ATV

Blog

  • “Kemi kërkuar letër nga Kurti”, Çitaku flet për zgjedhjen e presidentit

    “Kemi kërkuar letër nga Kurti”, Çitaku flet për zgjedhjen e presidentit

    Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka theksuar se zgjedhja e presidentit të vendit është një moment shumë i rëndësishëm për demokracinë parlamentare.

    Çitaku theksoi se PDK-ja ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta formalizojë kërkesën e tij ndaj kësaj partie përmes një letre, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    “Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë, ndërsa PDK-ja ka vetëm 22 deputetë. Nëse shumica parlamentare është e interesuar për të zgjedhur presidentin, nuk e ka opsion vetëm bashkëbisedimin me PDK-në, por ka edhe mundësi të tjera”, tha Çitaku para mediave pas mbledhjes së Kryesisë.

    “Deri tani, një letër e tillë nuk ka mbërritur në adresën e PDK-së”.

    Ndër të tjera, deputetja njoftoi se mbledhja e grupit parlamentar të PDK-së do të mbahet nesër.

  • PSG nderon Diogo Jotën në Liverpool, gjest respekti para përballjes së Ligës së Kampionëve

    PSG nderon Diogo Jotën në Liverpool, gjest respekti para përballjes së Ligës së Kampionëve

    Paris Saint-Germain ka bërë një gjest të veçantë respekti në Liverpool, duke nderuar kujtimin e Diogo Jotës me një vizitë në memorialin e ngritur për ish-futbollistin e “The Reds”.

    Skuadra kampione e Evropës, e udhëhequr edhe nga disa prej lojtarëve portugezë në përbërje, së bashku me presidentin Nasser Al-Khelaifi, u ndalën pranë memorialit për të vendosur lule dhe për të bërë homazhe në nderim të tij. Ky akt u pa si një shenjë e fortë respekti dhe solidariteti mes dy klubeve të mëdha evropiane, të cilat së shpejti do të përballen edhe në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

    Diogo Jota u nda nga jeta në moshën 28-vjeçare gjatë verës, pas një aksidenti tragjik rrugor në autostradën A52 në Zamora të Spanjës, së bashku me vëllain e tij André Silva. Dy vëllezërit po udhëtonin drejt Santanderit, ku do të merrnin tragetin për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.

    Ky homazh i PSG-së ka prekur opinionin sportiv, duke treguar se përtej rivalitetit në fushë, futbolli mbetet edhe një familje e madhe respekti dhe kujtimi.

  • Nga një vit e gjashtë muaj burgim për deputetin Egzon Azemi dhe zëdhënësin e VV-së, Arlinda Manxhuka për nxitje të përçarjes

    Nga një vit e gjashtë muaj burgim për deputetin Egzon Azemi dhe zëdhënësin e VV-së, Arlinda Manxhuka për nxitje të përçarjes

    Deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi dhe zëdhënësi i Lëvizjes VV-së, Arlind Manxhuka u shpallën fajtorë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, duke u dënuar secili veç e veç me nga një vit e gjashtë muaj burgim.

    Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj u shpallën fajtorë për veprën penale “kanosje”, dhe u dënuan secili veç e veç me nga gjashtë muaj burgim.

    Shpallja e aktgjykimit u bë nga trupi gjykues në përbërje: Kushtrim Shyti, kryetar i kolegjit, si dhe anëtarët Violeta Namani dhe Avi Syla.

    Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në shpallje ishte i pranishëm Edi Zenelaj, si dhe mbrojtëset: avokatja Teutë Xhema, për Egzon Azemin, dhe avokatja Valentina Shabani, për Arlind Manxhukën.

    Ndërkaq, munguan të akuzuarit Egzon Azemi, Arlind Manxhuka dhe Qerim Elshani, si dhe prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2025, kishte shpallur aktgjykim me të cilin kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim. Por, Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025 e ktheu rastin në rigjykim.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

    Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

    “I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.

    Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

    Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.

    “I pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehuri Zenelaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.

    Me këtë, secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

  • Balla: Kur vjen puna për çështje kombëtare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë

    Balla: Kur vjen puna për çështje kombëtare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë

    Shefi i Socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla, në Samitin e Diasporës që po zhvillohet në Tiranë, foli sot edhe për përfaqësimin e shqiptarëve.

    Balla tha se mesazhi i samiteve të tilla është që të shqiptarët të bëhen bashkë, sepse vetëm kështu mund të jenë të fuqishëm.

    “Ne shqiptarët nganjëherë nuk dimë t’kuptojmë që kur të vjen puna për çështje kombëtare, duhet të bëhemi bashkë. Prandaj mendoj që ka ardhur koha që të mendojmë edhe në vendet tjera ku garojmë.

    Duhet të kujtojmë mësimin e Skënderbeut, se bashkimi bën fuqi. Mesazhi i këtyre samiteve është për t’u bërë bashkë.”

    Kësisoj, Balla shtoi se duhet të ketë më shumë përfaqësues në Parlamentin Shqiptar, por edhe kudo ku shqiptarët garojnë, duhet ta kenë mbështetjen e të gjithëve.

    “Unë jam shumë krenar si pjesë e shumicës parlamentare, që brenda grupit tim parlamentar të kem prej atyre që erdhën nga diaspora, konkurruan, fituan dhe janë anëtarë të Parlamentit Shqiptar. Por më shumë duhen përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse duhet t’i mbështesim kudo që jetojnë. “

  • Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim përfaqësues të OSBE-së

    Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim përfaqësues të OSBE-së

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në një takim pune përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përkatësisht Menaxherin e projektit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Kahramon Sanginov, si dhe zyrtaren për monitorimin e proceseve gjyqësore, znj. Etleva Kelmendi – Shabani.

    Gjatë këtij takimi u diskutua për çështje të rëndësishme që lidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e llogaridhënies.

    Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe mbështetjen që OSBE-ja ofron në ngritjen e kapaciteteve profesionale, monitorimin dhe avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

    Kryeprokurori Kryeziu, falenderoi përfaqësuesit e OSBE-së për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në funksion të rritjes së efikasitetit në trajtimin e rasteve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

    Nga ana e tyre, përfaqësuesit e OSBE-së vlerësuan angazhimin e Prokurorisë së Prizrenit në adresimin e rasteve të korrupsionit dhe shprehën përkushtimin për të vazhduar mbështetjen në këtë drejtim.

    Takimi përfundoi me dakordim për vazhdimin e koordinimit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

  • Të premten seanca e re e Kuvendit

    Të premten seanca e re e Kuvendit

    Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka njoftuar se seanca e re e Kuvendit të Kosovës, do të mbahet të premten.

    Pas mbledhjes së Kryesisë, para mediave ajo tha se seanca nis në orën 10:00 dhe pos deklarimeve të jashtë rendit të ditës dhe pikave të zakonshme, do të trajtohen edhe dy vendime.

    “Projektligji për Byronë si dhe vendimi i Qeverisë për dërgimin e FSK-së në Gaza”, tha Nagavci.

  • Çështja e presidentit, Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet – zgjedhjet janë të panevojshme

    Çështja e presidentit, Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet – zgjedhjet janë të panevojshme

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka folur për çështjen e presidentit pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Ajo tha se kryeministri Albin Kurti po vazhdon angazhimet e tij sa i përket kësaj çështjeje, derisa theksoi se shpreson që do të ketë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.

    “Kurti po vazhdon angazhimet e tij dhe besoj që në ditët e mbetura, të arrijmë një pajtueshmëri dhe një mbështetje, gjegjësisht propozime konkrete dhe të gjejmë zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”.

    “Pres dhe besoj që jo vetëm ne si deputetë të grupit tonë parlamentar, por edhe qytetarët presin që të gjejmë një zgjidhje, propozime konkrete dhe të votohet presidenti në kuvend sepse e kemi thënë disa herë, që një palë zgjedhje të reja janë të panevojshme dhe të padrejta”, deklaroi Nagavci para mediave.

  • Vrau fqinjin me çekiç, Apeli dënon me burgim të përjetshëm autorin

    Vrau fqinjin me çekiç, Apeli dënon me burgim të përjetshëm autorin

    Gjykata e Apelit ka dënuar me burgim të përjetshëm I.H.

    Ai u cilësua fajtor për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen e Xhemal Metës, fqinj i tij të cilin e goditi me çekiç.

    Trupa gjykuese e cilësoi I.H-në fajtor për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen e Xhemal Metës, fqinji të cilin e goditi me çekiç.

    Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 janar të vitit 2025, ku 64-vjeçari goditi me çekiç fqinjin e tij Xhemal Meta, në oborrin e shtëpisë së viktimës.

    Pas ngjarjes ai i mori edhe rreth 200 mijë lekë që Meta i mbante me vete.

    Ai kishte akumuluar mllef ndaj Metës prej kohësh pasi viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi dhe nuk e dinte çfarë bëhej me gruan e tij.

  • Kaos në linjat e fluturimeve në Gjermani, anulohen qindra udhëtime

    Kaos në linjat e fluturimeve në Gjermani, anulohen qindra udhëtime

    Greva e pilotëve në “Lufthansa” hyri në ditën e dytë të martën, duke e detyruar grupin e linjave ajrore gjermane të anulojë qindra fluturime në qendrat e saj kryesore në Frankfurt dhe Mynih dhe duke ndërprerë udhëtimet për mijëra pasagjerë.

    Në Frankfurt, afërsisht 550 fluturime u prekën, sipas sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit (VC). Më shumë se 300 fluturime u anuluan në Mynih, qendra e dytë më e madhe e “Lufthansa”-s, ndërsa rreth 40 nisje dhe mbërritje u anuluan në Berlin.

    Greva 48-orëshe, e thirrur nga VC-ja të hënën, rrjedh nga muaj të tërë negociatash të bllokuara mbi pagat dhe pensionet e kompanisë. Sindikata thotë se Lufthansa nuk ka arritur të bëjë oferta të pranueshme.

    Edhe pse aksioni i pilotëve përfundon në mesnatë të martën, udhëtarët përballen me ndërprerje të reja. Një grevë e veçantë dyditore nga ekuipazhi i kabinës është planifikuar të fillojë në orën 12:01 të mëngjesit të së mërkurës (22:01 GMT të martën) dhe të zgjasë deri pak para mesnatës së së enjtes.

    Organizata e Pavarur e Asistentëve të Fluturimit (UFO) tha se greva do të ndikojë në të gjitha nisjet e markave kryesore “Lufthansa” nga Frankfurti dhe Mynihu.

  • Gaxherri: Kurti funksionon me kriza, nuk lejojmë ta ketë edhe presidentin

    Gaxherri: Kurti funksionon me kriza, nuk lejojmë ta ketë edhe presidentin

    Ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim për zgjidhjen e bllokadës për zgjedhjen e presidentit.

    Gaxherri tha se me Albin Kurtin është gati e pamundur të qeverisësh. Mirëpo, siç thotë ajo, kontributi i tyre për presidentin mund të bëhet edhe pa përfshirje në qeverisje. Gaxherri kërkoi reflektim nga Kurti për të arritur marrëveshje politike, sepse sipas saj nuk mund t’i ketë një subjekt politik tri institucionet qendrore.

    “LDK-ja është e gatshme të kontribuojë për të zhbllokuar krizën e stërzgjatur në vend, por duke pasur parasysh edhe pasojat si subjekt politik, sepse ne nuk mund ta mohojmë atë çfarë kemi thënë dje dhe për të cilën jemi të bindur se të qeverisësh me LVV-në është shumë e vështirë, gati e pamundshme. Por, duke pasur parasysh situatën në të cilën kemi ardhur me sjelljen e zotit Kurti, mendojmë se jemi të gatshëm të kontribuojmë. Nuk është e thënë që domosdoshmërish të jemi në qeverisje. Por, natyrisht, Kurti duhet të reflektojë dhe ta dijë se nuk mund t’i ketë të gjitha institucionet e shtetit në duart e tij. Këtë nuk do ta lejojmë ne si subjekte politike, nuk e lejon as vetë Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta parasheh që të ketë balancë të pushteteve dhe bashkëpunim midis partive politike, të ketë marrëveshje politike gjëra që zoti Kurti nuk i njeh, dhe kjo është për të ardhur keq. Kam bindjen se Kurti po krijon këto kriza, sepse vetëm kështu ai mund të funksionojë.”, tha Gaxherri për rtv21.

    Anëtarja e LDK-së, Besa Gaxherri, po ashtu tha se LDK-ja nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV-së për president nëse nuk ka marrëveshje politike.

    “Kurti po përgatit skenarë si zakonisht dhe po e përgatit elektoratin, duke i paketuar mashtrimet e tij se ai deshi të bëjë zgjidhje, por partitë opozitare nuk ishin të gatshme. Unë uroj dhe shpresoj se qytetarët e këtij vendi tashmë e kanë parë lojën e Kurtit. Unë besoj se vendi duhet të shkojë në zgjedhje në qershor. Nuk mund të ketë votë nga LDK-ja pa marrëveshje politike. Kurti duhet të mësohet të bëjë marrëveshje politike, duhet të mësohet të respektojë opozitën, mediat dhe sindikatat. Kurti pretendon ta kapë shtetin.’’, u shpreh Gaxherri.