ATV

Blog

  • Al-Nassr plan historik, Ronaldo Jr drejt ekipit të parë, gati të luajë krah Cristiano Ronaldos

    Al-Nassr plan historik, Ronaldo Jr drejt ekipit të parë, gati të luajë krah Cristiano Ronaldos

    Një kapitull i ri historik mund të jetë duke u shkruar në familjen e Cristiano Ronaldo, pasi Al-Nassr po shqyrton seriozisht mundësinë e promovimit të djalit të tij në ekipin e parë.

    Cristiano Ronaldo Jr, vetëm 15 vjeç, ka spikatur fuqishëm në akademinë e klubit dhe raportimet nga Al Weeam bëjnë të ditur se ai mund të bëhet pjesë e skuadrës së parë që në sezonin e ardhshëm. Një hap që, nëse realizohet, do t’i mundësonte atij të luajë krah për krah me babain e tij në nivel profesional.

    I riu ka ndjekur hapat e të atit në disa nga akademitë më të mëdha në botë, duke kaluar nga Real Madrid, te Juventus dhe Manchester United, përpara se të vendosej në Arabinë Saudite.

    Performancat e tij kanë tërhequr vëmendje të madhe, pasi ai ka treguar një instinkt të jashtëzakonshëm për gol. Statistikisht, Ronaldo Jr ka shënuar dhjetëra gola në nivelet e të rinjve, duke përfshirë 56 gola në 27 ndeshje me ekipin U-15 të Al-Nassr.

    Në moshën 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon të ndjekë objektivin e madh të 1,000 golave në karrierë, ndërsa ideja që djali i tij të jetë pjesë e këtij rrugëtimi po shihet si një skenar i jashtëzakonshëm dhe emocional për botën e futbollit.

    Klubi pritet të vlerësojë me kujdes zhvillimin dhe gatishmërinë e tij në fund të sezonit, përpara se të marrë një vendim përfundimtar për integrimin e tij në ekipin e parë.

    Nëse ky hap finalizohet, historia e familjes Ronaldo në futboll mund të marrë një dimension krejt tjetër – këtë herë, në të njëjtën fanellë dhe në të njëjtën fushë.

  • Pep Guardiola i përgjigjet kritikave të Wayne Rooneyt për festimet e Cityt

    Pep Guardiola i përgjigjet kritikave të Wayne Rooneyt për festimet e Cityt

    Pep Guardiola i është kundërpërgjigjur Wayne Rooneyt, pasi ish-sulmuesi i Manchester United vuri në pikëpyetje festimet e Manchester Cityt pas fitores së rëndësishme ndaj Arsenalit.

    Trajneri i Cityt mbrojti të drejtën e lojtarëve të tij për të shijuar momentin pas një dueli me peshë të madhe në “Etihad Stadium”, fitore që rriti shanset e tyre për titullin në Ligën Premier. Rooney kishte pretenduar se reagimi i lojtarëve dhe tifozëve pas fitores 2-1 ishte “paksa i tepruar”, ndërsa ish-mesfushori i Liverpoolit, Danny Murphy, sugjeroi se skenat dukeshin “paksa shumë”, pasi Gianluigi Donnarumma u hodh në tribuna për të festuar me tifozët.

    Guardiola i hodhi poshtë këto komente, duke theksuar se skuadra e tij e kuptonte rëndësinë e rezultatit në kontekstin e garës për titull. “Kur ata festuan, njerëzit mund të thonë çfarë të duan, edhe gjëra budallaqe, ata festuan sepse e dinë vlerën e kundërshtarit,” tha trajneri.

    Ai foli edhe për rolin e tifozëve të Cityt, të cilët shpalosën një pankartë ku shkruhej: “Panik në rrugët e Londrës.” “Ata e dinin që nëse nuk fitonim, do të ishte lamtumirë. Ata fituan dhe prapë ne jemi aty. Si të mos festojnë?” shtoi Guardiola.

    Trajneri theksoi se respekti për kundërshtarin dhe tifozët nuk pengon shprehjen e emocioneve. Ai refuzoi idenë se skuadrat duhet të presin për të shfaqur gëzimin deri në sigurimin e trofeut, duke nënvizuar se futbolli është për të jetuar momentin dhe për të njohur përpjekjen e madhe të ekipit për të mposhtur kundërshtarë të nivelit të lartë.

  • Numri i imigrantëve në BE është rritur në 64 milionë – më së shumti prej tyre jetojnë në Gjermani

    Numri i imigrantëve në BE është rritur në 64 milionë – më së shumti prej tyre jetojnë në Gjermani

    Numri i imigrantëve që jetojnë në Bashkimin Evropian është rritur në një rekord prej 64,2 milionë në vitin 2025, që është rreth 2,1 milionë më shumë se një vit më parë, sipas një raporti të publikuar nga Qendra për Kërkime dhe Analizë të Migracionit.

    Para 16 vitesh, pra në vitin 2010, numri i imigrantëve ishte 40 milionë, thuhet në raport, duke u bazuar në të dhënat e Eurostat-it dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

    Gjermania vazhdon të jetë vendi më i madh në BE për nga numri i personave të lindur jashtë vendit, me gati 18 milionë, nga të cilët 72 për qind janë në moshë pune, ndërsa Spanja ka shënuar rritjen më të shpejtë së fundmi, duke shtuar rreth 700 mijë persona, çka e ka çuar numrin e banorëve të lindur jashtë vendit në 9,5 milionë.

    “Gjermania mbetet destinacioni kryesor për migrantët në Evropë, si në shifra absolute, ashtu edhe në mënyrë të konsiderueshme në raport me popullsinë e saj”, tha Tommaso Frattini, një nga autorët e raportit, shkruajnë mediat.

    Studimi thekson se modelet e migracionit janë të pabarabarta në gjithë bllokun, ku Luksemburgu, Malta dhe Qipro kanë një përqindje më të lartë të imigrantëve në raport me madhësinë e popullsisë së tyre.

    Kërkesat për azil gjithashtu janë të përqendruara në disa vende, ku Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania përbëjnë gati tre të katërtat e të gjitha kërkesave për azil. Gjermania ka pasur gjithashtu numrin më të madh të përgjithshëm të refugjatëve, me 2,7 milionë. /Telegrafi/

  • Negociatat Iran-SHBA në pikë kritike, Teherani me sinjale të paqarta për vijimin e dialogut

    Negociatat Iran-SHBA në pikë kritike, Teherani me sinjale të paqarta për vijimin e dialogut

    Iranianët thonë se do të vazhdojnë bisedimet në Islamabad për sa kohë që SHBA-të heqin bllokadën.

    Pra, zgjatja e armëpushimit është një sinjal pozitiv, por ende nuk po merren sinjale pozitive dhe as sinjale negative nga Teherani për zhvillimin e negociatave ne SHBA-në.

    Situata mund të karakterizohet nga tre faktorë, së pari, paqartësia. Koha po kalon dhe tani ka një zgjatje, por mundësia e një raundi tjetër konfrontimi mbetet ende i paqartë.

    Së dyti, thyeshmëria. Të gjithë presin të papriturën dhe e vetmja pikë e sigurt tani për tani është pasiguria.

    Së treti, kompleksiteti. Po flasim për zgjatjen e armëpushimit dhe angazhimin e mundshëm diplomatik, ndërkohë që e dimë se ka shumë pika ngërçi. Ngushtica e Hormuzit, dosja bërthamore, lehtësimi i sanksioneve, asetet e ngrira, raketat balistike të Iranit, dëmshpërblimet e luftës dhe marrëdhëniet rajonale të Iranit. Qëndrimet e të dy palëve janë shumë të ndryshme për këto çështje.

    Burimet thonë se nuk është më thjesht mosbesim, por dyshim në lidhje me çdo afrim me SHBA-në.

  • Komisioni për Ekonomi dërgon në seancë për shqyrtim në lexim të dytë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore

    Komisioni për Ekonomi dërgon në seancë për shqyrtim në lexim të dytë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore

    Komisioni për Ekonomi dërgon në seancë për shqyrtim në lexim të dytë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore
    Komisioni për Ekonomi me të gjitha votat për ka miratuar dhe ka dërguar për në seancë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg për shqyrtim në lexim të dytë, raporton Ekonomia Online.

    Rozeta Hajdari kryetare e komisionit falënderoi deputetët që morën pjesë për ta arritur kuorumin.

    “Faleminderit për pjesëmarrje që mundësuat kuorumin për mbajtjen e kësaj mbledhje. Sot kemi vetëm një pikë të rendit të ditës, që është shqyrtimi i raportit për lexim të dytë për Projektligjin nr.10/L-030 për Masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg”, tha Hajdari.

  • Abdixhiku e informon shefen e BE-së për zhvillimet politike në vend, nënvizon nevojën urgjente për stabilitet institucional

    Abdixhiku e informon shefen e BE-së për zhvillimet politike në vend, nënvizon nevojën urgjente për stabilitet institucional

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim shefen në detyrë të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.

    Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në proceset negociuese dhe situatën aktuale institucionale.

    “Kryetari Abdixhiku theksoi se, përkundër angazhimit maksimal dhe qëndrimeve të qarta të LDK-së në mbrojtje të parimeve demokratike, këto procese nuk kanë prodhuar rezultat. Në këtë kontekst kryetari Abdixhiku nënvizoi nevojën urgjente për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe ndërtimin e një alternative të qëndrueshme, që i përgjigjet pritjeve të qytetarëve për zhvillim dhe mirëqenie.
    Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës, duke vlerësuar rolin e BE-së si të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

  • Nxënësi 15-vjeçar dorëzon në polici paratë e gjetura në rrugë

    Nxënësi 15-vjeçar dorëzon në polici paratë e gjetura në rrugë

    Një nxënës 15-vjeçar në Shtime ka dorëzuar në polici një shumë parash që e kishte gjetur në rrugën “Tahir Sinani”.

    Sipas një njoftimi për media nga Policia, bëhet fjalë për 180 euro, të cilat i riu i kishte hasur rastësisht gjatë lëvizjes në këtë zonë.

    Pas ndërmarrjes së veprimeve të shpejta verifikuese nga ana e zyrtarëve policorë, është bërë e mundur identifikimi i pronares së parave, qytetarja me inicialet F.H., nga Shtimja.

    Në prani të policisë, shuma prej 180 eurosh iu kthye pronares, e cila shprehu mirënjohje dhe falënderim për nxënësin.

    Komunikata e plotë:

    Me datën 22.04.2026, në stacionin policor në Shtime, është shënuar një akt i lartë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare nga një i mitur.

    Nxënësi 15-vjeçar me inicialet N.SH., ndërsa po lëvizte në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, ka gjetur një shumë parash prej 180 eurosh. Pa hezituar, ai është paraqitur në stacionin policor për t’i dorëzuar të hollat e gjetura.

    Pas veprimeve të menjëhershme verifikuese nga ana e zyrtarëve policorë, është arritur të identifikohet pronarja e këtyre parave, qytetarja me inicialet F.H., nga Shtimja.

    Në prezencën e policisë, shuma prej 180 eurosh i është kthyer pronares, e cila falënderoi nxënësin për gjestin e tij.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, falënderon nxënësin N.SH. për këtë veprim human dhe shembullor.

    Ky akt dëshmon jo vetëm edukatën e tij familjare, por edhe besimin e qytetarëve te policia.

    Me këtë rast, policia i uron nxënësit shumë shëndet dhe suksese në procesin mësimor dhe në të ardhmen, duke inkurajuar të gjithë qytetarët që për raste të tilla të bashkëpunojnë me policinë.

  • Prokuroria e Shtetit dhe ATK nënshkruajnë memorandum për luftimin e korrupsionit dhe krimit financiar

    Prokuroria e Shtetit dhe ATK nënshkruajnë memorandum për luftimin e korrupsionit dhe krimit financiar

    Prokuroria e Shtetit dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parasë.

    Sipas komunikatës, memorandumi parasheh krijimin e mekanizmave të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të komunikimit ndërmjet institucioneve, duke mundësuar shkëmbim të shpejtë dhe të sigurt të të dhënave relevante për hetime.

    “Përmes këtij bashkëpunimi, ATK do të ofrojë informacione dhe analiza të detajuara për Prokurorinë e Shtetit, të cilat do të shërbejnë për nisjen dhe zhvillimin e hetimeve penale, veçanërisht në rastet kur evidentohen shpërputhje ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve”, thuhet në komunikatë.

    Memorandumi përfshin gjithashtu përdorimin e analizës së riskut dhe teknologjisë moderne për identifikimin e parregullsive, si dhe raportimin e rregullt të rasteve të dyshimta, duke synuar kalimin nga një qasje reaktive në një qasje proaktive në luftimin e veprave penale.

    Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke e cilësuar si vazhdimësi të një angazhimi të ndërtuar ndër vite.“Ky memorandum nuk është një fillim i ri, por një vazhdim i një bashkëpunimi të ndërtuar me vite. Sot po e thellojmë këtë bashkëpunim duke e ngritur në një nivel më të avancuar, sepse bashkëpunimi ndërinstitucional nuk është dëshirë, por obligim shtetëror dhe profesional. Ky memorandum krijon mekanizma konkrete që na mundësojnë të kalojmë nga një qasje reaktive në një qasje proaktive, të bazuar në analizë risku dhe përdorim të teknologjisë moderne”, tha ai.

    Hyseni shtoi se të dhënat që disponon ATK-ja përbëjnë një burim të rëndësishëm për mbështetjen e hetimeve dhe identifikimin e parregullsive, kur përdoren në mënyrë të koordinuar dhe në përputhje me ligjin.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP në Kosovë, Nuno Queiros, vlerësoi se ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

    “Nënshkrimi i këtij memorandumi shënon zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për ndarjen e të dhënave ndërmjet Prokurorisë dhe ATK-së, si një mjet efektiv kundër korrupsionit dhe krimit financiar”, tha ai.

    Ai shtoi se ky bashkëpunim pritet të ndikojë në rikthimin e fondeve të paligjshme dhe në rritjen e të ardhurave për mirëqenie dhe zhvillim.

  • Në raportin e Këshillit të Evropës kërkohet “depolitizimi i plotë” i KQZ-së

    Në raportin e Këshillit të Evropës kërkohet “depolitizimi i plotë” i KQZ-së

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka vlerësuar në raportin e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit se ato janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe profesionale.

    Në raport, mes tjerash theksohet se procesi ishte teknikisht i përgatitur mirë pavarësisht afateve të shkurtra dhe në përgjithësi u konsiderua gjithëpërfshirës.

    “Zhvillimet pozitive përfshinin një ton më të butë fushate, mungesën e ankesave zyrtare në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe incidenteve serioze”, u tha më tej në raport..

    Në të, janë ngritur shqetësime për siç u tha politizimin e KQZ-së.

    “Natyra publike e këtyre debateve, e kombinuar me përbërjen e KQZ-së bazuar në parti, përforcoi shqetësimet se konsideratat politike mund të kenë ndikuar në atë që është në thelb një vendim administrative”.

    “Në përputhje me standardet e Komisionit të Venedikut mbi administrimin zgjedhor – të cilat theksojnë se organet e menaxhimit të zgjedhjeve “jo vetëm që duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen sikur veprojnë kështu” – ky episod nënvizoi një dobësi strukturore në modelin aktual: kur vendimet në lidhje me certifikimin në raste politikisht të ndjeshme merren nga “organe të përbëra nga të emëruar partiakë”, ekziston një rrezik në rritje që si siguria ligjore ashtu edhe besimi publik “të mund të minohen, edhe nëse nuk ka ndonjë konstatim formal të paligjshmërisë”, u potencua në raport, transmeton Klankosova.tv.

    Më tej, Asambleja bën thirrje për reforma si dhe depolitizim të KQZ-së.

    “Prandaj, delegacioni inkurajon autoritetet e Kosovës që të adresojnë disa çështje kyçe për të forcuar më tej integritetin dhe përfshirjen e procesit zgjedhor, duke përfshirë: sigurimin e depolitizimit të plotë të KQZ-së, në mënyrë që organet e menaxhimit të zgjedhjeve jo vetëm të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen si të paanshme”.

  • Trump planifikon t’u japë iranianëve një afat kohor të kufizuar për të paraqitur një propozim të unifikuar

    Trump planifikon t’u japë iranianëve një afat kohor të kufizuar për të paraqitur një propozim të unifikuar

    Presidenti Donald Trump planifikon t’u japë iranianëve një afat kohor të kufizuar për të dalë me një propozim të unifikuar për të rikthyer në rrugën e duhur negociatat diplomatike, thanë për CNN dy burime të njohura me diskutimet e brendshme.

    Nuk ishte menjëherë e qartë nëse mesazhi i Trump kishte mbërritur te iranianët, transmeton Telegrafi.

    Administrata nuk dëshiron ta zgjasë armëpushimin për një kohë të pacaktuar, thanë burimet, dhe nuk dëshiron t’i japë Iranit kohë për të zvarritur më tej bisedimet.

    Presidenti ishte i kujdesshëm për zgjatjen e armëpushimit fillestar përtej afatit të së mërkurës, thanë burimet.

    Ai dëshiron që një marrëveshje të finalizohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe kishte shpresuar se presioni i një afati kohor do t’i detyronte iranianët të uleshin në tryezë para se të skadonte armëpushimi.

    Stoqet amerikane të armëve në nivele të ulëta shkaku i luftës në Iran

    Megjithatë, ndihmësit kryesorë të Trump besojnë se ka përçarje brenda udhëheqjes iraniane dhe se iranianët nuk kanë konsensus mbi qëndrimin e tyre për të fuqizuar negociatorët për të finalizuar një marrëveshje, raportoi më parë CNN.

    Vendimi i Trump për t’i dhënë Teheranit më shumë kohë për të paraqitur një “propozim të unifikuar”, siç e karakterizoi ai, pasqyron dëshirën e administratës për ta zgjidhur luftën në mënyrë diplomatike, si dhe hezitimin e saj për të rinisur sulmet kinetike, thanë burimet.

    Ndërkohë, presidenti beson se bllokada amerikane e Ngushticës së Hormuzit do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi iranianët ndërsa negociatat vazhdojnë.

    Por ekziston gjithashtu pranimi midis ekipit të Trump se sa më gjatë të vazhdojë bllokada, aq më shumë dëme do të shkaktojë ekonomia botërore, thanë burimet. /Telegrafi/