ATV

Blog

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i zhdukur që nga 2 korriku

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i zhdukur që nga 2 korriku

    Në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, më 2 korrik 2026, është raportuar si i zhdukur Xhafer Raqi, i lindur në vitin 1948.

    Që nga dita e raportimit, njësitet policore të hetimeve, Njësiti për Kërkim-Shpëtim i FSK-së dhe patrullat policore, në koordinim me Prokurorinë dhe në bashkëpunim me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh për gjetjen e tij.

    Gjatë kërkimeve janë intervistuar persona që mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij, janë kontrolluar hyrje-daljet në pikat kufitare, si dhe janë kryer kërkime në zona që personi i kishte frekuentuar zakonisht, në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Po ashtu, është analizuar dhe hetuar çdo informacion që mund të ndërlidhet me rastin.

    Edhe pse kërkimet dhe veprimet policore janë duke vazhduar, Policia e Kosovës, pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit, kërkon kontributin e qytetarëve.

    Të gjithë ata që kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e Xhafer Raqit, ftohen ta njoftojnë Policinë e Kosovës përmes numrit 192 ose në adresën elektronike [email protected].

  • Policia ndalon garën e shpejtësisë në dalje të Prizrenit, gjobiten dy shofer

    Policia ndalon garën e shpejtësisë në dalje të Prizrenit, gjobiten dy shofer

    Në kuadër të angazhimeve në terren për parandalimin e aksidenteve të trafikut, garave të kundërligjshme dhe kundërvajtjeve të tjera në komunikacion, njësitet rajonale të trafikut rrugor në Prizren, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së trafikut rrugor, sot rreth orës 01:10, në rrugën Prizren-Landovicë, kanë hasur dy automjete duke zhvilluar gara shpejtësie.

    Të dy kundërvajtësit janë ndaluar menjëherë dhe ndaj tyre janë marrë masat ligjore për kundërvajtjet e shkaktuara.

    Konkretisht, secili prej tyre është dënuar me 400 euro gjobë dhe masën e ndalimit të drejtimit të mjetit, përkatësisht sekuestrimit të patentëshoferit për 10 muaj.

    Policia e Kosovës deklaron se mbetet e përkushtuar në rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe pasurisë së qytetarëve.

  • Kërkohet paraburgim për burrin që vrau gruan në Prizren

    Kërkohet paraburgim për burrin që vrau gruan në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Bardh Dushit, i dyshuar për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

    Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 26 gusht 2026, rreth orës 00:05, në shtëpinë e të dyshuarit në Prizren.

    I dyshuari pas një fjalosjeje me bashkëshorten e tij, viktimën me inicialet L.D., dyshohet se e ka sulmuar fizikisht atë dhe e ka goditur e përplasur disa herë kokën e saj në tokë. Si pasojë e lëndimeve të marra, gruaja ka vdekur në vendin e ngjarjes.

    “Po ashtu, pas ngjarjes B.D., ka tentuar të fshijë gjurmët e ngjarjes, dhe më pas ka njoftuar familjarët për rastin.Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që secili person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

  • Palatova në takim lamtumirës me Haxhiun: Kosova të sigurojë unitet politik, ta bëjë anëtarësimin në BE synim të përbashkët

    Palatova në takim lamtumirës me Haxhiun: Kosova të sigurojë unitet politik, ta bëjë anëtarësimin në BE synim të përbashkët

    Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së, Eva Palatova, ka zhvilluar sot takimin e saj lamtumirës me u.d të Presidentes, Albulena Haxhiu.

    Palatova ka thënë se është krenare që ka ndihmuar Kosovën në avancimin drejt rrugës për BE.

    Ajo ka thënë se Kosova duhet të ketë unitetin politik, për ta bërë anëtarësimin në BE synim të përbashkët.

    Palatova në takim lamtumirës me Kurtin, përsërit thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve

  • I dehur shtiu me armë në oborr, Policia në Prishtinë konfiskoi katër gëzhoja të armës

    I dehur shtiu me armë në oborr, Policia në Prishtinë konfiskoi katër gëzhoja të armës

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një rast të të shtënave me armë në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur të enjten, në ora 00:10.

    “Njësitë relevante të policisë pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit mashkull Kosovar, kanë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja të armës së zjarrit”, thuhet në raport.

    I dyshuari nuk është hasur në shtëpi, sipas familjarëve ai ishte dehur dhe ishte larguar nga shtëpia.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka kërkuar inicimin e rastit. /Telegrafi/

  • PDK dorëzon kallëzim penal ndaj Avni Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    PDK dorëzon kallëzim penal ndaj Avni Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dorëzon sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, në cilësinë e drejtuesit të përkohshëm të seancës konstituive të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, bëri të ditur se kallëzimi do të dorëzohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës.

    Sipas kallëzimit të PDK-së, Dehari, në cilësinë e deputetit më të vjetër në moshë dhe kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës XI, dyshohet se nga 8 gushti 2026 e në vazhdim nuk e ka përmbushur detyrën e tij për vazhdimin e seancës konstituive brenda afatit prej 48 orësh.

    PDK vlerëson se Dehari ka tejkaluar kompetencat e rolit të tij procedural duke e kushtëzuar vazhdimin e seancës me arritjen e një “marrëveshjeje politike”, pavarësisht kërkesave të përsëritura me shkrim nga grupet parlamentare opozitare.

    Në kallëzim përmenden kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive.

    PDK vlerëson se mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje, ndërsa veprimet e Deharit i kanë shërbyer kësaj agjende.

    Deputeti Përparim Gruda tha se PDK pret nga Prokuroria Speciale trajtimin e kallëzimit në përputhje me ligjin dhe zbardhjen e përgjegjësisë së mundshme penale lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

    “Partia Demokratike e Kosovës sot do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Dehari, i cili, siç e dini, për shkak të moshës është drejtues i seancës konstituive, ose kryesues i saj, dhe detyrë të cilën ai nuk po e ushtron në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës dhe me Kushtetutën e Kosovës. Siç e dini, Rregullorja e Kuvendit të Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet çdo 48 orë. Avni Dehari, si kryesues i kësaj seance, duhet ta mbledhë Kuvendin çdo 48 orë që të vazhdonte seancën konstituive. Përkundër se ne kemi dërguar disa letra, nuk, nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën, vazhdimin e seancës konstituive. Prandaj, ne do të paraqesim kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ai.

  • Palatova në takim lamtumirës me Kurtin, përsërit thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve

    Palatova në takim lamtumirës me Kurtin, përsërit thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve

    Shefja në detyrë e BE-së, Eva Palatova, ka zhvilluar takim lamtumirës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Në takim, Palatova, ka përsëritur thirrjen e BE’së, për formimin e institucioneve të Kosovës, dhe tejkalimin e ngërçit politik.

    ‘’Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e 🇪🇺BE-së për formimin e institucioneve të 🇽🇰Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE.

    BE-ja është partneri më i fuqishëm i Kosovës!’’, thuhet në njoftim.

  • Lushaku-Sadriu: Katër ditë para fillimit të mësimit, 200 mijë nxënës s’e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore

    Lushaku-Sadriu: Katër ditë para fillimit të mësimit, 200 mijë nxënës s’e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore

    Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për vonesat në sigurimin e teksteve shkollore, pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

    Lushaku-Sadriu ka thënë se rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9 ende nuk e dinë se kur do t’i kenë tekstet shkollore, ndërsa prindërit, sipas saj, presin subvencionet për blerjen e librave.

    Përmes një postimi në Facebook, deputetja e LDK-së ka deklaruar se edhe ky vit shkollor po nis me vonesa dhe pasiguri, duke ia atribuar përgjegjësinë Ministrisë së Arsimit.

    “Edhe një vit shkollor po fillon me rrëmujë, vonesa, ankth të prindërve, për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra. E Ministria e arsimit, sot, më 27 gusht, ende nuk e ka caktuar as shumën e subvencionimit për librat!”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.

    Ajo ka kritikuar gjithashtu mënyrën e organizimit të procesit, duke thënë se Ministria ka pasur kohë të mjaftueshme për përgatitjet.

    “Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë. Kjo qasje është poshtëruese ndaj nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve dhe dëshmi e një Ministrie që nuk arrin ta organizojë me kohë as procesin më elementar të fillimit të vitit shkollor. Tash e pesë vite e njëjta skenë: vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim. Fëmijët dhe familjet tona po e paguajnë çmimin e paaftësisë së një të ashtuquajture Qeveri në detyrë, që veç në detyrë nuk është!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

  • KGJK-ja refuzon kthimin e gjyqtarëve dhe stafit serb që dhanë dorëheqje në vitin 2022

    KGJK-ja refuzon kthimin e gjyqtarëve dhe stafit serb që dhanë dorëheqje në vitin 2022

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistemin gjyqësor të gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb në veri të Kosovës, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, raporton Ekonomia Online.

    Vendimi është marrë me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim. Gjatë diskutimit, anëtarët e KGJK-së kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me mundësinë e rikthimit të tyre në sistemin gjyqësor.

    Anëtari i KGJK-së, Artan Abazi, ka kundërshtuar rikthimin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ, duke theksuar se dorëheqjet e tyre në vitin 2022 kanë qenë të parevokueshme dhe se gjatë katër viteve ka pasur ndryshime në ligje dhe praktika.

    “Duke pasur parasysh që në vitin 2022, këta gjyqtarë me vullnetin e tyre kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme, kjo është për me pasur parasysh. Duke pasur parasysh këtë gjendje unë konsideroj që gjyqtarët edhe stafi administrativ duke pasur parasysh që 4 vite nuk janë, ata kanë humbur edhe aftësinë profesionale për ta ushtruar pozitën e gjyqtarit dhe pozitat administrative. Konsideroj se absolutisht nuk janë të aftë të ushtrojnë pozitën sepse kanë ndryshuar ligji, praktikat, në aspektin profesional së pari. Unë konsideroj që për disa janë të përfshirë edhe në aktivitete politike, ata që janë të përfshirë në aktivitete politike nuk kanë vend sistemin gjyqësor të Kosovës. Ne nuk e din që ndonjëri nga ta mund të ketë kryer edhe vepër penale. Propozoj që të mos aprovohet kërkesa për revokimin e dorëheqjes”, tha ai.

    Në anën tjetër, anëtarja e KGJK-së, Ivana Milenkoviq, ka mbështetur kthimin e tyre në sistem, duke argumentuar se me pranimin e tërheqjes së dorëheqjeve do të përmbushej garancia kushtetuese ndaj qytetarëve.

    “Me pranimin e tërheqjes së dorëheqjeve, ne nuk po u bëjmë koncesione gjyqtarëve, por po përmbushim garancinë kushtetuese ndaj qytetarëve. Heqja e mandatit të gjyqtarëve dhe menaxhimi i statusit të dorëheqjeve janë në kompetencën ekskluzive të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Me refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve, do të krijonim një vakum juridik dhe institucional, i cili, sipas ligjit në fuqi për gjykatat, është i pamundur të plotësohet shpejt pa cenuar vetë rrjedhën e kornizës ligjore. Gjyqtarët dhe stafi ndihmës, në kuadër të procedurave ligjore, kanë paraqitur kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve. Me këtë, është rivendosur vullneti juridik i bartësve të funksioneve gjyqësore për të vepruar me kapacitet të plotë brenda Kosovës. Me këtë hap do t’u mundësojmë gjyqtarëve që të kthehen në detyrat e tyre, do ta mbrojmë rendin kushtetues dhe do ta rikthejmë sigurinë juridike për qytetarët”, tha ajo.

    Ndërkaq, anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, ka thënë se zgjidhja do të duhej të ishte lirimi i këtyre zyrtarëve nga detyra dhe hapja e një konkursi të ri.

    “Mendoj se zgjidhja do të duhej që këta zyrtarë të lirohen nga detyra dhe të hapet konkursi. Nëse ne do të pranojmë këtë pas 4 vitesh do të krijohet një precedent i rrezikshëm. Nëse partnerët tanë kërkojnë që të shkelet kushtetuta, mendoj që është jo korrekte sepse nuk do ta bënin ata në vendin e tyre. Mandati i gjyqtarit nuk fillon nga emërimi por nga betimi, dorëheqja nuk ka qenë individuale, por ka qenë e orkestruar dhe kolektive”, tha ai.

    Edhe anëtari tjetër i KGJK-së, Ahmet Imami, ka votuar kundër rikthimit të tyre në sistemin gjyqësor.

    “Unë do të votoj kundër që ata të kthehen në sistemin gjyqësor pas katër viteve sepse dorëheqja e tyre ka qenë vullnetare”, tha ai.

  • ​Gjenden granata dhe armë të periudhës së luftës gjatë punimeve në Gjilan

    ​Gjenden granata dhe armë të periudhës së luftës gjatë punimeve në Gjilan

    Gjatë punimeve në një rrugë në Gjilan janë hasur disa mjete të pashpërthyera, përfshirë fishekë, karikatorë, armë të gjata, granata dore dhe një uniformë ushtarake, që dyshohet se kanë mbetur nga periudha e luftës.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 26 gusht, rreth orës 10:40.

    Njësia policore ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa më pas kanë dalë njësitë për deminim të KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Pas ndërhyrjes së ekipeve kompetente, mjetet e dyshimta janë tërhequr pa ndonjë incident.