ATV

Blog

  • Merr fund dilema për rastin tragjik të Festim Isufit, avokati Koci zbulon raportin zyrtar

    Merr fund dilema për rastin tragjik të Festim Isufit, avokati Koci zbulon raportin zyrtar

    Avokati Arianit Koci ka njoftuar se, bazuar në rezultatet e hetimeve zyrtare, vdekja e Festim Isufi është e natyrës personale dhe nuk lidhet me Rina Maloku.

    Sipas tij, Maloku është vendosur padrejtësisht në qendër të dyshimeve në një pjesë të opinionit publik.

    Ai ka kërkuar nga opinioni publik që ta trajtojë rastin me kujdes dhe përgjegjësi.

    Njoftimi i plotë:

    Rina Maloku u vendos padrejtësisht në qendër të dyshimeve në një pjesë të opinionit publik pas vdekjes tragjike së bashkëshortit të saj, Festim Isufi.

    Nga rezultatet e hetimeve zyrtare del se rrethanat e kësaj vdekjeje janë të natyrës personale dhe nuk e lidhin znj. Rina Maloku me këtë rast në asnjë formë.

    Pas një humbjeje të rëndë personale, znj. Rina Maloku është përballur edhe me një barrë të padrejtë publike.

    Kërkoj nga opinioni që të ketë parasysh plagët e rënda shpirtërore që ky rast tragjik i ka lënë, dhe të tregojë kujdes e përgjegjësi në mënyrën se si trajtohet kjo çështje.
    Arianit Koci
    Avokat i znj. Rina Maloku

  • Ish-Zotëria i Parë me mesazh për Osmanin: Nuk u përkule kurrë, hyre si lidere e po del si frymëzim

    Ish-Zotëria i Parë me mesazh për Osmanin: Nuk u përkule kurrë, hyre si lidere e po del si frymëzim

    Ish-Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka publikuar një mesazh emocional për ish-Presidenten dhe bashkëshorten e tij, Vjosa Osmani pas përfundimit të mandatit të saj të parë, duke e cilësuar atë si një figurë që ka lënë gjurmë në historinë moderne të vendit.

    Në reagimin e tij, Sadriu vlerëson lart rolin dhe kontributin e saj në krye të shtetit.

    “Ti nuk e mbajte thjesht postin më të lartë të shtetit, atë të Kreut të Shtetit. Ti e mbushe atë me plot kuptim. E transformove rrënjësisht atë. Hyre si lidere dhe po del si frymëzim”, ka shkruar ai.

    Ai thekson se përballja me sfidat është bërë me vendosmëri dhe pa tërheqje.

    “Çdo sfidë që të është vënë përpara, dhe kanë qenë të shumta, e përballove jo me hezitim, por me atë zjarr të qetë e të pathyeshëm që të ka përkufizuar gjithmonë… Nuk u përkule kurrë. Nuk u tërhoqe kurrë. Thjesht vazhdove përpara, sepse Kosova kishte shumë nevojë për ty”, thuhet në mesazh.

    Sadriu vlerëson gjithashtu paraqitjen e saj në arenën ndërkombëtare, duke përmendur fjalimet dhe përfaqësimin në institucionet më të rëndësishme botërore.

    “ Të kam parë teksa qëndroje në foltoren e Parlamentit Evropian. Të kemi parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuar dhe ti bëre që bota të ndalet e të dëgjojë,” ka shkruar ai.

    Sipas tij, ish-Presidentja Osmani ka arritur ta shndërrojë emrin e saj në një simbol ndërkombëtar.

    “Vjosë, emri yt nuk është thjesht më një emër. Është një markë dhe një brend i njohur në të gjitha kontinentet. Është një simbol që politikanët e kërkojnë me vetëdije”, thekson Sadriu.

    Ai shton se gjatë mandatit të saj, Kosova ka fituar një imazh më dinjitoz dhe më të fuqishëm në botë.

    “Ti i dhe Kosovës një pamje që nuk e kishte pasur kurrë më parë; dinjitoze, sovrane dhe krenare me vetveten”, shkruan ai.

    Në mesazh nuk mungon as dimensioni personal, ku Sadriu e falënderon për rolin si nënë dhe bashkëshorte.

    “Ti mbete gruaja dhe nëna më e mrekullueshme, më e përkushtuar dhe më e dashur për mua dhe për dy vajzat tona,” shprehet ai.

    Në fund, ai thekson se ky nuk është fundi i rrugëtimit të saj politik.

    “Prandaj, ky nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri në rrugëtimin tënd publik mbi 20-vjeçar”, përfundon Sadriu.

  • Messi shënon për Inter Miami, Myrto Uzuni siguron barazimin për Austin

    Messi shënon për Inter Miami, Myrto Uzuni siguron barazimin për Austin

    Lionel Messi konfirmoi formën e tij të shkëlqyer në fillim të sezonit të MLS, duke shënuar një gol në barazimin 2-2 të Inter Miami kundër Austin në xhiron e gjashtë. Ky ishte goli i tij i gjashtë në shtatë paraqitje këtë sezon.

    Goli i tij ka një rëndësi të veçantë: është i pari i shënuar në stadiumin e ri “Nu Stadium”, i cili ka kapacitet 26,700 vende dhe një vlerë prej një miliard dollarësh. Messi e realizoi golin me një goditje të rrallë me kokë, duke shënuar golin e tij të 903-të në karrierë dhe të 31-tin me kokë, një arritje e veçantë për një lojtar 1.70 metra i gjatë. Ai gjithashtu shënoi nën tribunën që mban emrin e tij, “Leo Messi”.

    Myrto Uzuni ishte protagonist për Austin, duke goditur shtyllën dy herë, por duke kontribuar me një asistim që siguroi barazimin për ekipin e tij.

    Messi ka qenë temë kryesore në futbollin botëror kohët e fundit, pasi nuk është e sigurt nëse do të marrë pjesë në Kupën e Botës që zhvillohet së shpejti. Argjentina po mbron titullin kampion bote, por raportimet sugjerojnë se ylli që ka luajtur 198 ndeshje për përfaqësuesen dhe ka shënuar 116 gola mund të mos jetë i pranishëm në këtë ngjarje.

  • Thashetheme për shtrimin e Trumpit në spital, reagon Shtëpia e Bardhë

    Thashetheme për shtrimin e Trumpit në spital, reagon Shtëpia e Bardhë

    A është dërguar me të vërtetë Donald Trump në Qendrën Ushtarake Mjekësore Kombëtare Walter Reed?

    Shëndeti i presidentit amerikan është një çështje kyçe në mandatin e tij të dytë, pasi ai është ndër banorët më jetëgjatë të Shtëpisë së Bardhë.

    Fjalët rreth vizitës së tij te ”Walter Reed” qarkulluan në rrjete sociale pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi dje se presidenti nuk do të bënte asnjë paraqitje publike për pjesën tjetër të ditës.

    Thashethemet se ai u shtrua në spital u hodhën poshtë nga Drejtori i Komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, i cili ndau një postim në X që ofroi një shpjegim të ndryshëm për vendndodhjen e Trumpit.

    “Nuk ka pasur kurrë një president që ka punuar më shumë për popullin amerikan sesa presidenti Trump,” shkroi Cheung.

    “Në këtë fundjavë të Pashkëve, ai ka punuar pa ndërprerje në Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën Ovale”, shtoi ai.

    Llogaria në X e Shtëpisë së Bardhë e rishpërndau postimin.

    Trump ka qenë gjithashtu aktiv në rrjetin e tij Truth Social, me paralajmërime për Iranin.

    Pra, sigurisht që nuk duket sikur ai është shtruar në spital.

  • Neymar: Rikthim i Shkëlqyer-Por polemikë e papritur

    Neymar: Rikthim i Shkëlqyer-Por polemikë e papritur

    Neymar po dukej se po kthehej në formën e tij më të mirë në fushë, por një situatë e njohur jashtë saj ka ndryshuar shpejt narrativën e rikthimit të tij.

    Sulmuesi i Santos luajti një rol kyç në fitoren 2-0 ndaj Remo në Brasileirao 2026, duke asistuar golin e parë dhe duke dhënë shenja pozitive pas rikthimit nga lëndimi. Për një lojtar që përpiqej të rikuperonte ritmin para Kupës së Botës, performanca e tij ishte e domosdoshme për të rifituar vëmendjen e trajnerëve.

    Por vetëm pak minuta pas përfundimit të ndeshjes, fokusi u zhvendos nga futbolli. I irrituar nga vendimet e gjyqtarit dhe nga kartoni i verdhë që e penalizon për ndeshjen e ardhshme të Santos, Neymar kritikoi gjyqtarin Savio Pereira Sampaio në deklaratën pas ndeshjes. “Ai është lloji i gjyqtarit që dëshiron të jetë qendra e vëmendjes”, tha Neymar, duke përdorur një shprehje që u konsiderua ofenduese dhe seksiste nga media dhe tifozët në Brazil. Reagimi ka qenë i menjëhershëm, me kritika të ashpra dhe thirrje për masa disiplinore ndaj tij. Sipas rregullave të futbollit brazilian, Neymar mund të përballet me një pezullim deri në 12 ndeshje nëse komentet e tij shpallen shkelje të rregullave të sjelljes.

    Koha nuk mund të ishte më e gabuar për Neymar. Pas muajsh me pak aktivitete, 34-vjeçari ka punuar shumë për t’u rikthyer në formë të plotë, me Kupën e Botës 2026 që afrohet dhe konkurrencën për vend në përfaqësuese që shtohet.

    Mungesa e tij nga përzgjedhjet e fundit ndërkombëtare ka shtuar presionin. Trajneri Carlo Ancelotti ka bërë të qartë se minutat e rregullta dhe ritmi i ndeshjeve do të jenë vendimtarë për vendimet për përbërjen e ekipit. Në ndeshjen ndaj Remo, Neymar dukej se po rikthente argumentin e tij për të qenë pjesë e Kombëtares. Asisti dhe ndikimi i tij në lojë treguan se sa shumë përfiton Santos nga prezenca e tij, me skuadrën dukshëm më kreative dhe më kërcënuese në sulm kur ai ishte në fushë. Por në vend që të ndërtonte momentumin, polemika kërcënon të ndërpresë përparimin e tij përsëri

    Edhe para se të konfirmohet një ndalim i mundshëm, Neymar do të mungojë në ndeshjen e ardhshme të Santos kundër Flamengo për shkak të akumulimit të kartonëve.

    Nëse pezullimi do të jetë më i gjatë, kjo mund të kufizojë ndjeshëm mundësitë e tij për të treguar formën dhe gatishmërinë përpara se Ancelotti të finalizojë përzgjedhjen për Kupën e Botës. Edhe pse një pezullim në kampionatin vendas nuk do të pengonte automatikisht Neymar të përfaqësonte Brazilin, mungesa e minutave konkurruese mund të bëhet faktor vendimtar. Me shpalljen e kombëtares që afrohet, çdo paraqitje ka rëndësi të madhe.

  • Taksa 10€ për hyrje në Prishtinë – “Shpatë me dy tehe”, mund të shkaktojë “luftë” tarifash

    Taksa 10€ për hyrje në Prishtinë – “Shpatë me dy tehe”, mund të shkaktojë “luftë” tarifash

    Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga komunat tjera ka nxitur reagime të shumta. Kjo madje po shihet si kufizim i të drejtave të qytetarëve të Kosovës, i cili mund të krijojë kaos duke i nxitur komunat tjera vendosjen e tarifave për qytetarët e Prishtinës.

    Vendosja e kësaj tarife parashihet sipas nenit 14 të rregullores për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, rregullore kjo e cila tanimë Komuna e Prishtinës e vendosur në dëgjim publik por që ka marrë kundërshtime të shumta si në Kuvendin komunal, ashtu edhe nga komunat tjera.

    Sipas propozimit të asaj rregullore, çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga kryeqytetit, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje.

    Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala ka kundërshtuar ashpër propozimin për vendosjen e një tarife prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga rajonet tjera, duke e cilësuar si kufizim i të drejtave të qytetarëve.

    “Pikë së pari, nuk ka ndonjë bazë ligjore me të cilën Komuna e Prishtinës mund ta vendosë këtë tarifë. Ajo mund të jetë në rregullore, sikur që ka bërë edhe me “Prishtina Parking” që me rregullore një kohë mbledhi para, shqiptoi gjoba, po tash ato gjykata i rrëzoi. Jam shumë i sigurt që edhe këtë tarifë të cilën do ta vendosë eventualisht Komuna e Prishtinës, Gjykata Supreme do ta rrëzojë sepse kjo nuk mund të shkojë në kushtetuese, sepse nuk ka ligj për këtë rregullore. Prandaj është kompetencë e Gjykatës Supreme të marrë një vendim përfundimtar për këtë tarifë”, tha Shala.

    Ai paralajmëroi se një vendim i tillë do të krijonte precedent për komunat tjera dhe do të sillte pasoja të shumta.

    “Nëse krijohet një precedent dhe lejohet një tarifë ,andaj edhe çdo qytet do të ketë të drejtë të vendosë tarifë. Ku do të shkojmë ne nëse çdo qytet në Kosovë vendos tarifë për hyrje në atë qytet? Krijohet një kaos, kështu që kjo nuk është asnjë zgjidhje, është zgjidhje kundërligjshme, është një zgjidhje e pazbatueshme. Nuk mundet kryetari i Prishtinës ta marrë modelin e Londrës e ta vendosë në Prishtinë. Londra është tjetër, Prishtina është tjetër”, deklaroi Shala.

    Sipas tij, problemet në trafik nuk zgjidhen me tarifa, por me investime në infrastrukturë dhe organizim më të mirë të qarkullimit.

    Ai shtoi se nuk ka njohuri për praktika të tilla në vendet e rajonit dhe paralajmëroi pasoja reciproke mes qyteteve.

    “Unë nuk e di ndonjë vend të rajonit i cili ka vendosur taksa për hyrje në qytet, sepse prapë kjo është shpatë me dy tehe. Në qoftë se ju e vendosni një taksë për qytetarët që vijnë nga jashtë në Prishtinë, edhe ata të tjerët mund ta vendosin taksën për veturat e Prishtinës që shkojnë atje”, tregoi Shala.

    Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga komunat tjera ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues institucionalë dhe politikë.

    Asamblisti i Partisë Guxo në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeton Mehmeti, ka theksuar se kjo masë cenon barazinë para ligjit.

    Sipas tij, propozimi për taksën e kryeqytetit prej 10 euro për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës, në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë.

    Po ashtu, Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje ka ngritur shqetësime për ndikimin e kësaj takse dhe tarifave tjera të parapara.

    Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha, ka theksuar nevojën për ndryshim të rregullores ekzistuese.

    Së fundmi, kundërshtime ka pasur edhe nga kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i cili ka ironizuar me këtë propozim.

    “Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendos një taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës (vetëm) që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe një taksë për hyrjen në rrugën e aeroportit në vlerë prej 10 euro, etj. (çka t’na bjen n’mend ndërkohë)”-thuhet në njoftimin e tij.

    Kuvendi Komunal i Prishtinës më 31 mars e ka vendosur në dëgjim publik rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, e cila daton nga viti 2011, ndërsa debati për këtë çështje pritet të vazhdojë.

  • Ulja e akcizës me 20% për naftën, Rama: Do mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës

    Ulja e akcizës me 20% për naftën, Rama: Do mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës

    Kryeministri Edi Rama njoftoi sot hyrjen në fuqi të aktit normativ për uljen e akcizës së naftës. Sipas vendimit, akciza do të ulet me 20% sapo çmimi i naftës të kalojë 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

    Në podkastin e tij ‘Flasim’, Rama theksoi se masa synon të mbrojë qytetarët nga ndikimet e paqëndrueshme të tregjeve ndërkombëtare, pa rrezikuar stabilitetin e financave publike. Vendimi do të monitorohet nga Bordi i Transparencës, duke garantuar kontroll dhe zbatim të drejtë të masës.

    “Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

    Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike.

  • Kenan Gashi njofton për ndarjen nga jeta të mësimdhënëses Suzana Arifi, një figurë e përkushtuar në arsim

    Kenan Gashi njofton për ndarjen nga jeta të mësimdhënëses Suzana Arifi, një figurë e përkushtuar në arsim

    Drejtori i rrjetit të OJQ-ve AVONET, Kenan Gashi, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të mësimdhënëses Suzana Arifi.

    “Në këtë mëngjes morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mësueses Suzana Arifi”, ka shkruar ai.

    Gashi ka kujtuar se mësuesja Suzana ishte mësuesja e Ajanit, i cili e kishte konsideruar gjithmonë si një anëtare të familjes, duke e përmendur edhe sot me shumë dashuri dhe respekt.

    Ai e ka përshkruar të ndjerën si një mësuese të jashtëzakonshme, të përkushtuar, të dashur dhe shumë profesionale, e cila me energjinë dhe përkushtimin e saj kishte arritur ta shndërronte klasën në një vend të ngrohtë e frymëzues për nxënësit.

    Sipas tij, edukata, qetësia dhe profesionalizmi i saj nuk ishin vetëm pjesë e disiplinës në klasë, por vlera që ajo ua kishte transmetuar nxënësve, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin e tyre si individë.

    “Ajo ishte një model i vërtetë për fëmijët tanë dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tyre”, ka theksuar Gashi, duke shtuar se kontributi i saj në edukimin e brezave do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.

    Në fund, ai ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për kontributin e saj, si dhe ka ngushëlluar familjen, kolegët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin.

    “Allahu e pastë mëshiruar dhe familjes i dhëntë durim”, ka përfunduar ai. 🤲

  • Vedat Muriqi shkëlqen dhe vulos fitoren e Mallorcës me golin e tij të 19-të sezonal

    Vedat Muriqi shkëlqen dhe vulos fitoren e Mallorcës me golin e tij të 19-të sezonal

    Vedat Muriqi ishte heroi i Mallorcës në sfidën ndaj Real Madridit, duke shënuar golin vendimtar që i dha skuadrës fitoren me rezultat 2-1. Pas një kontrolli të saktë të topit brenda zonës, “Pirati” i Mallorcës lëshoi një gjuajtje të fuqishme që përfundoi në rrjetë, duke vendosur rezultatin final.

    Ky gol i 19-të sezonal i Muriqit nuk ishte vetëm vendimtar për fitoren, por edhe një moment emocional për sulmuesin, i cili shpërtheu në lot nga gëzimi dhe rëndësia e momentit për skuadrën.

    Mediumi i njohur AS ka përqendruar historinë tek Muriqi, duke publikuar pesë fotografi që kapin momentet më emocionuese të golit, nga kontrolli i topit deri te festimi pas shënimit. Kjo fitore e Mallorcës është një triumf i madh individual dhe kolektiv, që i jep skuadrës një frymë të re pas javëve të vështira.

  • MINTI vendos çmimet maksimale të derivateve, reagon Ymeri: Mund të rriten në sekondë për shkak të mungesës së rezervave

    MINTI vendos çmimet maksimale të derivateve, reagon Ymeri: Mund të rriten në sekondë për shkak të mungesës së rezervave

    Sektori i naftës në Kosovë po përballet me mungesë të rezervave strategjike dhe kontroll të pamjaftueshëm të tregut, duke bërë që çmimet të ndryshojnë shpesh dhe pa paralajmërim.

    Si rrjedhojë e situatës së krijuar MINTI ka vendosur sot në fuqi çmimin maksimal ditor të derivateve, duke përcaktuar kështu një tarifë fikse me të cilën qytetarët do të mund të furnizohen në të gjitha pikat e derivateve.

    MINTI ka theksuar se çdo ditë do të publikoi çmimet e derivateve. Për sot çmimet maksimale janë: Nafta (dizel): 1.86 euro/litër dhe Benzina: 1.49 euro/litër.

    Lidhur me këtë deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar duke theksuar se Ligji për Tregtinë e Naftës edhe Udhëzimet Administrative nuk kushtëzon që shitësi të ketë rezerva, kështu që çmimi mund të ngritët në sekondë nga një lajm.

    “Me qeverinë e re (VV), ligji i naftës u rregullu qysh ka dasht Shoqata e Naftarëve”, ka shkruar Ymeri.

    Ajo shton se Kosova nuk ka ende ligj për rezervat strategjike të naftës dhe nuk ka stok të deklaruar ndërkombëtarisht:

    “Jemi ndër të paktat vende që nuk kemi rezerva strategjike të naftës, bile as ligj për rezerva, vetëm për tregti. Kosova nuk ka as stok nafte të deklaruar ndërkombëtarisht edhe Komuniteti për Energji ka dërguar Kërkesë me Shqetësim për naftë po pa reagim nga Qeveria”, ka theksuar deputetja.

    Sipas saj, problemet përfshijnë edhe kontrollin e marzhave të fitimit dhe funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës.

    “Sistemi i shitjes nuk është as digjital as i integruar dhe inspektorët nuk kanë mundësi me kontrollu naftarët… Autoriteti i Konkurrencës nuk funksionon si duhet dhe nuk ka mundësi të kontrolloj tregun,” shpjegon Ymeri.

    Ajo paralajmëron se ligji për çmimet tavan nuk mjafton. “Çmimet do kontrollohen asisoj që çmimi maksimal rritet sipas lajmeve, po nuk zbret se nuk kemi as kontroll as rezerva”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

    Ymeri ka shtuar se variacioni i çmimeve është i dukshëm edhe në nivel lokal.

    “Vetëm dje në rrugën Prishtinë-Ferizaj çmimi ka dallu 6-7 cent nga pompat në magjistrale edhe ato në qendër,” përfundon Ymeri.