ATV

Blog

  • Macron: Marrëveshja e armëpushimit, lajm i mirë për të gjithë

    Macron: Marrëveshja e armëpushimit, lajm i mirë për të gjithë

    Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se rreth 15 vende po planifikonin të lehtësonin rifillimin e trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon një e pesta e furnizimit botëror me naftë, pas njoftimit të një armëpushimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

    “Rreth 15 vende janë aktualisht të mobilizuara dhe po marrin pjesë në planifikim, nën udhëheqjen e Francës, për të mundësuar zbatimin e këtij misioni rreptësisht mbrojtës në koordinim me Iranin për të lehtësuar rifillimin e trafikut”, tha Macron të mërkurën, shkruan Reuters.

    Në një postim në “X”, Macron ka shkruar se marrëveshja e armëpushimit është një lajm i mirë për të gjithë.

    “Shpallja e këtij armëpushimi është një gjë shumë e mirë. Që nga dita e parë kemi pasur të njëjtin objektiv: të mbrojmë shtetasit tanë dhe interesat tona, të qëndrojmë pranë partnerëve tanë rajonalë dhe të punojmë drejt uljes së tensioneve për të rivendosur paqen dhe lirinë e lundrimit”, thuhet në postimin e Macron.

    Marrëveshja raportohet të jetë arritur me ndërmjetësim “me ritëm të shpejtë” me Pakistanin që vepronte si ndërmjetës midis Iranit dhe SHBA-së.

  • 18 vjet nga ngritja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë

    18 vjet nga ngritja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë

    Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u ndryshua zyrtarisht nga një “Zyre e ShBA-ve” në “Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë”, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës.

    Në njoftimin e Ambasadës thuhet se: “Me Kosovën formalisht si shtet i pavarur dhe marrëdhëniet diplomatike të vendosura, hapi tjetër ishte të reflektohej kjo marrëdhënie në praninë tonë diplomatike. Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë u ndryshua zyrtarisht dhe titulli i misionit u bë Ambasadë e SHBA-së në Prishtinë”.

    Ky ndryshim erdhi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në më 18 shkurt 2008.

    Ambasada përkujton këtë moment historik si pjesë të udhëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

  • Muslija nuk dorëzohet mes krizës te Fortuna,  fokusi te mbijetesa dhe përgjegjësia në ekip

    Muslija nuk dorëzohet mes krizës te Fortuna, fokusi te mbijetesa dhe përgjegjësia në ekip

    Mes krizës, presionit dhe rrezikut për rënie nga kategoria, një emër vazhdon të qëndrojë i palëkundur: Florent Muslija. Mesfushori 27-vjeçar po përballet me një nga periudhat më sfiduese të karrierës së tij, por refuzon të dorëzohet.

    Javët e fundit nuk kanë qenë aspak të lehta për të. Me Kombëtaren e Kosovës, ëndrra për kualifikim në Botëror u shua në momentet vendimtare, pas humbjes minimale 1-0 ndaj Turqisë. Në nivel klubi, situata te Fortuna Düsseldorf mbetet po aq e vështirë, me tri humbje radhazi që e kanë futur skuadrën në një betejë të ashpër për mbijetesë në Bundesliga 2.

    Megjithatë, Muslija vazhdon të tregojë karakter. Ai ishte protagonist në fitoren dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë dhe më pas përballoi 90 minuta të plota në sfidën ndaj Turqisë, duke dëshmuar përkushtimin e tij maksimal.

    “Ishte një javë e vështirë, duhet ta pranoj,” shprehet ai, por pa kërkuar justifikime. Përkundrazi, ai e sheh këtë si pjesë të përgjegjësisë që vjen me fanellën e kombëtares dhe menjëherë fokusin e kthen te klubi.

    “E dimë që nuk do të jetë e lehtë. Ndeshjet që na presin janë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë dhe duhet të mbledhim sa më shumë pikë të jetë e mundur,” thekson Muslija, duke paralajmëruar sfidat vendimtare që e presin Fortunën.

    Testi i radhës vjen të premten ndaj Holstein Kiel, një përballje që mund të ketë peshë të madhe në luftën për mbijetesë. Një tjetër hap fals do të rriste presionin, sidomos pas humbjes 3-0 ndaj Kaiserslautern, që ka shtuar pakënaqësitë te tifozët dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Markus Anfang.

    Edhe pse i përballur me lëndime, Muslija nuk zgjedh të ndalet. Ai vazhdon të luftojë për të qenë në fushë dhe për të ndihmuar skuadrën në çdo mënyrë.

    “Tashmë ndihem më mirë. Nuk më pëlqen të qëndroj jashtë për shkak të lëndimeve të lehta. Dua të jap kontributin tim sa herë që është e mundur,” shprehet ai me vendosmëri.

    Mesazhi i tij për ekipin është i qartë dhe i fortë: mbi gjithçka qëndron fryma kolektive. Sipas tij, çdo lojtar duhet të marrë përgjegjësi dhe të japë maksimumin, ndërsa edhe ata që vijnë nga stoli duhet të jenë faktorë vendimtarë, jo të dorëzuar nga frustrimi.

    Në një moment kur gjithçka duket e vështirë, Muslija mbetet simbol i qëndrueshmërisë dhe besimit se edhe situatat më të errëta mund të përmbysen me karakter dhe përkushtim.

  • KRU Mitrovica vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe

    KRU Mitrovica vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe

    Kompania Rajonale e Ujësjellësitdhe Kanalizimeve (KRU) Mitrovica ka bërë të ditur se po vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve që kanë borxhe të papaguara.

    KRU Mitrovica u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të kryejnë pagesat e tyre sa më shpejt për të shmangur ndërprerjen e shërbimit të furnizimit me ujë.

    “Kujdesi dhe pagesat në kohë janë të domosdoshme për të siguruar furnizim të rregullt me ujë për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

    Kompania rikujton se shkyçjet bëhen vetëm për konsumatorët me detyrime të prapambetura dhe se pagesat e kryera në kohë mund të shmangin ndërprerjen e shërbimit.

  • Agon Dobruna emërohet zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

    Agon Dobruna emërohet zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agon Dobrunën në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare.

    Sipas njoftimit zyrtar, kryeministri Kurti e uroi Dobrunën për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

    Emërimi i tij vjen si pjesë e angazhimit të qeverisë për fuqizimin e punës së Ministrisë dhe për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm në fushat e punës, familjes dhe vlerave të Luftës Çlirimtare.

  • Komuna e Vitisë shpall vitin 2026 si Vit të Mbrojtjes së Mjedisit

    Komuna e Vitisë shpall vitin 2026 si Vit të Mbrojtjes së Mjedisit

    Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shpallur vitin 2026 si Vit të Mbrojtjes së Mjedisit, duke shënuar një angazhim institucional për ruajtjen e natyrës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

    Ky vendim vjen si pjesë e një vizioni për kujdes të përbashkët ndaj tokës, ajrit dhe ujit, si pasuri të përbashkëta që kërkojnë përgjegjësi dhe veprim të përbashkët.

    Komuna e Vitisë synon të forcojë masat për zvogëlimin e ndotjes, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ndalimin e praktikave që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin publik.

    Njëkohësisht, theksohet rëndësia e planifikimit të qëndrueshëm dhe e bashkëpunimit institucional për ruajtjen e ekuilibrit natyror.

    “Kjo është një thirrje për ndërgjegjësim dhe mobilizim të përbashkët, që secili nga ne të japë kontributin e tij në mbrojtjen e mjedisit për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Le ta bëjmë vitin 2026 një vit të veprimit për mjedisin!”, ka theksuar kryetari Haliti.

    Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për komunën e Vitisë.

  • Spektakël në Champions League, dy superpërballje vendimtare ndezin mbrëmjen evropiane

    Spektakël në Champions League, dy superpërballje vendimtare ndezin mbrëmjen evropiane

    Mbrëmja e kësaj të mërkure premton spektakël të vërtetë futbolli, teksa skena evropiane ndizet me dy përballje të mëdha në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, ndeshje që mund të vulosin fatin e këtij sezoni.

    Pas emocioneve të së martës, ku Bayern Munich triumfoi 2-1 në transfertë ndaj Real Madridit dhe Arsenali siguroi një fitore të rëndësishme 0-1 kundër Sporting Lisbonës, sonte vëmendja zhvendoset te dy duele të tjera elektrizuese.

    Në “Camp Nou”, Barcelona dhe Atletico Madridi përplasen në një klasike të futbollit spanjoll, ku rivaliteti, tensioni dhe intensiteti pritet të shpërthejnë që nga minuta e parë. Katalanasit hyjnë në këtë sfidë me moral të lartë dhe formë mbresëlënëse, por përballë kanë një Atletico tipik të Diego Simeones, të disiplinuar, luftarak dhe gjithmonë të rrezikshëm në momentet vendimtare.

    Ndërkohë, në Paris, “Parc des Princes” bëhet arenë e një tjetër supersfide, ku Paris Saint-Germain pret Liverpoolin në një duel që premton ritëm të lartë, cilësi të jashtëzakonshme dhe yje të futbollit botëror. Francezët synojnë të shfrytëzojnë avantazhin e fushës, ndërsa anglezët vijnë me mentalitetin e tyre të pathyeshëm në garat evropiane.

    Të dyja përballjet nisin nga ora 21:00, ndërsa aktet vendimtare — ndeshjet e kthimit, do të zhvillohen javën e ardhshme.

  • Studentët në këmbë: Thirrje për protestë gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave çlirimtare

    Studentët në këmbë: Thirrje për protestë gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave çlirimtare

    Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” kanë bërë thirrje për një protestë gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave çlirimtare, duke theksuar se kjo nismë shkon përtej mbështetjes ndaj një individi të vetëm.

    Sipas organizatorëve, protesta nuk lidhet vetëm me emra të përveçëm, por është reagim ndaj një fenomeni shqetësues që, sipas tyre, po instalohet nga qarqe të caktuara. Ata shprehin kundërshtimin e tyre ndaj gjuhës fyese dhe denigruese që, siç thonë, po përdoret ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerëve të saj, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së.

    Organizatorët theksojnë se kjo protestë synon të rikthejë vëmendjen te vlerat që, sipas tyre, përbëjnë themelin e lirisë së vendit, duke kërkuar respekt institucional dhe shoqëror për kontributin e luftës çlirimtare.

    Një ndër kërkesat kryesore të studentëve është që Parlamenti i Kosovës të ndërmarrë hapa konkretë për hartimin dhe miratimin e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e vlerave çlirimtare, të cilat ata i cilësojnë si ndër më sublimet e kombit.

    Ata bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se kjo është një çështje që i përket gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një grupi të caktuar.

  • Tashmë zyrtare, kaq ekipe të Premier Ligës do të jenë në Champions vitin e ardhshëm

    Tashmë zyrtare, kaq ekipe të Premier Ligës do të jenë në Champions vitin e ardhshëm

    Pas fitores minimale të Arsenalit ndaj Sportingut të martën mbrëma, Premier Liga do të ketë pesë vende automatike për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

    Kjo do të thotë se kushdo që përfundon në pesë vendet e para, do të kualifikohet për Ligën e Kampionëve.

    Ky është viti i dytë me radhë që Premier Liga siguron pesë vende, për shkak se liga angleze kryeson në ranglistën e ligave me performancën më të mirë në Evropë.

    Aktualisht, Liverpooli është në pozitën e pestë, mirëpo ekipi i Arne Slot është vetëm një pikë përpara Chelseat në pozitën e gjashtë.

    Sidoqoftë, mund të ketë edhe përfaqësues të tjerë të Anglisë në Ligën e Kampionëve.

    Nëse Aston Villa, që gjendet në pozitën e katërt, siguron Evropa Ligën dhe përfundon jashtë top-katërshes, atëherë Anglia do të ketë gjashtë ekipe në garën evropiane.

    I njëjti skenar aplikohet për Liverpoolin në Ligën e Kampionëve.

    Gjithashtu Nottingham Forest mund të luajë në Ligën e Kampionëve nëse fiton Evropa Ligën.

  • Isa Mustafa promovon librin për konvergjencën ekonomike të Kosovës me BE-në

    Isa Mustafa promovon librin për konvergjencën ekonomike të Kosovës me BE-në

    Isa Mustafa ka promovuar librin e tij më të ri “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me BE-në” në ambientet e Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në Prishtinë.

    Gjatë promovimit, Mustafa theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe përafrimit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë proces si thelbësor për integrimin e vendit.

    Të pranishëm në këtë aktivitet ishin akademikë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët vlerësuan kontributin e librit në debatin mbi zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

    Promovimi u shoqërua edhe me diskutime rreth politikave ekonomike dhe rolit të institucioneve në përshpejtimin e integrimit evropian.