ATV

Blog

  • Botërori 2026 vjen me risi të reja në rregullat e lojës

    Botërori 2026 vjen me risi të reja në rregullat e lojës

    Botërori 2026 pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme, jo vetëm për sa i përket numrit të skuadrave pjesëmarrëse. Ky edicion i FIFA World Cup 2026 do të jetë më i madhi në histori, por gjithashtu mund të shoqërohet edhe me risi në aspektin e rregullave dhe teknologjisë.

    Sipas burimeve jozyrtare pranë FIFA, për herë të parë pritet që kartonët e verdhë të anulohen pas përfundimit të fazës së grupeve. Një tjetër ndryshim i mundshëm është se kartonët e verdhë do të zerohen sërish edhe pas ndeshjeve çerekfinale.

    Nëse këto ndryshime zyrtarizohen, lojtarët do të kenë më shumë mundësi për të shmangur pezullimet në ndeshjet vendimtare të turneut. Kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme për kombëtaret më të vogla, të cilat shpesh penalizohen nga mungesat e lojtarëve kryesorë për shkak të kartonëve.

    Megjithatë, këto informacione mbeten ende të pakonfirmuara zyrtarisht dhe pritet një vendim përfundimtar nga FIFA në vijim.

  • Milani gati të dëgjojë oferta për Christopher Nkunkun pas një sezoni zhgënjyes

    Milani gati të dëgjojë oferta për Christopher Nkunkun pas një sezoni zhgënjyes

    Milani raportohet se është i hapur për të dëgjuar oferta për Christopher Nkunkun gjatë afatit kalimtar veror, pasi sulmuesi francez nuk ka arritur të justifikojë pritshmëritë në “San Siro”.

    28-vjeçari u transferua verën e kaluar nga Chelsea për rreth 37 milionë euro, duke u bërë një nga blerjet më të shtrenjta të sezonit në Serie A. Megjithatë, paraqitjet e tij gjatë edicionit 2025/26 kanë qenë nën nivelin e pritur.

    Sipas raportimeve, trajneri Massimiliano Allegri nuk është bindur nga profili i Nkunkut, pasi preferon një qendërsulmues më klasik dhe fizik për skemën e tij taktike. Deri më tani, francezi ka shënuar vetëm gjashtë gola në 31 paraqitje në të gjitha garat, pesë në Serie A dhe një në Kupën e Italisë.

    Forma e dobët ka bërë që drejtuesit e Milanit të mendojnë për shitjen e tij gjatë verës. Në muajin janar, Fenerbahçe kishte shfaqur interes për lojtarin, ndërsa pritet që edhe klube nga Arabia Saudite të hyjnë në garë në javët në vijim.

    Nëse situata nuk ndryshon deri në fund të sezonit, largimi i Nkunkut nga Milani duket gjithnjë e më i mundshëm.

  • Driton Kuka nderohet me “Pllakën e Artë” nga Akademia Sportive e Malit të Zi

    Driton Kuka nderohet me “Pllakën e Artë” nga Akademia Sportive e Malit të Zi

    Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, është vlerësuar me mirënjohjen më të lartë nga Akademia Sportive e Malit të Zi gjatë Konferencës së 24-të Ndërkombëtare, e mbajtur në Budva.

    Kuka u nderua me çmimin “Pllaka e Artë” për rezultatet e tij të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare. Në arritjet e tij përfshihen mbi 30 medalje botërore dhe evropiane, si dhe tri medalje të arta olimpike të fituara nga sportistët që ai drejton.

    Ky çmim, i cili më herët i është ndarë edhe trajnerit kroat Zlatko Dalić, e rendit Kukën ndër emrat më të spikatur të trajningut sportiv në nivel botëror.

    Për suksesin e tij ka reaguar edhe Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit në Prishtina, i cili e cilësoi Kukën si një shembull frymëzues të ekselencës dhe suksesit në sport. Ky institucion shprehu gjithashtu gatishmëri për bashkëpunim më të ngushtë me Federatën e Xhudos, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

    Për shkak të angazhimeve në Kampionatin Evropian, ku sportistët e tij fituan sërish medalje të arta, Kuka nuk ishte i pranishëm në ceremoninë në Budvë. Çmimi pritet t’i dorëzohet në një ceremoni të ardhshme që do të mbahet në Podgoricë.

  • Benjamin Šeško vlerëson Casemiron pas fitores së Manchester United: “Është një makinë pune”

    Benjamin Šeško vlerëson Casemiron pas fitores së Manchester United: “Është një makinë pune”

    Manchester United ka marrë një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Brentford në Old Trafford, në një ndeshje ku protagonistë ishin Benjamin Šeško dhe Casemiro, të cilët gjetën rrugën e rrjetës.

    Megjithatë, përtej tre pikëve, vëmendja është përqendruar te e ardhmja e mesfushorit brazilian, i cili pritet të largohet nga klubi në fund të sezonit.

    Sulmuesi i Manchester United, Benjamin Šeško, ka shprehur zhgënjimin e tij për largimin e Casemiros. “Është një makinë pune”, deklaroi ai pas ndeshjes.

    “Ajo që ai jep në fushë është e jashtëzakonshme. Të duhet një lojtar i tillë në ekip. Fatkeqësisht, ai po largohet, por jemi të kënaqur që mund ta shfrytëzojmë deri në minutat e fundit dhe do të vazhdojmë ta përdorim”, u shpreh sulmuesi.

    Ai shtoi se është e rëndësishme të mësosh nga një lojtar si Casemiro, sidomos për sa i përket etikës së punës. “Do të ishte gabim të mos përpiqesh të mësosh prej tij. Të gjithë janë të kënaqur që ai është pjesë e ekipit”, theksoi Šeško.

    Pavarësisht thirrjeve të tifozëve për “edhe një vit” pas golit të tij në Old Trafford, trajneri Michael Carrick ka konfirmuar se vendimi për ndarjen është marrë tashmë nga të dyja palët

  • Çitaku – Kurtit: Ti s’e njeh bashkëpunimin, as kompromisin – PDK s’nënshtrohet

    Çitaku – Kurtit: Ti s’e njeh bashkëpunimin, as kompromisin – PDK s’nënshtrohet

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një postimi në Facebook i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se 51% e votave nuk janë 100%.

    Ajo ka shkruar se Kurti nuk njeh bashkëpunim e as kompromis, por sipas saj kërkon nënshtrim.

    Çitaku tutje ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk nënshtrohet.

    Madje, deputetja e PDK-së e ka quajtur Kurtin shkelës serik të Kushtetutës, duke shtuar se ai nuk e ka problem ta përmbysë edhe rendin kushtetues.

    Postimi i plotë:

    Albin,

    Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%.

    Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme.

    Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar.

    Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet.

    Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin Kushtetues. Por këtë nuk do ta lejojmë.

    Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen.

  • Kurti: Opozita ka qëllim vetëm bllokimin

    Kurti: Opozita ka qëllim vetëm bllokimin

    Kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i LVV-së, Albin Kurti, akuzoi partitë opozitare se me mospjesëmarrje në seancën për zgjedhjen e presidentit po tregojnë se “nuk kanë qëllim tjetër përveç se bllokimit”.

    Ai e akuzoi opozitën për veprime joshtetërore dhe sipas Kurtit partitë opozitare duan vetëm të bllokojnë qeverisjen e tij.

    “Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor e shprehur qartë më 28 dhjetor”, tha Kurti, duke shtuar se në këto zgjedhje partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.

    Ai sërish përmendi ofertat që i ka bërë PDK-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit, të cilat janë refuzuar, duke thënë se ai ka bërë propozime konkrete, por është përballur me refuzime.

    “Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të përsëritura dhe të panevojshme”, tha Kurti në nisje të konferencës për media./REL

  • PDK mbledh Kryesinë, thonë se po rrezikohet rendi kushtetues

    PDK mbledh Kryesinë, thonë se po rrezikohet rendi kushtetues

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur një mbledhje të Kryesisë ku thanë se i kanë “dënuar ashpër, përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës”.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha ka tendenca për shtyrje të vendit drejt një “anarkie politike” duke iu referuar seancës së djeshme të Kuvendit ku partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje votoi për zgjedhjen e presidentit pa pasur kuorumin e kërkuar në Kushtetutë.

    “Pushteti politik nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet tona. Ky është cenim i rendit kushtetues. Këtë nuk do ta lejojmë dhe do ta ndalojmë”, u shpreh Hamza.

    Pa specifikuar veprimet e planifikuara, PDK njoftoi se “do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit demokratik dhe të ardhmes së vendit”./REL

  • Dogana e Kosovës: Sulm kibernetik ndaj platformës Schwacke

    Dogana e Kosovës: Sulm kibernetik ndaj platformës Schwacke

    Dogana e Kosovës ka njoftuar publikun dhe palët e interesuara se platforma Schwacke, e cila është përdorur deri më tani për vlerësimin doganor të automjeteve të përdorura, ka qenë objekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar ndërprerjen e qasjes në këtë shërbim.

    Sipas njoftimit, si pasojë e sulmit, qasja në platformën Schwacke është ndërprerë “në nivel evropian dhe më gjerë”, çka e bën të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore.

    “Si pasojë e këtij sulmi, qasja në këtë platformë është ndërprerë në nivel evropian dhe më gjerë, duke e bërë të pamundur përdorimin e saj për një periudhë të caktuar kohore”, thuhet në njoftimin e Doganës.

    Për të siguruar vijimësinë e procedurave doganore dhe për të shmangur vonesat në zhdoganimin e automjeteve, Dogana ka bërë të ditur se ka kaluar në përdorimin e platformës DAT (Deutsche Automobil Treuhand).

    “Në këto rrethana… Dogana e Kosovës ka kaluar në përdorimin e platformës DAT (Deutsche Automobil Treuhand), e cila operon me standarde të njëjta profesionale dhe ofron të dhëna të besueshme për vlerësimin e automjeteve”, thuhet më tej.

    Dogana e Kosovës ka theksuar se veprimet e ndërmarra synojnë lehtësimin e tregtisë, evitimin e pritjeve dhe mbrojtjen e interesit publik.

    “Dogana e Kosovës siguron se të gjitha veprimet e ndërmarra janë në funksion të lehtësimit të tregtisë, evitimit të pritjeve dhe mbrojtjes së interesit publik”, thuhet në njoftim.

    Nga Dogana kanë bërë të ditur se për çdo ndryshim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë.

  • Gjysmëfinale të zjarrta në Superligë, seritë barazohen dhe çdo ndeshje vendoset në detaje

    Gjysmëfinale të zjarrta në Superligë, seritë barazohen dhe çdo ndeshje vendoset në detaje

    Gjysmëfinalet e ProCredit Superliga po sjellin një nga seritë më të forta dhe më dramatike të sezonit, me çdo ndeshje që po luhet në kufijtë e emocioneve dhe detajeve të vogla.

    Seritë janë të barazuara 1:1, që do të thotë se gjithçka mbetet e hapur dhe çdo takim tashmë ka peshën e një finaleje.

    Të mërkurën zhvillohet ndeshja e tretë mes KB Bashkimi dhe KB Bora. Dy përballjet e para kanë qenë jashtëzakonisht të ngushta, 73:70 dhe 76:75, duke treguar se skuadrat janë shumë të barabarta dhe se fitorja vendoset në momentet e fundit.

     

    Të enjten vazhdon edhe seria tjetër mes KB Trepça dhe KB Peja. Edhe këtu rivaliteti është maksimal, me ndeshjet e para të mbyllura 86:78 dhe 95:93, në duele të forta dhe shumë të luftuara.

    Të dy ndeshjet luhen me fillim të orës 19:30.

     

    Derisa kujtojmë që skuadra që arrin tri fitore kualifikohet në finale, prandaj çdo ndeshje e mbetur është vendimtare.

    Play-off-i po tregon edhe një herë nivelin e lartë dhe rivalitetin e madh të basketbollit kosovar.

  • Frutex shënon rekord në eksport – 24 dërgesa brenda një dite drejt tregjeve ndërkombëtare

    Frutex shënon rekord në eksport – 24 dërgesa brenda një dite drejt tregjeve ndërkombëtare

    Kompania Frutex ka arritur një rekord të ri në eksport, duke realizuar gjithsej 24 dërgesa vetëm gjatë ditës së sotme, një sukses që dëshmon rritjen e vazhdueshme dhe konsolidimin e saj në tregjet ndërkombëtare.

    Produktet e kompanisë janë nisur drejt disa vendeve të botës, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Italinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicrën, Gjermaninë, Suedinë, Bullgarinë dhe Sllovakinë.

    Në këto eksporte përfshihen brendet kryesore të Frutex, si Golden Eagle, Natural 100%, Relax dhe Zeros, të cilat tashmë janë të pranishme në shumë tregje ndërkombëtare.

    Kompania Frutex aktualisht eksporton në më shumë se 40 vende të botës, duke u renditur ndër kompanitë më të suksesshme vendore në sektorin e prodhimit dhe eksportit.

    Ky zhvillim i fundit konsiderohet një tjetër dëshmi e fuqizimit të pranisë së produkteve “Made in Kosova” në tregjet globale.