ATV

Blog

  • Shqipëri: 5-vjeçari bie nga ballkoni i banesës, pëson dëmtime në kokë

    Shqipëri: 5-vjeçari bie nga ballkoni i banesës, pëson dëmtime në kokë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Libohovë, ku një 5-vjeçar ka rënë nga ballkoni i një banese njëkatëshe.

    Sipas informacioneve paraprake, i mituri është dërguar fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

    Për shkak të dëmtimeve të pësuara, 5-vjeçari pritet të transportohet drejt Tiranës për vlerësim dhe trajtim më të specializuar.

    Nga rënia, i mituri ka pësuar dëmtime në kokë, por fatmirësisht raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.

  • U hodh shorti i Europa League, mësohen përballjet e sezonit 2026/27

    U hodh shorti i Europa League, mësohen përballjet e sezonit 2026/27

    Sot, të premten e 28 gushtit, është hedhur shorti për fazën e ligës së Europa League për sezonin 2026/27.

    Në short morën pjesë 36 skuadra, të ndara në katër vazo me nga nëntë ekipe. Pas shortit, të gjitha klubet mësuan kundërshtarët me të cilët do të përballen në këtë fazë të garës.

    Edicioni i ri sjell disa emra të mëdhenj të futbollit evropian. Juventus, Milan, Benfica, Bayer Leverkusen, Lyon dhe Marseille janë mes skuadrave që synojnë të shkojnë larg në këtë kompeticion.

    Në garë janë edhe Real Sociedad, Dinamo Zagrebi, Celtic, Sparta e Pragës, Besiktasi dhe Hoffenheimi, duke premtuar përballje interesante që në fazën e ligës.

  • Lirohet nga akuza Glauk Konjufca për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

    Lirohet nga akuza Glauk Konjufca për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza, Glauk Konjufcën lidhur me rastin e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Konjufca ishte akuzuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa pas shqyrtimit të rastit, gjykata ka marrë vendim për lirimin e tij nga akuza.

    Vendimin e ka bërë të ditur gjykatësja gjatë shpalljes së aktgjykimit.

    “I akuzuar për veprën penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’, i pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, ka thënë gjykatësja.

    Rasti lidhet me ngjarjet e zhvilluara në Kuvendin e Kosovës, kur deputetë të atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje përdorën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit në shenjë kundërshtimi ndaj zhvillimeve politike të asaj kohe. /Telegrafi/

  • Alarm i kuq i të nxehtit në Itali, temperatura ekstreme në 9 qytete

    Alarm i kuq i të nxehtit në Itali, temperatura ekstreme në 9 qytete

    Një valë e re të nxehti ka përfshirë rajonet qendrore dhe jugore të Italisë, duke shkaktuar temperatura ekstreme dhe vështirësi për banorët dhe turistët.

    Ministria italiane e Shëndetësisë ka shpallur alarm të kuq në 9 qytete: Bari, Cagliari, Campobasso, Catania, Latina, Messina, Palermo, Romë dhe Reggio Calabria, shkruan Euronews.al.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore të shmangin daljet nga ora 11:00 deri në 18:00, kur temperaturat janë më të larta.

    Në Romë, turistët që vizitojnë monumentet kryesore janë parë duke përdorur çadra dhe ventilatorë portativë për t’u mbrojtur nga dielli, ndërsa shumë prej tyre janë drejtuar te shatërvanët për t’u freskuar.

    Paralelisht, në Siçili vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në pyje. Dy helikopterë janë angazhuar për të ndihmuar në kontrollin e një zjarri të nisur pranë malit Gulino, në afërsi të Palermos.

  • FIFA lehtëson pezullimet e yjeve të Argjentinës

    FIFA lehtëson pezullimet e yjeve të Argjentinës

    FIFA ka miratuar kërkesën e Federatës Argjentinase të Futbollit për mënyrën e vuajtjes së pezullimeve të vendosura pas incidenteve në finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës.

    Sipas vendimit fillestar, Leandro Paredes u dënua me 10 ndeshje, Nahuel Molina me 7, ndërsa ndihmëstrajneri Roberto Ayala me 3 ndeshje pezullim. Thiago Almada dhe spanjolli Gavi morën nga një ndeshje.

    Pezullimet vlejnë vetëm në ndeshjet e kombëtares dhe nuk prekin angazhimet e lojtarëve me klubet. Me kërkesën e AFA-së, dënimet mund të shlyhen gjatë ndeshjeve miqësore të kategorisë “A” ose takimeve ndërkombëtare zyrtare me rëndësi më të vogël.

    Kjo i jep Argjentinës mundësinë që lojtarët të jenë të gatshëm për ndeshjet më të rëndësishme. Ndërkohë, AFA po shqyrton edhe një apel të mëtejshëm në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për të reduktuar sërish pezullimet.

    Përveç dënimeve sportive, federata argjentinase është gjobitur me 321 mijë dollarë, ndërsa 100 mijë dollarë do të përdoren për iniciativa kundër diskriminimit.

    Gjithashtu, Argjentina do ta zhvillojë ndeshjen e ardhshme në shtëpi me vetëm 50 për qind të kapacitetit të stadiumit.

  • Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit po e çon Kosovën drejt një krize të thellë

    Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit po e çon Kosovën drejt një krize të thellë

    Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare për moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo situatë e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.

    Tahiri ka deklaruar se gjendja në vend po përkeqësohet dhe po afrohet në një pikë kritike, duke përmendur edhe pasojat në siguri dhe ekonomi.

    Sipas tij, bojkoti dhe mosushtrimi i detyrës kushtetuese nga shumica parlamentare po prodhojnë pasoja të rënda për funksionimin e shtetit.

    “Tanimë kjo shumicë parlamentare, e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik”, tha Tahiri.

    Ai shtoi se situata aktuale ndërlidhet edhe me sigurinë dhe ekonominë, duke thënë se Kosova po përballet me një krizë politike të paprecedentë.

    Tahiri pretendoi se kjo qasje është e qëllimshme dhe synon ta çojë vendin drejt një “krize identitare”.

    “Kjo është e qëllimshme. Kjo qasje, kjo mënyrë dhe ky përkushtim e ka vetëm një qëllim. Dhe qëllimi është ta sjellë shtetin e Kosovës në një krizë identitare”, deklaroi ai.

    Deputeti i Aleancës theksoi se pavarësia e Kosovës është arritja më e madhe kombëtare dhe se, sipas tij, duhet të mbrohet nga çdo përpjekje që cenon funksionimin institucional të vendit.

  • Haakon VIII merr fronin, bëhet mbreti i ri i Norvegjisë

    Haakon VIII merr fronin, bëhet mbreti i ri i Norvegjisë

    Familja mbretërore norvegjeze ka publikuar portretin zyrtar të mbretit të ri, pas vdekjes së Mbretit Harald V.

    Pas ndarjes nga jeta të Harald V, fronin e Norvegjisë e ka marrë djali i tij, Haakon, i cili tashmë është mbreti i ri i vendit.

    Portreti i tij zyrtar është bërë publik nga familja mbretërore norvegjeze, duke shënuar kështu nisjen e një kapitulli të ri për monarkinë e vendit.

    Harald V vdiq në moshën 89-vjeçare, pasi ishte shtruar në spital javën e kaluar për trajtim.

    Pallati Mbretëror në Oslo njoftoi se ai ndërroi jetë në paqe të premten, në orën 06:35 sipas kohës lokale, në spitalin kombëtar të Oslos.

  • Më 2 shtator shpallet aktgjykimi ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës

    Më 2 shtator shpallet aktgjykimi ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës

    Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj Xhelal Sveçlës në rastin që lidhet me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Pas përfundimit të procedurës gjyqësore, Gjykata ka bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 shtator.

    Sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1, i Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet.

  • Lazio mendon për transferimin e Edon Zhegrovës nga Juventus

    Lazio mendon për transferimin e Edon Zhegrovës nga Juventus

    Merkatoja e Lazios mund të sjellë lëvizje në ditët e fundit të afatit kalimtar.

    Klubi italian pritet të largojë Matteo Cancellierin, i cili është nën monitorimin e Genoas. Kjo e fundit po punon për të mbyllur marrëveshjen për rreth 4 deri në 5 milionë euro.

    Nëse largimi i Cancellierit realizohet, Lazio ka piketuar Edon Zhegrovën si një nga alternativat për repartin ofensiv.

    Bardhekaltrit po shqyrtojnë mundësinë e huazimit të sulmuesit kosovar nga Juventusi, pa detyrim blerjeje. Kjo formulë raportohet se është e pranueshme edhe për klubin torinez.

    Zhegrova, i cili përfiton rreth 2.5 milionë euro në sezon, shihet si një lojtar që mund të mbulojë disa role në sulm dhe të jetë alternativë edhe për Mattia Zaccagnin.

    27-vjeçari ka eksperiencë në futbollin italian dhe sezonin e kaluar zhvilloi 20 ndeshje në Serie A.

    Megjithatë, përpara se të nisë operacioni për Zhegrovën, Lazio duhet fillimisht të mbyllë largimin e Cancellierit.

  • Juventus pranë marrëveshjes me Franck Kessie, rikthim i bujshëm në Serie A

    Juventus pranë marrëveshjes me Franck Kessie, rikthim i bujshëm në Serie A

    Juventus është shumë pranë transferimit të Franck Kessies. “Zonja e Vjetër” ka zhvilluar një takim pozitiv me përfaqësuesit e mesfushorit në Milano dhe tashmë kanë mbetur vetëm detajet e fundit për të mbyllur marrëveshjen.

    Kessie pritet të firmosë një kontratë dyvjeçare, me opsion për një sezon të tretë, ndërsa paga e tij do të jetë rreth 4.5 milionë euro në sezon, plus bonuse.

    Pas tre sezonesh në Arabinë Saudite, mesfushori nga Bregu i Fildishtë është gati të rikthehet në Serie A si lojtar i lirë. Transferimi i tij shihet si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën e Juventusit, veçanërisht për trajnerin Luciano Spalletti, i cili e ka vlerësuar prej kohësh profilin e 29-vjeçarit.

    Me eksperiencën dhe forcën fizike që sjell në mesfushë, Kessie pritet t’i japë Juventusit më shumë ekuilibër dhe personalitet në sezonin e ri.