ATV

Blog

  • Hansi Flick kërkon mbylljen e titullit në El Clasico: Barcelona nuk nënvlerëson Real Madrid

    Hansi Flick kërkon mbylljen e titullit në El Clasico: Barcelona nuk nënvlerëson Real Madrid

    Trajneri i Barcelona, Hansi Flick, synon që çështja e titullit në La Liga të mbyllet sa më shpejt, idealisht në përballjen e madhe të muajit të ardhshëm ndaj Real Madrid në El Clasico. Megjithatë, ai paralajmëron se gara ende nuk ka përfunduar dhe rivali madrilen nuk duhet nënvlerësuar.

    Barcelona mban aktualisht kreun e tabelës me nëntë pikë epërsi ndaj Realit, ndërsa kanë mbetur edhe shtatë javë deri në fund të sezonit. Pavarësisht këtij avantazhi të konsiderueshëm, tekniku gjerman kërkon fokus maksimal nga skuadra e tij deri në sigurimin matematikor të titullit.

    Flick theksoi se nuk ka vend për eufori dhe se çdo ndeshje duhet trajtuar me seriozitet të plotë, duke nisur nga sfidat e radhës. Ai shtoi se Real Madridi do të vazhdojë të luftojë deri në fund dhe se diferenca aktuale nuk garanton asgjë.

    “Duhet të ecim hap pas hapi. E rëndësishme është ndeshja e radhës dhe pastaj tjetra. Liga nuk ka përfunduar ende dhe duhet ta fitojmë sa më shpejt”, u shpreh Flick.

    Këtë javë, Barcelona përballet në shtëpi me Celta Vigo, ndërsa Real Madridi pret Alavés, në një tjetër xhiro vendimtare për garën e titullit.

  • Paris Saint-Germain në alarm, dëmtimi i Vitinha vë në pikëpyetje gjysmëfinalen me Bayern Munich

    Paris Saint-Germain në alarm, dëmtimi i Vitinha vë në pikëpyetje gjysmëfinalen me Bayern Munich

    Shqetësimi ka nisur të rritet në radhët e Paris Saint-Germain pas dëmtimit të Vitinha, i cili nuk arriti ta përfundojë ndeshjen ndaj Olympique Lyon. Mesfushori portugez u largua nga fusha para fundit të pjesës së parë, pas një përplasjeje në ajër dhe një rënieje të pakëndshme në një duel me Endrick.

    Sipas njoftimit zyrtar të klubit parisien, lojtari vuan nga një inflamacion në thembrën e djathtë, si pasojë e goditjes së marrë gjatë takimit. Ai do të qëndrojë nën mbikëqyrje mjekësore në ditët në vijim, ndërsa një vlerësim më i detajuar pritet në fundjavë.

    Si rrjedhojë, Vitinha do të mungojë në përballjet e Ligue 1 kundër Nantes dhe Angers. Megjithatë, pikëpyetja më e madhe mbetet pjesëmarrja e tij në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich, e planifikuar për 28 prill.

    Trajneri Luis Enrique u tregua i rezervuar lidhur me gjendjen e lojtarit, duke theksuar se fokusi aktual mbetet te ndeshjet e kampionatit dhe se situata do të vlerësohet me kohë.

    “Na presin edhe dy ndeshje në ligë. Do të shohim me qetësi kur lojtarët e dëmtuar mund të rikthehen, por për momentin nuk kam diçka konkrete për Vitinhan”, u shpreh ai.

    Tekniku spanjoll nuk dha garanci as për rolin e Fabián Ruiz si zëvendësues i mundshëm, duke theksuar se rikuperimi i tij dhe minutat e marra ndaj Lyon janë një sinjal pozitiv për ekipin.

  • Toni Kroos mbyll derën përfundimisht: Nuk ka rikthim në futboll

    Toni Kroos mbyll derën përfundimisht: Nuk ka rikthim në futboll

    Legjenda e Real Madrid, Toni Kroos, ka shuar çdo spekulim për një rikthim të mundshëm në futbollin profesionist, duke e bërë të qartë se vendimi i tij për t’u pensionuar është i pakthyeshëm.

    Gjatë paraqitjes së tij në Laureus World Sports Awards 2026, 36-vjeçari theksoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë rrugën që ka zgjedhur, pavarësisht zërave të vazhdueshëm që e lidhin me një rikthim për të ndihmuar klubin madrilen.

    Mesfushori gjerman u nderua me çmimin “Inspiration Award”, një vlerësim për një karrierë të jashtëzakonshme të mbushur me suksese madhore, përfshirë triumfin në Kupën e Botës dhe gjashtë trofe në Ligën e Kampionëve.

    Që nga tërheqja e tij në vitin 2024, Kroos është përballur shpesh me pyetje rreth një rikthimi të mundshëm, sidomos në kontekstin e sfidave që po kalon aktualisht Real Madridi. Megjithatë, ai mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij.

    “Nuk e kam menduar kurrë rikthimin, sepse u largova pikërisht ashtu siç doja. E mbylla atë kapitull në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tani është tepër vonë për ta ndryshuar atë”, u shpreh Kroos.

    Ai shtoi se çdo hap prapa do të rrezikonte të zbehte atë që ka ndërtuar ndër vite: “Gjithmonë kam ndjerë se nuk mund të kishte një fund më të bukur. Çdo gjë pas kësaj do të ishte një hap pas.”

    Sot, Kroos është i fokusuar në projekte të reja jashtë fushës së blertë, duke e konsideruar kapitullin e futbollit të mbyllur me kënaqësi dhe pa asnjë peng.

  • Maqedonci: Kosova dhe ShBA vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

    Maqedonci: Kosova dhe ShBA vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

    Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes bashkëpunimit të zgjeruar ndërmjet institucioneve përkatëse, raporton Gazeta Sinjali.

    Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas takimit që ka zhvilluar me Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneral Major Stephen Osborn.

    Sipas Maqedoncit, në takim është diskutuar për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.

    Ai ka theksuar se është vënë në pah rëndësia e partneritetit të deritanishëm, si dhe është dakorduar për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë trajnimet, stërvitjet e përbashkëta dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të IOWA-s mbetet një ndër shtyllat kryesore në ngritjen e kapaciteteve tona operacionale dhe ndërveprueshmërisë me partnerët strategjikë”, ka thënë Maqedonci.

    Ai ka falënderuar Gjeneral Osborn dhe përmes tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe forcimit të ushtrisë së saj.

  • Gjykata Supreme lë në fuqi paraburgimin për Pantiqin e Zariqin: Ekziston rreziku i arratisjes

    Gjykata Supreme lë në fuqi paraburgimin për Pantiqin e Zariqin: Ekziston rreziku i arratisjes

    Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile, duke lënë në fuqi vendimet për vazhdimin e paraburgimit ndaj tyre.

    Kërkesat ishin paraqitur nga mbrojtja kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, që kishin vendosur për vazhdimin e masës së paraburgimit.

    “Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, ka vlerësuar se kërkesat janë të pabazuara, pasi rezulton ekzistimi i dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, me ç’rast janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Supremes.

    Sipas këtij institucioni, ekziston rreziku që të pandehurit të arratisen nëse mbrohen në liri, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, sanksionin e mundshëm, si dhe faktin që ata janë shtetas të Serbisë dhe posedojnë dokumente udhëtimi që u mundësojnë lëvizje jashtë vendit.

    “Në këto rrethana, masa e paraburgimit konsiderohet e nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale. Gjykata Supreme gjithashtu ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsye të mjaftueshme dhe nuk kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ndërsa masat alternative janë vlerësuar si të pamjaftueshme në rrethanat konkrete”, thuhet në njoftim.

    Pantiq dhe Zariq akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se Zariq, së bashku me pjesëtarë të forcave serbe, kanë keqtrajtuar civilë shqiptarë.

    Të pandehurit nuk i kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

    Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare nga shtëpitë e tyre në Komunën e Istogut, si dhe në plaçkitje, djegien e rreth 5 mijë shtëpive, shkatërrimin e pronave dhe vrasjen e 260 personave, prej të cilëve 19 fëmijë.

  • Ambasadori Whitaker shkon në KFOR, me Komandantin Ulutaş flasin për situatën e sigurisë

    Ambasadori Whitaker shkon në KFOR, me Komandantin Ulutaş flasin për situatën e sigurisë

    Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.

    Në njoftimin e KFOR’it, bëhet e ditur se, takimi ka ofruar mundësi që Ulutas të paraqes situatën e sigurisë në rajon,  dhe, ka theksuar përkushtimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    ‘’Në këtë kontekst, Gjeneral Major Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për kontributin e gjatë dhe të çmuar të Shteteve të Bashkuara në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO’’, thuhet në njoftim.

    Postimi:

    Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, mirëpriti Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Matthew Whitaker, Përfaqësues i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, në Shtabin e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.

    Takimi ofroi një mundësi të vlefshme për Komandantin që të paraqiste situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar përkushtimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    Në këtë kontekst, Gjeneral Major Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për kontributin e gjatë dhe të çmuar të Shteteve të Bashkuara në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

    KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Barcelona arrin marrëveshje paraprake me Alessandro Bastoni për transferim të mundshëm

    Barcelona arrin marrëveshje paraprake me Alessandro Bastoni për transferim të mundshëm

    Barcelona ka arritur një marrëveshje paraprake me mbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni, për një transferim të mundshëm gjatë merkatos së verës.

    Sipas La Gazzetta dello Sport, palët kanë rënë dakord për një kontratë pesëvjeçare deri në vitin 2031, ndërsa lojtari ka dhënë dritën jeshile për t’u transferuar në “Camp Nou”, duke e parë këtë si hapin e radhës në karrierën e tij. Barcelona pritet të nisë së shpejti negociatat zyrtare me Interin, me synimin për të finalizuar marrëveshjen përpara Kupës së Botës 2026.

    Megjithatë, pengesa kryesore mbetet çmimi i kërkuar nga klubi italian, i cili e vlerëson kartonin e Bastonit rreth 70 milionë euro — një shifër e konsiderueshme për kushtet aktuale financiare të katalanasve.

    Nga ana e tij, Bastoni është i gatshëm të bashkëpunojë për të lehtësuar transferimin, duke qenë i hapur për të diskutuar me Interin për një ulje të mundshme të tarifës. Megjithatë, mbrojtësi italian ka bërë të qartë se, nëse nuk arrihet një marrëveshje mes klubeve, ai do të vazhdojë të qëndrojë te Inter.

  • Autoritetet italiane shkatërrojnë rrjetin e shfrytëzimit të prostitucionit, përfshirë futbollistë dhe një pilot të Formula 1

    Autoritetet italiane shkatërrojnë rrjetin e shfrytëzimit të prostitucionit, përfshirë futbollistë dhe një pilot të Formula 1

    Operacioni i Guardia di Finanza shtrihen në Milano, ku sekuestruan mbi 1.2 milionë euro dhe zbuluan ngjarje luksoze që ofronin shërbime seksuale për klientët e pasur.

    Autoritetet italiane kanë realizuar një operacion të gjerë për shkatërrimin e një rrjeti të dyshuar për shfrytëzim prostitucioni dhe organizimin e ngjarjeve të jetës së natës. Sipas hetimeve të Guardia di Finanza, ky rrjet ka ofruar shërbime për klientë të pasur, përfshirë futbollistë të Serie A dhe një pilot të Formula 1. Autoritetet sekuestruan mbi 1.2 milionë euro dhe zbuluan që ngjarjet e organizuara përfshinin oferta luksoze për darka, akomodime dhe shoqërimin e grave, duke përfshirë edhe përdorimin e substancave të dëmshme si oksidi i azotit. Hetimi vazhdon nën udhëheqjen e Prokurorisë së Milanos.

  • Trump thotë se nuk dëshiron ta zgjasë armëpushimin me Iranin

    Trump thotë se nuk dëshiron ta zgjasë armëpushimin me Iranin

    Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka thënë CNBC-së në një intervistë të martën se nuk donte të zgjaste armëpushimin me Iranin, duke shtuar se SHBA-ja është në një pozicion të fortë negociues dhe do të përfundonte me atë që ai e ka quajtur një marrëveshje të shkëlqyer.

    “Nuk dua ta bëj këtë. Nuk kemi shumë kohë”, ka thënë Trumpi kur është pyetur për mundësinë e zgjatjes së armëpushimit.

    Uashingtoni ka shprehur besim se bisedimet me Iranin do të vazhdojnë në Pakistan dhe një zyrtar i lartë iranian ka thënë se Teherani po shqyrtonte mundësinë e bashkimit.

  • Arsenali në një fazë vendimtare:Mikel Arteta gjendet nën presion

    Arsenali në një fazë vendimtare:Mikel Arteta gjendet nën presion

    Arsenali ka hyrë në një fazë vendimtare të sezonit, ku presioni mbi trajnerin Mikel Arteta është rritur ndjeshëm dhe e ardhmja e tij në “Emirates” po shihet me më shumë pikëpyetje se më parë.

    Spanjolli po e mbyll kampanjën me vazhdimësinë në lojë, në një situatë që brenda pak javësh ka kaluar nga entuziazmi në shqetësim. Skuadra londineze mbërriti në këtë etapë të edicionit me mundësi reale për një sezon historik, por rezultatet e fundit kanë sjellë dyshime dhe kanë bërë që gjithçka të varet nga përfundimi i sezonit, i cili pritet të ndikojë jo vetëm në projektin e klubit, por edhe në fatin e vetë trajnerit. Në Ligën Premier, Arsenali ka parë se si një avantazh i rëndësishëm është shkrirë me kalimin e javëve.

    Ajo që dukej si një rrugë relativisht e qetë drejt titullit është kthyer në një garë të vështirë, ku mungesa e vazhdimësisë në momentet kyçe i ka dhënë mundësi rivalëve të afrohen dhe të vënë në rrezik objektivat. Ndërkohë, Liga e Kampionëve paraqitet si mundësia kryesore për ta “shpëtuar” sezonin. Arsenali ndodhet në gjysmëfinale, një fazë ku nuk kishte mbërritur prej vitesh, por përballja e radhës kërkon maksimumin.

    Ekipi duhet të tregojë karakter dhe personalitet në një sfidë me nivel shumë të lartë, ku nuk mjafton vetëm konkurrimi, por kërkohet edhe një hap përpara në objektiv dhe rezultat. Për Artetën, Liga e Kampionëve shihet si një provë vendimtare: arritja në finale mund ta ndryshojë perceptimin rreth punës së tij, ndërsa një eliminim do ta linte në një pozicion të ndërlikuar.

    Nëse bashkëpunimi me Artetën do të marrë fund, sipas raportimeve, emri që po fiton terren si alternativë për stolin e Arsenalit është Cesc Fabregas. Ish-mesfushori i “Topçinjve”, që aktualisht drejton Como 1907, po vlerësohet për ecurinë e tij, duke ndërtuar një projekt tërheqës dhe ambicioz. Përvoja e tij me Arsenalin dhe profili i një trajneri të ri me ide ofensive e bëjnë një opsion tërheqës për disa prej tifozëve.

    Arsenali pritet të përballet me një vendim të madh në javët e ardhshme. Qëndrimi i Artetës ose një ndryshim drejtimi do të varet nga rezultati final i sezonit, teksa çdo ndeshje mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e stolit dhe të gjithë projektit sportiv. Skuadra ka shfaqur pasiguri në ndeshje vendimtare, duke lëshuar pikë që tani peshojnë shumë.

    Ky kontekst ka bërë që në klub të shtohet shqetësimi për drejtimin e projektit, pasi në një ekip me ambicie si Arsenali, kërkesa është të luftohet deri në fund në të gjitha frontet, dhe ndjesia e një mundësie të humbur ka rritur tensionin.