ATV

Tag: Albin Kurti

  • Kurti: Jemi afër themelimit të Fondit Sovran, krijon profit për shtetin

    Kurti: Jemi afër themelimit të Fondit Sovran, krijon profit për shtetin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë qeverisjes dy vjeçare kanë shënuar rezultate të mira në ekonomi. Sipas tij, janë fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë të sektorit privat dhe se janë zotuar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimi e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore, raporton Ekonomia Online.

    Në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung”, që po mbahet të dielën, ka thënë se Kosova është afër themelimit të Fondit Sovran, i cili do të krijojë profit për shtetin.

    Ai ka thënë se themelimi i këtij fondi do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

    “Jemi një hap afër miratimit të projektligjit dhe me këtë kurorëzimin e idesë që ka nisur me koncept-dokumentin mbi Fondin Sovran, të udhëhequr nga Besnik Pula, vitin e kaluar. Qeveria jonë qëndron fuqishëm pas këtij vizioni, duke besuar se nisma e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profiteve për shtetin përmes investimeve të mençura. Ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit Sovran”, është shprehur ai.

    Kurti më tej ka përmendur disa nga ndryshimet në ndërmarrjet publike, duke thënë se janë kthyer nga ndërmarrje me humbje në ato me profit.

    “Për të rritur përqindjen e suksesit dhe për të ulur rrisqet, Qeveria përgjegjëse dubet të bëjë globalizimin e këtillë që ai të punojë për qytetarin. Këtë pikërisht e bën Fondi Sovran. Ndërmarrjet tona publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit me qëllim të rritjes së investimeve. Gjatë qeverisjes sonë dy vjeçare kemi shënuar rezultate sinifikante në ekonomi. Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë të sektorit privat, përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimi e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore”, tha Kurti.

    René Schlee, drejtor ekzekutiv i “Friedrich Ebert Stiftung” u shpreh se krijimi i Fondit Sovran do të jetë një hap domethënës për Kosovën. Tha se Fondi do të krijojë rrjet ekonomik të qëndrueshëm për Kosovën.

    “Ne gjithmonë besojmë shumë se ky do të jetë një hap domthënës për shtetin e Kosovës dhe të krijojë një lloj rrjeti ekonomik të zhvillimit të qëndrueshëm. Besojmë se do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e Kosovës dhe për një shoqëri të drejtë. Për këtë arsyeje jemi mbledhur dhe i kemi kushtuar vëmendje, kam kënaqësinë që themelimi i këtij fondi është bashkëpunim i frytshëm”, ka thënë Schlee.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

    I nderuari z. Schlee,

    E nderuara znj. Pllana,

    I nderuari z. Ashmore, z. Dimitriadis, znj. Debelak,

    I nderuari profesor Pula,

    I nderuar zv.ministër Mjeku,

    E nderuara deputetja Statovci,

    I nderuari zv/ambasador gjerman Conrad,

    Kam kënaqësinë që të jem sot me juve në këtë Konferencë. Uroj që kjo të jetë vetëm njëra ndër të tjera që do trajtojnë këtë temë të rëndësishme. Do të doja të falënderoj z. Schlee dhe fondacionin Friedrich Ebert Stiftung për organizimin e Konferencës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe dëshiroj mirëseardhje për të gjithë mysafirët tanë nga Britania e Madhe, Greqia e Sllovenia që sot janë me ne. Mirë se vini.

    Sot do flasim për themelimin e fondit sovran. Tani kur projektligji ka kaluar konsultimet publike, jemi një hap më afër drejt miratimit të tij e, me këtë, të kurorëzimit të idesë që ka nisur me koncept dokumentin mbi Fondin Sovran të udhëhequr nga profesor Besnik Pula gjatë vitit të kaluar.

    Qeveria jonë qëndron fuqishëm mbrapa këtij vizioni, duke besuar që një nismë e këtillë do rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë. Të gjitha këto, pra me qëllim të një transformimi makroekonomik, të bazuar në kornizë politikash të investimeve të qarta, përmes dispozitave ligjore të parashikueshme.

    Jetojmë në një epokë të globalizimit dhe ky nuk është procesi që duhet ndalur. Shpejtësia me të cilin inovacioni kalon kufirin përmes ndërrimit të kapitalit dhe ideve është i paprecedentë. Globalizimi i këtillë sjell me vete perspektivën e përmirësimit të jetës së qytetarëve. Mirëpo, për të rritur përqindjen e suksesit e për të ulur rrisqet, qeveritë përgjegjëse duhet ta bëjnë globalizimin të tillë që ai të punojë për qytetarët. Këtë pikërisht e bën Fondi Sovran.

    Ndërmarrjet tona publike, do bëhen pjesë integrale e Fondit, në qëllim të mundësisë për rritje të investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik. Gjatë qeverisjes tonë dy vjeçare, kemi shënuar rezultate signifikante në ekonomi.

    Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë nga sektori privat. Përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimet e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore. Ndërmarrjet janë ringjallur e kthyer në shërbim të qytetarëve. Këto ndërmarrje kanë siguruar profit prej 94 milionë euro gjatë këtij viti, në krahasim me 3 milionë humbje para mandatit tonë qeverisës. Telekomi ka siguruar profit e fitore në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët pas investimit të qeverisë në këtë ndërmarrje në vlerë prej 20 milionë euro kredi. Trepça ka rritur të hyrat nga 15 milionë në 22 milionë euro dhe për herë të parë që nga paslufta ka shënuar profit. Tani këto ndërmarrje do bëhen pjesë funksionale e Fondit.

    Përkundër sfidave në realizimin e investimeve kapitale, KEK gjatë këtij viti të shkuar pra 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6%, duke prodhuar 5,680 GWh. Ka bërë eksportin e 581 GWh-ve në vlerë totale 117 milionë euro, ka ulur shpenzimet operative dhe ka realizuar mbi 20 milionë euro investime kapitale. Me realizimin e këtyre investimeve krijohen kushtet për realizimin e projektit të Elektrofiltrave dhe pajisjeve për uljen e emetimeve të oksideve të sulfurit dhe azotit (DeNOX) nga viti tjetër me grant të Bashkimit Evropian në vlerë prej 77 milionë euro.

    Krahas fuqizimit të ndërmarrjeve publike, kemi punuar në rritjen ekonomike e cila ka një mesatare prej 7 për qind në dy vitet e fundit, më e madhja ndonjëherë që nga paslufta. Kemi rritur eksportet për 83.6 për qind e 47.6 për qind investime të huaja direkte. Trendin e këtillë vazhdojmë me 25 mijë vende të reja pune të krijuara, numër ky që po rritet çdo ditë përmes platformës së re Superpuna. Kemi rregulluar pagat në sektorin publik e kemi shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, duke u rritur për 22 vende sipas Transparency International. Luftën kundër korrupsionit e vazhdojmë me strategjinë kundër korrupsionit që do hartohet këtë vit e me agjendë të pasur legjislative që shënon ndryshim rrënjësor në luftim të korrupsionit përmes themelimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Investime të huaja direkte dhe eksporte po sjellim në Zyren e Kryeministrit përmes themelimit të agjencisë së re profesionale, me kuadro të pasura me përvojë në institucione të brendshme e ndërkombëtare, profesionistë ligjorë e të ekonomisë që do të tërheqin investime në bazë të politikave të mirëfillta zhvillimore.

    Të gjitha këto nisma e komplementojnë atë të Fondit Sovran, si mjeti institucional i investimeve që do veprojë në tregje ndërkombëtare financiare, të zotëruar, menaxhuar e kontrolluar nga një qeveri e përgjegjshme e nga një sovran i përgatitur e i gatshëm për ndryshimet pozitive që na presin.

    Ju falemnderit.

  • Sot lansohet Fondi Sovran, merr pjesë edhe Kurti

    Sot lansohet Fondi Sovran, merr pjesë edhe Kurti

    Duke filluar nga ora 11:00, sot do të mbahet konferenca e lansimit të Fondit Sovran të Kosovës. Këtij Fondi, pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

    Konferenca është e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit.

    Sipas kryeministrisë, folës do të jetë edhe Kurti. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë si folës kyç në konferencën e Fondit Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung. Kjo konferencë do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet në hotel “Emerald”.

    Kurse FES-i thotë se konferenca ka të bëjë me prezantimin e reformës më të madhe ekonomike në Kosovë në fushën e menaxhimit të aseteve shtetërore.

    Ata gjithashtu shprehen se që nga viti 2021, “dy grupe pune ekspertësh janë përfshirë në këtë proces të rëndësishëm të reformës ekonomike dhe legjislative, të përfunduar me një projektligj përfundimtar”.

    FES-i deklaron se konferenca e Fondit Sovran të Pasurisë së Kosovës do të mbledhë përfaqësues të Fondit Sovran të Pasurisë në Evropë, politikë dhe vendimmarrës ndërkombëtarë, pjesëmarrës nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore, drejtorë të ndërmarrjeve publike, grupe të ekspertëve, shoqëri civile dhe media.

    Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran, disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran, janë:

    Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik, Trepça, Trainkos-i, Infrakos-i

    Fondit Sovran do t’i barten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit edhe disa ndërmarrje shoqërore dhe asete.

    Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë janë 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.

    Nëntëdhjetë e katër asetet përfshijnë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.

  • ​Sulmi tragjik në Serbi, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre

    ​Sulmi tragjik në Serbi, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre, pas sulmit të armatosur në Beograd të Serbisë.

    Kurti po ashtu ka uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit.

    “Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, ka shkruar ai në Twitter.

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë të mërkurën nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

    Në oborrin e shkollës është arrestuar nxënësi i kësaj shkolle, K. K. 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

    Shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq ka deklaruar se janë duke u bërë hetime për ndriçimin e rastit.

    Sipas njohurive, siç ka treguar Miliq, 14-vjeçari veprën penale e kishte planifikuar që një kohë të gjatë.

  • Hisen Berisha tregon se si dikur ishte ‘inspiruar’ nga Albin Kurti

    Hisen Berisha tregon se si dikur ishte ‘inspiruar’ nga Albin Kurti

    Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në kohën sa kishte qenë në uniformë të TMK-së, ishte inspiruar nga Albin Kurti në temën se “Zajdenica” nuk duhet të kalojë.

    Berisha madje tregoi se edhe Agim Çeku në atë kohë ia kushte mundësuar Kurtit një ligjëratë në Akademinë e Mbrojtjes, për ta shpalosur vizionin e tij kundër “Zajednicës”.

    “Unë personalisht jam inspiruar se nuk duhet të kalojë “Zajednica” sa kam qenë ushtarak në atë kohë, në uniformë, nga Albin Kurti. Ne e dimë që Agim Çeku në atë kohë, ia ka mundësi një ligjëratë në Çerdhen e Shqiponjave në TMK, në Akademinë e Mbrojtjes për ta arsyetuar vizionin e tij se nuk duhet lejuar Asociacion në Kosovë. Aty jam inspiruar se “Zajednica” nuk kalon edhe pikë”, tha Berisha. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë CONTEXT në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Korenica: Kurti po i qëndron mbrapa asaj që ka thënë, nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive

    Korenica: Kurti po i qëndron mbrapa asaj që ka thënë, nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri Kurti është duke i qëndruar prapa deklaratave të tij se nuk do të lejojë të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.

    “Gjendemi në një situatë të pakëndshme për shtetin tonë të trashëguar prej qeverive të kaluara. Kryeministri Kurti, atë që e ka thënë po i qëndron prapa saj se çfarëdo qoftë organizimi që kërkon Serbia me ndodh brenda në Kosovë për pakicën kombëtare serbe, nuk ka me pas Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe s’do të jetë një etnik”, tha Korenica. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë CONTEXT në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vizioni i Kurtit për vetëmenaxhimin e serbëve, inspirim nga Kroacia

    Vizioni i Kurtit për vetëmenaxhimin e serbëve, inspirim nga Kroacia

    Në vend të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Albin Kurti në Bruksel prezantoi një dokument dhjetëpikësh për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, për vetëmenaxhimin.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se pas prezantimit të draftit fillestar nga Ekipi Menaxhues, kryeministri kosovar tregoi vizionin e tij në raport me këtë nen.

    “Kryeministri ndau pikëpamjet e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë. Dhe siç prisnim, pikëpamjet e palëve, për natyrën e këtij Asociacioni apo Bashkësie, janë shumë larg”, tha Borrell.

    Drafti i prezantuar nga kryeministri Kurti ka në preambulë tri kushtet e shpalosura paraprakisht dhe flet për një kornizë vetëmenaxhimi të komunitetit serb si një projekt joterritorial, në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

    Drafti saktëson Këshillin Konsultativ për Komunitete si kanal zyrtar komunikimi, e po ashtu parasheh mundësinë e financimit nga Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Serbisë, sipas rregullave dhe procedurave të Ministrisë së Financave të Kosovës.

    Drafti përmend lirinë e asocimit dhe bashkëpunimin institucional, përfshirë komunat, por jo emërtimin Asociacion i komunave.

    Për këtë draft-vizion, kryeministri Albin Kurti tha se është inspiruar nga modeli kroat i adresimit të të drejtave të komunitetit serb.

    Në Kroaci ka një Këshill Koordinues Kombëtar të Serbëve që ka për qëllim realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicës serbe, sipas ligjeve dhe kushtetutës kroate – që vepron si formë e vetëqeverisjes dhe institucion autonom kulturor.

    Ky Këshill me karakter afirmues, bashkëpunues dhe organizativ në disa fusha dhe me seli në Zagreb, ka Asamblenë, Presidencën dhe Bordin Mbikëqyrës.

    Megjithatë, Kroacia ka një organizim tjetër me më shumë nivele pushtetesh: atë qendror – Qeverinë; nivelin regjional me 21 qarqe; atë të ndërmjetëm me 128 qytete; dhe nivelin lokal me 428 komuna. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti krenohet me lirinë e medias në Kosovë: Në dy vjet rangimi u përmirësua për 22 vende

    Kurti krenohet me lirinë e medias në Kosovë: Në dy vjet rangimi u përmirësua për 22 vende

    Në Ditën Botërore të Mediave, kryeministri Albin Kurti, duke shpërndarë një statistikë të Reporterëve pa Kufij, është krenuar me lirinë e medias në Kosovë.

    Ai tha se Kosova është përmirësuar për 22 vende në këtë rangim të Reporterëve pa Kufij, duke shtuar se një shtyp i lirë është shtyllë e demokracisë në vend.

    “Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne jemi krenarë të njoftojmë se sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende në 2 vjet për mjedisin e saj gazetaresk. Një shtyp i lirë dhe i pavarur do të mbetet gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe e vendit tonë”.

  • Kryeministri Kurti publikon versionin e tij për Asociacionin

    Kryeministri Kurti publikon versionin e tij për Asociacionin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar mbrëmë pas mesnatës vizionin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Pas takimit të 2 majit në Bruksel, Kurti tha se draft-statuti i ekipit menaxhues anëtare e të cilit është një deputete serbe, mbetet i papranueshëm për Kosovën.

    Kurti tha se ky ekip tashmë është dekomisionuar.

    “Një draft-statut i tillë çfarë lexuam është fundamentalisht i papranueshëm me kushtetutën e Kosovës, ligjshmërinë dhe të drejtat në Kosovë. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe përkitazi me këtë unë kam prezantuar një draft-vizion se çfarë do të ishte korniza që rregullon të drejtat e pakicave në Kosovë”, tha ai”, tha Kurti në Twitter, ku edhe ka publikuar draft-vizionin e tij që e paraqiti në takimin me Vuçiqin e Borrellin.

     

  • Kurti denoncon Vuçiqin në Bruksel: Ka shkelur 8 nga 11 nenet e marrëveshjes

    Kurti denoncon Vuçiqin në Bruksel: Ka shkelur 8 nga 11 nenet e marrëveshjes

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas takimit në Bruksel, ka treguar se e ka refuzuar draft-statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues dhe se ka propozuar një draft vizion që tregon kornizën që rregullon të drejtat e pakicave sipas të drejtave evropiane.

    Kurti para gazetarëve tha se e ka denoncuar Serbinë për shkeljen e përsëritur të marrëveshjes baz të dakorduar në Bruksel dhe të aneksit të saj, të dakorduar në Ohër.

    “Dorëzova edhe një dokument mbi atë se si nga 27 shkurti kur jemi pajtuar mbi marrëveshjen bazë, Beogradi zyrtar e ka shkelur atë. Në atë dokument shihet qartë, në mënyrë faktike, të dokumentuar, se nga 11 nene të marrëveshjes bazë 8 prej tyre i ka shkelur Beogradi zyrtar”, tha Kurti, duke shtuar se vetëm në muajin mars e prill, janë shkelur 8 nga 11 nenet.

    Kurti ka thënë se ka dërguar përmes një dokumenti edhe deklaratat e Vuçiqit para Borrell e Lajçak, të cilat shkelin marrëveshjet e arritura.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: E refuzova draft-statutin, propozova draft-vizionin

    Kurti: E refuzova draft-statutin, propozova draft-vizionin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se e ka refuzuar draft-statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues për shkak se nuk ka ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe nuk përkon me vlerat europiane për të drejtat e pakicave.

    “Në këtë takim të sotëm pas marrëveshjes për të pagjeturit e dëgjuam me vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft statut me gjithsej 97 nene, që një draft statut i tillë është fundamentalisht i papajtueshëm me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, por përkundër kësaj jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Unë propozova një draft vizion që tregon kornizën që rregullon të drejtat e pakicave sipas të drejtave evropiane. Besoj se do të merret parasysh nga Borrell dhe Lajcak. Serbët do të kenë të drejta dhe bashkërisht do të kemi shoqëri që nuk lë askë prapa. Me këtë rast, theksoj se dorëzova tek ndërmjetësit një dokument”, tha Kurti.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: