ATV

Blog

  • Ministri Armend Muja merr vendim për paketë masash për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe prodhimit vendor

    Ministri Armend Muja merr vendim për paketë masash për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe prodhimit vendor

    Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka njoftuar se ka marr një vendim për zbatimin e një pakete të gjerë masash në tregun e qumështit në Kosovë, të cilat synojnë garantimin e cilësisë së produkteve, mbrojtjen e konsumatorëve dhe fuqizimin e prodhuesve vendorë.

    Disa nga masat e marra në këtë vendim, siç njoftohet janë; Kategorizimi i detyrueshëm i produkteve të qumështit, nuk do të lejohet përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme, do të ketë kontrolle të shtuara kufitare, ku çdo produkt i qumështit që hyn në Kosovë do t’i nënshtrohet analizave laboratorike për verifikimin e përbërjes, dhe, vendosja e akcizës për qumështin pluhur.

    Njoftimi:

    Ministri Armend Muja merr vendim për paketë masash për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe prodhimit vendor

    Prishtinë, 28 prill 2026 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, gjatë një konference për media, ka njoftuar marrjen e një vendimi për zbatimin e një pakete të gjerë masash në tregun e qumështit në Kosovë. Këto masa synojnë garantimin e cilësisë së produkteve, mbrojtjen e konsumatorëve dhe fuqizimin e prodhuesve vendorë.

    Me këtë rast, ministri Muja prezantoi masat kryesore që do të zbatohen për mbrojtjen dhe rregullimin e këtij sektori.

    “Kategorizimi i detyrueshëm i produkteve të qumështit – çdo produkt në treg do të duhet të etiketohet dhe kategorizohet qartë. Nuk do të lejohet përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme. Do të ketë kontrolle të shtuara kufitare, ku çdo produkt i qumështit që hyn në Kosovë do t’i nënshtrohet analizave laboratorike për verifikimin e përbërjes. Krahas kësaj, kemi marrë masë për vendosjen e akcizës për qumështin pluhur. Me propozim të MBPZhR-së, të dërguar në Ministrinë e Financave, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për akcizën ndaj qumështit pluhur, i cili hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Po ashtu, do të ketë mbikëqyrje të shtuar të tregut të brendshëm, ku do të forcohen kontrollet për të parandaluar keq-deklarimin dhe përzierjen e produkteve”, ka thënë ministri Muja.

    Vendimi për marrjen e këtyre masave, sipas ministrit, vjen pas analizave të detajuara të realizuara nga Ministria, në bashkëpunim me institucionet relevante, të cilat kanë evidentuar rritje të presionit nga produktet e importuara dhe zëvendësuese në tregun vendor të qumështit.

    Gjatë konferencës, ministri theksoi se prodhimi vendor i qumështit të freskët po përballet me ndikim të drejtpërdrejtë nga rritja e importeve, veçanërisht e qumështit pluhur, si dhe nga produktet që përmbajnë vaj palme.

    “Analizat tona tregojnë një rritje të ndjeshme të importit të qumështit pluhur dhe një presion në rritje ndaj qumështit të freskët vendor, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomitë rurale”, theksoi ministri Muja.

    Zbatimi i këtyre masave i është besuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila është autorizuar të veprojë në mënyrë të rreptë dhe proporcionale.

    Masat do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me mundësi vazhdimi, në varësi të zhvillimeve në treg.

    Ministri theksoi gjithashtu se situata ndikohet edhe nga faktorët sezonalë, ku rritja e prodhimit vendor shoqërohet me rritje të presionit nga importet, duke krijuar vështirësi për plasimin e qumështit të freskët në treg.

    “Këto masa janë në interes të mbrojtjes së konsumatorit, garantimit të cilësisë dhe mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe ekonomive familjare,” u shpreh ai.

    Në përfundim, ministri Muja u bëri thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë me përpikëri dispozitat e reja, ndërsa falënderoi mediat për rolin e tyre në informimin e drejtë të qytetarëve.

  • Szymon Marciniak reagon sërish për ndeshjen Inter – Barcelona në Ligën e Kampionëve

    Szymon Marciniak reagon sërish për ndeshjen Inter – Barcelona në Ligën e Kampionëve

    Gjyqtari polak Szymon Marciniak ka reaguar sërish lidhur me ndeshjen e shumëpërfolur Inter–Barcelona , takim që i takoi gjysmëfinales së sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në “San Siro” dhe u mbyll me fitoren e Inter Milan pas kohës shtesë, me rezultat 4–3.

    Ndeshja u shoqërua me dy ndërhyrje vendimtare të sistemit VAR. Marciniak akordoi një penallti për Interin pas ndërhyrjes së Pau Cubarsí ndaj Lautaro Martínez, ndërsa një tjetër penallti, e dhënë fillimisht për një faull ndaj Lamine Yamal, u anulua më pas, pasi u konstatua se kontakti kishte ndodhur pak jashtë zonës.

    Rreth një vit më vonë, gjatë një eventi në Poloni, një tifoz i FC Barcelona e kritikoi gjyqtarin për vendimet në atë ndeshje. Marciniak u përgjigj duke theksuar se, sipas tij, vendimet fillestare kishin qenë në favor të Barcelonës, por më pas janë korrigjuar nga VAR-i.

    “Nuk kam asgjë për të kërkuar falje, për të qenë i sinqertë. Nga këndvështrimi im, nuk ka asgjë për të kërkuar falje. Nëse jemi të sinqertë, vendimet e mia favorizuan Barcelonën. Nuk i dhashë penallti Interit dhe VAR më thirri për të rishikuar pamjet. Së dyti, akordova një penallti dhe ata më korrigjuan, sepse ishte katër ose pesë centimetra jashtë zonës. Pra, ishin dy vendime në favor të Barcelonës, por VAR më korrigjoi. Kështu është jeta”, deklaroi Marciniak.

    Përveç këtyre rasteve, te Barcelona pati ankesa edhe për një prekje të mundshme me dorë nga Acerbi në zonë, si dhe për një faull të Dumfries ndaj Gerard Martín në aksionin që parapriu golin që e çoi ndeshjen në kohë shtesë.

  • Titull: Incident me thirrje fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen Vardar – Tikvesh-Hapetn procedurat hetimore

    Titull: Incident me thirrje fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen Vardar – Tikvesh-Hapetn procedurat hetimore

    Një incident me përmbajtje të rëndë fyese është raportuar në Maqedoninë e Veriut gjatë ndeshjes së kampionatit vendor, ku FK Vardar mposhti FK Tikvesh me rezultat të thellë 7–0.

    Sipas raportimeve nga Shkupi, gjatë takimit një pjesë e tifozëve të grupit ultras të Vardarit, “Komiti”, kanë intonuar kore të cilësuara si antishqiptare, me thirrje dhe sharje ndaj shqiptarëve. Pamje të publikuara në rrjete sociale kanë dokumentuar momentet e këtyre thirrjeve, por videot më pas janë fshirë brenda një kohe të shkurtër.

    Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një problem që është përmendur edhe më herët në opinionin publik, pasi raste të ngjashme janë raportuar edhe në të kaluarën në stadiume të ndryshme të Maqedonisë së Veriut.

    Rasti vjen në një periudhë të ndjeshme, kur në vend janë shënuar edhe tensione shoqërore e politike, përfshirë protesta të studentëve shqiptarë lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në procesin arsimor.

    Në lidhje me incidentin, autoritetet kanë njoftuar se kanë nisur procedurë për veprën penale “dhunë dhe sjellje e pahijshme në ndeshje sportive”.

    Sipas dispozitave ligjore, për persona fizikë parashihen gjoba nga 600 deri në 1000 euro, ndërsa për klubin sportiv gjobat mund të shkojnë nga 1500 deri në 5000 euro, nëse vlerësohet se sjellje të tilla nuk janë parandaluar.

    Pritet që organet kompetente të analizojnë materialet e publikuara dhe raportet nga ndeshja për të përcaktuar përgjegjësitë dhe masat e mëtejshme.

  • IPK rekomandon suspendimin e dy policëve: U përfshinë në një rast me të shtëna, u përdor arma zyrtare

    IPK rekomandon suspendimin e dy policëve: U përfshinë në një rast me të shtëna, u përdor arma zyrtare

    Inspektorati Policor i Kosovës, ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë.

    IPK njofton se kjo është bërë për arsye se, policët, dyshohet se janë përfshirë në një rast me të shtëna që ka ndodhur në fshatin Mramor në Prishtinë.

    Komunikata:

    Hajvali, Prishtinë/, 28 prill 2026

    Me datën 27.04.2026, IPK ka pranuar informata nga Policia e Kosovës se në fshatin Mramor, Komuna e Prishtinës, ka pas të shtëna me armë dhe se personat e involvuar në këtë vepër penale janë zyrtarë policor, jashtë detyrës zyrtare, ndërsa vepra penale dyshohet është kryer me armën zyrtare të policisë.

    IPK ka zhvilluar menjëherë veprime hetimore fillestare ndaj dy zyrtarëve policor nga Stacioni Policor “Veriu” Prishtinë, Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, të cilët janë të dyshuar vepër penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe IPK ka rekomanduar suspendimin tyre.

  • Haziri – Kurtit: E kemi bërë të qartë se Vjosa Osmani mund të jetë kandidate

    Haziri – Kurtit: E kemi bërë të qartë se Vjosa Osmani mund të jetë kandidate

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në DPT te Fidani në Klan Kosova, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili pati dyshime për nënshkrimet e LDK-së për president.

    Kurti tha në një konferencë për media se LDK-ja mbrëmë (e hënë, 27 prill) prezantoi një dokument me 15 nënshkrime të grupit të tyre parlamentar, i cili, sipas tij, mbante datën 25 prill dhe nuk tregonte se për çka janë ato nënshkrime.

    E Haziri, në prononcimin e tij në Klan Kosova, tha se nënshkrimet janë dhënë për çështjen e presidentit, duke mos specifikuar se a kanë qenë për ndonjë emër të përveçëm apo jo.

    “Nënshkrimet a janë për Osmanin apo dikë tjetër, ne përmes kryetarit Abdihxiku e kemi bërë të qartë se edhe Osmani mund të jetë kandidate, mund të jetë, por kandidati në emër të LDK-së duhet të diskutohet brenda LDK-së. Ne kemi qenë të gatshëm, kemi pasë vullnet të mirë, kemi pas qasje pozitive me i dhënë vendit president. Ne jemi të vetëdijshëm që zonja Osmani, përkundër që me emër të saj është bërë gara e 28 dhjetorit dhe për të është garuar dhe janë mbledh vota nga eksponentë dhe lista e LVV dhe pjesën e partive tjera, ka qenë e pritur, por Kurti vendosi që pas 28 dhjetorit të bëjë konstituimin e Kuvendit, me zgjedh qeverinë, me miratu buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat ne i kemi votu, nuk e kemi blloku. Cila është arsyeja me na thënë sot po e pengoni zgjehdjen e Presidentit? Nuk ka”.

    “Ne jemi zgjidhja e çdo lloj problemi, por jo me na trajtu si shtesë, si pjesë të qeverisjes së tretë, apo vetëm si objekt në të cilin mundet me gjete faj e fajtor”, shtoi ai. .

    Tutje, ai tha se LDK-ja ka qenë e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit, por theksoi se Kurti gjithmonë “i gjen behane LDK-së”.

    “E para dhe më e rëndësishmja, [jemi taku] me i dhënë mundësi edhe arritjes se një marrëveshje dhe ndërtimit të besimit. Me këtë lloj energjie çfarë po jepet e kundërta, me arsyetu, me kundërshtu me repliku, me gjet, behane, ishte arritur qëllimi menjëherë, në fund të janarit ishin kry pjesa më e madhe e punëve. Por e ka bërë një renditje të pesë hapave gabim, ka deshmu që LDK-ja me konstruktivitet me bashkëpunim dhe pragmatizëm, ka zbatu dhe pranu rezultatin e zgjedhjeve. Ne kemi marrë pjesë në të gjitha takimet dhe kemi dashtë me arrit një marrëveshje për president dhe kemi përfundu me ofertë për kuvend ose për qeveri. Kjo është ajo që zotëri Kurti kur e sheh LDK-në, thotë ‘Nusja e mirë por syri qorr’. Behanen e gjen gjithmonë, çdo lloj veprimi që ne kemi bërë, behanen e ka gjete, sikur edhe mbrëmë”.

    “Lumir Abdixhiku e ka pas Grupin Parlamentar në mbështetje të plotë, që nga takimi i parë me Kurtin. I ka dhënë mbështetje për arritjen e një marrëveshjeje për president. Çështja e emrit natyrisht është diskutu mes palëve, por pas një vendimi të LDK-së. Abdixhiku e ka bërë me dije që LDK-ja duhet me u dëgju dhe me vendos, por jo LDK-ja më u thirr për me bo kuorum dhe LDK-ja me u thirr më u tregu se a po i pëlqejnë emrat e propozuar”, ka thënë Haziri.

  • Paralajmëron Hamza: Nëse zgjedhet Presidenti antikushtetues do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar

    Paralajmëron Hamza: Nëse zgjedhet Presidenti antikushtetues do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar

    Pas mbledhjes së Kryesisë, Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot edhe kryetarët e degëve të saj, duke kërkuar mobilizim të plotë të strukturave partiake në të gjithë vendin.

    Në njoftim PDK ka ritheksuar se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre.

    “Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, ka deklaruar Hamza.

    PDK ka theksuar se do të jetë në ballë të përpjekjeve politike dhe qytetare për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike për të ndalur përmbysjen e rendit kushtetues.

  • Deputeti i VV-së para seancës për presidentin: Askush s’po e shkel Kushtetutën

    Deputeti i VV-së para seancës për presidentin: Askush s’po e shkel Kushtetutën

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli sërish ka ftuar partitë opozitare që të marrin pjesë ne seancën e orëve të fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Pak minuta para se të mbahet seanca e thirrur për në orën 19:00, ai ka thënë se vendi duhet të bëhet me president, duke thënë se shumica parlamentar i jep mbështetje të plotë kandidates, Feride Rushiti.

    Dugolli u është përgjigjur akuzave të partive opozitare për shkelje të Kushtetutës, duke mohuar se partia e tij po vepron në kundërshtim me aktin më të lartë juridik në vend.

    “Askush nuk po e shkel Kushtetutën e as rregullat, kjo akuzë është e pabazë. Partitë ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, ato duhet ta dinë se nuk mund ta rrëzojnë Qeverinë Kurti.”, ka thënë Dugolli para nisjes së seancës.

  • Erza Muminoviq dhe Sara Pllana përfitojnë bursa olimpike për Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028

    Erza Muminoviq dhe Sara Pllana përfitojnë bursa olimpike për Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028

    Xhudistja Erza Muminoviq dhe gjimnastja Sara Pllana janë përfshirë në listën e përfituesve të bursave olimpike në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028 (LA28).

    Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka theksuar se nënshkrimi i këtyre bursave është një motiv shtesë për sportistet në rrugëtimin e tyre drejt sukseseve të reja dhe rrit përkushtimin në procesin e përgatitjeve.

    Edhe Muminoviq dhe Pllana janë shprehur mirënjohëse për mbështetjen e KOK-ut, duke theksuar se do të vazhdojnë me punë dhe angazhim maksimal për të arritur objektivin kryesor, sigurimin e normës olimpike.

    Me përfshirjen e tyre, numri i përgjithshëm i bursave olimpike të ndara nga KOK ka arritur në 34, duke shënuar një rekord të ri të mbështetjes për sportistët elitarë të Kosovës. Sipas KOK-ut, këto bursa financohen nga të hyrat e veta, si dhe nga programi i Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

  • Muslija operohet me sukses pas dëmtimit të rëndë, nis rrugën e rikuperimit

    Muslija operohet me sukses pas dëmtimit të rëndë, nis rrugën e rikuperimit

    Florent Muslija ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale pas dëmtimit serioz në gju, duke hapur kështu rrugën drejt rikuperimit.

    Lajmi është konfirmuar nga Fortuna Düsseldorf, i cili i ka dërguar mesazhe mbështetjeje reprezentuesit të Kosovës, duke i uruar shërim sa më të shpejtë pas operimit të ligamentit të kryqëzuar.

    Mesfushori ofensiv pësoi këtë lëndim të rëndë gjatë ndeshjes ndaj Holstein Kiel, në një moment të pjesës së dytë që rezultoi vendimtar për fatin e sezonit të tij. Ekzaminimet mjekësore konfirmuan këputjen e ligamentit, një dëmtim që kërkon kohë të gjatë rikuperimi dhe e detyron lojtarin të mbyllë para kohe këtë edicion.

    Mungesa e Muslijës është një goditje e ndjeshme për skuadrën gjermane, duke pasur parasysh rolin dhe ndikimin e tij në lojën e ekipit.

    Tashmë, pas operacionit të suksesshëm, fokusi i tij kalon te rehabilitimi, me synimin për t’u rikthyer sa më i fortë në fushë dhe për të rifituar formën e tij më të mirë.

  • Premier League konfirmon ndryshime në kalendarin e ndeshjeve për fazën përfundimtare të sezonit

    Premier League konfirmon ndryshime në kalendarin e ndeshjeve për fazën përfundimtare të sezonit

    Premier League ka konfirmuar një sërë ndryshimesh në kalendarin e ndeshjeve për fazën përfundimtare të sezonit, duke ndikuar drejtpërdrejt në garën për titull dhe në zonat që sigurojnë pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.

    Një nga ndryshimet më të rëndësishme përfshin Manchester City, i cili do të përballet me Crystal Palace më 13 maj në orën 20:00. Kjo ndeshje ishte planifikuar fillimisht në të njëjtën ditë me finalen e EFL Cup Final, duke bërë të nevojshëm riorganizimin.

    Ndërkohë, Arsenal do të zhvillojë ndeshjen e fundit në shtëpi kundër Burnley më 18 maj, në orën 20:00. Vetëm një ditë më pas, Manchester City do të udhëtojë për t’u përballur me AFC Bournemouth në orën 19:30, pak ditë para mbylljes së sezonit.

    Mbrëmja e 19 majit pritet të jetë vendimtare edhe për garën drejt Europës dhe mbijetesës, pasi Chelsea do të përballet me Tottenham Hotspur në një duel shumë të rëndësishëm. Këto ndeshje zhvillohen vetëm tri ditë pas finales së FA Cup Final, ku do të përballen pikërisht Manchester City dhe Chelsea në stadiumin Wembley Stadium.

    Ndryshime janë bërë edhe për ndeshje të tjera të rëndësishme si ajo mes Aston Villa dhe Liverpool, si dhe përballja Manchester United kundër Nottingham Forest, të cilat janë zhvendosur për arsye transmetimi televiziv. Njëra do të luhet më 15 maj në orën 20:00, ndërsa tjetra më 17 maj në orën 12:30.

    Programi i 17 majit përfshin gjithashtu disa përballje interesante si Brentford – Crystal Palace, Everton – Sunderland, Leeds United – Brighton & Hove Albion, Wolverhampton Wanderers – Fulham, si dhe përballja e mbrëmjes mes Newcastle United dhe West Ham United.

    Me këto ndryshime, fundi i sezonit në Premier League pritet të jetë shumë i luftuar, ku çdo ndeshje mund të rezultojë vendimtare për arritjen e objektivave të skuadrave.