ATV

Tag: Albin Kurti

  • ​Qeveria e Kosovës miratoi marrëveshjen për programin IPA 2022

    ​Qeveria e Kosovës miratoi marrëveshjen për programin IPA 2022

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh.

    Ekzekutivi i dha dritë të gjelbër Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin IPA 2022.

    Miratoi udhëzimin për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

    Ndërkohë caktoi 14 prillin si Ditë Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës se fundit në Kosovë.

    Krahas kësaj, u ndan 287 mijë euro për kompensimin financiar njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

  • ​Kurti: Drafti për reformë zgjedhore shqyrtohet së shpejti në ekzekutiv

    ​Kurti: Drafti për reformë zgjedhore shqyrtohet së shpejti në ekzekutiv

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti për reformën zgjedhore së shpejti do të trajtohet në ekzekutiv. Sipas tij, ai i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës.

    Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri ka thënë se dokumenti parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit politik derisa ambasadat dhe konsullatat e Kosovës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.

    “Javën e kaluar Komisioni ad hoc për reformë zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Republikës përmbylli punën e tij duke hartuar draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtë draft së shpejti do ta kemi për trajtim edhe në Qeveri, për të dhënë opinionin dhe komentet tona. Megjithatë, sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë. Në esencë, ky draft ligj i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit”, ka thënë Kurti, transmeton KP.

    Kurti ka thënë se sipas draft-ligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mërgata do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike.

    Ai ka thënë se regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet online ndërsa ka bërë të ditur se për hedhjen e fletëvotimeve, ata do të kenë tri opsione.

    “I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës. Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’i kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt, si dhe opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”, ka shtuar Kurti.

    Gjatë adresimit të tij, Kurti ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe ka kërkuar që autorët të vihen sa më parë para drejtësisë.

  • Kurti konfirmon adresën e re të Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar

    Kurti konfirmon adresën e re të Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka konfirmuar se Ambasada e Kosovës në Mbretëri të Bashkuar do të zhvendoset në Hyde Park.

    Ai ka shkruar në Twitter se Kosova është e interesuar të forcojë lidhjet me Mbretërinë e Bashkuar.

    “I emocionuar të ndaj që ambasada Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar ka një adresë të re dhe së shpejti do të zhvendoset në Hyde Park në një shtëpi që i përkiste komedianit të ndjerë Spike Milligan. Ne jemi të nderuar nga historia kulturore që mban lokacioni dhe synojmë të forcojmë më tej lidhjet tona”, ka shkruar Kurti.

  • Kurtit i kërkohet urgjentisht ta ndryshojë ligjin për festat zyrtare në Kosovë

    Kurtit i kërkohet urgjentisht ta ndryshojë ligjin për festat zyrtare në Kosovë

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) po kërkon nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

    Sipas tyre, praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtar.

    Kësisoj, DHTIK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi.

    Gjithashtu, DHTIK kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maj Dita e Europës.

    “DHTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin. DHTIK, mbetë me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”, thuhet në kumtesën e tyre për media.

  • Ende s’është caktuar data për takimin Kurti -Vuçiq, palët në pritje të ftesës nga Borell

    Ende s’është caktuar data për takimin Kurti -Vuçiq, palët në pritje të ftesës nga Borell

    Është raportuar se më 20 prill do të ketë takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Por drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë gjatë një interviste për Blicin serb se ende nuk ështa caktuar datë për takimin e radhës në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai thotë se Bashkimi Evropian është mikpritësi dhe ata i përgjigjen ftesave të tyre.

    “Tani gjithçka varet nga Bashkimi Evropian, ata janë mikpritësit e të gjitha atyre takimeve në Bruksel. Ata dërgojnë një ftesë zyrtare, ne i përgjigjemi. Natyrisht, është e nevojshme të bien dakord për të gjitha kushtet e Lajçakut dhe Borrellit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelin e lartë. Nga ana tjetër, Vuçiq dhe Kurti. Kur të arrihet gjithçka, pres që në periudhën e ardhshme të vijë një ftesë e re për një takim të nivelit të lartë. Ne do t’ju njoftojmë si gjithmonë, kur kjo të ndodhë”, ka thënë Petkoviq, të dielën.

    Javën e kaluar ishte zhvilluar një takim i nivelit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ka pasur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse nuk është nënshkruar.

    Tani bashkësia ndërkombëtare po kërkon që marrëveshja të zbatohet dhe për këtë janë paralajmëruar takime të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe atij teknik.

  • Shënohet 52-vjetori i Ditës Botërore të Romëve, Kryeministri Kurti ua uron komunitetit rom

    Shënohet 52-vjetori i Ditës Botërore të Romëve, Kryeministri Kurti ua uron komunitetit rom

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ishte i ftuar në manifestimin e organizuar nga OJQ “Romani Baht” në bashkëpunim me Partinë Përparimtare Rome, të drejtuar nga deputeti Erxhan Galushi, në shënim të 8 Prillit, Ditës Botërore të Romëve.

    Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë ngjarje, kryeministri Kurti përcolli një letër përshëndetëse te të pranishmit që u lexua nga këshilltarja e tij, Nurie Shala.

    Më poshtë gjeni, letër përshëndetjen dhe urimin e plotë:

    Të nderuar anëtarë të Partisë Përparimtare Rome,

    I nderuar kryetar Erxhan Galushi,

    Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

    Në pamundësi që të jem sot i pranishëm në festën tuaj, më lejoni që përzemërsisht të ju uroj Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

    Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Prandaj kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

    Kemi themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë, iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare. Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë.

    Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara. Kemi mbështetur fëmijët, studentët, nënat lehona, pensionistët dhe kategoritë e ndryshme sociale.

    Për krijimin e mundësive të barabarta në arsim kemi ndarë 500 bursa në vlerë 300 mijë euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Kështu ata do të mund fokusohen në ngritjen e tyre profesionale dhe akademike, pa pasur barrën e anës financiare. Po ashtu, kemi ndarë 200 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 104 romë, ashkali dhe egjiptianë kanë përfituar trajnim profesional, një rritje domethënëse nga vetëm 34 aq sa ishin në vitin paraprak. Të mërkurën pata kënaqësi të veçantë të marr pjesë në hapjen e minibibliotekës me tituj në gjuhën rome. Shpresoj dhe uroj që kjo dhe bibliotekat tjera të pasurohen edhe më shumë dhe të avancohet sa më shumë gjuha dhe kultura rome.

    Jemi falënderues e mirënjohës për kontributin dhe angazhimin e komunitetit rom në ndërtimin e vendit tonë. Shpresoj për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, për realizimin e synimeve të përbashkëta, për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie.

    Edhe njëherë: Urime Dita e Romëve!

    Bahtalo Romano Dive!

  • Kurti për marrëveshjen 56.2 milionëshe: Do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MW dhe jetëgjatësinë e “Kosova B”

    Kurti për marrëveshjen 56.2 milionëshe: Do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MW dhe jetëgjatësinë e “Kosova B”

    Kryeministri Albin Kurti ka shkruar lidhur me marrëveshjen 56.2 milionëshe, që është nënshkruar dje mes KEK’ut dhe kompanisë amerikane General Electric, për modernizimin e turbinave me avull të Termocentralit Kosova B.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MË dhe jetëgjatësinë e TC Kosova B, raporton Express.

    Madje, e ka cilësuar këtë një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë.

    “Kompania amerikane General Electric (GE) që 40 vjet më parë kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave të termocentralit Kosova B, katër dekada pas kthehet për t’i modernizuar ato përmes një marrëveshjeje me vlerë 56.2 milionë euro që nënshkruan me Korporatën e Energjisë Elektrike (KEK).

    Ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MW dhe jetëgjatësinë e TC Kosova B, pa rritur emetimin e gazrave ndotës dhe nevojën për remonte të shpeshta. Më shumë prodhim, do të thotë më shumë pavarësi energjetike dhe më pak varësi ndaj importeve, më shumë siguri të furnizimit me rrymë dhe më pak shpenzime të buxhetit të shtetit”, ka shkruar Kurti.