ATV

Blog

  • Konjufca në Forumin e Dipolmacisë në Antalya: Rajoni ka nevojë për bashkëpunim më shumë se kurrë

    Konjufca në Forumin e Dipolmacisë në Antalya: Rajoni ka nevojë për bashkëpunim më shumë se kurrë

    Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Antalya Forumin e Diplomacisë në Antalya që është mbajtur në Turqi.

    Në kuadër të këtij forumi, të organizuar nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, Konjufca ka përfaqësuar Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6).

    Sipas tij, gjatë takimit është ritheksuar përkushtimi i Turqisë për të mbështetur rajonin, në një kohë kur bashkëpunimi rajonal konsiderohet kyç.

    “U ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit tonë dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur bashkëpunimi dhe bashkërendimi rajonal janë më të rëndësishëm se kurrë,” thuhet në njoftim.

    Ai ka bërë të ditur se në forum janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe ndikimi i tyre në rajon dhe më gjerë.

    Forumi i Diplomacisë në Antalya mbledh liderë dhe diplomatë nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar çështje kyçe të politikës ndërkombëtare dhe sigurisë globale.

  • Abdixhiku përkujton Sali Çekaj në 27-vjetorin e rënies: Ra për të mos vdekur kurrë

    Abdixhiku përkujton Sali Çekaj në 27-vjetorin e rënies: Ra për të mos vdekur kurrë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 27-vjetorin e rënies së tij në Betejën e Kosharës.

    Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku e ka cilësuar Çekajn si figurë të shquar të luftës dhe rezistencës së armatosur, duke theksuar rolin e tij si intelektual, politikan dhe ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Në prillin që nuk njihte pranverë më të vështirë; në vend se t’i gëzohej triumfit të lirisë; atje lart në majet e ashpra të Koshares ra për të mos vdekur kurrë, Komandant Sali Çekaj – VETERANI. Në këtë 27 vjetor, ne nderojmë figurën e madhe të historisë së Kosovës, figurën e luftës dhe rezistencës së armatosur, intelektualin, politikanin dhe ushtarakun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroin Sali Çekaj. Ndonëse rreziqet e jetës e kishin shtyrë të ikte në mërgim, shtypjet që po i bëheshin popullit të tij e detyruan të kthehej në vendlindje veprimtarin e madh, Sali Çekaj për të iu bashkuar shokëve, burrave e grave në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atje në Alpet Shqiptare, në Koshare”.

    ‘Sali Çekaj, veprimtar i zellshëm politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jurist e ushtarak vizionar, u detyrua të largohej nga vendi, për shkak të presionit e të përndjekjes sistematike që i bënte regjimi okupues. Rezistencën e tij politike e nisi përmes aktivitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, krah Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, ku bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, u bë dhe organizator i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për t’i ndihmuar ata materialisht e politikisht, për çlirimin e vendit. Megjithëse fillet e angazhimit të Sali Çekajt për çështje kombëtare janë të hershme, ai qysh në fillim të viteve të 90-ta ia kishte vënë vetes objektiv çlirimin e Kosovës. Në vitin 1991 Sali Çekaj ishte përgjegjës për përgatitjen ushtarake të dy grupeve të para guerile në Shqipëri në mesin e të cilëve ishin Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ilaz Kodra e shumë bashkëluftëtarë të tjerë”, shkroi i pari I LDK-së.

    Abdixhiku theksoi po ashtu se figura dhe vepra e Sali Çekajt mbetet në piedestalin e historisë së Kosovës, ndërsa kujtoi se ai është nderuar me titullin “Hero i Kosovës” nga presidenti Rugova.

    “Ai bashkë me Agim Ramadanin ishin po ashtu edhe ideatorët e fitores së madhe të UÇK-së, në shpartallimin e forcave serbe dhe thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar që kishte mbajtur padrejtësisht të ndarë një komb për vite të tëra. Sali Çekaj me punën dhe përkushtimin e tij, prej politikani e ushtaraku vizionar, do të mbetet përherë në piedestalin e historisë tonë, prandaj dhe Presidenti Historik Rugova e nderoi me urdhërin Hero i Kosovës. Sot, kujtojmë dhe nderojmë rolin, kontributin e sakrificën e tij sublime për liri e pavarësi. Lavdi jetës dhe veprës së Komandantit, Sali Çekaj!”, shkroi Abdixhiku.

  • Edhe 10 ditë afat për Presidetin, Haxhiu: S’ka kërkesa që unë t’i thërras partitë, po e bën Kryeministri – uroj të ketë konsensus

    Edhe 10 ditë afat për Presidetin, Haxhiu: S’ka kërkesa që unë t’i thërras partitë, po e bën Kryeministri – uroj të ketë konsensus

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, sot kur përkujtuar jetën dhe veprën e veteranit Sali Çekaj, është deklaruar edhe për media duke theksuar se “qytetarët nuk i duan zgjedhjet në këtë moment”. Prandaj, u shpreh që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje, duke uruar konsensus mes partive politike.

    E pyetur nga gazetarët nëse do t’i ftojë në takim partitë politike, për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu tha:

    “Unë nuk jam përgjegjësë për t’i ftuar partitë politike në takim. Takimet po thirren nga kryeministri Kurti, si kryetar partie e kryeministër dhe si dikush që i ka 66 deputetë në Kuvendin e Kosovës me koalicionin”, tha Haxhiu para gazetarëve, transmeton Express.

    “Nëse partitë presin ftesën nga unë, do t’i ftoj, por nuk kam parë kërkesa”, shtoi ajo.

    Sipas saj, “Ajo çka duhet është t’i përgjigjen pozitivisht ftesave të kryeministrit Kurti se ato mund të shërbejnë sa i përket zgjedhjes së presidentit. Mendoj që është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, kemi shumë punë para vetës, jo vetëm brenda por edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë, prandaj duhet të jemi të vëmendshëm”, tha ajo

  • Raportohet se vëllai i Faruk Mujkës është në mesin e 21 të arrestuarve në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm

    Raportohet se vëllai i Faruk Mujkës është në mesin e 21 të arrestuarve në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm

    Fahredin Mujka, vëllai i Faruk Mujka, është në mesin e 21 personave të arrestuar në kuadër të një operacioni të madh kundër bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale.

    Aksioni është zhvilluar në disa qytete, përfshirë Mitrovicën, Vushtrrinë, Prishtinën dhe Istogun, në koordinim mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Sipas informacioneve, Fahredin Mujka (55 vjeç) dyshohet për përfshirje në organizimin e aktiviteteve ilegale të lojërave të fatit.

    Gjatë bastisjeve në dhjetëra lokacione janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, vetura, telefona dhe dy armë zjarri, ndërsa disa nga të dyshuarit janë kapur në flagrancë.

    Por as vet Faruk Mujka nuk është i pastër nga akuzat, pasi ai përballet me disa procedura penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, mosraportim të pasurisë dhe dyshime për raste financiare që lidhen me periudhën e tij në detyrë publike./Sinjali

    Apeli vërteton pezullimin e vendimit të KGjK-së për zgjedhjen e Zhitija-Ymerit si anëtare nga radhët e Supremes
    Read more
    Advertisement

  • Apeli vërteton pezullimin e vendimit të KGjK-së për zgjedhjen e Zhitija-Ymerit si anëtare nga radhët e Supremes

    Apeli vërteton pezullimin e vendimit të KGjK-së për zgjedhjen e Zhitija-Ymerit si anëtare nga radhët e Supremes

    Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte caktuar masën e sigurisë ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), me të cilin ishte certifikuar si anëtare e këtij institucioni gjyqtarja nga radhët e Gjykatës Supreme, Franciska Zhitija-Ymeri.

    Vendimi del të jetë marrë nga kryetari i kolegjit të gjyqtarëve, gjykatësi Hajriz Hoti, dhe anëtarët Ramiz Kuqi dhe Arsim Hamzaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesën për masë të sigurisë të paraqitur nga gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke pezulluar kështu zbatimin e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) të 29 janarit 2026 për certifikimin e rezultatit zgjedhor për anëtarët e Këshillit nga Supremja, në pjesën që ka të bëjë me kandidaten Franciska Zhitija-Ymeri.

    Vendimi i Apelit:

    Ankesën ndaj vendimit të Themelores e kanë parashtruar mbrojtësi i paditëses Mejreme Memaj, avokati Besnik Berisha, si dhe e paditura, Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Po ashtu, ankesë ka paraqitur edhe pala me interes juridik, Zhitija-Ymeri.

    Kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka gjetur se shkalla e parë ka dhënë vlerësim dhe qëndrim të ligjshëm dhe të drejtë.

    Sipas Apelit, pretendimet e palëve që kanë paraqitur ankesë, përfshirë edhe palën me interes Zhitija-Ymeri, janë të pabazuara.

    Kjo pasi që shtyrja e ekzekutimit të vendimit të KGjK-së, me të cilin Zhitija-Ymeri ishte certifikuar si anëtare e jo Memaj, është e domosdoshme për të shmangur dëmin ndaj Memajt dhe se caktimi i masës nuk cenon interesin publik.

    Sipas Apelit, pa paragjykim të çështjes kryesore, vendimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KGJK-së, përkatësisht caktimi i masës, është i bazuar.

    Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, palës kundërshtare KGjK-së dhe palës me interes Zhitija-Ymeri nuk u shkaktohet dëm, por përkundrazi evitohen pasoja që mund të shkaktoheshin në rast se do të aprovohej padia e Memajt.

    Më tej, Apeli vlerëson se vendimi i shkallës së parë nuk ka të meta, është i kuptueshëm dhe nuk ka kundërthënie mes vete.

    Apeli ka udhëzuar Themeloren që gjykimit të padisë t’i japë prioritet për vendosje meritore, bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative.

    Ndryshe, gjyqtarja Mejreme Memaj kishte paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin ishte certifikuar rezultati zgjedhor për dy anëtarë të Këshillit nga shkalla e tretë. Memaj kishte paraqitur edhe kërkesë për masë të sigurisë – pezullimin e zbatimit të vendimit të 29 janarit 2026.

    Nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, KGjK-ja kishte konstatuar se anëtarë të rinj të Këshillit nga radhët e Supremes janë Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitija-Ymeri. Dy të fundit ishin zgjedhur në raundin e dytë. Andaj, paditësja Memaj kërkon të certifikohet rezultati që doli nga raundi i parë dhe që ajo dhe Thaqi të zgjidhen anëtarë pasi kanë marrë shumicën e kërkuar të votave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas padisë së gjyqtares Memaj e cila përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha, që mban datën 18 shkurt 2026, thuhet se më 26 dhjetor 2025, Këshilli Gjyqësor shpalli konkursin për dy pozita për anëtarë nga radhët e Gjykatës Supreme, e në të cilin konkurs aplikoi edhe paditësja Mejreme Memaj pasi i plotësonte kriteret.

    Aty thuhet se më 23 janar 2026 u zhvillua procesi zgjedhor, në të cilin nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, të pranishëm ishin 34 gjyqtarë nga Supremja, dhe se nga 34 fletëvotime vetëm një u shpall i pavlefshëm. Dhe pas numërimit, Memaj kishte marrë 17 vota sa edhe Rrustem Thaqi, kurse nga 16 Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri.

    Sipas padisë, nga raudi i parë i votimit, paditësja ka fituar 51.52%- shumicën e votave, ku edhe kishte kuorum të mjaftueshëm dhe se paditësja duhej të shpallej anëtare e KGjK-së. Por, në padi theksohet se Komisioni Zgjedhor kishte vendosur që përkundër këtij rezultati të kalohej në raund të dytë, në të cilin nga 19 vota kishte marrë Thaqi dhe Zhitia-Ymeri, kurse nga 15 Hyseni dhe Memaj.

    Në padi thuhet se një veprim i tillë, i legjitimuar edhe nga KGjK-ja, është në kundërshtim me Rregulloren për procedurën dhe kriteret për zgjedhjen e anëtarit të KGjK-së duke u cenuar të drejtet kushtetuese ngase Memaj kishte marrë votat e nevojshme në raund të parë.

    Por, thuhet se megjithëse me shkelje, rezultati i raundit të dytë u certifikua me vendimin e Këshillit më 29 janar 2026.

    Gjithnjë sipas padisë, përmes veprimeve, KGjK-ja ia ka mohuar kadidates Memaj një të drejtë thelbësore të fituar në raundin e parë. Aty thuhet se shumica fillimisht lidhet me kuorumin e që plotësohej pasi që nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, ishin 34 prezent dhe që morën pjesë në votim dhe votuan sipas preferencës e jo në formë deklarative për/kundër apo abstenim.

    Në padi thuhet se pas konstatimit të kuorumit, kalohet në përcaktimin e dytë dhe atë se kush shpallet fitues pas përfundimit të numërimit të votave dhe del se kandidati shpallet i zgjedhur nëse merr shumicën e votave të vlefshme, e kjo bazuar në vendimet e Kushtetueses në rastet KI/34/17 dhe KI/55/17. Gjithashtu, thuhet se nga rregullat e përgjithshme të së drejtës zgjedhore, shumica llogaritet mbi votat e vlefshme.

    Prandaj, sipas padisë, konstatimi i Komisionit Zgjedhor se asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave dhe se duhet të kalohet në raund të dytë, është vendim arbitrar dhe në kundërshtim me vetë rregullat që KGjK ka përcaktuar. Në rastin konkret, thuhet se Memajt i është mohuar një e drejtë substanciale e fituar nga procesi i votimit.

    Ndërkaq, paditësja gjithashtu pretendon se vendimmarrja e KGjK-së që e kishte hudhur si të palejuar kundërshtimin e saj, është në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 32- me të cilin sigurohet mjeti juridik. Sipas padisë, kalimi në raund të dytë përveç se është arbitrar, ka edhe pasoja kushtetuese duke cenuar barazinë para ligjit.

    Prandaj, në padi është kërkuar që të anulohet vendimi Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kishte certifikuar rezultatin zgjedhor me të cilin Thaqi dhe Zhitia-Ymeri u zgjodhën anëtarë të KGJK-së nga radhët e Supremes. Ka kërkuar të vërtetohet se vetë Memaj ishte fituese e garës në raundin e parë me shumicë votash, të vërtetohet se raundi i dytë u zhvillua në kundërshtim me Rregulloren dhe nuk prodhon pasoja juridike, dhe anëtarë të zgjidhen Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi.

    Sipas padisë, përmes kërkesës për sigurimin e kërkesëpadisë, është kërkuar pezullimi i ekzekutimit të vendimit të KGJK-së, me të cilin është certifikuar rezultatin zgjedhor me fitues Rrustem Thaqin dhe Franciska Zhitia-Ymerin. Në këtë garë ishte edhe tani paditësja.

    Në kërkesë thuhet se ekzekutimi i vendimit do të shkaktonte dëm të rëndë dhe pakthyeshëm tek paditësja. Aty thuhet se paditësja Memaj ka përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor, përfshirë funksionin e gjyqtares në Supreme, ushtrimin për një periudhë të detyrës së kryetares së kësaj Gjykate, pjesëmarrëse në Panelin për Lirim me Kusht e aktualisht nënkryetare e Supremes.

    Më tej, thuhet se mosnjohja e rezultatit të votimit, megjithëse shumica e votave të vlefshme është konstatuar nga e paditura KGJK, prodhon pasoja të drejtpërdrejta në integritetin profesional, reputacionin institucional dhe ushtrimin efektiv të të drejtave kushtetuese të paditëses.

    Sipas kërkesës, dëmi i shkaktuar prek jo vetëm sferën personale, por edhe vetë funksionimin e rregullt të rendit institucional, duke cenuar barazinë e gjyqtares Mejreme Memaj në qasjen ndaj funksioneve publike.

    Dëmi, sipas kërkesës, në rast se nuk pezullohet vendimi i KGjK-së për certifikim do të ishte i pakthyeshëm për faktin se në mungesë të pezullimit ekziston rreziku që padia të gjykohet në themel në mes të mandatit të anëtarit që ka fituar sipas vendimit të KGjK-së.

    Në kërkesë thuhet se pezullimi i vendimit nuk prek interesin publik për faktin se pikërisht zbatimi i vendimit të KGjK-së do të prodhonte pasoja të drejtpërdrejta në rendin kushtetues. Kurse, përbërja e KGjK-së, thuhet se duhet të jetë në harmoni me një proces të rregullt dhe meritokratik, prandaj është e domosdoshme ruajtja e gjendjes ekzistuese deri në vendim përfundimtar, duke u ruajtur integriteti dhe besueshmëria në vendimmarrje.

    Në kërkesës është theksuar se me caktim të masës nuk pengohet rrjedha e punës institucionale të KGjK-së për faktin se kuorumi formohet me nëntë anëtarë prej 12 të tjerë të zgjedhur.

    Gjithashtu, thuhet se kërkesa për masën e sigurisë gjen mbështetje në Ligjin për Konflitetet Administrative, që autorizon gjykatën të bëjë pezullim të vendimit kur ekziston rreziku i dëmit të rëndë dhe pariparueshëm.

    Qëllimi i kërkesës, thuhet se është legjitim dhe ka synim ruajtjen e ligjshmërisë së përbërjes së Këshillit. Aty thuhet se edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese është konstatuar se vendosja e masës së sigurisë është mjet i duhur për të parandaluar krijimin e pasojave faktike.

    Në fund, thuhet se bazuar në të dhënat rezulton se plotësohen dy kushtet për caktimin e masës- pezullimin e vendimit të KGJK-së dhe atë rreziku real i një dëmi të rëndë dhe se me pezullim nuk cenohet interesi publik, përkundrazi grantohet ligjshmëria.

    Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 29 janar 2026, Këshilli kishte hudhur si i palejuar kundërshtimin e paraqitur nga kandidatja për anëtare të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke u certifikuar kështu rezultati zgjedhor i mbajur në këtë gjykatë dhe atë të Apelit.

    Sipas kryesuesit Albert Zogajt, gjyqtarët Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri fillojnë mandatin si anëtarë të KGJK-së më 9 mars 2026 nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, ndërkaq gjyqtarja Afërdita Bytyqi po ashtu fillon mandatin më 9 mars 2026, për anëtare nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit,

    Ndryshe, procesi votimit për anëtarë ishte mbajtur më 23 janar 2026, ku pas përfundimit të raundit të dytë të votimit për dy anëtarët e rinj nga radhët e Supremes, gjyqtari Rrustem Thaqi dhe gjyqtarja Franciska Zhitia-Ymeri u zgjodhën anëtarë të rinj, duke nisur një mandat 5-vjeçar. /BetimipërDrejtësi

  • Alarme për bomba në qendrat tregtare “East Gate” dhe “Diamond” në Shkup

    Alarme për bomba në qendrat tregtare “East Gate” dhe “Diamond” në Shkup

    Sot në adresën elektronike të Ministrisë së Punëve të Brendshme është pranuar një mesazh kërcënues ku thuhet se në qendrat tregtare “East Gate” dhe “Diamond” në Shkup janë vendosur mjete shpërthyese.

    Pas njoftimit, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa dhe po kryejnë kontrolle në të dy qendrat tregtare./Alsat.mk.

  • Gara e madhe mes Milanit dhe Juventusit për Robert Lewandovskin

    Gara e madhe mes Milanit dhe Juventusit për Robert Lewandovskin

    Javën e ardhshme, Milan dhe Juventus do të përballen jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në merkato, në një betejë të mundshme për të siguruar shërbimet e Robert Lewandowskit. Sulmuesi polak, i cili ka kontratë me Barcelonën që skadon në dy muaj, është në një moment të rëndësishëm të karrierës së tij. Ai do të duhet të vendosë nëse do të rinovojë me katalanasit, duke pranuar një ulje page, apo do të kërkojë një kapitull të ri në fund të karrierës.

    Përveç interesit të dy klubeve italiane, Lewandowski ka gjithashtu ofertat nga Arabia Saudite dhe Major League Soccer në SHBA. Edhe pse po afrohet 38 vjeç, ai vazhdon të mbetet një nga sulmuesit më të suksesshëm, duke shënuar mbi 560 gola gjatë karrierës së tij me Dortmundin, Bayern Munich dhe Barcelonën. Gjatë këtij sezoni, ai ka realizuar 17 gola me ekipin katalanas.

    Lewandowski ka pohuar se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe është i hapur për mundësi të ndryshme. Ai theksoi se Barcelona është në dijeni të mendimeve të tij. Ndërkohë, Milan dhe Juventus janë duke përgatitur ofertat e tyre, dhe gara mes këtyre dy klubeve pritet të jetë një luftë e fortë, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në merkato

  • Emir Abrashi zgjidhet kryetar i ri i AKR-së, Behgjet Pacolli emërohet President Emeritus

    Emir Abrashi zgjidhet kryetar i ri i AKR-së, Behgjet Pacolli emërohet President Emeritus

    Aleanca Kosova e Re (AKR) ka zgjedhur strukturat e reja drejtuese në Kuvendin e VI Zgjedhor të Jashtëzakonshëm, i mbajtur më 18 prill 2026, ku është vendosur edhe lidershipi i ri i partisë.

    Sipas komunikatës zyrtare, në krye të AKR-së është zgjedhur Emir Abrashi, i cili ka marrë mbështetjen e shumicës së delegatëve për një mandat katërvjeçar.

    Në pozita të tjera drejtuese janë zgjedhur Liridon Llapashtica si Sekretar i Përgjithshëm, Gjergj Beka, Festina Kurteshi dhe Bejtush Gashi si nënkryetarë, ndërsa Petrit Makolli është emëruar Sekretar Organizativ dhe Gëzim Rafuna Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë.

    Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në parti, Behgjet Pacolli është nderuar me titullin President Emeritus i AKR-së.

    Në kuadër të Kuvendit janë zgjedhur edhe Këshilli i Përgjithshëm dhe është miratuar statuti i ri i partisë, ndërsa më pas është votuar edhe Kryesia e re.

    Në një deklarim publik, Abrashi ka theksuar se AKR do të hyjë në një fazë reformimi dhe ristrukturimi, me synim, siç tha ai, ofrimin e një alternative moderne dhe të besueshme politike në vend.

    “AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synimin për të ofruar një alternativë të besueshme dhe moderne politike,” ka deklaruar Abrashi.

    Ai ka falënderuar gjithashtu Pacollin për mbështetjen e tij dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në të ardhmen për forcimin e partisë dhe rikthimin e saj në institucione.

  • Michael Carrick konfirmon interesin për të nënshkruar një kontratë të re me Manchester United

    Michael Carrick konfirmon interesin për të nënshkruar një kontratë të re me Manchester United

    Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, ka konfirmuar interesimin e tij për të nënshkruar një kontratë të re me klubin. Me marrëveshjen aktuale që i skadon më 30 qershor, anglezi foli për të ardhmen e tij pas fitores së rëndësishme 1-0 ndaj Chelseat në Ligën Premier.

     

    “Më pëlqen shumë këtu. E kuptoj situatën; jo gjithçka varet nga unë. Dua të jem pjesë e këtyre netëve, pjesë e diçkaje të veçantë dhe të vazhdoj të ndërtoj këtë ekip. Nuk kam një afat të caktuar për bisedimet,” u shpreh Carrick.

     

    Ish-mesfushori i njohur anglez mori drejtimin e United më 13 janar dhe ka bërë një punë shumë të mirë në 12 ndeshje. Nën drejtimin e Carrick, Manchester United ka regjistruar tetë fitore, dy barazime dhe dy humbje, ndërsa aktualisht renditet në vendin e tretë në Ligën Premier.

    Kujtojmë që Man United aktualisht gjendet në zonën e Champions në renditjen e Premierleague,ku pas 33 ndeshjeve ka grumbulluar 58 pikë.

  • Një lloj ushtrimi mund të ulë rrezikun e zhvillimit të 8 sëmundjeve

    Një lloj ushtrimi mund të ulë rrezikun e zhvillimit të 8 sëmundjeve

    Lëvizni më shumë . Uluni më pak . Për shumë vite, kjo është konsideruar si një udhëzim i pranuar për njerëzit që duan të jenë më të shëndetshëm.

    Tani ky mesazh po rafinohet, me një numër gjithnjë e në rritje kërkimesh që sugjerojnë se lloje të caktuara lëvizjesh mund të jenë më të dobishme se të tjerat kur bëhet fjalë për përfitimet shëndetësore.

    Intensiteti i ushtrimeve tuaja mund të ketë rëndësi gjithashtu. Një studim i ri i botuar në European Heart Journal zbuloi se një sasi e vogël aktiviteti energjik mund të lidhet me një rrezik më të ulët të tetë sëmundjeve të ndryshme kronike.

    Gjetjet ngrenë pyetje rreth rëndësisë së intensitetit dhe mënyrës se si njerëzit mund të përfshijnë rutina më intensive ushtrimesh në jetën e përditshme. Për të kuptuar më mirë implikimet e studimit, fola me eksperten e mirëqenies së CNN, Dr. Leana Wen, një mjeke e urgjencës dhe profesoreshë e asociuar klinike në Universitetin George Washington. Ajo më parë shërbeu si komisionere e shëndetit në Baltimore.