ATV

Blog

  • Chelsea shkarkon Liam Rosenior pas rezultateve të dobëta

    Chelsea shkarkon Liam Rosenior pas rezultateve të dobëta

    Chelsea FC ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me Liam Rosenior, duke e bërë zyrtare shkarkimin e tij pas një periudhe të mbushur me tensione, rezultate të dobëta dhe probleme të brendshme në skuadër.

    Vendimi erdhi pas humbjes së rëndë ndaj Brighton & Hove Albion, që duket se ishte pika kulmore e krizës. Në ditët pasuese, drejtuesit e klubit zhvilluan takime të shumta për të analizuar situatën, ndërsa presioni mbi trajnerin u rrit ndjeshëm.

    Raportimet nga mediat britanike zbuluan një prishje serioze në komunikim mes Rosenior dhe lojtarëve. Brenda dhomës së zhveshjes kishte konfuzion për udhëzimet taktike, dhe shumë futbollistë nuk ndiheshin të qartë për rolet e tyre në fushë. Megjithatë, burime pranë klubit theksuan se problemi nuk lidhej me qëndrimin apo disiplinën e lojtarëve, por me mënyrën se si po menaxhohej ekipi.

    Situata u përkeqësua edhe më shumë pasi Rosenior kritikoi publikisht disa lojtarë për mungesë vendosmërie, një lëvizje që nuk u prit mirë brenda skuadrës. Një burim nga dhoma e zhveshjes e cilësoi këtë si një hap të gabuar, duke theksuar se deklaratat publike vetëm sa shtuan tensionin.

    Pas ndeshjes me Brighton, pati paqartësi edhe për reagimin e trajnerit në dhomat e zhveshjes. Disa raportime pretendonin se ai nuk iu drejtua fare ekipit, ndërsa të tjera se vetëm i përshëndeti shkurt lojtarët dhe stafin, pa mbajtur një fjalim të plotë.

    Paralelisht, bordi i Chelsea kishte nisur të shqyrtonte alternativa për të ardhmen, duke kërkuar një trajner me përvojë në nivelet më të larta. Emra si Andoni Iraola dhe Edin Terzić u përmendën si kandidatë potencialë, ndërsa klubi kishte vendosur që këtë herë të shmangë një tjetër emër pa eksperiencë në nivele të larta.

    Me largimin e Rosenior, drejtimin e ekipit e merr Callum McFarlane si trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit. Ai pritet të stabilizojë skuadrën në një moment delikat, ndërsa drejtuesit do të vazhdojnë kërkimin për një zgjidhje afatgjatë në pankinë.

  • Juventus synon transferimin e Alisson Becker, portieri brazilian hapur për rikthim në Serie A

    Juventus synon transferimin e Alisson Becker, portieri brazilian hapur për rikthim në Serie A

    Klubi italian Juventus ka nisur lëvizjet për përforcimin e portës gjatë merkatos së verës, duke vendosur në krye të listës emrin e Alisson Becker. Portieri i Liverpool konsiderohet si kandidati “ideal” për bardhezinjtë, të cilët synojnë të rikthejnë një emër të madh në Serie A.

    Sipas raportimeve, gardiani brazilian është i hapur për një aventurë të re dhe një rikthim në futbollin italian, ku më parë ka shkëlqyer me AS Roma. Megjithatë, gjithçka mbetet në dorën e Liverpool-it, që së fundmi ka aktivizuar një opsion për zgjatjen e kontratës së tij edhe për një sezon tjetër.

    Alisson Becker vazhdon të respektojë klubin anglez dhe nuk do të marrë asnjë vendim pa dakordësinë e tyre. Nga ana tjetër, drejtuesit e Juventus janë në pritje të zhvillimeve, ndërsa Liverpool pritet të bëjë një vlerësim të plotë të repartit të portës në javët në vijim, ku pjesë e diskutimeve është edhe Giorgi Mamardashvili.

    Merkatoja e verës pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme, ndërsa Juventusi mbetet në gatishmëri për të përfituar nga çdo hapësirë e mundshme për të siguruar shërbimet e një prej portierëve më të mirë në botë.

  • Finale historike në Kupën e Kosovës, Dukagjini dhe Ferizaj në kërkim të trofeut të parë dhe Evropës

    Finale historike në Kupën e Kosovës, Dukagjini dhe Ferizaj në kërkim të trofeut të parë dhe Evropës

    Finalja e Kupës së Kosovës për sezonin 2025/26 do të sjellë një përballje të veçantë mes Dukagjini dhe Ferizaj – dy skuadra që e njohin shijen e finales, por ende nuk e kanë prekur trofeun. Këtë herë, përveç kupës, në lojë është edhe një biletë për në UEFA Europa Conference League.

    Dukagjini siguroi finalen pas një tjetër paraqitjeje bindëse ndaj Ballkani, duke triumfuar 3-2 në ndeshjen e kthimit në stadiumin “18 Qershori”. Klinasit kishin hedhur themelet e kualifikimit që në takimin e parë me fitoren 3-0 si mysafir, duke kaluar me rezultat të përgjithshëm 6-2. Rruga e tyre drejt finales ishte e qëndrueshme: fillimisht kaluan Ramiz Sadiku, më pas Prishtina e Re dhe në çerekfinale dominuan ndaj Feronikeli 74.

    Kjo është finalja e katërt për Dukagjinin, që ende kërkon trofeun e parë në histori, pasi në tri përpjekjet e mëparshme ka mbetur vetëm një hap larg suksesit.

    Në anën tjetër, Ferizaj arriti të menaxhojë me kujdes avantazhin nga ndeshja e parë ndaj Llapi. Barazimi 0-0 në ndeshjen e kthimit mjaftoi për të vulosur kualifikimin, falë fitores 2-1 në “Zahir Pajaziti”. Gjatë këtij edicioni, Ferizaj eliminoi Tefik Qanga, më pas Drenica dhe në çerekfinale kaloi Vushtrria.

    Për Ferizajn, kjo është finalja e tretë në histori. Dy herët e kaluara, në sezonet 2011/12 dhe 2012/13, skuadra u ndal në prag të trofeut, fillimisht nga Trepça ’89 dhe më pas nga Prishtina.

    Kështu, gjithçka është gati për një finale ku njëra prej këtyre skuadrave do të shkruajë histori – duke ngritur për herë të parë Kupën e Kosovës dhe duke siguruar një vend në arenën evropiane.

  • Asllani “ndez” merkaton, Bayern Munich, Barcelona dhe Dortmund në garë për sulmuesin kosovar

    Asllani “ndez” merkaton, Bayern Munich, Barcelona dhe Dortmund në garë për sulmuesin kosovar

    Interesimi për Fisnik Asllani po rritet gjithnjë e më shumë në prag të afatit kalimtar të verës, me sulmuesin e Hoffenheim që ka hyrë në radarët e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.

    Sipas gazetarit të njohur të Bild, Christian Falk, emri i Asllanit vazhdon të figurojë në listën e dëshirave të Bayern Munich. Megjithatë, Hoffenheimi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm, duke mos pranuar oferta të ulëta.

    Forma e shkëlqyer e 23-vjeçarit ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve si FC Barcelona dhe Borussia Dortmund, të cilat po monitorojnë nga afër zhvillimin e tij.

    Me 9 gola dhe 6 asistime në Bundesliga këtë sezon, Asllani është shndërruar në një pikë referimi për Hoffenheimin, duke kontribuar ndjeshëm në ambiciet e skuadrës për një vend në garat evropiane.

    Sulmuesi kosovar mbetet i lidhur me klubin gjerman deri në vitin 2029, çka i jep Hoffenheimit një pozicion të fortë në negociata, ndërsa vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.

  • Ferizaj kualifikohet në finalen e Kupës së Kosovës pas një ndeshjeje të tensionuar ndaj Llapit

    Ferizaj kualifikohet në finalen e Kupës së Kosovës pas një ndeshjeje të tensionuar ndaj Llapit

    Ferizaj ka siguruar kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës, duke ruajtur rezultatin në ndeshjen kthyese gjysmëfinale ndaj Llapit dhe duke përfituar nga fitorja e ndeshjes së parë.

    Ndeshja e kthimit, e zhvilluar në Ferizaj, u shoqërua me tensione dhe u ndërpre për më shumë se dhjetë minuta. Takimi u ndal në minutën e 55-të, pasi nga tribunat u hodhën sende në fushë. Nga gjuajtjet e tifozëve u godit mbrojtësi i Llapit, Ilir Blakqori. Në momentin e ndërprerjes, rezultati ishte 0-0.

    Ndeshja rifilloi vetëm pasi shikuesit u larguan plotësisht nga stadiumi. Pas 18 minutash shtesë, Ferizaj krijoi më shumë raste dhe ishte afër golit, por rezultati nuk ndryshoi.

    Ferizaj arriti të ruajë rezultatin deri në fund dhe, falë epërsisë nga ndeshja e parë (2-1), siguroi kalimin në finalen e madhe të Kupës së Kosovës.

  • Dukagjini mposht Ballkanin dhe siguron finalen e Kupës së Kosovës

    Dukagjini mposht Ballkanin dhe siguron finalen e Kupës së Kosovës

    Dukagjini ka shënuar fitore ndaj Ballkanit me rezultat 3-2 në stadiumin “18 Qershori”, në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, duke siguruar kualifikimin në finale.

    Klinasit kishin fituar edhe ndeshjen e parë si mysafir bindshëm me rezultat 3-0, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 6-2.

    Elton Basri hapi serinë e golave në minutën e 25-të për Dukagjinin. Pas dhjetë minutash, Ballkani barazoi me golin e Bleart Tolajt. Në fillim të pjesës së dytë, Tolaj shënoi sërish për 2-1, duke i dhënë epërsinë Ballkanit.

    Dukagjini nuk u ndal dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 65-të përmes Mërgim Pefqelit. Në minutat e fundit, Dieni Isufi realizoi golin e fitores për 3-2, rezultat që mbeti deri në fund.

    Me këtë fitore, Dukagjini arrin finalen e Kupës së Kosovës për herë të katërt në histori dhe do të kërkojë ta fitojë këtë trofe për herë të parë.

  • Gërvalla: Kosova do t’i çojë përpara reformat në drejtësi

    Gërvalla: Kosova do t’i çojë përpara reformat në drejtësi

    Sundimi i ligjit, garanci e forcimit të shtetit ligjor dhe e barazisë para ligjit. Kështu ka thënë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla pas takimi që ka zhvilluar me kryesuesin e Komisionit për Çështje Juridike në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk.

    Ajo ka thënë se në këtë takim folën për zhvillimet në fushën e drejtësisë dhe sfidat që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Theksi u vu në çështjet që prekin integritetin dhe funksionalitetin e sistemit, përfshirë procesin e Vetingut, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe paketën e pesë projektligjeve që synojnë konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

    Tutje ajo ka thënë se reformat në drejtësi nuk janë opsion, por parakusht për shtet funksional.

    “Kosova do t’i çojë përpara me vendosmëri, përmes një sistemi që garanton drejtësi reale, lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në mënyrë efektive, dhe e bën të pakthyeshme rrugën tonë evropiane”, ka shkruar tutje Gërvalla.

     

  • Nesër Kuvendi mban seancë plenare, ky është rendi i ditës

    Nesër Kuvendi mban seancë plenare, ky është rendi i ditës

    Gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet seanca e radhës e Kuvendit.

    Sipas njoftimit për media, seanca pritet të mbahet duke nisur nga ora 10:00.

    Po ashtu në njoftim është bërë i ditur edhe rendi i ditës:

    1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg,
    2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor,
    3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,
    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-026 për Shërbimet e Pagesave,
    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030,
    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-021 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore,
    7. Shqyrtimi i dytë ë iProjektligjit nr.10/L-022 për Banim Social dhe të Përballueshëm,
    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-024 për Lëndët Plasëse,
    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore.

  • Al-Nassr plan historik, Ronaldo Jr drejt ekipit të parë, gati të luajë krah Cristiano Ronaldos

    Al-Nassr plan historik, Ronaldo Jr drejt ekipit të parë, gati të luajë krah Cristiano Ronaldos

    Një kapitull i ri historik mund të jetë duke u shkruar në familjen e Cristiano Ronaldo, pasi Al-Nassr po shqyrton seriozisht mundësinë e promovimit të djalit të tij në ekipin e parë.

    Cristiano Ronaldo Jr, vetëm 15 vjeç, ka spikatur fuqishëm në akademinë e klubit dhe raportimet nga Al Weeam bëjnë të ditur se ai mund të bëhet pjesë e skuadrës së parë që në sezonin e ardhshëm. Një hap që, nëse realizohet, do t’i mundësonte atij të luajë krah për krah me babain e tij në nivel profesional.

    I riu ka ndjekur hapat e të atit në disa nga akademitë më të mëdha në botë, duke kaluar nga Real Madrid, te Juventus dhe Manchester United, përpara se të vendosej në Arabinë Saudite.

    Performancat e tij kanë tërhequr vëmendje të madhe, pasi ai ka treguar një instinkt të jashtëzakonshëm për gol. Statistikisht, Ronaldo Jr ka shënuar dhjetëra gola në nivelet e të rinjve, duke përfshirë 56 gola në 27 ndeshje me ekipin U-15 të Al-Nassr.

    Në moshën 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon të ndjekë objektivin e madh të 1,000 golave në karrierë, ndërsa ideja që djali i tij të jetë pjesë e këtij rrugëtimi po shihet si një skenar i jashtëzakonshëm dhe emocional për botën e futbollit.

    Klubi pritet të vlerësojë me kujdes zhvillimin dhe gatishmërinë e tij në fund të sezonit, përpara se të marrë një vendim përfundimtar për integrimin e tij në ekipin e parë.

    Nëse ky hap finalizohet, historia e familjes Ronaldo në futboll mund të marrë një dimension krejt tjetër – këtë herë, në të njëjtën fanellë dhe në të njëjtën fushë.

  • Pep Guardiola i përgjigjet kritikave të Wayne Rooneyt për festimet e Cityt

    Pep Guardiola i përgjigjet kritikave të Wayne Rooneyt për festimet e Cityt

    Pep Guardiola i është kundërpërgjigjur Wayne Rooneyt, pasi ish-sulmuesi i Manchester United vuri në pikëpyetje festimet e Manchester Cityt pas fitores së rëndësishme ndaj Arsenalit.

    Trajneri i Cityt mbrojti të drejtën e lojtarëve të tij për të shijuar momentin pas një dueli me peshë të madhe në “Etihad Stadium”, fitore që rriti shanset e tyre për titullin në Ligën Premier. Rooney kishte pretenduar se reagimi i lojtarëve dhe tifozëve pas fitores 2-1 ishte “paksa i tepruar”, ndërsa ish-mesfushori i Liverpoolit, Danny Murphy, sugjeroi se skenat dukeshin “paksa shumë”, pasi Gianluigi Donnarumma u hodh në tribuna për të festuar me tifozët.

    Guardiola i hodhi poshtë këto komente, duke theksuar se skuadra e tij e kuptonte rëndësinë e rezultatit në kontekstin e garës për titull. “Kur ata festuan, njerëzit mund të thonë çfarë të duan, edhe gjëra budallaqe, ata festuan sepse e dinë vlerën e kundërshtarit,” tha trajneri.

    Ai foli edhe për rolin e tifozëve të Cityt, të cilët shpalosën një pankartë ku shkruhej: “Panik në rrugët e Londrës.” “Ata e dinin që nëse nuk fitonim, do të ishte lamtumirë. Ata fituan dhe prapë ne jemi aty. Si të mos festojnë?” shtoi Guardiola.

    Trajneri theksoi se respekti për kundërshtarin dhe tifozët nuk pengon shprehjen e emocioneve. Ai refuzoi idenë se skuadrat duhet të presin për të shfaqur gëzimin deri në sigurimin e trofeut, duke nënvizuar se futbolli është për të jetuar momentin dhe për të njohur përpjekjen e madhe të ekipit për të mposhtur kundërshtarë të nivelit të lartë.