ATV

Tag: Ballina

  • 59-vjeçari në Prizren tenton ta vrasë vajzën e tij, gjuan tri herë me armë drejt saj

    59-vjeçari në Prizren tenton ta vrasë vajzën e tij, gjuan tri herë me armë drejt saj

    Mëngjesin e sotëm, në fshatin Randobravë të Prizrenit, një person i dyshuar (N.H. 59-vjeç), pas një konflikti verbal me familjarët e tij, ka nxjerr armën e zjarrit- pistoletën dhe ka shtënë tri here në drejtim të vajzës së tij (A.H. 31-vjeçe).

    Djali i të dyshuarit ka arrit që me forcë të ia merr armën nga dora babait të tij dhe i dyshuari është larguar nga shtëpia.

    I dyshuari fillimisht nëpërmes telefonit ka raportuar policin se e ka gjuajtur në drejtim të vajzës së tij dhe se nuk e din a e ka vrarë apo jo dhe në ndërkohe është vetë dorëzuar në Stacionin Policor Prizren.

    Patrullat policore bashkë me emergjencën janë nis menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes.

    Por në ndërkohë në Stacioni Policor Prizren veri kanë arrit dy viktimat (motër e vëlla) të cilët e kanë dorëzuar armë gjithashtu. Asnjë person nuk ishte vrarë apo lënduar.

    Nga Policia është bërë këqyrja e vendi të ngjarjes, mbledhje e provave dhe dëshmive dhe intervistimi i të dyshuarit dhe viktimave.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë./IndeksOnline/

  • Kryeministri Kurti nderon viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Kryeministri Kurti nderon viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Në Ditën Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shpallur këtë vit nga Qeveria, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Me homazhe te memoriali Heroinat, Kryeministri Kurti përkujtoi viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk janë më në mesin tonë, si dhe nderoi të mbijetuarat e të mbijetuarit për forcën e tyre të pashembullt.

    Kryeministri Kurti, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendosi lule para memorialit, i cili përkujton mijëra gra dhe vajza, burra dhe djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, që është përdorur si armë lufte nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.

    Në homazhe morën pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, Leonora Selmani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.

    Në mbledhjen e 138-të, të mbajtur më 12 prill 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkërendim me Presidenten e Republikës së Kosovës, ka shpallur datën 14 prill si Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

  • KQZ-ja mban mbledhje, pritet miratimi i qendrave të votimit për zgjedhjet në veri

    KQZ-ja mban mbledhje, pritet miratimi i qendrave të votimit për zgjedhjet në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot (e premte) do të mbajë mbledhjen radhës në të cilën pritet të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i qendrave të votimit në katër komunat e veriut të Kosovës, për zgjedhjet e 23 prillit.

    Për mbledhjen e sotme e cila pritet të fillojë nga ora 13:30, është planifikuar që anëtarët e KQZ-së të shqyrtojnë dhe miratojnë edhe disa çështje të tjera në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit.

    Në rend dite është miratimi i rekomandimit për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet për kryetar të komunave në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveqan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvende komunale në Zveqan dhe Leposaviq.

    Gjithashtu pritet të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve dhe broshurave që shtypen për zgjedhjet e 23 prillit.

  • Kosova shënon Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale

    Kosova shënon Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale

    Kosova shënon për herë të parë 14 Prillin – Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në shenjë solidarizimi me rreth 20.000 persona të cilët vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale pra 24 vjetësh.

    Me propozim të presidentes Osmani, Qeveria e Kosovës ditë më parë e caktoi datën e sotme si ditë që do t’i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

    14 prilli përkon me datën famëkeqe të vitit 1999 atëherë kur Vasfije Kraniqi Goodman, në atë kohë 16 vjeçare, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.

    Shënimi i 14 Prillit si Ditë e të mbijetuarve, është vlerësuar si moment i rëndësishëm në dokumentimin e të vërtetës, njëkohësisht shënon edhe njohjen simbolike, e cila është e rëndësishme në integrimin e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

    Presidentja Osmani deklaroi se shënimi i 14 Prillit do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

    “Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera presidentja Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës që 14 Prilli të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale.

    Në shënimin e kësaj dite, QKRMT dhe organizatat anëtare të platformës “Bëhu zëri im”, në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot (e premte) do të organizojë marshin: Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Marshi do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi Ibrahim Rugova, për të vazhduar deri tek monumenti Heroinat, ku do të prezantohet instilacioni “14 Prilli”.

  • Veriu ende pa qendra të votimit

    Veriu ende pa qendra të votimit

    Dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka miratuar listën e qendrave të votimit.

    Kjo pritet me ndodhë në një takim të KQZ-së, të caktuar për 14 prill.

    Deri më tani është votuar në shkolla, por këtë herë shanset për këtë janë pothuajse joekzistente sepse ato kontrollohen nga sistemi serb në veri, i cili i kundërshton zgjedhjet. Qendrat alternative si dhe stacionet policore po ashtu janë përmendur si vende të mundshme që mund të shndërrohen në qendra të votimit.

    Moscaktimi i qendrave të votimit krijon dyshime se aktiviteti zgjedhor mund të zhvillohet, thonë ish-kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Adnan Merovci, dhe përfaqësuesi i organizatës joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), Eugen Cakolli.

    Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

    Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

    Këto zgjedhje ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

    Gjatë një seance plenare të Kuvendit të Kosovës, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga autoritetet që të shtyjnë zgjedhjet në veri, pasi tha se gjendja atje nuk është e mirë. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill mund “të thellojë pasojat” për Kosovën.

    Qeveria, Presidenca dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk i janë përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë, nëse është duke u shqyrtuar mundësia për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve.

    Adnan Merovci e vlerëson të vështirë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në veri të Kosovës, nëse merret parasysh situata politike.

    Gjendja politike në atë pjesë të shtetit është e brishtë dhe kjo sipas tij ka pamundësuar që institucionet përgjegjëse të përfundojnë me kohë procedurat teknike për organizimin e zgjedhjeve.

    “Nëse gjendja në veri është e tillë, që ende vendvotimet nuk janë caktuar, ende aspekti teknik nuk është marrë në duart e atyre që quhen komisionerë, udhëheqës të vendvotimeve, unë jam skeptik …”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, thotë se për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, KQZ-ja shumë shpejt duhet të publikojë lokacionin e qendrave të votimit, në mënyrë që të informohen votuesit se ku mund të votojnë.

    Ky proces, ky sipas tij, është dashur të përfundojë 45 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

    “Më e rëndësishmja është publikimi i qendrave të votimit. Ende nuk dihet se cilat do përdoren për qëllim të zhvillimit të procesit të votimit. Janë përmendur modalitete të shumta, si qendra alternative apo votim në stacione policore, e të tjera”, thotë ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se gjatë “mbledhjes së radhës”, do të ketë një pasqyrë të qartë të qendrave të votimit për zhvillimin e procesit zgjedhor. Një tentim për votimin e listës së qendrave të votimit këtë javë dështoi.

    Deri më tani, për zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë, institucionet arsimore zakonisht janë shfrytëzuar si qendra votimi. Por, kjo praktikë mund të ndryshojë për faktin se shkollat në mjediset serbe në Kosovë punojnë sipas sistemit të Serbisë dhe drejtorët mund të mos lejojnë shfrytëzimin e shkollave për votime.

    Subjekti më i madh politik në katër komunat në veri të Kosovës është Lista Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, dhe që njëherësh ka udhëhequr me katër komunat në veri, duke mbi 90 për qind të votave në zgjedhjet e kaluara.

    Kjo parti është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve dhe nuk ka aplikuar për të garuar në zgjedhjet e 23 prillit.

    Mungesa e kandidatëve nga Lista Serbe në këtë garë zgjedhore do ndikojë në pjesëmarrjen e ulët të zgjedhjeve, thotë kandidati për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Pavarësisht kësaj, ai shprehet se zgjedhjet duhet të mbahen dhe KQZ-ja duhet të gjejë qendra alternative të votimeve në zonat ku është e pamundur të shfrytëzohen shkollat.

    “Ne jemi në proces dhe në nivel të organizimit zgjedhor. Ne jemi të fokusuar të dalim në zgjedhje”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

    Kryetarët e rinj “vështirë se do kenë qasje në objektet komunale”
    Mosaplikimi i Listës Serbe në këto zgjedhje do ndikojë në legjitimitetin që do kenë institucionet e reja, përkatësisht kryetarët e katër komunave si dhe dy kuvendet komunale, thotë Cakolli nga DnV.

    “Efektivisht do ta kenë të pamundur ushtrimin e mandatit të tyre ligjor. Madje për të thjeshtësuar maksimalisht, besoj se do kenë vështirësi të kenë qasje në objekte komunale, e lërë më të arrijnë të ofrojnë shërbime, të miratojnë buxhete apo diçka tjetër të kësaj natyre”, shprehet Cakolli.

    Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë nuk parasheh ndonjë prag të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, thotë Merovci, duke shtuar se pjesëmarrja është vullnetare, por rezultati i zgjedhjeve nuk mund të jetë efektiv.

    “Ne po flasim për legjitimitetin ‘popullor’, kur nuk marrin pjesë ata që banojnë aty, atëherë politikisht si zgjedhje nuk tingëllojnë mirë si aktivitet”, shprehet ai.

    Megjithatë, Cakolli shprehet se organizimi i këtyre zgjedhjeve nuk do të prodhojë ndonjë situatë të re.

    “Unë madje besoj se mbajtja e këtyre zgjedhjeve do nxisë proces të ri zgjedhor për shkak të dështimit eventual për të miratuar buxhetet e këtyre komunave, të cilat duhet të propozohen nga ekzekutivi”, thekson ai.

    Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet në veri dhe që janë ndarë mjetet e nevojshme për këtë proces.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet dhe se qeverisja e formuar pas zgjedhjeve nuk do të ketë legjitimitet.

    Ai madje ka kritikuar shtetet perëndimore për “heshtjen” e tyre, për faktin që Kurti nuk ka dëshiruar të shtyjë zgjedhjet lokale, në të cilat serbët nuk do të marrin pjesë.

    Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.

  • Escobar: Marrëveshja Kosovë-Serbi është historike, i paraprin normalizimit të marrëdhënieve

    Escobar: Marrëveshja Kosovë-Serbi është historike, i paraprin normalizimit të marrëdhënieve

    Zëvendës Ndihmës Sekretari e SHBA-ve për Çështjet Evropiane Gabriel Escobar, ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi është historike për marrëdhënie miqësore mes dy shteteve.

    Escobar ka thënë se kjo marrëveshje i paraprin normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.

    Në intervistën për Top Channel, Ecobar u shpreh se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, ndaj sipas tij kjo është edhe një ndër arsyet e vizitës së tij në Tiranë.

    “Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim. Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Europian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit”, ka deklaruar Escobar.

    Escobar ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër, nuk do të kishte ndodhur pa mbështeten e Maqedonisë së Veriut.

    Ai gjithashtu ka vlerësuar si të rëndësishme edhe mbështetjen e qeverive të Shqipërsië dhe Krocisë.

    “Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar”, ka thënë Escobar.

  • Kurti sot e pret Abazoviqin, do të nënshkruajnë një marrëveshje me rëndësi

    Kurti sot e pret Abazoviqin, do të nënshkruajnë një marrëveshje me rëndësi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të pres sot në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ku do të nënshkruajnë marrëveshjen për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.

    Kështu bëhet e ditur prej një komunikate për media të zyrës së kryeministrit.

    Takimi do të bëhet në ndërtesen e Qeverisë duke filluar nga ora 09:00, kurse mediat mund të marrin pjesë në fillim të takimit.

  • Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se vetmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë nuk nënkupton Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

    Këto komente, Bislimi i bëri në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke iu referuar tekstit të marrëveshjes së Ohrit që flet për krijimin e një strukture vetmenaxhuese të komunitetit serb në Kosovë.

    “Kjo nuk nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse ende nuk dihet se si do të duket struktura e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues, nuk zbatojmë qëndrime të politikanëve në Bruksel apo gjetkë jashtë Kosovës dhe marrëveshja bazike, si dhe aneksi implementues, kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimit të ndjekë një sekuencim që nënkupton se nuk mundet njëra palë të marrë benefitet e marrëveshjes dhe pastaj të vendoset se në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve. Kjo nënkupton që edhe nëse fillojnë bisedimet për strukturën menaxhuese, apo të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, përderisa nuk ka gatishmëri nga pala serbe që ajo t’i zbatojë obligimet e marra, ky proces nuk mund të përfundojë suksesshëm sepse do të jetë e pamundur që pala kosovare të kryejë pjesën e vet të obligimeve për aq kohë sa zotëri Vuçiqi publikisht deklaron se nuk e sheh marrëveshjen në tërësi si obligative por si një lloj menyje ku ai mund të zgjedhë se cilat pjesë dëshiron t’i zbatojë e cilat jo”, u shpreh ai.

    Bislimi tha se grupi menaxhues për hartimin e statutit të asaj që njihet në opinionin si “Asociacion…” ekziston që nga 2013-ta.

    Ai shtoi se deri më tani ka pasur dy herë ndryshime në përbërjen e grupit menaxhues, teksa theksoi se i njëjti është dashur që të raportojë në baza të rregullta te Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por shton se raportet e fundit janë dërguar në fund të vitit 2018.

    Në bazë të kësaj, zëvendësi i kryeministrit Kurti tha se “rrjedhimisht ne nuk mund ta dimë se në ç’stad ndodhet puna e grupit menaxhues, por ata do të ftohen pas takimit të radhës në Bruksel për të prezantuar punën e tyre dhe në momentin e prezantimit pushon veprimtaria e tyre, pra nuk ekziston më grup menaxhimit, apo grup menaxhues, pas prezantimit të draftit, dhe pastaj gjithçka kalon në rrafshin politik”.

    Besnik Bislimi tha se drafti që ai grup do ta prezantojë, duhet t’i përmbushë pesë kritere.

    “Është shumë me rëndësi që drafti që ai grup prezanton do të vlerësohet në bazë të disa kritereve që sigurojnë që, për shembull, drafti i propozuar nuk bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; nuk bie në kundërshtim me marrëveshjen e 2013 dhe 2015; nuk nënkupton krijimin e një shtrese të re të qeverisjes në Kosovë; nuk nënkupton të drejta kolektive për komunitetin serb; është në harmoni me letrën e zonja Mogherinit ia ka dërguar ish-kryeministrit të Kosovës në vitin 2015 ku i shpreh qartazi se edhe për BE-në, ky lloj trupi i vetëmenaxhimit nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Për aq kohë sa drafti i prezantuar bie në kundërshtim me këto 5 kritere, me shumë gjasë ai duhet të shpallet si i papranueshëm dhe pastaj duhet të shikojmë për alternativat që mund të prezantohet, qoftë nga pala kosovare qoftë nga dikush tjetër. Kjo do të mbetet për t’u parë në takimin e radhës” në Bruksel, tha Bislimi.

  • A ka kaluar Behgjet Pacolli në PDK? – Flet Enver Hoxhaj

    A ka kaluar Behgjet Pacolli në PDK? – Flet Enver Hoxhaj

    Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në seancën e sotme ka ndryshuar karrigen në Kuvendin e Kosovës. Ai është ulur pranë deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Ky veprim i Pacollit nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat, ku në disa prej tyre edhe janë hedhur dyshime se ai mund t’i jetë bashkuar PDK-së, mirëpo asgjë nuk ishte e konfirmuar.

    Lidhur me këtë veprim të Pacollit ka folur deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

    Ai në emisionin CONTEXT në ATV ka mohuar se Pacolli i është bashkuar PDK-së, ndërsa thotë se ka qenë vetëm një bisedë miqësore dhe asgjë më shumë.

    “Absolut jo. Unë dhe zotëri Reçica kemi komunikuar me të dhe i thamë a po vjen tek ne bisedojmë, me që baca Behgjet është me ramazan. Erdhi tek ne në tavolinë dhe biseduam, Mund ta kenë parë të tjerët, por biseda ka qenë miqësore”, tha Hoxhaj. /atvlive.tv

  • Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi, në një lidhje direkte në emisionin DIREKT në ATV, tha se vendimi i Gjykatës Supreme që KEDS të kompensojë konsumatorët, duke ua kthyer borxhin prej rreth 41 milionë eurosh për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë e Kosovës, transmeton atvlive.tv.

    “Ky vendim do ta nxisë një reagim tjetër sepse KEDS në këtë rast duhet t’i gjejë paratë dikah për t’i kthyer te qytetarët, ose për t’i kompensuar ata dhe këtu varet kryesisht nga vendimi të cilin do ta marrë Qeveria, në fakt me hapat e mëtejshëm me KEDS sepse këto para duhet të vijnë dikah. Një situatë e tillë e krijuar tani pretendon që ato mjete duhet të kthehen te qytetarët, duhet të kompensohen nga KEDS. Kjo i bie që KEDS të nxerrë nga kuleta e saj 41 milionë euro që do të regjistrohen si humbje për KEDS-in dhe nuk e di se sa do të jenë të gatshëm ata ta zbatojnë një gjë të tillë, përkundër faktit se vendimi i Supremes është vendim i prerë”, tha Azemi.

    Ai tha se vendimi i Gjykatës Supreme është i prerë, i cili duhet të zbatohet, ndërsa KEDS tani gjendet në një situatë të vështirë pasi që rrezikon falimentimin.

    “Kjo do e implikojë Qeverinë e Kosovës medoemos për të diskutuar, analizuar veprimet e mëtejshme sepse një vendim i Supremes duhet në fund të ditës të zbatohet dhe qytetarët duhet të kompensohen ashtu siç e ka dhënë verdiktin Supremja, por se nga do të vijnë këto mjete, nga do të vijnë këto para, ajo mbetet tash të shihet në KEDS dhe Qeverinë e Kosovës. Kjo mund edhe ta falimentojë kompaninë që është një situatë e re e krijuar dhe mund të jetë e tillë, por varet se çfarë disponimi do të ketë Qeveria e Kosovës”, tha Azemi.

    Kujtojmë se Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

    Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

    Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

    Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

    Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv