ATV

Blog

  • Cakolli: 7 qershori dhe 31 maji, datat e vetme kushtetuese për të shkuar në zgjedhje

    Cakolli: 7 qershori dhe 31 maji, datat e vetme kushtetuese për të shkuar në zgjedhje

    Në mungesë të gjetjes së një zgjidhjeje për Presidentin, partitë opozitare tanimë kanë filluar t’i bëjnë kalkulimet për zgjedhje të reja, për të cilat thonë se janë gati. Por, një proces i ri elektoral, do të ketë jo pak sfida, vlerësojnë monitoruesit, sidomos për shkak të devijimit të votave për kandidatët në zgjedhjet e fundit, për çka disa komisionerë ende janë në paraburgim

    Më shumë se asnjëherë në legjislaturën e 10, tani në horizont po shihen zgjedhjet e reja.

    Për një garë të re, nga LDK- janë mëse të gatshëm.

    “Partitë politike gjithmonë të gatshme për zgjedhje, si me i pyet ekipet e futbollit a janë të gatshme për futboll”, ka deklaruar Besian Mustafa, Deputet i LDK-së.

    Po kaq të gatshëm për një proces të ri zgjedhor, është shprehur edhe një deputet tjetër i gjeneratës së re.

    “PDK është partia me strukturat më stabile në vend, dhe marrë parasysh, jam i bindur se PDK është gjithmonë e gatshme për zgjedhje”, ka theksuar Artan Behrami, Deputet i PDK-së.

    Në rast se nuk arrihet një konsensus për Presidentin, për çka ka pak gjasa, datat e zgjedhjeve, tanimë dihen.

    “Në rast se nuk do ketë përfshirje të Kushtetueses me ndonjë lëndë, ekzistojnë dy data: 7 qershor dhe 31 maj, si datat e vetme kushtetuese”, ka deklaruar Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.

    Por, cilado që të jetë data, diçka dihet me siguri: disa nga komisionerët që numëruan vota në zgjedhjet e fundit, tani zgjedhjet e reja potenciale, ka mundësi t’i presin në paraburgim. Ky precedent, pritet që të ketë jopak ndikim, në perceptimin publik.

    “Me atë që ngjau në zgjedhjet e fundit, normalisht që do reflektonte në kuptim të pjesëmarrjes, por edhe vëmendjes së procesit të numërimit i cili në zgjedhjet e fundit, prodhoi qindra/mijëra vota preferenciale dallim”, ka deklaruar Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.

    Por, partitë, nuk presin që të kenë problem që të gjejnë komisionerë, që do ta marrin përgjegjësinë për numërim të votave.

    “Ne kemi anëtarësi të gjerë, nuk kemi probleme të tilla, ata komisionerë që kanë bërë shkelje, do përballen me ligjin”, ka theksuar Besjan Mustafa, Deputet i LDK-së.

    “Në demokraci, mësohet nga precedentët, nga rastet. Rastet që ishin së fundmi ndërpartiake. Andaj besoj që KQZ dhe partitë duhet të mësojnë nga situata, në mënyrë që të kemi zgjedhje të rregullta”, ka deklaruar Artan Behrami, Deputet i PDK-së.

    Zgjedhjet eventuale, mund të evitohen veç nëse deri më 28 prill zgjidhet Presidenti apo Presidentja e Republikës së Kosovës. /Dukagjini

  • Deda kritikon idenë e zgjedhjeve të shpeshta: Hajgare me shtetin, Kosova nuk ka kapacitet për skenar si Bullgaria

    Deda kritikon idenë e zgjedhjeve të shpeshta: Hajgare me shtetin, Kosova nuk ka kapacitet për skenar si Bullgaria

    Analisti politik, Ilir Deda në Politiko komentoi deklaratën e sotme të kryeministrit Albin Kurti, duke e vënë theksin tek paralajmërimet për mundësinë e cikleve të shpeshta zgjedhore dhe duke e kritikuar qasjen politike që, sipas tij, rrezikon stabilitetin institucional të vendit.

    Deda iu referua shembullit të Bullgarisë, duke theksuar se ajo ka mbajtur 8 palë zgjedhje brenda 5 viteve dhe se përdorimi i një modeli të tillë si referencë për Kosovën është i gabuar dhe joserioz.

    “Shembulli për Kosovën i veprimit politik është Bullgaria, e cila për 5 vjet ka shkuar 8 herë në zgjedhje. E prej krejt Evropës, politika e Kosovës ose udhëheqësi i Kosovës, vendos Bullgarinë me marrë shembull, cilin don me repliku në Kosovë”, tha Deda në Politiko.

    Ai shtoi se shoqëria kosovare dhe institucionet nuk kanë kapacitet për cikle të shpeshta zgjedhore dhe, sipas tij, qytetarët duhet të jenë më kërkues ndaj klasës politike.

    “Qytetarët e Kosovës janë hisedarë të këtij vendi, politikanët janë të punësuar nga qytetarët e Kosovës, po jo me luajt këso lojërash.” u shpreh ai.

  • Kuvendi mblidhet sot, në rend dite një sërë projektligjesh

    Kuvendi mblidhet sot, në rend dite një sërë projektligjesh

    Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se sot, do të mbahet seanca e radhës në të cilën pritet të diskutohen një numër projektligjesh të rëndësishme.

    Seanca do të nis në orën 10:00 dhe do të ketë dhjetë pika në rend të ditës.

    Pikat e rendit të ditës:

    1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg,

    2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor,

    3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,

    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-026 për Shërbimet e Pagesave,

    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030,

    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-021 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore,

    7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-022 për Banim Social dhe të Përballueshëm,

    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës,

    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-024 për Lëndët Plasëse,

    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore.

    Gjatë ditë pritet të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit.

    Sipas njoftimit, mbledhja pritet të mbahet duke filluar nga ora 09:00.

    Po ashtu në njoftim janë bërë të ditura edhe pikat të cilat do të diskutohen në mbledhje.

    Rendi i ditës

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-007 për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes,
    2. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-040 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030,
    3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,
    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,
    6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-044 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore,
    6. Emërimi i tre (3) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
    7. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për formimin e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

    III. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Parashikimi i motit për të enjten

    Parashikimi i motit për të enjten

    Të enjten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira. Mëngjesi do të jetë i ftohtë.

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-40 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 0 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 12 deri në 16°C.

  • Tragjedi në Bosnjë: Dyshohet se babai vrau vajzën 2-vjeçare, më pas edhe veten

    Tragjedi në Bosnjë: Dyshohet se babai vrau vajzën 2-vjeçare, më pas edhe veten

    Një tragjedi raportohet se ka ndodhur sot në Bosnjë e Hercegovinë.

    Dyshohet se një burrë 49 vjeçar e ka vrarë vajzën e tij 2 vjeçare dhe më pas e ka vrarë vetën.

    Prokuroria Publike e Qarkut të Sarajevës Lindore, ka bërë të ditur se është urdhëruar autopsia e trupave të babait e fëmijës, që u gjetën të vdekur në fshatin Kabernik, pranë Vishegradit.

    “Prokurori kujdestar ka drejtuar hetimet në vendngjarje dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha masave dhe veprimeve hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti tragjik. Është urdhëruar autopsia për të përcaktuar saktësisht kohën dhe shkakun e vdekjes” thuhet në njoftimin e Prokurorisë, shkruajnë mediat.

    Bazuar në rezultatet e para të hetimet dyshohet se E.D, nga Gorazhde ka vrarë fëmijën e tij dyvjeçar dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

    Sipas mediave lokale, ai ishte i ndarë nga bashkëshortja, i kishte lënë familjes një letër lamtumire, të cilën ata e kanë raportuar në polici, të cilët kanë dalë në terren dhe në fshatin Kabernik kanë gjetur trupat e babait dhe fëmijë

  • Deklaratë e fortë nga Tatlıses pas operacionit: Pasurinë do t’ia lë shtetit, jo fëmijëve

    Deklaratë e fortë nga Tatlıses pas operacionit: Pasurinë do t’ia lë shtetit, jo fëmijëve

    Legjenda e muzikës turke, İbrahim Tatlıses, është larguar nga Spitali Acıbadem Altunizade në Stamboll, ku po trajtohej që prej 7 prillit dhe së fundmi iu nënshtrua një operacioni në fshikëzën e tëmthit. Dalja e tij nga spitali është shoqëruar me deklarata të forta që kanë tërhequr vëmendje të madhe në Turqi dhe më gjerë.

    Gjatë prononcimit për mediat, Tatlıses foli hapur për periudhën e qëndrimit në spital, duke zbuluar se vetë kishte kërkuar që disa nga fëmijët e tij të mos lejoheshin ta vizitonin. Ai u shpreh me tone emocionale për marrëdhëniet familjare, duke veçuar vajzën Tuğçe, ndërsa la të kuptohej se raportet me djalin e tij Ahmet Tatlıses mbeten të tensionuara. “Jo të gjithë janë në vendin që meritojnë në zemrën time,” tha ai, duke shtuar se nëse do të ishte në vendin e fëmijëve të tij, nuk do ta linte kurrë babanë vetëm në një situatë të tillë.

    Artisti turk gjithashtu bëri bujë me deklaratën për trashëgiminë e tij, duke theksuar se nuk do t’ua lërë pasurinë fëmijëve, por shtetit turk. Ai argumentoi se pasurinë e ka krijuar vetë dhe se secili duhet të ndërtojë rrugën e tij në jetë, duke shtuar se emri “İbrahim Tatlıses” është trashëgimia më e madhe që u ka lënë.

    Në fund, ai njoftoi fansat për projekte të reja muzikore, përfshirë publikimin e këngës “Baboş” këtë javë, si dhe dha një parashikim sportiv duke deklaruar se në derbin e ardhshëm “Fenerbahçe do të fitojë”.

  • “Forca Moza” – Dafina Zeqiri mbështet Mimoza Ahmetin në “Ferma VIP”

    “Forca Moza” – Dafina Zeqiri mbështet Mimoza Ahmetin në “Ferma VIP”

    Këngëtarja e njohur kosovare Dafina Zeqiri duket se po e ndjek me interes reality-show-n “Ferma VIP”, i cili po vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes për dinamikat mes fermerëve dhe zhvillimet e përditshme në garë.

    Së fundmi, artistja ka dhënë edhe një sinjal të qartë se kë po e mbështet në këtë sezon. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dafina ka zbuluar fermeren e saj të preferuar, duke ndarë një fotografi të Mimozës dhe duke i dërguar një mesazh inkurajues.

    “Forca Moza, të duam”, ka shkruar ajo, duke e shoqëruar postimin me ton mbështetës dhe të drejtpërdrejtë.

    Postimi i saj u komentua menjëherë nga ndjekësit, ndërsa mbështetja nga figura të njohura publike pritet t’i shtojë edhe më shumë jehonë emrit të Mimozës në këtë edicion.

    Në fakt, Mimoza Ahmeti po konsiderohet nga shumë shikues si fenomeni i këtij sezoni, duke u pëlqyer për stilin e veçantë, mënyrën e të shprehurit dhe karizmën që e bën të dallueshme në ekran. Momentet e saj po qarkullojnë shpesh edhe në rrjetet sociale, ku komentohet gjerësisht për prani dhe qasje ndryshe brenda formatit.

    “Ferma VIP” vazhdon me episodet e radhës, ndërsa mbetet të shihet se si do të ecë rrugëtimi i Mimozës në javët në vijim.

  • Pezullohet tarifa 234 euro për kyçje në ujë, lehtësohen bizneset dhe qytetarët

    Pezullohet tarifa 234 euro për kyçje në ujë, lehtësohen bizneset dhe qytetarët

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka njoftuar se është pezulluar tarifa prej 234 euro për kyçje në ujë, pas konsultimeve me Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.

    Sipas njoftimit, ky vendim vjen si rezultat i bashkëpunimit me Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe dialogut institucional me autoritetet përkatëse.

    “Pas një serie konsultimesh dhe angazhimesh intensive me Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, është arritur që të pezullohet vendimi për rritjen e tarifave të ujit”, thuhet në njoftim.

    Në mënyrë të veçantë, bëhet e ditur se është pezulluar tarifa e kyçjes në vlerë prej 234 euro, duke bërë që tarifat të mbeten të pandryshuara dhe të vazhdojnë të aplikohen sipas nivelit ekzistues.

    “Si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv institucional, është siguruar një lehtësim i menjëhershëm për komunitetin e biznesit dhe qytetarët, duke shmangur barrën shtesë financiare në këtë periudhë sfiduese ekonomike”, theksohet më tej.

    Ky zhvillim, sipas tyre, përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave të sektorit privat dhe konsumatorëve.

    “Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave të sektorit privat dhe të konsumatorëve, si dhe dëshmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të adresuar çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike dhe sociale të vendit”, thuhet në njoftim.

  • “Mjaftë me spekulime”, Fatos Geci i reagon Gani Gecit dhe të tjerëve: Vetë e kam shkruar fjalimin në mënyrë spontane

    “Mjaftë me spekulime”, Fatos Geci i reagon Gani Gecit dhe të tjerëve: Vetë e kam shkruar fjalimin në mënyrë spontane

    Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka reaguar pasi Gani Geci deklaroi se “dikush nga LVV ia ka dhënë fjalimin atij”. Po ashtu, gjatë ditës në opinion qarkulloi se “Geci nuk e ka shkruar vetë fjalimin”.

    Geci tha se vetë ai e ka shkruar fjalimin në mënyrë spontane.

    Tutje deputeti Fatos Geci tha që duhet të iu jepen fund këtyre lojërave.

    “Mjafte më spekulime. Unë i kam shkruar vetë ato fjali në mënyrë spontane, në momentin kur deputeti i PDK-së tha se po friksohemi nga Thaçi. Jepini fund këtyre lojërave”, ka shkruar Geci.

    Geci komenton deklaratën e nipit të tij, thotë se një deputet i VV-së ia shkroi fjalimin

  • Kenan Gashi dhe Agim Aliu mbjellin lule me ushtarët e KFOR-it për Ditën e Tokës

    Kenan Gashi dhe Agim Aliu mbjellin lule me ushtarët e KFOR-it për Ditën e Tokës

    Në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës, drejtori i AVONET-it, Kenan Gashi, ka ndarë me publikun një aktivitet të përbashkët të realizuar në bashkëpunim me kryetarin e komunës, Agim Aliu, si dhe me ushtarët e Ushtrisë Amerikane në kuadër të KFOR-it.

    Përmes një postimi, Gashi bëri të ditur se gjatë kësaj dite janë mbjellë lule dhe drunj dekorativ, duke theksuar rëndësinë e kujdesit ndaj mjedisit dhe angazhimit të përbashkët për një të ardhme më të gjelbër.

    “Sot, së bashku me kryetarin Agim Aliu dhe me ushtarët e Ushtrisë Amerikane në kuadër të KFOR-it, mbollëm lule e drunj dekorativ në nder të Ditës së Tokës. Së bashku për një mjedis më të pastër dhe më të gjelbër!”, ka shkruar Gashi.