ATV

Blog

  • Alcaraz dhe Sabalenka avancojnë në raundin e katërt të US Open

    Alcaraz dhe Sabalenka avancojnë në raundin e katërt të US Open

    Në Nju Jork kanë nisur sot ndeshjet e raundit të tretë të grand slam-it të US Open, ku disa prej tenistëve më të mirë kanë siguruar tashmë kalimin në raundin e katërt.

    Numri 3 në botë, spanjolli Carlos Alcaraz, avancon tutje pas një fitoreje të lehtë ndaj kinezit Yibing Wu. Alcaraz triumfoi 3-0 në sete, me rezultat 6-3, 6-4, 6-1.

    Në raundin e katërt ka avancuar edhe amerikani Tommy Paul, i cili pas një maratone prej pesë setesh mposhti Alexander Bublikun me rezultat 3-2.

    Tutje kanë kaluar edhe greku Stefanos Tsitsipas, amerikani Ben Shelton dhe rusi Daniil Medvedev.

    Te femrat, numri 1 në botë, bjellorusja Aryna Sabalenka, nuk pati shumë probleme ndaj Kamilla Rakhimovas, të cilën e mposhti 2-0, me rezultat 6-3, 6-4.

    Në raundin e katërt ka avancuar edhe amerikania Taylor Townsend, e cila mposhti 2-1 Dianën Shnaider.

    Një biletë për në raundin e katërt të turneut njujorkez kanë siguruar gjithashtu ukrainasja Marta Kostyuk, amerikanet Emma Navarro dhe Jessica Pegula, rumunia Sorana Cirstea dhe çekja Linda Noskova.

    Gara në US Open tashmë po hyn në fazën vendimtare, me tenistët dhe tenistet më të mira që synojnë një vend në çerekfinale.

  • Neymar pëson dëmtim muskulor, mund të mungojë deri në tetë javë

    Neymar pëson dëmtim muskulor, mund të mungojë deri në tetë javë

    Santos ka njoftuar se sulmuesi Neymar Junior ka pësuar një dëmtim gjatë ndeshjes ndaj Palmeirasit, e cila përfundoi me rezultat 0-0.

    34-vjeçari iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, të cilat kanë konfirmuar një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë.

    “Neymar Junior iu nënshtrua testeve sot. Rezultatet treguan një dëmtim të muskulit të tipit 2B në muskulin anterior të kofshës së djathtë, gjatë ndeshjes të mërkurën e kaluar”, thuhet në njoftimin e Santosit.

    Sipas mediumit brazilian “Globo”, rikuperimi nga një dëmtim i tillë mund të zgjasë nga katër deri në tetë javë.

    Neymari ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Santosit këtë sezon. Sulmuesi brazilian ka zhvilluar 24 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar tetë gola dhe duke dhuruar po aq asistime.

  • Jose Mourinho pas humbjes së Real Madridit: “Vërtet nuk e di pse humbëm”

    Jose Mourinho pas humbjes së Real Madridit: “Vërtet nuk e di pse humbëm”

    Jose Mourinho ka pranuar se e ka të vështirë ta shpjegojë humbjen 1-0 të Real Madridit ndaj Real Betisit, duke këmbëngulur se skuadra e tij meritonte shumë më tepër nga kjo ndeshje.

    Real Madridi pësoi humbjen e parë të sezonit, pasi u mposht të premten mbrëma në udhëtim nga Real Betisi me rezultat 1-0.

    Pas ndeshjes, Mourinho u shpreh i befasuar me rezultatin, duke vlerësuar lart paraqitjen e skuadrës së tij.

    “Vërtet nuk e di pse humbëm. Luajtëm kaq mirë. Shumë mirë”, deklaroi fillimisht trajneri portugez.

    Mourinho vlerësoi edhe qëndrimin e futbollistëve të tij, duke theksuar se Real Madridi bëri gjithçka për ta fituar ndeshjen.

    “Qëndrimi i lojtarëve ishte fantastik dhe ne bëmë gjithçka për të fituar. Urime Betisit, ata fituan lotarinë”, shtoi ai.

    Trajneri i Real Madridit theksoi se skuadra e tij do të ishte e zhgënjyer edhe në rast të një barazimi, duke pasur parasysh dominimin dhe numrin e rasteve të krijuara.

    “Edhe nëse do të barazonim, do të ishim zhgënjyer. Kjo ndeshje ishte tërësisht për Real Madridin. Patëm shumë mundësi”, u shpreh Mourinho.

    Pavarësisht humbjes, portugezi refuzoi të fajësonte lojtarët e tij, duke insistuar se ata zhvilluan një paraqitje shumë të mirë.

    “Lojtarët e mi? Nuk i fajësoj. Ata luajtën mirë, shumë mirë”, përfundoi trajneri i Real Madridit.

  • Barcelona në alarm para Valencias, Lamine Yamal mungon në stërvitjen e fundit

    Barcelona në alarm para Valencias, Lamine Yamal mungon në stërvitjen e fundit

    Barcelona është vënë në alarm para ndeshjes së së dielës ndaj Valencias në La Liga, pasi Lamine Yamal mungoi në seancën e fundit stërvitore para sfidës.

     

    Anësori 19-vjeçar nuk mori pjesë në stërvitjen e së shtunës, duke e bërë të pasigurt paraqitjen e tij në ndeshjen që do të zhvillohet në “Mestalla”.

     

    Yamal ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Barcelonës në nisjen perfekte të sezonit. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ka grumbulluar nëntë pikë nga tri ndeshje, duke mposhtur Elchen, Athletic Clubin dhe Rayo Vallecanon.

     

    Flick pritet të japë më shumë detaje rreth mungesës së Yamalit gjatë konferencës për media para ndeshjes. Ndërkohë, 19-vjeçari është konfirmuar edhe si një nga pesë kapitenët e Barcelonës, pas votimit të zhvilluar mes futbollistëve të skuadrës.

     

    Lajme më pozitive vijnë nga Gavi dhe Gabriel Jesus, të cilët janë stërvitur me pjesën tjetër të ekipit dhe mund të jenë të gatshëm për përfshirje në skuadër.

     

    Në anën tjetër, Frenkie de Jong dhe Roony Bardghji vazhdojnë të jenë jashtë për shkak të lëndimeve afatgjata në gju.

     

    Barcelona pritet të udhëtojë drejt Valencias gjatë pasdites së së shtunës, ndërsa mbetet të shihet nëse Yamal do të jetë i gatshëm për këtë përballje të rëndësishme.

  • Dy përballje interesante sot në javën e katërt të Superligës së Kosovës

    Dy përballje interesante sot në javën e katërt të Superligës së Kosovës

    Java e katërt e Albi Mall Superligës së Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje interesante, pas sfidës së zhvilluar të premten, ku Prishtina triumfoi ndaj Vushtrrisë me rezultat 1-0.

    Në orën 16:00, Llapi do të përballet me Dukagjinin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Të dyja skuadrat synojnë rezultat pozitiv për të grumbulluar pikë të rëndësishme në këtë fazë të kampionatit.

    Ndërkohë, nga ora 19:00, Drita e pret Drenicën në stadiumin me bari artificial në Gjilan. Kjo do të jetë ndeshja e parë si vendase për Dritën nën dritat e reflektorëve.

    Dy takimet e tjera të kësaj jave do të zhvillohen të dielën, ku Ballkani do të përballet me Feronikelin ’74, ndërsa Malisheva do të presë Gjilanin.

    Java e katërt pritet të sjellë përballje interesante dhe emocione të shumta për tifozët e futbollit kosovar.

  • Talenti i Bayernit, Erblin Osmani pajiset me pasaportë të Kosovës, vendosë ta përfaqësojë kombëtaren dardane

    Talenti i Bayernit, Erblin Osmani pajiset me pasaportë të Kosovës, vendosë ta përfaqësojë kombëtaren dardane

    Talenti në rritje i Bayern Munichut, Erblin Osmani ka vendosur ta përfaqësojë kombëtaren e Kosovës.

    I riu Osmani së fundmi është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës, derisa tashmë është dhënë edhe lajmi se ka pranuar të luajë për kombëtaren e Kosovës.

    Këtë lajm e ka dhënë Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

    “Nder i veçantë që sot ia dorëzova pasaportën e Republikës së Kosovës talentit tonë të Bayern München, Erblin Osmanit dhe gjithashtu të ndaj lajmin e madh për futbollin kosovar: Erblini do të luajë për Kosovën! Mezi presim ta shohim talentin tonë me fanellën e Dardanëve dhe ta përfaqësojë Kosovën me krenari. Faleminderit Presidentit Agim Ademi dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se talentët tanë po zgjedhin Kosovën dhe se e ardhmja e futbollit tonë është e ndritur!”, shkruan Ajeti.

  • AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

    AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

    Në një ceremoni solemne dhe plot emocione, Kolegji AAB ka shënuar diplomimin e Gjeneratës XXIII, natë që mblodhi në një vend diplomantët, familjarët e tyre, profesorët, stafin dhe mysafirë të shumtë.

    Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri ndërsa iu drejtua gjeneratës së XXIII, vendosi në qendër të fjalës së tij rëndësinë e këtij momenti dhe përgjegjësinë që vjen bashkë me dijen e fituar.

    Mesazhi i tij u përqendrua në idenë se diploma nuk duhet të shihet si fund i rrugëtimit akademik, por si pikënisje e një kapitulli të ri, në të cilin dija duhet të shndërrohet në punë, profesionalizëm, etikë dhe kontribut për shoqërinë.

    Një tjetër moment i veçantë i mbrëmjes ishte prania e të ftuarës së nderit, MSc. Esmeralda Kazia.

    Drejtoreshë Ekzekutive e Teknologjisë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, eksperte dhe lidere ndërkombëtare në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike, Kazia solli para të diplomuarve perspektivën e një profesionisteje që ka ndërtuar karrierë në një prej fushave më të rëndësishme të kohës moderne.

    Në emër të gjeneratës, fjalën e pati studenti i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Resul Maxhuni, që solli në skenë zërin e vetë diplomantëve, kujtimet, sfidat, emocionet dhe pritjet që i kanë shoqëruar gjatë viteve të studimit.

    Përmes tij, në skenë foli një gjeneratë e tërë: studentë që ndanë ligjëratat, provimet, sukseset, vështirësitë dhe momentet që sot janë shndërruar në kujtime.

    Pas fjalimeve, ceremonia kaloi në aktin e saj qendror: ndarjen solemne të diplomave. Nga ky moment të pranishmit nuk ishin vetëm studentë të Kolegjit AAB, por alumni dhe pjesë e një komuniteti që do ta përfaqësojë institucionin përmes punës, arritjeve dhe kontributit në shoqëri.

    Në këtë mbrëmje u festuan vite të tëra pune. U festuan sakrificat e familjeve. U festuan ëndrrat e studentëve. Dhe mbi të gjitha, u festua fillimi i një kapitulli të ri.

    Urime diplomantë, rruga juaj sapo ka filluar!

  • MITRO RUN – aty ku sporti, kultura dhe qyteti lëvizin së bashku

    MITRO RUN – aty ku sporti, kultura dhe qyteti lëvizin së bashku

    Mitrovicë, 18 gusht 2026 – Më 4 tetor 2026, Mitrovica do të mirëpresë për herë të parë MITRO RUN, një ngjarje e re sportive dhe kulturore që synon të sjellë qindra pjesëmarrës dhe mijëra qytetarë në rrugët dhe hapësirat publike të qytetit. Për një ditë, qyteti do të ndryshojë ritmin. Rrugët do të mbushen me vrapues, familje, fëmijë, të rinj dhe vizitorë, ndërsa Sheshi Kryesor i Mitrovicës do të shndërrohet në një hapësirë festive, me muzikë, aktivitete kulturore, prezantime, ushqim, art dhe aktivitete për të gjitha moshat.

    Tri distanca për të gjithë:

    MITRO RUN është konceptuar që të jetë një ngjarje gjithëpërfshirëse, ku mund të marrin pjesë si vrapuesit me përvojë, ashtu edhe familjet, fëmijët dhe qytetarët që duan të jenë pjesë e atmosferës.Gara do të përfshijë tri distanca:

    ● 10K Liqeni – distanca kryesore për vrapuesit që duan të sfidojnë veten dhe të përjetojnë Mitrovicën përmes vrapimit;
    ● 5K – Lumi – distancë e përshtatshme për fillestarë, të rinj dhe vrapues rekreativë;
    ● 2K – Shota – garë e dedikuar për fëmijë.

    Mijëra vrapues nga Mitrovica, Kosova dhe rajoni do të marrin pjesë, ndërsa aktivitetet e ditës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët.

    Më shumë se një garë

    MITRO RUN nuk do të jetë vetëm një garë vrapimi. Organizatorët kanë konceptuar një program të gjerë aktivitetesh që synon të sjellë në qendër të vëmendjes kulturën, historinë, kreativitetin dhe jetën qytetare të Mitrovicës. Gjatë ditës do të organizohen aktivitete shoqëruese, përfshirë vizita dhe përvoja kulturore, panair, diskutime, aktivitete artistike dhe muzikore, si dhe iniciativa të tjera që do të bëjnë që qyteti të përjetohet përtej pistës së vrapimit.Një rol të veçantë do të kenë edhe sponsorët dhe partnerët e MITRO RUN, të cilët do të jenë pjesë e festimeve dhe programit të ditës së garës.

    “MITRO RUN nuk është vetëm një garë. Ne duam të krijojmë një ditë në të cilën Mitrovica e sheh dhe e përjeton veten ndryshe – më aktive, më të hapur dhe më të bashkuar. Sporti është pika e nisjes, por kultura, qyteti dhe njerëzit janë zemra e kësaj ngjarjeje. Duam që MITRO RUN të bëhet një traditë e re e Mitrovicës, një ditë që qytetarët e presin dhe e përjetojnë së bashku çdo vit,” tha Lulëzim Hoti, drejtues i 7Arte dhe një nga organizatorët e MITRO RUN.

    Një qytet në lëvizje

    Përmes MITRO RUN, organizatorët synojnë të kontribuojnë në krijimin e një imazhi të ri të Mitrovicës – si një qytet aktiv, i shëndetshëm, kreativ, kulturor dhe i jetueshëm. Ambicia është që kjo ngjarje të zhvillohet çdo vit dhe të shndërrohet në një pikë takimi për qytetarët, sportistët, familjet, artistët, institucionet, bizneset dhe vizitorët nga Kosova dhe rajoni.

    Detajet e plota rreth çmimeve, kategorive, programit dhe aktiviteteve do të bëhen publike në kuadër të njoftimeve të ardhshme.

    Regjistrimi
    Regjistrimet për MITRO RUN janë të hapura përmes platformës zyrtare:
    www.mitro.run – Faqja zyrtare e MITRO RUN

    Regjistrohu për MITRO RUN:
    Regjistrimi për MITRO RUN

    Ndiqni MITRO RUN
    Për lajme, njoftime, programin dhe përditësimet rreth ngjarjes:
    Instagram – @mitrorun
    Facebook – /mitrorun

    MITRO RUN organizohet nga 7Arte, Komuna e Mitrovicës dhe Korporata Rugove, me synimin për ta kthyer ditën e garës në një festë të përbashkët të sportit, kulturës, komunitetit dhe identitetit të Mitrovicës.

    MITRO RUN
    4 tetor 2026 | Mitrovicë
    Sport. Kulturë. Qytet. Në lëvizje.
    Organizuar nga:
    7Arte | Komuna e Mitrovicës | Korporata Rugove

    Kontakt:

    Rinor Kurshumliu
    7 Arte
    Nr: +383 49 806 462
    Email: [email protected]

  • Afati i dytë hap mundësinë e madhe për studime në Kolegjin AAB – mijëra studentë, zgjedhja e parë: AAB!

    Afati i dytë hap mundësinë e madhe për studime në Kolegjin AAB – mijëra studentë, zgjedhja e parë: AAB!

    Për maturantët që i janë nënshtruar Provimit të Maturës në afatin e dytë, rruga drejt studimeve universitare vazhdon me mundësi të reja. Kolegji AAB ka hapur dyert për studentët e rinj, duke u ofruar mundësinë që të zgjedhin një program studimi në përputhje me talentin, ambiciet dhe synimet e tyre profesionale.

    Studentët mund të orientohen drejt fushave të ndryshme, nga teknologjia, ekonomia dhe drejtësia, deri te shkencat shëndetësore, komunikimi, arti, gjuhët dhe sporti, duke ndërtuar që sot bazën e profesionit që dëshirojnë ta ushtrojnë nesër.

    Në AAB, studimet nuk kufizohen vetëm në ligjërata. Studentët bëhen pjesë e projekteve praktike, aktiviteteve profesionale, trajnimeve, konferencave dhe mundësive që i afrojnë me tregun e punës që gjatë periudhës së studimeve.

    Për maturantët e afatit të dytë, ky është momenti për të mos e lënë të ardhmen në pritje.

    REGJISTROHU TANI – SEPSE EDHE NË AFATIN E DYTË, ZGJEDHJA E PARË ËSHTË AAB!

    Apliko tani: https://applyonline.aab-edu.net/
    Tel: 048-999-006

  • ATV edhe këtë vit sponsor medial i PriFest 2026

    ATV edhe këtë vit sponsor medial i PriFest 2026

    ATV edhe këtë vit do të jetë sponsor medial i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest 2026, edicioni i 18-të i të cilit do të mbahet në Prishtinë nga 8 deri më 13 shtator 2026.

    Bashkëpunimi u konfirmua me marrëveshjen e arritur gjatë një takimi në ambientet e televizionit, mes Drejtorit të ATV-së, Zija Rexhepi, dhe Drejtorit të “PriFest”, Fatos Berisha.

    Festivali ka nisur tashmë shpalosjen e programit të sivjetmë, i cili sjell para publikut filma nga Kosova, rajoni dhe vende të tjera evropiane, me premiera botërore, evropiane, rajonale dhe premiera në Kosovë.

    Në kuadër të garës së filmave ballkanikë me metrazh të gjatë do të prezantohen pesë filma, mes tyre edhe produksione dhe bashkëproduksione kosovare.

    “HANA”, me regji të Ujkan Hysajt, do të ketë premierën evropiane në PriFest. Filmi, me Sheqerie Buçaj, Ilire Vinca, Refet Abazi dhe Ermin Bravo në rolet kryesore, trajton traumën e luftës, identitetin dhe fuqinë shëruese të artit.

    Pjesë e konkurrencës janë edhe “GÜLIZAR” nga Belkis Bayrak, bashkëprodhim mes Turqisë dhe Kosovës, “VIDRA (OTTER)” nga Srđan Vuletić, “THE RIVER” nga Haris Raftogiannis, si dhe “SHAME AND MONEY” i regjisorit Visar Morina.

    “Shame and Money”, bashkëprodhim mes Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës, vjen në PriFest pas premierës botërore në Sundance Film Festival 2026, ku ishte pjesë e konkurrencës “World Cinema Dramatic”.

    PriFest ka prezantuar edhe programin e filmave me metrazh të mesëm, ku këtë vit janë përzgjedhur katër filma: “THE SONS OF ILIR” nga Robert Deçani, “APOLLON CLUB” nga Kruno Trninić, “LES NOCTURNES” nga Siham Bel dhe “BLUE DAYS” nga Lina Pavlova.

    Në këtë kategori do të ketë një premierë botërore, një premierë rajonale dhe dy premiera në Kosovë.

    Edicioni i 18-të i PriFest do të mbahet nga 8 deri më 13 shtator 2026, ndërsa ATV, si sponsor medial, do të përcjellë aktivitetet dhe zhvillimet kryesore të festivalit.