ATV

Blog

  • Vdekje e dyshimtë në Prishtinë, policia nis hetimet

    Vdekje e dyshimtë në Prishtinë, policia nis hetimet

    Një person është gjetur pa shenja jete në një shtëpi në rrugën “Obria” në Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Plana.

    Sipas tij, rreth orës 11:30 policia ka pranuar informatën për një person pa shenja jete, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull.

    Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, ka nisur hetim lidhur me rastin dhe po vazhdon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve të nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Nis takimi i Sindikatës së sektorit privat, diskutohet për paga dhe protestën e 1 Majit

    Nis takimi i Sindikatës së sektorit privat, diskutohet për paga dhe protestën e 1 Majit

    Ka nisur takimi i Sindikatës së sektorit privat me kryetarët e shoqatave sindikale, ku në fokus janë disa çështje kyçe për punëtorët.

    Në këtë takim pritet të diskutohet për rritjen e pagave, mundësinë e pagesës së pagës së 13-të, si dhe organizimin e protestës për 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

    Takimi është i mbyllur për media.

  • Haxhiu garanton mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Haxhiu garanton mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të martën ka pritur në takim Drejtoreshën Ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.

    Në një postim në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se e ka siguruar Rushitin për mbështetjen e plotë të institucioneve në çdo përpjekje për avancimin e të drejtave, dinjitetit dhe mirëqenies së të mbijetuarve.

    “E falënderova Rushitin për angazhimin e saj të palodhshëm dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, një mision me rëndësi të veçantë, jo vetëm për të mbijetuarit dhe shoqërinë tonë, por edhe për forcimin e drejtësisë dhe dinjitetit në shtetin tonë. Me këtë rast, e sigurova Rushitin se do të ketë mbështetjen time të plotë dhe të institucioneve në çdo përpjekje për avancimin e të drejtave, dinjitetit dhe mirëqenies së të mbijetuarve”, ka shkruar Haxhiu .

  • “Reporting House” sjell në Mynih kujtesën e luftës në Kosovë

    “Reporting House” sjell në Mynih kujtesën e luftës në Kosovë

    Ekspozita është pjesë e iniciativës ndërkombëtare “Antifascism: Now.” (2026–2028), e cila përfshin 14 shtete dhe trajton kujtesën historike përmes artit dhe kërkimit.

    Punimet nga “Reporting House” në Prishtinë janë prezantuar zyrtarisht në qytetin e Mynihut, duke u bërë pjesë e projektit ndërkombëtar “Antifascism: Now.” (2026–2028), një iniciativë arti dhe kërkimi që përfshin 14 shtete dhe synon të sjellë në vëmendje rëndësinë e kujtesës historike dhe rolin e artit në përballje me sfidat aktuale shoqërore.

    E hapur në hapësirën Lothringer 13 Halle, ekspozita sjell një përmbledhje të materialeve dokumentare dhe gazetareske nga vitet ’90, duke përfshirë rrëfime dhe dëshmi nga periudha e luftës në Kosovë, si dhe histori të rezistencës së popullit të Kosovës.

    Në këtë ekspozitë prezantohen edhe intervista të rëndësishme, përfshirë dëshmi nga figura të njohura të rezistencës si Fehmi Lladrovci, si dhe dokumentime të realizuara nga autorë të tjerë mbi protestat e grave “Bukë” dhe “Divorc paqësor” të vitit 1998, që konsiderohen ndër momentet më domethënëse të aktivizmit qytetar në Kosovë.

    Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 korrik 2026, në adresën Lothringer 13 Halle (Lothringer Straße 13, 81667 München), duke ofruar një mundësi të veçantë për audiencën gjermane dhe ndërkombëtare që të njihet më nga afër me historinë e Kosovës përmes materialeve autentike dhe qasjes dokumentare.

    Ngjarja është përcjellë edhe nga institucione përfaqësuese të Kosovës në Gjermani, përfshirë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Mynih./Albinfo.ch

  • BE prezanton sistemin e ri të hyrjes/daljes, çfarë ndryshon për udhëtarët

    BE prezanton sistemin e ri të hyrjes/daljes, çfarë ndryshon për udhëtarët

    Bashkimi Evropian po përgatitet të zbatojë një nga reformat më të mëdha në menaxhimin e kufijve: sistemin e hyrjes/daljes (Entry/Exit System – EES). Ky mekanizëm dixhital pritet të hyjë në fuqi në të gjitha portet dhe pikat kufitare deri më 10 prill 2026, duke sjellë ndryshime të ndjeshme për vizitorët që nuk janë shtetas të BE-së.

    Sistemi i ri do të zëvendësojë vulat tradicionale të pasaportës me regjistrim elektronik. Udhëtarët do të duhet të regjistrojnë të dhënat e pasaportës dhe biometrike, përfshirë gjurmët e gishtave dhe skanimin e fytyrës, gjatë vizitës së parë. Në udhëtimet pasuese, të dhënat e ruajtura do të përdoren për verifikim, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të sigurt. Qëllimi kryesor është të gjurmohet me saktësi hyrja dhe dalja e vizitorëve jo nga vendet e BE, si dhe respektimi i kufirit 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore.

    Megjithatë, zbatimi i EES nuk ka qenë i lehtë. Aeroporte si Gjeneva dhe Lisbona kanë raportuar radhë të gjata dhe probleme teknike gjatë testimeve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se periudhat e pikut, si Pashkët dhe vera, mund të sjellin vonesa të ndjeshme. Disa vende kanë kërkuar pezullim të përkohshëm për të shmangur kaosin në udhëtime.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, pikat e kontrollit në Dover, Folkestone dhe London St Pancras do të pajisen me kioska EES përpara nisjes drejt Francës dhe vendeve të tjera të BE-së. Ndërkohë, Irlanda dhe Qipro nuk do ta zbatojnë sistemin, duke vazhduar me kontrollet manuale.

    Pas EES, pritet të hyjë në fuqi edhe Etias, një autorizim elektronik udhëtimi i ngjashëm me ESTA në SHBA. Ky sistem do të nisë në tremujorin e fundit të 2026 dhe do të ketë një tarifë prej 20 euro për hyrje në Evropë. /rtsh.al

  • Komisioni miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

    Komisioni miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

    Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport ka votuar në parim Projektligjin nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, me shtatë vota për dhe një abstenim.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë raportimit tha se Ministria, në kuadër të mandatit të saj, ka paraparë hartimin e këtij projektligji, duke theksuar rëndësinë historike të organizimit të kësaj ngjarjeje në Kosovë.

    Gashi theksoi se qëllimi i ligjit është përcaktimi i rregullave dhe procedurave, si dhe i detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve për organizimin e këtij eventi, ndërsa shtoi se qeveria do të ndajë fonde publike për këtë qëllim në shumë prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro.

    “Ministria e Sportit dhe Rinisë, në kuadër të mandatit të saj, ka paraparë hartimin e këtij projektligji. Për herë të parë në historinë e saj, Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, ngjarja më e madhe sportive e organizuar deri më sot në vendin tonë. Ky projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar, i cili përveç fuqizimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit ekonomik, e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare si një vend që organizon ngjarje të mëdha, si dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe fuqizimin e imazhit të shtetit”.

    “Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave, si dhe të detyrave e përgjegjësive të institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera në lidhje me organizimin dhe funksionimin e edicionit 21 të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Përmes këtij ligji, qeveria e Republikës së Kosovës do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumë prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro”.

    “Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të Komunës së Prishtinës, si dhe të komunave të tjera, të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në përputhje me mbështetjen financiare të garantuar nga qeveria e Republikës së Kosovës në dokumentin e kandidaturës, burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Sportit dhe Rinisë, e ka sportin prioritet. Duke pasur parasysh se Kosova tashmë ka marrë përsipër organizimin e këtyre lojërave që do të mbahen në vitin 2030, është e domosdoshme adresimi i një sërë kërkesash obligative, ndër të cilat është krijimi i kushteve sa më të mira për zhvillimin e ngjarjes sportive në vend. Gjithashtu, konsiderojmë se përmes këtij projektligji do të krijohen mekanizma adekuatë për organizimin e ngjarjes sportive, duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre”, tha ai.

  • Haxhiu thotë se është e hapur për të ndihmuar për çështjen e Presidentit “nëse mundet”

    Haxhiu thotë se është e hapur për të ndihmuar për çështjen e Presidentit “nëse mundet”

    Albulena Haxhiu, është shprehur e hapur që të ndihmojë ‘‘nëse mundet’’ në çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

    Këti komente, Haxhiu i ka bërë gjatë një takimi që ajo ka zhvilluar me avokatin e Popullitt ë Shqipërisë, Endrit Shabani.

    “Tashmë takimet po vazhdojnë ka pasur edhe dje takim, do të ketë edhe ditëve në vijim. Unë jam shumë e hapur që me iu ndihmu nëse mundem në këtë drejtim”, ka deklaruar Haxhiu.

  • Aktori turk në telashe, Ibrahim Çelikkol përfundon në polici

    Aktori turk në telashe, Ibrahim Çelikkol përfundon në polici

    Një lajm i bujshëm ka pushtuar ditën e sotme të gjitha mediat turke, duke tronditur botën e televizionit dhe muzikës. Në orët e para të mëngjesit, autoritetet kanë ndërmarrë një operacion të gjerë policor, duke ndaluar disa nga emrat më të famshëm të ekranit dhe estradës atje.

    Ky aksion i papritur ka tërhequr menjëherë vëmendjen e opinionit publik, duke u kthyer në kryefjalën e ditës.

    Sipas informacioneve të bëra publike, ky operacion ka ardhur në kuadër të një hetimi të thelluar nga autoritetet. Bëhet e ditur se personazhet e njohur janë ndaluar për shkak të dyshimeve dhe akuzave të ngritura ndaj tyre lidhur me përdorimin e lëndëve të ndaluara.

    Policia ka vepruar në orët e para të ditës për të shoqëruar të dyshuarit, duke nisur kështu procedurat zyrtare.

    Në listën e personave të ndaluar janë plot nëntë emra shumë të njohur të showbiz-it turk. Mes tyre bie në sy aktori İbrahim Çelikkol, i cili është jashtëzakonisht i dashur edhe për publikun shqiptar përmes roleve të tij kryesore në disa nga serialet më të ndjekura.

  • Haradinaj refuzoi të takohet me Abdixhikun, Lushaku: Ky qëndrim pengon dialogun ndërpartiak

    Haradinaj refuzoi të takohet me Abdixhikun, Lushaku: Ky qëndrim pengon dialogun ndërpartiak

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka komentuar refuzimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për një takim me kryetarin e LDK‑së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për dialog politik dhe zgjidhje të situatës për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Sipas Lushakut, kërkesa e Abdixhikut ka qenë një akt i zakonshëm i komunikimit politik dhe institucional, në funksion të dialogut dhe bashkëpunimit të nevojshëm në rrethanat aktuale.

    “Fatkeqësisht, në vend të një qasjeje që do të kontribuonte në frymën e bashkëpunimit, kemi parë interpretime që nuk i shërbejnë dialogut të domosdoshëm ndërpartiak,” ka thënë Lushaku.

    Ajo ka shtuar se në momentet e rëndësishme për vendin, “komunikimi politik duhet të karakterizohet nga maturia, respekti reciprok dhe përgjegjësia publike.”

    Refuzimi i takimit nga Haradinaj erdhi pasi ai u shpreh se nuk e sheh të arsyeshëm një takim me Abdixhikun për të diskutuar rreth asaj që ky i fundit ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti.

    “Unë s’mundem me shku me taku Lumirin me fol për çka ka fol ai me Albinin… s’është pjesë e imja,” tha Haradinaj, duke vënë në dukje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj nismës.

    Kjo zhvillim ndodh në një kohë kur partitë politike janë duke u angazhuar në takime për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri.

  • Përfundon restaurimi i Hanit të familjes Zajmi në Prizren

    Përfundon restaurimi i Hanit të familjes Zajmi në Prizren

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar për përfundimin e restaurimit të Hanit të familjes Zajmi, një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe arkitekturore të qytetit të Prizrenit, që i përket fundvitit të shekullit XVIII.

    Ky monument ka shërbyer tradicionalisht si vend strehimi dhe tregtie për udhëtarët dhe tregtarët që kalonin në qytet, duke pasqyruar jetën ekonomike dhe kulturore të kohës.

    Restaurimi i tij ka përfshirë rikonstruksionin e strukturës, ruajtjen e elementeve autentike arkitekturore dhe trajtimin e materialeve tradicionale që e bëjnë Hanin unik në kontekstin e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit thekson se restaurimi i plotë i këtij objekti jo vetëm që ruan vlerat historike, por gjithashtu e integron atë në rrjetin e destinacioneve kulturore dhe turistike të Prizrenit.

    “Ky hap është një investim i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit historik dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, duke e bërë Hanin e familjes Zajmi një pasqyrë të gjallë të historisë së qytetit,” thuhet në njoftim.

    Hani tashmë do të jetë i hapur për vizitorët dhe komunitetin lokal, duke ofruar një hapësirë ku historia dhe kultura bashkohen, si dhe një shembull të ruajtjes së trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.

    Restaurimi i Hanit të familjes Zajmi është pjesë e një programi më të gjerë të Ministrisë për mbrojtjen dhe promovimin e monumenteve historike dhe kulturore në të gjithë Kosovën, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së objekteve që pasqyrojnë identitetin dhe historinë e vendit.