ATV

Blog

  • Haxhiu takon Gashin e KPK-së, flasin për përshpejtimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

    Haxhiu takon Gashin e KPK-së, flasin për përshpejtimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu në një takim me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Arian Gashi kanë folur rreth përmbylljes sa më të shpejtë të procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Ajo përmes një njoftimi në rrjetet sociale bëri me dije se me Gashin diskutuan edhe për arritjet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi prokurorial në vend.

    “Folëm për reformat në drejtësi dhe domosdoshmërinë e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.Po ashtu folëm edhe për nevojat buxhetore, infrastrukturën, si dhe nevoja për më shumë prokurorë dhe staf mbështetës, çështje që ndikojnë në efikasitetin institucional.

    Riafirmova përkushtimin për pavarësinë institucionale dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, tha Haxhiu.

  • Ukraina i kërkon Turqisë ndihmë për organizimin e takimit Zelensky–Putin

    Ukraina i kërkon Turqisë ndihmë për organizimin e takimit Zelensky–Putin

    Ukraina i ka kërkuar Turqisë të ndihmojë në organizimin e një takimi të mundshëm mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, në përpjekje për të ringjallur bisedimet e paqes, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha.

    Sibiha ka deklaruar se kërkesa i është bërë jo vetëm Turqisë, por edhe disa kryeqyteteve të tjera, duke theksuar se Ukraina është e gatshme të shqyrtojë çdo vend si mikpritës të mundshëm, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Sipas tij, Bjellorusia nuk është një opsion për shkak të rolit të saj si aleate e Rusisë dhe përdorimit të territorit të saj në fillimin e pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Ai shtoi se Ukraina do të pranonte çdo vend neutral që mund të lehtësojë dialogun.

    Nga ana tjetër, Kremlini ka deklaruar se është i gatshëm që Zelensky të zhvillojë takim në Moskë, por presidenti ukrainas e ka përjashtuar këtë mundësi.

    Ministri Sibiha nuk ka dhënë detaje mbi përgjigjen e Turqisë ndaj kërkesës, por ka theksuar se Kievi mbetet i hapur për çdo iniciativë ndërkombëtare që mund të çojë drejt një zgjidhjeje të luftës që vijon prej më shumë se katër vitesh.

  • Mbi 1 mijë e 700 gjoba dhe 63 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mbi 1 mijë e 700 gjoba dhe 63 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Vetëm në 24-orëshin e fundit janë shënuar 1,795 gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia e Kosovës.

    Siç bëhet e ditur në raportin policor, gjatë ditës së djeshme nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, 27 aksidente trafiku me persona të lënduar, si dhe 36 aksidente me dëme materiale.

    Sa i përket sigurisë publike, janë arrestuar 13 persona, ndërsa 10 persona janë dërguar në mbajtje. Gjatë kësaj periudhe nuk është raportuar asnjë rast i ndalimit policor.

  • Pse ju dridhet syri, dhe kur duhet të shkoni te mjeku

    Pse ju dridhet syri, dhe kur duhet të shkoni te mjeku

    Shumica e njerëzve së paku njëherë janë ballafaquar me problemin e dridhjes së qerpikut.

    Ky fenomen njihet me emrin miokimi, dhe ndodh për shkak të tkurrjes spontane të muskujve të vegjël të vendosur në qerpikë.

    Kjo ndodh për shkak të irritimit të mbaresave nervore, të cilat i irritojnë muskujt dhe më së shpeshti kalon vetvetiu pas një deri në tri javë.

    Nëse ju ndodh fuqishëm ose shpesh dhe nuk ju zvogëlohet, duhet të shkoni te oftalmologu në mënyrë që të verifikohet se a është në rregull dioptria e syrit.

    Cilat janë shkaktarët më të shpeshtë të miokimisë dhe si ta zbusni këtë problem?

    Stresi

    Stresi është shkaktari kryesor i dridhjes së qerpikut. Zakonisht zgjat për një javë ose derisa të zgjasë periudha e stresit. Mësojini disa teknika të relaksimit, bëni ushtrime, flini më shumë dhe organizohuni më mirë.

    Kafja

    Shumë ekspertë mendojnë që stimulantët si kafeina, e shkaktojnë dridhjen e qerpikut. Nëse e keni shtuar sasinë e kofeinës, do të ishte mirë që ta zvogëloni atë. Keni kujdes në marrjen e lëngjeve, prandaj me kafe gjithmonë pini një gotë ujë.

    Mungesë e magnezit

    Mungesa e mineraleve, më së shpeshti magnezit mund të çojë deri tek miokimia. Hani spinaq, bajame dhe arra, ose merrni suplemente të këtij minerali.

    Sytë e thatë

    Sytë e thatë tej mase mund të jenë si pasojë e mplakjes, mbajtjes së thjerrëzave apo edhe si pasojë e marrjes së disa medikamenteve të caktuara. Përdorni lot artificialë ose lagni sytë me ujë të ftohtë.

    Tendosja e syrit

    Shumë shprehi sjellin deri te tendosja e syve dhe dridhja e qerpikëve. Disa nga fajtorët më të shpeshtë: mosmbajtja e syzeve gjatë ditëve me diell, mosmbajtja e syzeve me dioptri të drejtë, shikimi i gjatë në kompjuter ose telefon mobil. Sytë duhet të pushojnë mirë!

    Shtangia e nofullës ose kërcitja e dhëmbëve

    Shumë njerëz shtangin nofullën ose kërcasin dhëmbët, posaçërisht në gjumë, dhe kjo quhet bruksizëm. Duhet të kontrolloheni te stomatologu dhe në këtë rast duhet që të mbani mbrojtëse për dhëmbët. Në ndërkohë, bëjini masazh të lehtë nofullës nga jashtë dhe brenda. Kjo do t’i lëshojë muskujt e fytyrës dhe do ta lehtësojë problemin.

    Shkaktarët tjerë potencialë

    Nganjëherë dridhja e qerpikut mund të jetë si tregues i ndonjë problemi të rëndë medicinal. Hipoglikemia, sëmundja e Parkinsonit, sindroma Turetov dhe problemet neurologjike, gjithashtu mund të shkaktojnë dridhjen e qerpikëve.

    Nëse i keni provuar të gjitha këshillat e cekura më lartë dhe dridhja ende vazhdon, vizitohuni te mjeku

  • Abdixhiku nis përgatitjet për zgjedhjet e reja, planifikon tubime e takime në mërgatë

    Abdixhiku nis përgatitjet për zgjedhjet e reja, planifikon tubime e takime në mërgatë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur takim virtual me 88 nëndegët e LDK’së në mërgatë, pas zhvillimeve të fundit ku dështuan bisedimet rreth një marrëveshje për president.

    Abdixhiku ka thënë se janë dakorduar për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë, shkruan Reporteri.net.

    “Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai ka thënë se koha për pritje ka përfunduar dhe se ka nisur ajo për veprim.

    “I njoftova për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat fatkeqësisht dështuan, përkundër vullnetit tonë maksimal dhe kërkesave tona minimale – veç demokraci. Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe per Lidhjen. Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët”, ka shkruar Abdixhiku.

  • Kurti do President nga VV, akuza opozitës për zhurma e piskama: Le t’ma gjejnë një njeri me të mirë se Glauk Konjufca

    Kurti do President nga VV, akuza opozitës për zhurma e piskama: Le t’ma gjejnë një njeri me të mirë se Glauk Konjufca

    Kryeministri Albin Kurti edhe sot foli gjatë për gazetarët nga Klinika e Kardiologjisë për çështjen e Presidentit.

    Ai akuzoi partitë opozitare se nuk po kanë interes për marrëveshje derisa insistoi se posti i Presidentit duhet të jetë i Vetëvendosjes.

    “Pas aktgjykimit u takova me LDK’në, PDK’ja refuzoi. LDK’së ia kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit. Pastaj, PDK’së për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit, po thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”.

    Kurti tha se “zhurmat e piskamat”, duke aluduar për opozitën, nuk po e dëmtojnë Vetëvendosjen.

    “Tema kryesore para një viti ka qenë qysh nuk bën Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit sepse është konfliktuoze, përçarëse dhe është aq e rrezikshme saqë do të dëmtohet pakthyeshëm funksionimi i institucioneve. E patën linçuar dhe stigmatizuar gruan më të votuar të legjislaturës së nëntë. Ku jemi sot? Albulena Haxhiu është kryetare e Kuvendit, ajo është edhe u.d, ajo s’është as konfliktueze dhe as përçarëse. Prandaj, të gjitha këto zhurma dhe piskama që i dëgjoni me ankesa të paarsyeshme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje nuk po na bëjnë dëm neve, po i bëjnë dëm shtetit, jo neve”.

    Krahas thirrjes për propozim të një kandidati konsensual për President, Kurti ia bëri me dije partive opozitare se nuk i kanë numrat as për 30 nënshkrimet e nevojshme për të propozuar një kandidat.

    “Mazhoranca i ka 66 deputetë. Partisë që i ka 15 deputetë i kam ofruar që të bëhet kryetari i tyre zëvendësi i imi, që i bie që në mungesë timen ai t’i udhëheqë mbledhjet e qeverisë, dhe katër ministri. Pra, i kam ofruar dyfish më shumë se partisë Guxo, e cila ka garuar me mua e partisë që ka garuar kundër meje i kam ofruar dyfish më shumë”.

    Më pas ai lavdëroi nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufca, duke u përpjekur ta sfidojë opozitën për një emër më të mirë se ai.

    “U tha që nuk bën Vetëvendosja t’i ketë të tri pozitat. Po ja pra s’po e kemi kryetarin e Kuvendit. Jo po Vetëvendosja s’duhet ta ketë presidentin. Po le të ma gjejnë një njeri më të mirë se Glauk Konjufca, që i ka mbi 318 mijë vota. Kur dikush thotë që s’bën Vetëvendosja është duke thënë që s’bën Glauku. Dhe ju të gjithë e dini që opozita ka mendim më të mirë për Glaukun sesa për mua. Pse nuk e votojnë Glaukun? Pse nuk propozuan ata asnjë emër. E di që s’i kanë numrat as për të aplikuar”, tha Kurti.

  • Për tre muaj Prokuroria e Pejës ngriti 371 aktakuza kundër 458 personave

    Për tre muaj Prokuroria e Pejës ngriti 371 aktakuza kundër 458 personave

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se për periudhën tre mujore janar, shkurt mars, ka ngritur gjithsej 371 aktakuza, kundër 458 personave për vepra të ndryshme penale.

    Nga departamenti i krimeve të rënda, departamenti i përgjithshëm dhe për të mitur, prokurorët e shtetit, kanë ngritur 371 aktakuza, ndaj 458 personave për lloje të ndryshme të veprave penale nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

    Mesatarja për muaj e ngritjes se aktakuzave është 124, kurse e personave të akuzuar rreth 153 persona të akuzuar për një muaj pune.

    Prokuroria Themelore në Pejë thotë se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative dhe gjithë atyre personave që bien ndesh me ligjin komfor Kodit Penal i Republikës së Kosovës.

  • 5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet

    5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet

    Nxitimi i përditshëm në kuzhinë dhe dëshira për të provuar gjithçka menjëherë mund të duken të pafajshme.

    Megjithatë, shumë ushqime janë të pasigurta kur konsumohen të gjalla ose të pagatuara mirë. Nga mishi i gjallë te disa bishtajore, rreziqet përfshijnë helmim serioz nga ushqimi dhe madje edhe infeksione që mund të kërkojnë shtrim në spital.

    Ekspertët theksojnë se, ndërsa të gjithë e dimë që pula ose vezët e gjalla mund të shkaktojnë sëmundje, ka edhe ushqime bimore që nuk duhen konsumuar pa trajtimin e duhur termik. Çelësi është përgatitja e duhur dhe respektimi i rregullave të sigurisë në gatim.

    Miell

    Mund të duket i padëmshëm, por mielli i papërpunuar mund të përmbajë baktere si salmonela ose E. coli. Përpunimi i kokrrave nuk i vret këto mikroorganizma. Nëse doni të shijoni brumë të papërpunuar, duhet ta ngrohni më parë miellin dhe të përdorni vezë të pasterizuara.

    Mish i grirë

    Mishi i grirë i viçit nuk duhet të hahet i gjallë, pasi bakteret mund të përhapen në të gjithë mishin. Ndërsa E. coli në biftek kufizohet në sipërfaqe dhe vritet nga gatimi, në mishin e grirë të viçit mund të shkaktojë helmim serioz ushqimor nëse nuk gatuhet plotësisht. Temperatura e brendshme duhet të arrijë 160°F (71°C) për të qenë i sigurt.

    Shpendë

    Mishi i pulës, gjelit të detit, rosës ose patës nuk duhet të hahet i gjallë. Një temperaturë e brendshme prej 74°C siguron që bakteret, të tilla si salmonela, të vriten dhe ushqimi të jetë i sigurt për t’u ngrënë. Ngrënia e mishit të shpendëve të gjallë mund të çojë në helmim serioz nga ushqimi.

    Fasule të kuqe

    Fasulet e papërpunuara përmbajnë nivele të larta të fitohemosfagnumit, i cili mund të shkaktojë simptoma helmimi vetëm nga disa fasule. Ato janë të sigurta vetëm kur zihen siç duhet për të paktën 10 minuta pasi të jenë lënë në ujë për 5 orë. Fasulet e konservuara janë tashmë gati për t’u ngrënë.

    Qumësht

    Qumështi i papërpunuar përbën rrezik për shkak të baktereve të tilla si E. coli, salmonela dhe Listeria. Pasterizimi zvogëlon rrezikun e sëmundjeve dhe e bën qumështin të sigurt për t’u pirë. Ekspertët nuk rekomandojnë konsumimin e qumështit të papërpunuar.

  • Ish-ndihmësja e padit Kylie Jenner

    Ish-ndihmësja e padit Kylie Jenner

    Një ish-pastruese e Kylie Jenner, Angelica Vazquez, ka ngritur një padi kundër yllit televiziv dhe dy agjencive të punësimit, duke pretenduar një mjedis “toksik” pune të mbushur me diskriminim dhe ngacmime.

    Vazquez pretendon se gjatë periudhës 2024-2025 në rezidencën në Hidden Hills, ajo u përball me abuzime sistematike, izolim dhe nënçmim për shkak të racës dhe fesë së saj, duke e detyruar përfundimisht të largohej nga puna.

    Për shkak të sjelljes së supozuar, Vazquez pretendon se filloi të vuante nga ankthi, stresi i rëndë dhe simptoma që i ngjanin çrregullimit të stresit post-traumatik. Ajo gjithashtu pretendon se iu mohua një pjesë e pagës së saj pasi u ankua. Vazquez po kërkon dëmshpërblim ndëshkues dhe kompensues në padi, duke përfshirë pagat e papaguara, pagesat për vakte dhe pushime, shpenzimet e papaguara të lidhura me punën, lejen mjekësore të papaguar dhe çdo përfitim tjetër që ajo pretendon se i është mohuar padrejtësisht.

  • Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a

    Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a

    Pas një dekade luhatjesh dhe një stabilizimi, Shqipëria po dëshmon një rritje shqetësuese të rasteve të reja me HIV.

    Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), viti 2025 ka shënuar 125 raste të reja deri në muajin tetor, duke sinjalizuar një rikthim në nivelet më të larta të regjistruara që nga viti 2016. Që nga viti 1993, numri total i personave të prekur në vend ka arritur në një total prej 1,973.

    Studimi i institutit të Shëndetit Publik tregon se infektimi me HIV mbetet kryesisht një fenomen i përqendruar në qendrat e mëdha urbane, aty ku lëvizshmëria e popullsisë dhe densiteti janë më të larta. Pothuajse gjysma e të gjithë rasteve në vend banojnë në kryeqytet.

    Ky përqendrim lidhet me mundësitë më të mëdha për testim, por edhe me stilin e jetesës urbane. Pas Tiranës vjen Durrësi me 7.8% të rasteve, Elbasani me 7.1%. Shkodra (4.5%) dhe Vlora (3.4%) ndjekin listën, ndërsa qytete si Lushnja, Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Saranda luhaten midis 2% dhe 3%.

    Ekspertët vërejnë se ndonëse numrat janë më të ulët në rrethe, kjo mund të maskojë mungesën e qasjes në testim dhe frikën nga paragjykimi në komunitetet e vogla.

    Profili i te prekurve

    Studimi konfirmon se HIV po prek kryesisht moshën më aktive dhe produktive të shoqërisë. Raporti gjinor mbetet i lartë, me 3.5 meshkuj për çdo 1 femër të diagnostikuar. Incidenca kulmon në grup-moshën 25–29 vjeç, me 24 raste për 100,000 banorë. Kjo tregon një ekspozim të lartë të të rinjve ndaj sjelljeve me rrezik.

    Ndryshe nga meshkujt, te femrat rreziku shfaqet më i lartë në moshë më të pjekur, konkretisht në grup-moshën 40–49 vjeç. Ndonëse pas moshës 40-vjeçare shihet një rënie progresive, rastet mbeten të pranishme në çdo grup-moshë, duke treguar se askush nuk është plotësisht i imunizuar nga rreziku i transmetimit.

    Mënyrat e Transmetimit

    Studimi gjeti se rruga kryesore e përhapjes në Shqipëri nuk është përdorimi i drogave me injektim, por marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Transmetimi Heteroseksual mbetet rruga dominuese, duke arritur në 87% të rasteve vetëm për vitin 2025. Meshkujt që kryejnë seks me meshkuj mbeten një grup me rrezik të lartë. Megjithatë, specialistët e ISHP-së ngrenë alarmin se kjo shifër mund të jetë e nënraportuar për shkak të stigmës së fortë, që i shtyn këta individë të fshehin mënyrën e infektimit ose të shmangin testimin.

    Edhe pse në nivele të ulëta, në vitin 2025 u regjistrua 1 rast i kalimit të virusit nga nëna te fëmija, gjë që thekson nevojën për testim të detyrueshëm gjatë shtatzënisë.

    Problemi i madh, diagnostikimi i vonë

    Një nga sfidat më kritike të sistemit shëndetësor shqiptar është diagnoza e vonë, vëren iSHP. Në vitin 2025, 34% e rasteve të reja u zbuluan kur pacienti ishte tashmë në stadin AIDS. Kjo ndodh sepse individët paraqiten në spital vetëm kur shfaqin simptoma të rënda, duke humbur mundësinë për të nisur Trajtimin Antiretroviral (TAR) në kohë, i cili do t’u siguronte një jetë normale dhe do të parandalonte përhapjen e mëtejshme.

    Ku dhe si bëhet testimi

    Deri në fund të tetorit 2025, janë kryer rreth 60,000 testime në shkallë vendi. Megjithatë, shumica e tyre (59.3%) vijnë si referime mjekësore dhe jo si dëshirë vullnetare e individit.

    Shteti ofron testim falas dhe konfidencial në institutin e Shëndetit Publik dhe Klinikën Ambulatore në QSUT, në njësitë Vendore të Shëndetit Publik në 12 prefektura dhe spitalet rajonale dhe laboratorët privatë të certifikuar.

    Ekspertët e ISHP-së bëjnë thirrje se njohja e statusit nuk është vetëm mbrojtje për veten, por edhe një akt përgjegjësie ndaj shoqërisë, pasi testimi i hershëm shpëton jetë./ Monitor