimit në Prishtinë po vazhdojnë. Ekipi i ATV-së raportoi nga Fakulteti Juridik, ku qytetarët janë përballur me mungesë të zyrtarëve për orientim dhe informim.

    Gazetarja Pranvera Krasniqi, nga vendi i ngjarjes e konfirmoi mungesën e zyrtarëve për t’i udhëzuar qytetarët.

    “Me të hyrë këtu pamë një valë të qytetarëve që vetëm endeshin koridoreve në mungesë të zyrtarëve që do të duhej të qëndronin për t’i udhëzuar qytetarët,” deklaroi gazetarja.

    Ekipi i ATV-së intervistoi edhe një qytetar, Osman Osmanin, i cili për ta konfirmuar tregoi përvojën e tij gjatë qëndrimit në Fakultetin Juridik.

    “U sorollata diku 10–15 minuta, më në fund më ndihmoi dikush. Më përpara ka qenë një tavolinë dhe ka qenë dikush me të orientu, e sot nuk ishte askush,” tha qytetari.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • KQZ e konfirmon: S’ka telashe, të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë

    KQZ e konfirmon: S’ka telashe, të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i votimit ka nisur në gjithë Kosovën, pa asnjë telashe.

    “Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit. Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë. Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit. Numri i qytetarëvee me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë, që janë shpërndarë në 38 komuna”, tha Elezi në një konferencë për media.

    Elezi foli edhe për rezultatet.

    “…KQZ-ja ka bërë përgatitjet që gjatë ditës së sotme të transmetojë të dhënat në disa orare të ndryshme dhe në mbrëmje transmetimin e rezultateve. Në bazë të përgatitjeve që janë bërë, besojmë se para orës 20:00 do të fillojmë me rezultatet e para”, tha ai.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Familjarë kujdes: Mos ushtroni ndikim në votimin e të afërmve, ja çfarë ju pret ligjërisht

    Familjarë kujdes: Mos ushtroni ndikim në votimin e të afërmve, ja çfarë ju pret ligjërisht

    Avokati Asdren Bytyqi në studion e ATV-së, ka paralajmëruar qytetarët që të shmangin në çdo formë ndikimin në votimin e familjarëve, duke theksuar se një veprim i tillë mund të përbëjë vepër penale.

    “…Kushdo që vërtetohet se mund të ndikojë te votuesi, pra ushtron ndikim të paligjshëm në votimin e tij (e që kjo mund të ndodhë në situata të caktuara kur zakonisht familjarët detyrohen nga familjarë të tjerë), mund të përbëjë vepër penale…”, theksoi avokati Bytyqi.

    Ai shtoi se organet përgjegjëse duhet të jenë vigjilente gjatë gjithë procesit zgjedhor, ndërsa komisionerët në qendrat e votimit kanë rol kyç në parandalimin e parregullsive.

    Bytyqi rikujtoi se në të kaluarën janë evidentuar raste të manipulimit të votave, duke kërkuar vëmendje të shtuar dhe zbatim rigoroz të ligjit për të garantuar një proces të drejtë dhe të lirë zgjedhor.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ekipi i ATV-së raporton telashe në Prishtinë, ja për çfarë bëhet fjalë

    Ekipi i ATV-së raporton telashe në Prishtinë, ja për çfarë bëhet fjalë

    Ekipi i televizionit ATV ka raportuar sot për parregullësi të evidentuara në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, një nga qendrat më të mëdha në kryeqytet.

    Gazetarja e ATV-së, Pranvera Krasniqi, e cila raportoi nga vendi i ngjarjes, bëri të ditur se procesi është shoqëruar me probleme të shumta teknike dhe organizative.

    Sipas saj, procesi nuk ka nisur në kohën e paraparë, derisa janë shfaqur edhe vështirësi me funksionimin e kamerave.
    “Pati shumë probleme, procesi nuk nisi në kohë, nuk funksiononin kamerat, kamerat nuk po funksionojnë as tash…”, deklaroi gazetarja Krasniqi.

    ATV bën të ditur se situata po përcillet nga afër!

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Drejtori i Policisë për ATV: Probleme me rrymën në dy komuna, situata nën kontroll

    Drejtori i Policisë për ATV: Probleme me rrymën në dy komuna, situata nën kontroll

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar për ATV se janë raportuar probleme me energjinë elektrike në dy lokacione, por pa ndonjë incident tjetër.

    Ai tha se Policia e Kosovës është e gatshme dhe situata e sigurisë është e qetë.

    “…Policia e Kosovës është gjithmonë e gatshme. Nuk ka pasur asnjë incident. Në dy vende ka pasur probleme me rrymë, konkretisht në Obiliq dhe në Gjilan…” deklaroi Hoxha për ATV-në.

    Sipas tij, ndërprerjet e energjisë elektrike nuk kanë ndikuar në aspektin e sigurisë, por paralajmëroi se në rast të ndërprerjeve të tjera, sidomos gjatë natës dhe gjatë procesit të votimit, mund të paraqiten vështirësi.

    Hoxha u pyet edhe për situatën në Mitrovicën e Veriut, për të cilën tha se mbetet prioritet.

    “Fokusi ynë kryesor do të jetë Mitrovica e Veriut, për shkak të problemeve të mëparshme, por vëmendje të shtuar kemi edhe në komunat e tjera,” theksoi ai.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm: