ATV

Blog

  • Hasi në një mjet të pashpërthyer në Drenoc të Malishevës, njësitet e FSK-së e shpërthejnë në mënyrë të sigurt

    Hasi në një mjet të pashpërthyer në Drenoc të Malishevës, njësitet e FSK-së e shpërthejnë në mënyrë të sigurt

    Një person ka raportuar se derisa ishte duke punuar në një mur të vjetër ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më 10.04.2026 në fshatin Drenoc të Malishevës.

    Tutje bëhet e ditur se njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësitet e FSK-së për deminim.

    “Fsh. Drenoc, Malishevë 14.04.2026 – 09:30. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ishte duke punuar në një muri të vjetër, ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësitet e FSK-së për deminim, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë shpërthimin e mjetit në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt”, thuhet në raport.

  • Hoti: Projektligji për çmimet tavan i papërmirësueshëm, do të dëmtojë tregun dhe konsumatorin

    Hoti: Projektligji për çmimet tavan i papërmirësueshëm, do të dëmtojë tregun dhe konsumatorin

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar ashpër projektligjin për çmimet tavan, duke thënë se ai është i papërmirësueshëm përmes amendamenteve dhe se në formën aktuale do të sjellë çrregullime në treg.

    Ai thekson se pas analizës së projektligjit, nuk ka hapësirë për përmirësime që do ta bënin atë funksional në kushtet e tregut të lirë.

    “PROJEKTLIGJI PËR ÇMIMET TAVAN ËSHTË I PAPËRMIRËSUESHËM PËRMES AMENDAMENTEVE. Projektligji për çmimet tavan, i cili kaloi në lexim të parë me procedura të shkurtuara, është i papërmirësueshëm. Sot, me shumë kujdes e analizuam këtë projektligj për të parë nëse mund të propozohen amendamente për të evituar çrregullimet në treg që pritet të sjellë ky projektligj nëse hyn në fuqi në formatin aktual të propozuar nga Qeveria”, ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, masat e propozuara nuk e arrijnë qëllimin për mbrojtjen e konsumatorit.

    “Vlerësimi i përgjithshëm është se asnjë amendament nuk mund ta sjellë këtë projektligj në linjë me kërkesat dhe parimet për funksionimin e tregut të lirë në kohë të krizave dhe inflacionit, sikurse që po kalojmë tani. Masat e parapara në këtë projektligj nuk do ta mbrojnë konsumatorin. Ato masa do ta dëmtojnë biznesin dhe nuk sigurojnë arritjen e qëllimit për të cilin ndërmerren”, ka deklaruar ai.

    Hoti ka kritikuar edhe mungesën e debatit publik për këtë çështje.

    “Nuk e kuptoj përse nuk organizohen debate publike me oda ekonomike dhe me organizata të tjera për të marrë vlerësimet e tyre. Nuk e kuptoj përse Qeveria nuk e sqaron publikisht si do të arrihet qëllimi i këtij ligji, që është mbrojtja e konsumatorit, përmes masave të parapara në këtë projektligj”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, ndërhyrjet në krizë ekonomike duhet të bëhen si në anën e kërkesës ashtu edhe në atë të ofertës.

    “Logjika ekonomike në situata të tilla kërkon që ndërhyrjet të jenë në të dy anët e tregut, në anën e kërkesës dhe të ofertës. Në anën e kërkesës duhet ndërmerren masa për të ruajtur grupet më të ndjeshme të qytetarëve, si: punëtorët që marrin pagën minimale, pensionistët, studentët, familjen në asistencë sociale dhe grupe të tjera të ngjashme”, ka shkruar Hoti.

    Ai ka shtuar se mbështetja sociale duhet të jetë e përshtatur me kohëzgjatjen e krizës.

    “Mbështetja e këtyre grupeve nga buxheti i shtetit mund të jetë e njëhershme nëse kriza është e përkohshme dhe nëse çmimet stabilizohen shpejt. Nëse kriza vazhdon, atëherë mbështetja duhet të jetë e përhershme duke i indeksuar të ardhurat e këtyre grupeve për normën e inflacionit të produkteve të konsumit elementar”, ka theksuar ai.

    Duke folur për anën e ofertës, Hoti ka propozuar ulje të ngarkesave tatimore.

    “Në anën e ofertës duhet të intervenohet në uljen e kostos për bizneset për ofrimin e mallrave në treg. Në këtë aspekt, masë e menjëhershme është ulja e ngarkesave tatimore, siç janë TVSH dhe akciza. Duke qenë se të hyrat buxhetore rriten në kohë inflacioni për shkak të TVSH-së më të lartë që mbledh shteti, është e natyrshme që ulja e normës së TVSH të ketë efekt minimal ose zero në të hyrat buxhetore”, ka deklaruar Hoti.

    Në fund, ai ka kritikuar Qeverinë për mungesë të masave alternative dhe ka përmendur edhe praktika evropiane.

    “Prandaj, mungesa e masave të tilla nga ana e Qeverisë së Kosovës është e pakuptueshme se kujt i shërben. Disa nga këto masa janë ndërmarrë nga vendet evropiane. Shembulli më i fundit ishte Gjermania”, ka shkruar ai.

  • Fundi i strehës së sigurt? Magyar paralajmëron ekstradimin e Gruevskit në RMV

    Fundi i strehës së sigurt? Magyar paralajmëron ekstradimin e Gruevskit në RMV

    Herën tjetër kur të dërgojnë një kërkesë për ekstradimin e Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të dënuar të Maqedonisë së Veriut, autoritetet në Shkup mund të marrin një përgjigje pozitive nga Hungaria.

    Ndryshimi i pushtetit në vendin ku Gruevski u arratis në vitin 2018, mund të mundësojë që ai, më në fund, ta vuajë dënimin dyvjeçar.

    Këtë e konfirmoi edhe kryeministri i ardhshëm hungarez, Peter Magyar, i cili tha se Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelët ndërkombëtarë.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ekstradimin e mundshëm të dy politikanëve polakë, Zbigniew Ziobro dhe Marcin Romanowski, Magyar tha se “në Hungari nuk duhet të blejnë mobilie nga IKEA, sepse nuk do të qëndrojnë gjatë”.

    “Kjo nuk vlen vetëm për ta, por edhe për zotin Gruevski, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu shkelës i ligjit”, tha Magyar në një konferencë për gazetarë.

    Ai shtoi se, në frymën e bashkëpunimit evropian, pret edhe nga vendet e tjera evropiane që t’i ekstradojnë kriminelët hungarezë nëse ata arratisen në territoret e tyre.

    Se si dhe kur Qeveria e re hungareze do ta rregullojë këtë çështje, partia e Magyarit, Tisza, nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë.

    Në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, Magyar e rrëzoi nga pushteti Viktor Orbanin, i cili qeverisi Hungarinë për 16 vjet.

    Orban, si kryeministër i Hungarisë, ishte në shënjestër të kritikave të ashpra nga Brukseli për minimin e demokracisë dhe kundërshtimin e mbështetjes për Ukrainën, pas pushtimit rus.

    Për shkak të shqetësimeve për gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit, BE-ja bllokoi miliarda euro nga fondet e destinuara për Hungarinë.

    Gjatë qeverisjes së Orbanit, strehë në këtë vend gjeti edhe Gruevski.

    Ish-kryeministri maqedonas, në nëntor të vitit 2018, në vend që të fillonte vuajtjen e dënimit, u arratis nga Maqedonia e Veriut me një automjet diplomatik hungarez.

    Disa ditë më vonë, ai mori azil politik në Hungari.

    Autoritetet hungareze e arsyetuan këtë vendim me “ndjekjen e mundshme politike dhe gjendjen e keqe në burgjet maqedonase”.

    Një vit më pas, një gjykatë hungareze refuzoi kërkesën e autoriteteve maqedonase për ekstradimin e tij, duke thënë se “nuk ishin përmbushur kushtet për ekstradim në Maqedoninë e Veriut”.

    Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse planifikon të paraqesë kërkesë të re për ekstradimin e Gruevskit.

    “Nëse vjen, do të arrestohet”
    Nëse Gruevski hyn në Maqedoninë e Veriut, ai do të arrestohet, tha kryeministri aktual i këtij vendi, Hristijan Mickoski.

    Ai shtoi se rasti i Gruevskit është në dorën e Qeverisë hungareze.

    “Nuk kam pritje, por nëse Nikolla Gruevski paraqitet në Maqedoni [të Veriut], ai ka një vendim të formës së prerë dhe, menjëherë pas hyrjes në vend, organet e rendit do ta ndalojnë dhe do ta dërgojnë për vuajtjen e dënimit me burg, në përputhje me vendimin përfundimtar”, tha Mickoski, njëherësh kryetar aktual i VMRO-DPMNE-së, ish-partisë së Gruevskit.

    Ai theksoi se nuk ka asnjë pritje nëse dhe kur Gruevski do të kthehet në Maqedoninë e Veriut.

    “Ne, si Qeveri, kemi përpara një vendim përfundimtar, sipas të cilit personi për të cilin po flasim, duhet të vuajë dënim me burg”, u shpreh Mickoski.

    “Organizata kriminale VMRO ka mbetur pa aleatin e saj të vetëm në BE”, shkroi në platformën X lideri i opozitës nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe.

    “Nuk do të ketë më fshehje të Gruevskit në Budapest, as marrëveshje biznesi. Kryeministri i ri i Hungarisë, zoti Peter Magyar, ka paralajmëruar reforma të thella në media, për shkak të ndikimit të madh që kishte Orban mbi to. Regjimet autokratike po bien”, shtoi ai.

    Nga partia Tisza e Magyarit thanë se Qeveria e ardhshme hungareze do t’i japë përparësi rikthimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, anëtarësimit në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian dhe vendosjes së një funksionimi të ri më transparent të shtetit.

    Orban dhe Gruevski

    Nikolla Gruevski ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016 dhe lider i VMRO-DPMNE-së, parti e cila, pas shtatë vjetësh në opozitë, u rikthye në pushtet në zgjedhjet e vitit 2024.

    Me kryeministrin në largim të Hungarisë, Viktor Orban, ai kishte një miqësi të gjatë politike, dhe Orban ishte shpesh i pranishëm në fushatat zgjedhore të VMRO-DPMNE-së.

    Dy partitë e djathta, si parti simotra, ishin pjesë e Partisë Popullore Evropiane (EPP).

    Megjithatë, partia e Orbanit u largua nga EPP-ja në mars të vitit 2021, pak para se të përjashtohej, pas kritikave të gjata nga BE-ja për minimin e lirive demokratike, mediave, organizatave joqeveritare dhe sundimit të ligjit.

    Si parti simotër, Fidesz e ka mbështetur rregullisht VMRO-DPMNE-në.

    Në kohën kur Gruevski ishte kryeministër, Orban u nderua me një çmim shtetëror nga Maqedonia e Veriut – Urdhrin “8 Shtatori”.

    Si rrodhi rasti Gruevski?

    Në maj të vitit 2018, Gruevski u dënua me dy vjet burg në rastin “Tenk”, për shkak të parregullsive në prokurimin e një automjeti të blinduar Mercedes, me vlerë 600.000 euro.

    Për blerjen e automjetit luksoz u mësua në vitin 2015, kur opozita e atëhershme publikoi një bisedë të përgjuar, në të cilën Gruevski i kërkonte ministres së Brendshme, Gordana Jankulloska, që MPB-ja të blejë një Mercedes që ai më pas ta përdorte, por pa dijeninë e publikut.

    Atëkohë, Gruevski ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

    Përveç këtij rasti, ndaj tij u zhvilluan edhe disa procese të tjera gjyqësore.

    Në shtator të vitit 2020, ai u dënua në mungesë me një vit e gjysmë burg për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë.

    Në prill të vitit 2022, për rastin “Parcelat në Vodno”, u dënua në shkallë të parë me shtatë vjet burg për pastrim parash, përfitim të paligjshëm dhe fshehje të pasurisë.

    Po në të njëjtin muaj, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e vendosi atë në listën e sanksioneve për korrupsion. Në listë u përfshi edhe kompania e tij në Hungari, I.C.I.C. KFT./REL/

  • Portlandi në play-off pas dramës me Phoenixin, Charlotte triumfon në dramë epike ndaj Miamit

    Portlandi në play-off pas dramës me Phoenixin, Charlotte triumfon në dramë epike ndaj Miamit

    Basketbollistët e Portlandit siguruan një vend në play-offin e NBA-së pas një fitoreje dramatike 114:110 ndaj Phoenix-it.

    Në një përballje plot ritëm dhe emocione, skuadra e udhëhequr nga fantastiku Deni Avdija dominoi në momentet vendimtare të fazës play-in. Avdija ishte protagonisti absolut i mbrëmjes me një paraqitje brilante prej 41 pikësh, të shoqëruara me 7 kërcime dhe 12 asistime, duke e çuar ekipin e tij drejt raundit të parë të play-offit, ku do të përballet me San Antonion. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Jrue Holiday me 21 pikë, ndërsa në anën tjetër nuk mjaftuan 35 pikët e Jalen Green dhe 22 të Devin Booker.

     

    Ndërkohë, një tjetër ndeshje spektakolare u zhvillua mes Charlotte dhe Miami, ku vendasit triumfuan me rezultat të ngushtë 127:126 pas kohës shtesë.

    Heroi i mbrëmjes ishte LaMelo Ball, i cili realizoi koshin vendimtar vetëm 4.7 sekonda para fundit të vazhdimeve, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij. Miami pati mundësinë e fundit për të përmbysur rezultatin, por tentativa e Davion Mitchell u ndal nga një bllokim vendimtar i Miles Bridges, duke vulosur kështu fitoren e Charlotte.

    Me këtë sukses, Charlotte vazhdon garën në play-in dhe për një vend në play-off do të përballet me humbësin e ndeshjes mes Philadelphia dhe Orlando.

  • Lufta me Iranin i ka kushtuar Izraelit 11.5 miliardë dollarë deri tani

    Lufta me Iranin i ka kushtuar Izraelit 11.5 miliardë dollarë deri tani

    Lufta e Izraelit me Iranin i ka kushtuar deri tani shtetit hebre rreth 11.5 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të publikuar nga Ministria izraelite e Financave.

    Sipas raportimit, kostoja totale e konfliktit arrin në 35 miliardë shekelë, ndërsa autoritetet financiare izraelite vlerësojnë se buxheti aktual mund ta përballojë këtë barrë nëse përshkallëzimi nuk zgjerohet më tej.

    Megjithatë, sipas Haaretz, Ministria e Mbrojtjes kundërshton këtë përllogaritje, duke argumentuar se vetëm fushata kundër Iranit ka kushtuar rreth 39 miliardë shekelë, pa përfshirë operacionet në Liban dhe kostot afatgjata të rikuperimit.

    Zyrtarët e mbrojtjes pritet të kërkojnë rreth 9 miliardë dollarë shtesë, për të mbuluar operacionet ushtarake dhe rindërtimin pas konfliktit.

    Sipas Ministrisë së Financave, nga shuma totale e përllogaritur:

    -22 miliardë shekelë lidhen me shpenzime të drejtpërdrejta ushtarake;

    -12 miliardë shekelë me kompensimin e bizneseve dhe familjeve;

    -dhe 1 miliard shekelë me shpenzime civile shtesë.

    Raporti nënvizon gjithashtu se në kosto janë përfshirë edhe aktivitetet e ushtrisë izraelite në Liban, përfshirë mobilizimin e deri në 120 mijë rezervistëve.

  • Abdixhiku nuk i lë në kryesi Imri Ahmetin, Arben Gashin, Driton Selmanajn, Xhafer Tahirin…- Kush tjetër mbeti jashtë kryesisë së re të LDK’së

    Abdixhiku nuk i lë në kryesi Imri Ahmetin, Arben Gashin, Driton Selmanajn, Xhafer Tahirin…- Kush tjetër mbeti jashtë kryesisë së re të LDK’së

    Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës, njoftoi se lideri i saj, Lumir Abdixhiku, ka emëruar kryesinë e re të kësaj partie. Kryesia e tanishme ka 34 anëtarë. E njëjta, siç njoftoi LDK’ja, do të plotësohet me anëtarë nga përfaqësuesit e degëve të mëdha.

    Lista e re e LDK’së ka lënë jashtë shumë figura të vjetra të kësaj partie. Janë plot 14 anëtarë të LDK’së që s’kanë gjetur vendin në listën e re të kësaj partie, përderisa ata ishin pjesë e së vjetrës. Emra si Arben Gashi, Besa Gaxherri, Driton Selmanaj, Besnik Osmani e Imri Ahmeti, e Muhamet Hamiti, kanë mbetur jashtë listës së re të LDK’së.

    Emrat ngaLista evjetër që s’u bënë pjesë e listës së re.

    ‘‘Arben Gashi; Besa Gaxherri; Besnik Osmani; Driton Selmanaj; Elmire Nikçi Rexha; Florian Dushi; Imri Ahmeti; Lirije Kajtazi ; Mirjeta Kalludra; Muhamet Hamiti; Rrezarta Krasniqi; Visar Berisha; Vlora Dumoshi; Xhafer Tahiri’’.

    Lista e re e Abdixhikut, përveç largimeve, ka përfshirë edhe emra të rinj që më herët s’kanë qenë pjesë e kryesisë. Emra si Ukë Rugova, Fadil Hadergjonaj, Ermal Sadiku, e Festim Kabashi, janë përfshirë në kryesi.

    Emrat e rinj të kryesisë së LDK’së

    ‘‘Arbër Ismajli; Arjeta Salihu Abazi; Ermal Sadiku; Fadil Hadergjonaj; Festim Kabashi; Sokol Havolli; Ukë Rugova’’.

  • Pse të zgjidhni AAB-në? Universiteti që formëson të ardhmen tuaj

    Pse të zgjidhni AAB-në? Universiteti që formëson të ardhmen tuaj

    Nga Ardian Sallauka

    Në një kohë kur zgjedhja e universitetit nuk është më vetëm një hap akademik, por një vendim strategjik që përcakton drejtimin profesional dhe pozicionimin në tregun global të punës, si ish-student i Kolegjit AAB, pas një analize të thellë që i kam bërë Kolegjit AAB, me qëllim që studentëve të ardhshëm t’ua lehtësoj zgjedhjen e profileve studimore, kam ardhur në përfundim që Kolegji AAB është institucioni më i konsoliduar në Kosovë dhe në të gjithë hapësirën shqiptare. I vendosur në Prishtinë, AAB nuk është thjesht një institucion i arsimit të lartë, por një mjedis i strukturuar, dinamik dhe i orientuar drejt rezultateve, ku teoria akademike ndërthuret në mënyrë të natyrshme me praktikën profesionale.

    Si kolegji më i madh jopublik i arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon, Kolegji AAB është i njohur për një infrastrukturë moderne, laboratorë të avancuar dhe programe akademike që reflektojnë zhvillimet më të fundit globale, si dhe për faktin se është gjithmonë i pari në renditjet globale mes universiteteve shqiptare. Këtu, studentët nuk janë vetëm pjesëmarrës në procesin mësimor, por pjesëmarrës aktivë në krijimin e dijes dhe zhvillimin e projekteve konkrete që lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës. Në një ambient ku inovacioni, kërkimi dhe praktika janë të integruara, Kolegji AAB krijon një bazë solide për një karrierë të qëndrueshme dhe konkurruese. Në këtë kontekst, një nga indikatorët më të fortë të suksesit institucional është fakti se 98% e të diplomuarve të AAB-së punësohen në një periudhë shumë të shkurtër pas diplomimit, duke reflektuar drejtpërdrejt relevancën e programeve të studimit me kërkesat reale të tregut të punës.

    Nëse synoni të studioni në një program që ju përgatit realisht për sfidat e profesionit, që ju ofron qasje në teknologji të avancuar dhe që ju lidh me rrjete ndërkombëtare akademike dhe profesionale, atëherë përgjigjja është e qartë: e ardhmja juaj fillon në Kolegjin AAB.

    LIDERË TË INOVACIONIT TEKNOLOGJIK

    Në epokën e transformimit digjital, ku teknologjia po riformëson çdo industri, Kolegji AAB ka ndërtuar një profil të qartë si lider në edukimin teknologjik në Kosovë dhe rajon. Fakulteti i Shkencave Kompjuterike është një nga shtyllat më të forta të institucionit, duke ofruar programe të avancuara në Shkencat Kompjuterike, programim dhe AI Business, të dizajnuara për të përmbushur kërkesat e tregut global.

    Programet janë të strukturuara mbi një kurrikulë të harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe të përditësuar vazhdimisht për të reflektuar zhvillimet më të fundit në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe zhvillimin softuerik. Studentët punojnë në laboratorë modernë të pajisur me teknologji për AI, VR/AR dhe sisteme të avancuara kompjuterike, duke fituar përvojë praktike që i vendos ata në avantazh konkurrues.

    Një nga elementet kyçe që e dallon këtë drejtim është orientimi i fortë drejt praktikës. Studentët angazhohen në projekte reale që përfshijnë zhvillimin e aplikacioneve inteligjente, krijimin e platformave digjitale dhe ndërtimin e sistemeve të sigurisë për organizata dhe institucione. Përmes bashkëpunimeve me kompani teknologjike në Kosovë dhe jashtë saj, ata fitojnë ekspozim të drejtpërdrejtë në industrinë e teknologjisë.

    Programet përfshijnë fusha si:

    • Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike
    • Siguri Kibernetike
    • Programim dhe Multimedia
    • Programim i Lojërave Kompjuterike
    • Programim dhe AI

    Ky fokus i qartë në teknologji dhe inovacion ka bërë që të diplomuarit e Kolegjit AAB të jenë ndër më të kërkuarit në tregun e punës, duke u integruar me sukses në kompani ndërkombëtare dhe projekte globale.

    SHKENCAT SHËNDETËSORE – STANDARD EVROPIAN DHE MOBILITET NDËRKOMBËTAR

    Fusha e shkencave shëndetësore në Kolegjin AAB përfaqëson një nga drejtimet më të zhvilluara dhe më strategjike të institucionit, duke ofruar programe që plotësojnë standardet evropiane dhe përgatisin profesionistë për tregun ndërkombëtar të punës. Në një sektor ku cilësia e përgatitjes është jetike, Kolegji AAB ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në infrastrukturë, staf akademik dhe metodologji mësimore.

    Studentët përfitojnë nga klinika dentare funksionale, laboratorë modernë dhe pajisje për simulime klinike që i ekspozojnë ata ndaj situatave reale profesionale. Që nga viti i parë, ata janë të përfshirë në praktikë aktive, duke ndërtuar kompetenca të drejtpërdrejta që i bëjnë të gatshëm për tregun e punës menjëherë pas diplomimit.

    Programet kryesore përfshijnë:

    • Stomatologji
    • Infermieri
    • Teknik i Radiologjisë
    • Estetikë dhe Kozmetologji

    Një nga avantazhet më të rëndësishme të këtyre drejtimeve është orientimi i qartë drejt tregut evropian, veçanërisht në Gjermani. Përmes integrimit të gjuhëve të huaja dhe përputhjes së kurrikulës me standardet e BE-së, studentët përgatiten për mobilitet profesional dhe punësim jashtë vendit.

    Në praktikë, kjo do të thotë se shumë nga të diplomuarit në Infermieri dhe fusha të tjera janë tashmë pjesë e institucioneve shëndetësore në Evropë, duke përfaqësuar standarde të larta profesionale dhe duke dëshmuar cilësinë e përgatitjes që ofron Kolegji AAB.

     FAKULTETET E KOLEGJIT AAB – DIVERSITET AKADEMIK DHE SPECIALIZIM

    Kolegji AAB ofron një gamë të plotë prej 50 programesh studimore, duke mbuluar pothuajse çdo fushë studimi dhe duke i dhënë studentëve mundësinë të zgjedhin drejtimin që përputhet më së miri me interesat dhe objektivat e tyre profesionale.

    • Administratë Publike
    • Arkitekturë
    • Arte
    • Ekonomik
    • Gjuhë të Huaja
    • Juridik
    • Kulturë Fizike dhe Sport
    • Komunikim Masiv
    • Shkenca Kompjuterike
    • Shkenca Sociale
    • Psikologji
    • Shkenca Shëndetësore
    • Stomatologji

    Secili nga këto programe është i ndërtuar mbi parimin e integrimit të teorisë me praktikën, duke siguruar që studentët të diplomohen me njohuri të thelluara dhe aftësi të aplikueshme në treg.

     PSE PROGRAMET E KOLEGJIT AAB JANË MË TË KËRKUARAT?

    Një nga faktorët kryesorë që e pozicionon Kolegjin AAB si një ndër universitetet më të kërkuara në Kosovë është cilësia dhe relevanca e programeve akademike. Çdo program është i harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe përdor sistemin ECTS, duke garantuar njohje ndërkombëtare dhe mobilitet akademik.

    Përmes partneriteteve ndërkombëtare dhe programeve si Erasmus+, studentët kanë mundësi të përfitojnë përvojë studimi jashtë vendit, duke zgjeruar horizontet e tyre akademike dhe profesionale. Kjo përvojë është thelbësore për ndërtimin e një profili konkurrues në tregun global.

    Fokusi në praktikë është një tjetër element që e bën diferencën. Studentët janë të angazhuar në projekte reale, laboratorë, praktika profesionale dhe bashkëpunime me industri, duke zhvilluar aftësi konkrete që kërkohen nga punëdhënësit.

    Një aspekt i rëndësishëm është edhe fakti që studimet në AAB janë akademikisht sfiduese, duke garantuar një nivel të lartë të përgatitjes profesionale. Kjo qasje e orientuar drejt cilësisë siguron që të diplomuarit të jenë të gatshëm për të konkurruar në tregje të ndryshme ndërkombëtare.

    HISTORITË E SUKSESIT – NGA SALLAT E MËSIMIT NË TREGUN GLOBAL

    Suksesi i Kolegjit AAB matet përmes rezultateve konkrete të studentëve dhe të diplomuarve. Të diplomuarit e AAB janë të integruar në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga teknologjia dhe shëndetësia, deri te media dhe administrata publike.

    Studentët e Shkencave Kompjuterike punojnë në kompani të ndryshme teknologjike në Evropë dhe më gjerë, ndërsa të diplomuarit në Stomatologji kanë ndërtuar klinika të suksesshme në Kosovë. Në fushën e komunikimit, shumë studentë janë pjesë e mediave ndërkombëtare, ndërsa në sektorin shëndetësor, infermierët e diplomuar në AAB janë të integruar në sisteme shëndetësore evropiane, veçanërisht në Gjermani.

    Ky rrjet i gjerë i Kolegjit AAB përbën një dëshmi të qartë të cilësisë së edukimit dhe ndikimit real që institucioni ka në zhvillimin profesional të studentëve.

     

    PERSPEKTIVA NDËRKOMBËTARE – MUNDËSI REALE PUNËSIMI

    Një nga avantazhet më konkrete të studimit në AAB është orientimi drejt tregut ndërkombëtar të punës, veçanërisht në profesione me kërkesë të lartë si infermieria.

    Diferencat në paga janë të konsiderueshme dhe përbëjnë një faktor të rëndësishëm në planifikimin e karrierë. Në Kosovë, paga mesatare për infermierët është nga 500 në 800 euro në muaj, ndërsa në vende te EU-së nga 3000 deri në 5000 euro, shpesh e shoqëruar edhe me kushte më të strukturuara pune dhe mundësi të avancimit profesional.

    Kolegji AAB e trajton këtë realitet në mënyrë sistematike, duke ndërtuar programe studimi që tejkalojnë përgatitjen teorike dhe fokusohen në zhvillimin e kompetencave të aplikueshme në kontekst ndërkombëtar. Kjo përfshin jo vetëm formimin profesional sipas standardeve evropiane, por edhe përforcimin e aftësive gjuhësore, një parakusht për integrim të suksesshëm në tregun e punës jashtë vendit.

    Në këtë aspekt, studentët përfitojnë nga kurrikula e harmonizuar, praktikat klinike të strukturuara dhe orientimi i vazhdueshëm drejt kërkesave reale të punëdhënësve evropianë. Kjo qasje e bën kalimin nga studimet në punësim më të drejtpërdrejtë duke e pozicionuar AAB-në si një institucion që nuk ofron vetëm diplomë, por një rrugë të qartë drejt një karriere të qëndrueshme dhe konkurruese në nivel ndërkombëtar. 

    AVANTAZHET KRYESORE TË KOLEGJIT AAB

    • Institucion lider në arsimin e lartë në hapësirën shqiptare, por edhe në nivel rajonal e evropian.
    • Programe të avancuara dhe konkurruese në Shkencat Kompjuterike, të harmonizuara me zhvillimet e fundit të teknologjike.
    • Programe në fushën e shëndetësisë të orientuara drejt standardeve evropiane dhe kërkesave reale të tregut ndërkombëtar.
    • Rrjet i qëndrueshëm partneritetesh ndërkombëtare dhe mundësi të strukturuara për mobilitet akademik dhe profesional.
    • Infrastrukturë bashkëkohore dhe laboratorë të pajisur sipas standardeve moderne të mësimdhënies dhe kërkimit.
    • Shkallë e lartë punësimi dhe integrim i drejtpërdrejtë i të diplomuarve në tregun vendor dhe global të punës.

    (Autori është ish student i Kolegjit AAB, tani profesor)

     

     

     

  • Kurti i rezervuar për presidentin: Jemi në konsultime me opozitën

    Kurti i rezervuar për presidentin: Jemi në konsultime me opozitën

    Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në horizont nuk po shihet që do të ketë ndonjë dakordim mes partive politike për këtë çështje.

    Kryeministri Albin Kurti është pyetur sot nga mediat nëse do të ketë ndonjë takim këtë javë për këtë çështje, mirëpo përgjigja e tij ishte e shkurtër.

    “Jemi në konsultime me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, tha Kurti.

    Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka dalë me një aktgjykim, ku ka caktuar 28 prillin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri në këtë datë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

  • Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë

    Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë

    Prokurori special Naim Abazi ka përmbyllur fjalën përfundimtare duke kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, të cilët sot ndodhen para gjykatës.

    Ai theksoi se të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, duhet të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen me dënimin maksimal të paraparë me ligj, jo më pak se burgim të përjetshëm.

    Prokurori Abazi tha se vetëm një dënim i tillë reflekton peshën e krimit të kryer.

    Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

  • Rama: Pallati që u dogj në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, s’mund t’i lëmë vetë njerëzit që u dëmtuan

    Rama: Pallati që u dogj në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, s’mund t’i lëmë vetë njerëzit që u dëmtuan

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zjarrin që ra pasditen e së martës në një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza”.

    Me anë të një postimi në platformën “X”, Rama shkruan se pallati në kompleksin “Arlis”, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi.

    Ai gjithashtu falënderoi zjarrëfikësit dhe forcat e rendit për punën e tyre heroike.

    “Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet – rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithsesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falënderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara”, shkruan Rama.