ATV

Blog

  • Astronautët për herë të parë shohin anën e errët të Hënës

    Astronautët për herë të parë shohin anën e errët të Hënës

    Ekuipazhi i Artemis mbrëmë pa për herë të parë anën e largët të Hënës, ka njoftuar specialistja e misionit Christina Koch.

    “Ishte absolutisht spektakolare”, tha Koch.

    Ana e largët e hënës (e njohur edhe si “ana e errët”) është gjithmonë e kthyer nga Toka dhe mendohet se edhe ekipet e Apollos në vitet 1960 dhe 1970 nuk patën mundësi ta shihnin të gjithën.

    “Kjo është diçka që nuk e kemi parë kurrë më parë”, shtoi astronautja.

    NASA ka postuar një imazh të Hënës të bërë nga ekuipazhi, që tregon një krater të formuar nga goditja e një asteroidi.

    Thuhej se ishte “hera e parë që krateri është parë me sy njeriu”.

    Ekuipazhi do të shohë më shumë zona të papara më parë gjatë fluturimit të tyre historik.

  • Vuçiq: Është gjetur eksploziv pranë infrastrukturës së gazit në kufi me Hungarinë

    Vuçiq: Është gjetur eksploziv pranë infrastrukturës së gazit në kufi me Hungarinë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se është gjetur një lëndë plasëse “me fuqi të madhe shkatërruese” gjatë një hetimi rreth kërcënimeve ndaj infrastrukturës së gazit në afërsi të kufirit me Hungarinë.

    Vuçiq theksoi se e ka njoftuar për këtë kryeministrin hungarez, Viktor Orban, përmes një bisede telefonike.

    “Ia paraqita atij rezultatet e para të hetimit nga autoritetet tona ushtarake dhe policore në lidhje me kërcënimin ndaj infrastrukturës kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë”, shkroi Vuçiq në Instagram të dielën.

    Orban tregoi më vonë se ishte njoftuar nga Vuçiqi për këtë.

    Kryeministri hungarez, i cili është aleat i Vuçiqit, tha në një postim në Facebook se “autoritetet serbe kanë gjetur eksplozivë shkatërrues dhe pajisjet e nevojshme për aktivizim në infrastrukturën kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë”.

    Vuçiq shtoi se përveç eksplozivit, u gjetën edhe fitila për aktivizimin e tij.

    Ai nënvizoi më pas në Beograd, gjatë një vizite në vendin e ndërtimit për ekspozitën Expo, se jo shumë larg vendbanimit Velebit në Vojvodinën veriore, disa qindra metra nga tubacioni i gazit Balkan Stream, u gjetën në dy çanta shpine dy pako të mëdha me eksplozivë me fitil.

    “Ato mund të kishin rrezikuar një numër të madh njerëzish dhe të kishin shkaktuar dëme të mëdha në furnizimin me gaz të Serbisë dhe Hungarisë”, tha ai.

    “Kemi të dhëna dhe një hetim është duke u zhvilluar. Sapo mbarova bisedën me Viktor Orbanin. Është e qartë se lojërat gjeopolitike nuk do të na lënë rehat”, tha Vuçiq.

    Ai shtoi se agjencitë e inteligjencës së Serbisë “bënë një punë të mirë”.

    “Mendojmë se e dimë se cilit grup i përkasin individët që supozohej të ndërmerrnin hapin e fundit në aktivizimin e eksplozivëve. Qëllimi ishte të dërgohej një mesazh politik. Do ta ndëshkojmë rëndë këdo që kapim”, tha Vuçiq.

    Portali hungarez Index raportoi se Orban ka planifikuar një takim të Këshillit të Mbrojtjes për të dielën pasdite për shkak të eksplozivit të gjetur pranë një tubacioni gazi në Serbi.

    Radio Televizioni i Serbisë (RTS) njoftoi më parë se policia dhe ushtria po kontrollonin zonën në veri të Serbisë në komunën e Kanjizhës, rreth pesëmbëdhjetë kilometra nga kufiri me Hungarinë.

    Sipas RTS-së, kërkimi po kryhej nga toka, me kontroll dhe koordinim nga ajri, dhe se helikopterët po fluturonin mbi zonën. Janë përdorur dronë, qen nuhatës, pajisje për imazhe termike dhe pajisje të tjera, si dhe ekipe kundërsabotimi.

    RTS deklaroi se kontrolli po kryhej me miratimin e Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Suboticë.

    Autoritetet kompetente ende nuk kanë publikuar informacione rreth veprimit të forcave të sigurisë në veri të Serbisë.

    Më 19 mars, pjesëtarët e ushtrisë serbe filluan rritjen e sigurisë në stacionin e kompresorëve në Zhabar, në Serbinë lindore, në tubacionin e gazit Balkan Stream që transporton gazin rus nga Turqia në Hungari.

    Kjo erdhi pasi Vuçiq njoftoi se objekti do të ruhej nga ushtria për arsye sigurie për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. /REL

  • Xherdan Shaqiri shënon një gol mahnitës për Baselin-Ndeshja përfundon 3:3 ndaj Young Boys

    Xherdan Shaqiri shënon një gol mahnitës për Baselin-Ndeshja përfundon 3:3 ndaj Young Boys

    Ylli shqiptar, Xherdan Shaqiri, ka shënuar një gol spektakolar për Baselin në përballjen kundër Young Boys.

    Në stilin e portugezit Ricardo Quaresma, me të “jashtmen”, Shaqiri e la të shtangur portierin e mysafirëve. Me një goditje të fuqishme, lojtari nga Gjilani dërgoi topin në kënd të portës, duke i rikthyer epërsinë Baselit.

    Megjithatë, ndeshja përfundoi baras 3:3, me rikthime të rezultatit nga të dyja skuadrat, duke e bërë këtë një takim shumë emocionues dhe të pa parashikueshëm.

    Pas këtij takimi, Baseli ka 53 pikë dhe ndodhet në pozitën e katërt në Superligën Zvicerane, ndërsa Young Boys Bern ka 47 pikë.

  • “Zyra e Presidentes së 6-të”, ndërron emri i faqes së Presidencës në Facebook pasi Osmani ia dorëzoi detyrën Haxhiut

    “Zyra e Presidentes së 6-të”, ndërron emri i faqes së Presidencës në Facebook pasi Osmani ia dorëzoi detyrën Haxhiut

    Vjosa Osmani ia dorëzoi detyrën e Presidentes, Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, gjatë një ceremonie sot gjatë ditës.

    Me ta dorëzuar postin, ndërrimi i parë që u pa pas kësaj ishte ndryshimi i emrit të faqes zyrtare të Presidencës në Facebook.

    Nga “Presidenca e Kosovës” faqja ndërroi në “Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës”. Osmani është Presidentja e gjashtë e Kosovës. Para saj, këtë pozitë e kanë mbajtur Ibrahim Rugova( para shpalljes së pavarësisë), Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi, ndërsa si ushtrues detyre edhe Jakup Krasniqi e Glauk Konjufca.

  • Ish-Presidentja Osmani: Për shumë mot Pashkët, të dashur vëllezër e motra

    Ish-Presidentja Osmani: Për shumë mot Pashkët, të dashur vëllezër e motra

    Ish-presidentja Vjosa Osmani i ka uruar besimtarët katolikë për Pashkët.

    “Për shumë mot Pashkët, të dashur vëllezër e motra! 🐣💐”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

    Osmani publikoi gjithashtu një fotografi të saj duke mbajtur në dorë një shportë të vogël të mbushur me vezë të ngjyrosura, simbol tradicional i Pashkëve.

  • Haradinaj kujton masakrat në Rrezallë, Llovcë e Llapqevë: Plagë e hapur e Kosovës

    Haradinaj kujton masakrat në Rrezallë, Llovcë e Llapqevë: Plagë e hapur e Kosovës

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të rënët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe viktimat e masakrave të datës 5 prill.

    Në një postim në Facebook, Haradinaj tha se 5 prilli sjell kujtimin për bashkëluftëtarët e tij të rënë, duke përmendur Naser Brahimaj, Qazim Shala, Asllan Batusha dhe Arsim Rama.

    Ai po ashtu kujtoi viktimat e masakrave në Rrezallë të Drenicës, Llovcë të Gjilanit dhe Llapqevë të Malishevës.

    “Sot kujtojmë po ashtu, jetët e pafajshme që barbarët i rrëmbyen në Rrezallë të Drenicës, në Llovcë të Gjilanit dhe Llapqevë të Malishevës. Këto masakra, nga të cilat ende shumë të pagjetur, janë plagë e hapur e Kosovës dhe i japin zë, thirrjes sonë për drejtësi.Sot gjithashtu, u mbushën 7 vjet pa zërin e UÇK-së, bashkëluftëtaren time Fetnete Ramosaj. Përjetësisht përulemi para sakrificës së atyre që dhanë nga jeta e tyre për lirinë tonë! Respekti për ta forcon themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës!”, shkroi i pari i AAK-së.

  • Abdixhiku: Pashkët janë simbol i ringjalljes së shpresës, solidaritetit dhe dashurisë mes njerëzve

    Abdixhiku: Pashkët janë simbol i ringjalljes së shpresës, solidaritetit dhe dashurisë mes njerëzve

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkëve.

    Në urimin e tij, përmes faqes zyrtare të LDK-së në Facebook, Abdixhiku theksoi se kjo festë shënon ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen dhe rikthimin e besimit në vlerat më të larta njerëzore.

    “Pashkët janë simbol i ringjalljes së shpresës, solidaritetit dhe dashurisë mes njerëzve. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju uroj përzemërsisht festën e Pashkëve. Le të shërbejë kjo ditë si frymëzim për më shumë mirëkuptim, bashkim dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit, me besimin se së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë.Gëzuar Pashkët!”, thuhet në urim.

  • Lushtaku nga Rezalla: Institucionet s’janë sot këtu, e dhimbshme dhe e prapranueshme

    Lushtaku nga Rezalla: Institucionet s’janë sot këtu, e dhimbshme dhe e prapranueshme

    Komuna e Skenderajt ka organizuar homazhe dhe tubim përkujtimor me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Rezallës.

    Të pranishëm kanë qenë kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës e përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Lushaku ka thënë se këta muaj janë më të vështirët për komunën që ai udhëheq, pasi sipas tij, ka shumë masakra, vrasje, dhunë, e shkatërrime të shtëpive.

    “Masakra në Rezallë nuk ka ndodh rastësisht. Secila shtëpi ka qenë shtab i UÇK-së, kuzhinë e luftës së UÇK-së. Rezalla ka dhënë gjithçka që i është dashur UÇK-së. E di që kemi prit që institucionet të jenë sot këtu dhe dje në Izbicë, por që fatkeqësisht ata se dinë rëndësinë e gjakut dhe atyre që kanë dhënë më të dashurit e tyre. Është e dhimbshme dhe papranushme.”, ka thënë Lushtaku.

    Ai ka folur edhe për gjuhën ndaj ushtarëve dhe familjeve të dëshmorëve, duke shtuar se nuk duhet lejuar që të fyhen vlerat e luftës.

    “Kur në këto ditë përkujtojme kemi bashkëluftëtarët në Hagë. Dhe njerëzit nëpër institucione i fyejnë dhe ne nuk duhet të lejojmë që të shahen e fyhen ushtarë e familje të dëshmorëve.”, ka thënë Lushtaku.

  • Brenda mega operacionit për shpëtimin e pilotit amerikan në Iran, ç’dihet deri tani

    Brenda mega operacionit për shpëtimin e pilotit amerikan në Iran, ç’dihet deri tani

    Shtetet e Bashkuara kanë arritur të shpëtojnë anëtarin e fundit të zhdukur të ekuipazhit të avionit luftarak F-15, i cili u rrëzua të premten në jug të Iranit.

    Lajmi u konfirmua nga presidenti Donald Trump, i cili tha se ushtria amerikane realizoi“një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e saj”. Sipas tij, oficeri është tashmë “i sigurt dhe në gjendje të mirë”.

    Në avion ndodheshin dy anëtarë ekuipazhi dhe të dy ishin hedhur me katapultë para rrëzimit. Njëri prej tyre ishte shpëtuar më herët. Nga ana e tij, Irani pretendon se avioni u rrëzua nga sistemi i tij i mbrojtjes ajrore.

    Si u zhvillua operacioni?

    Sipas raportimeve, SHBA dhe Irani hynë në një garë për të gjetur ushtarakun e zhdukur. Një burim i njohur me operacionin e përshkroi atë si një mision të madh kërkim-shpëtimi luftarak në jug të Iranit.

    BBC raporton se gjatë operacionit ka pasur përplasje mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, ndërsa ushtaraku mund të jetë plagosur që në momentin kur u hodh nga avioni.

    Trump tha se vendndodhja e tij monitorohej vazhdimisht dhe se në operacion u përfshinë dhjetëra avionë amerikanë. Ai shtoi se nuk pati asnjë amerikan të vrarë apo të plagosur gjatë shpëtimit.

    Nga ana tjetër, media iraniane raportoi se Garda Revolucionare rrëzoi një dron amerikan që po merrte pjesë në kërkimet për ushtarakun e zhdukur.

    Ekspertët theksojnë se anëtarët e ekuipazheve të avionëve luftarakë janë të trajnuar posaçërisht për situata të tilla: të largohen shpejt nga vendi i rrëzimit, të fshihen dhe të mbijetojnë për sa më gjatë.

    Ku u rrëzua avioni?

    Vendndodhja e saktë nuk është konfirmuar plotësisht, por mediat iraniane përmendin provincat Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmadose Khuzestan në jug të Iranit.

    Mediat amerikane raportojnë se edhe gjatë operacionit të parë të shpëtimit pati rrezik: një helikopter që po transportonte pilotin e shpëtuar u godit nga armë të lehta, duke plagosur disa pjesëtarë të ekuipazhit, por arriti të ulej i sigurt.

    Ndërkohë, Garda Revolucionare thotë se fise nomade lokale qëlluan mbi dy helikopterë Black Hawk amerikanë.

    Çfarë dihet për misionin e F-15?

    F-15E është një avion i projektuar si për sulme ajrore, ashtu edhe për goditje ndaj objektivave tokësore. Në luftën me Iranin, ai besohet se po përdorej kryesisht për të goditur dronë dhe raketa iraniane, por edhe për sulme precize me armë të drejtuara me lazer ose GPS.

    Avioni ka dy anëtarë ekuipazhi: pilotin dhe oficerin e sistemeve të armëve. Ende nuk dihet saktësisht se çfarë e rrëzoi avionin, por nëse është goditur nga iranianët, arsyeja më e mundshme mbetet një raketë tokë-ajër.

  • Wilder triumfon ndaj Chisora në ndeshjen e fundit të karrierës së britanikut

    Wilder triumfon ndaj Chisora në ndeshjen e fundit të karrierës së britanikut

    Në një përballje spektakolare në O2 Arena, Deontay Wilder fitoi ndaj Derek Chisora pas 12 raundesh të forta. Ishte ndeshja e 50-të dhe e fundit në karrierën e Chisorës, i cili tregoi një performancë të jashtëzakonshme duke u rikthyer disa herë në duel edhe pas momenteve të vështira.

    Momenti më dramatik erdhi në raundin e tetë, kur Wilder e rrëzoi Chisorën, por 42-vjeçari u ngrit dhe vazhdoi luftën me një qëndresë të admirueshme, duke fituar ovacione nga publiku vendas.

    Pas përfundimit të ndeshjes, gjyqtarët vendosën me vendim të ndarë në favor të Wilderit (115-111, 112-115, 115-113), duke i dhënë amerikanit një fitore të rëndësishme. Edhe pse humbi, Chisora u përshëndet si hero nga tifozët londinezë, duke shënuar një fund të emocionueshëm të karrierës së tij në boksin profesionist.