ATV

Blog

  • Tragjedi në Gjakovë, punëtori vdes pasi dyshohet se ra nga ndërtesa

    Tragjedi në Gjakovë, punëtori vdes pasi dyshohet se ra nga ndërtesa

    Një punëtor ka vdekur të enjten pasdite derisa ishte duke punuar në një objekt në rrugën “Pjetër Bogdani” në Gjakovë.

    Sipas Policisë, rreth orës 17:00 janë njoftuar se një mashkull i moshës madhore ka rënë nga një ndërtesë e lartë gjatë kohës sa ishte në punë

    Njësitet policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se viktima ishte pa shenja jete.

    Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin Vlera Krasniqi nga Zyra për Informim e Policisë në Gjakovë, e cila bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, ndërsa lidhur me rastin një person po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.

    “Rreth orës 17:00, Policia është njoftuar se një person mashkull, i moshës madhore ka rënë nga një ndërtesë e lartë gjatë kohës sa ishte duke punuar në rrugën “Pjetër Bogdani” në Gjakovë. Njësitet përkatëse policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit. Lidhur me rastin, një person është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, përderisa janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Krasniqi.

    Hetimet për rrethanat e rastit janë duke vazhduar.

  • Gani Geci reagon ashpër, thotë se PDK e VV po bashkohen kunder familjes Geci

    Gani Geci reagon ashpër, thotë se PDK e VV po bashkohen kunder familjes Geci

    Gani Geci ka reaguar ashpër ndaj VV-së dhe PDK-së, duke thënë se u bashkuan kundër një familjeje.

    Ai tha se “të bëhen bashkë krejt komunistët nga Prishtina në Rusi”, duke thënë se mirë që po bëheni bashkë.

    “Reagim kundër të gjithë atyre që u bashkun kundër një familje .Bëhuni bashkë, kapuni dore për dore të gjithë: Albini, Hashimi, Glauku, Karcelli maca e kuca krejt LVV-ja e PDK-ja. Shkoni, birësohuni te Haxhi Polari, krejt një nga një; bëhuni bashkë krejt komunistët prej Prishtine deri në Rusi.se une kam thënë qysh para shumë vitësh dhe po e përsëris prapë se ju, LVV, jeni pjellë e PDK-së me emrin LVV”, tha Geci ndër tjerash.

    Kujtojmë se deputeti Fatos Geci shprehu dëshirë në Kuvendin e Kosovës për burgimin e përhershëm të Hashim Thaçit.

    Më pas Nehat dhe Gani Geci deklaruan se fjalimin ia kanë shkruar Fatos Gecit.

    Por deputeti Geci tha se këto janë spekulime, ndërsa babai i tij Halil Geci deklaroi se sulmet ndaj Fatos Gecit janë ndaj Albin Kurtit dhe Donika Gërvallës.

  • 62 vjeçari nga Klina i zhdukur ditë më parë gjendet shëndosh e mirë në Gjermani

    62 vjeçari nga Klina i zhdukur ditë më parë gjendet shëndosh e mirë në Gjermani

    Është mbyllur me fund të mirë rasti i zhdukjes së 62-vjeçarit Bajram Gashi, i cili ishte raportuar i humbur në Kroaci që nga 14 prilli.

    Sipas konfirmimit më të fundit nga familjarët, ai është gjetur shëndoshë e mirë në Gjermani, duke i dhënë fund shqetësimit disa ditor për fatin e tij. Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Alberim Gashi.

    62-vjeçari nga Sferkë e Klinë ishte raportuar i zhdukur në qytetin e Loshinj i Vogël, ndërsa rasti ishte duke u hetuar nga autoritetet kroate.

  • Kuvendi nesër mban dy seanca, ky është rendi i ditës

    Kuvendi nesër mban dy seanca, ky është rendi i ditës

    Gjatë ditës së nesërme Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare.

    Fillimisht duke filluar nga ora 10:00 në ambientet e Kuvendit do të mbahet seancë në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel.

    Ndërsa një orë më vonë po në të njejtën ditë do të mbahet seanca e dytë. Në këtë seancë janë paraparë dhjetë pika të rendit të ditës.

    Rendi i ditës

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Pyetjet parlamentare,
    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-034 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 2. të Marrëveshjes
    Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020,
    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 1O/L-O35 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes
    Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2019, pjesa
    e dyte, objektivi 1,
    6. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,
    7. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
    8. Zgjedhja e anëtarëve ne Komisionin e Pavarur të Mediave,
    9. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit
    shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në përputhje me standardet evropiane,
    10. Propozimi i Grupit parlamentar “Multietnik” për zëvendësimin e deputetëve në komisione
    parlamentare.

  • Nderime shtetërore për Qosjen, Haxhiu hap nesër Librin e Zisë

    Nderime shtetërore për Qosjen, Haxhiu hap nesër Librin e Zisë

    Nën përkujdesjen e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, nesër në Prishtinë organizohet homazh përkujtimor dhe hapet Libri i Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja.

    Homazhi dhe shkrimi në librin e zisë do bëhet në Hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Në orën 08:45, U.D. Presidentja Haxhiu do të marrë pjesë në homazh përkujtimor dhe do të nënshkruajë në Librin e Zisë, në shenjë respekti për figurën dhe veprën e akademikut Qosja.

    Ky aktivitet organizohet për të nderuar kontributin e tij të gjerë në gjuhësi, letërsi, mendim kritik dhe jetën publike shqiptare, si një nga figurat më të rëndësishme të kulturës dhe dijes në hapësirën shqiptare.

  • Musliu: Të martën merr fund kjo qeveri e ky pushtet, koha ka filluar të numërojë mbrapshtë

    Musliu: Të martën merr fund kjo qeveri e ky pushtet, koha ka filluar të numërojë mbrapshtë

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka folur për ligjin për shtetësinë, pas miratimit të tij në Kuvend duke thënë se VV-ja në bashkëpunim me Listën Serbe e miratuan këtë ligj, duke shtuar se i njëjti është i dëmshëm për Kosovën dhe sigurinë e brendshme.

    “Si një ligj jashtëzakonisht i dëmshëm për Republikën e Kosovës dhe për sigurinë e brendshme të Republikës së Kosovës dhe siç e pat sot Lëvizja Vetëvendosje në bashkëpunim me Listën Serbe e miratuan këtë ligj. Pra Lista Serbe iu mundësoi që ky ligj të kaloj sot dhe ata e kaluan një ligj jashtëzakonisht të dëmshëm. Mënyra se si sillen ligjet në Kuvendin e Kosovës, pa asnjë kriter, pa asnjë procedurë dhe pa ua dhënë mundësinë deputetëve që t’i shqyrtojnë në mënyrën e duhur, pa pas dëgjime publike dhe pa marrë ekspertizë kjo është një dëm që Kosovës do t’i shkaktojë pasoja jo sot por edhe në të ardhmen. Tendenca e tyre që mangësitë ligjore t’i kalojën me arsyetimin së këto do të ndreqen me akte nënligjore kjo nënkupton që këta nuk duan të kenë ligje që ua ndalon Dejona Aleksandër Mihalit dhe Albin Kurtin që Kosovën ta qeverisin me vendime arbitrare, me vendime të tyre personale dhe kjo metodë duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë”, ka shtuar Musliu, raporton eo.

    Musliu, ka folur edhe për çështjen e presidentit, duke thënë se të martën kjo Qeveri, do ta ketë fundin e saj.

    “Fatmirësisht koha ka filluar të numëroj mbrapsht dhe të martën kjo qeveri, ky pushtet, ky regjim, kjo arrogancë do ta marrë fundin.. meqë e hëna është dita përfundimtarë për zgjedhjen e presidentit dhe arroganca e tyre tregon që këta nuk janë të interesuat t’i ofrojnë shtetit institucione dita mbrapa që është e martë e sqaron gjithçka dhe do ta dimë edhe datën e zgjedhjeve”, ka deklaruar Musliu, pas përfundimit të seancës së Kuvendit.

    Me 69 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në lexim të dytë Projektligjin nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës.

  • Detarët malazezë “në gjendje të mirë”, pasi Irani sekuestron anijen e tyre

    Detarët malazezë “në gjendje të mirë”, pasi Irani sekuestron anijen e tyre

    Detarët malazezë, që ndodhen në anijen e sekuestruar nga Irani në Ngushticën e Hormuzit, janë në gjendje të mirë, tha ministri i Detarisë i Malit të Zi, Filip Radulloviq.

    Ata ndodhen në anijen MSC Francesca, e cila lundron nën flamurin e Panamasë, njëra nga dy anijet që u kapën nga marina e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, nën akuza se kishin shkelur rregullat dhe kishin tentuar të “largoheshin fshehurazi” nga Ngushtica e Hormuzit.

    Radulloviq për Radio Televizionin e Malit të Zi tha se përfaqësuesit e Ministrisë së Detarisë janë në kontakt me kapitenin e anijes “MSC Francesca”, i cili është shtetas malazez, dhe se ai ka konfirmuar se të gjithë në bord janë mirë dhe në gjendje stabile.

    “Anija është e ankoruar nëntë milje detare larg bregdetit iranian. Negociatat mes kompanisë MSC dhe Iranit po shkojnë mirë. Detarët tanë janë mirë, Ministria e Punëve të Jashtme është e informuar për zhvillimet. Jemi në kontakt edhe me kompaninë MSC Francesca. Sot në mëngjes patëm një bisedë me kapitenin e anijes, i cili është shtetas malazez”, tha Radulloviq të mërkurën në mbrëmje, njofton rel.

    SHIKONI EDHE:

    Irani thotë se i ka kapur dy anije në Ngushticën e Hormuzit

    Ai tha se familjarëve të detarëve u është premtuar se shteti do të bëjë gjithçka për t’i kthyer ata në shtëpi.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Panamasë, sipas raportimeve të mediave, ka njoftuar se anija MSC Francesca është zhvendosur “me forcë” në ujërat iraniane.

    Panamaja e ka akuzuar Iranin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke thënë se ky veprim përbën një “sulm serioz ndaj sigurisë detare” dhe një “përshkallëzim të panevojshëm” të tensioneve.

    Sipas njoftimit të Gardës Revolucionare Islamike, anija MSC Francesca dhe anija greke Epaminondas janë ndaluar nën akuzën se kanë tentuar të dalin “fshehurazi” nga Ngushtica e Hormuzit “pa autorizim” dhe për “shkelje të shumta dhe manipulim të sistemeve të ndihmës në navigim, duke rrezikuar sigurinë detare”.

    Marina e Gardës njoftoi se këto anije janë transferuar në ujërat territoriale iraniane për inspektim të ngarkesës dhe dokumenteve.

    Menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmin ndaj Iranit më 28 shkurt, Irani praktikisht bllokoi Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.

    Pavarësisht armëpushimit, Irani vazhdon të bllokojë kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa SHBA-ja ka vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane.

  • Vdekja e Rexhep Qosjes, Kurti: S’ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin

    Vdekja e Rexhep Qosjes, Kurti: S’ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin

    Vdekja e akademik Rexhep Qosjes ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, ku figura e tij po nderohet nga liderë politikë e institucionalë, si dhe nga njerëz të kulturës, letërsisë dhe artit.

    Në mesin e tyre është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar lart jetën dhe veprën e akademikut të ndjerë.

    Kurti ka shkruar se vepra e Qosjes do të vazhdojë të jetojë edhe pas vdekjes së tij, duke marrë një dimension të ri leximor pa autorin.

    Sipas tij, librat e shumtë të akademikut, nga studimet gjuhësore, kritika letrare, ditarët historikë e deri te veprat letrare, do të vazhdojnë të lexohen dhe të interpretohen nga gjeneratat e ardhshme, duke mbetur burim i rëndësishëm dijeje dhe inspirimi.

    Postimi i plotë:

    Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë

    Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.

    Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.

    Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.

    Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.

    Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh.

    Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur.

    Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra.

  • Nipi publikon amanetin e fundit të Rexhep Qosjes: Jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu dua të jem edhe i varrosur

    Nipi publikon amanetin e fundit të Rexhep Qosjes: Jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu dua të jem edhe i varrosur

    Valjet Qosja, nipi i shkrimtarit të ndjerë Rexhep Qosja, ka bërë publike një letër të cilën e ka cilësuar si amanetin e fundit të akademikut.

    Në dokumentin e shkruar në vitin 2016, Qosja shpreh dëshirën që të varroset pa ritual fetar, pa prani zyrtare dhe pa ceremoni publike, duke kërkuar vetëm pjesëmarrjen e familjarëve.

    Ai thekson se ka jetuar me bindje shkencore dhe kritike ndaj pushtetit, ndërsa varrimin e kërkon të thjeshtë, pranë bashkëshortes së tij, pa fjalime apo mbulim mediatik.

    Në letrën e tij, Rexhep Qosja shprehet se ka jetuar dhe vepruar në shërbim të lirisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare, duke lënë vlerësimin për trashëgiminë e tij në dorë të historisë.

  • Barcelona qetëson opinionin sportiv në Spanjë për gjendjen fizike të Lamine Yamal

    Barcelona qetëson opinionin sportiv në Spanjë për gjendjen fizike të Lamine Yamal

    Barcelona ka qetësuar opinionin sportiv në Spanjë lidhur me gjendjen fizike të talentit të ri Lamine Yamal, pas shqetësimeve për një lëndim të fundit.

    Sipas raportit mjekësor të klubit katalanas, lojtari do të mungojë në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni në La Liga, duke mos qenë në dispozicion për fazën përmbyllëse të kampionatit.

    Megjithatë, burime brenda klubit bëjnë të ditur se lëndimi nuk paraqet rrezik afatgjatë, duke larguar frikën për pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës 2026.

    Barcelona pritet të ndjekë një plan të kujdesshëm rikuperimi për Yamal, me synimin që ai të rikthehet plotësisht i gatshëm për sezonin e ri dhe sfidat ndërkombëtare që e presin.