ATV

Blog

  • Policia nis hetime lidhur me vdekjen e punëtorit në Pejë

    Policia nis hetime lidhur me vdekjen e punëtorit në Pejë

    Policia e Kosovës ka nisur hetime lidhur me vdekjen e një punëtori në Pejë.

    Në raportin 24 orësh thuhet se derisa i njëjti ka qenë duke punuar, ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Spitalin e Pejës ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij

    “HETIM I VDEKJES – Pejë 29.04.2026-12:05. Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ka qenë duke punuar, ka pësuar lëndime dhe është dërguar në Spitalin e Pejës ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, njëjtë si çmimi i djeshëm.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër, ndërsa gazi 0.85 euro.

  • Ulutash: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë – kërkohet urgjentisht zgjidhje politike

    Ulutash: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë – kërkohet urgjentisht zgjidhje politike

    Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë në vend mbetet përgjithësisht e qetë, por ende e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të vendit.

    Në një deklaratë nga Brukseli, pas takimeve në selinë e NATO-s, ai bëri të ditur se ka informuar ambasadorët e vendeve aleate dhe partnere kontribuuese në KFOR, si dhe është takuar me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

    Sipas tij, në këto takime është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, si dhe për prioritetet e misionit të KFOR-it, pak më shumë se dy muaj para samitit të NATO-s që do të mbahet në Ankara në korrik.

    Ulutash theksoi se angazhimi i NATO-s për sigurinë në Kosovë mbetet i palëkundur.

    “Aleatët dhe partnerët vazhdojnë të mbështesin plotësisht përpjekjet tona për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet dhe lirinë e lëvizjes”, tha ai.

    Sipas tij, misioni aktualisht përbëhet nga mbi 4600 trupa nga 31 vende, duke e cilësuar atë si një ndërmarrje kolektive të rëndësishme për stabilitetin në rajon.

    Duke folur për zhvillimet në terren, ai theksoi se që nga tetori i vitit 2025 nuk është vërejtur rikthim i dhunës si në vitin 2023, por paralajmëroi se situata mbetet e ndjeshme.

    “Që nga tetori i vitit 2025, kemi parë që siguria lokale është në përgjithësi e qetë. Nuk kemi parë rikthim të dhunës, siç pamë në vitin 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të Kosovës”.

    “Prandaj, prioriteti im është ruajtja e stabilitetit, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, deklaroi mes tjerash Ulutash, duke shtuar se KFOR-i mban një prani të dukshme dhe fleksibile për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi dhe për të ulur tensionet në rast nevoje.

    Komandanti e cilësoi KFOR-in si një shtyllë kyçe të stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar aleatët për mbështetjen e vazhdueshme.

    Në deklaratën e tij, komandanti Ulutash theksoi edhe nevojën urgjente për një zgjidhje politike, teksa shtoi se KFOR-i vazhdon të krijojë hapësirë që dialogu politik të ecë përpara.

    “Stabiliteti varet nga zgjedhja e të gjitha palëve për diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, jo ushtarake. KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë punën e tij në mbështetje të këtij procesi”, tha ai.

    Komandanti i KFOR-it nënvizoi se NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai përfundoi se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e hapësirës për avancimin e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit, në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit.

    “Një rrugë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse përpara është ajo që duhet të vazhdojmë ta ndjekim, së bashku, për një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Dhe për stabilitetin rajonal”, u shpreh komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.

  • Endrit Thaçi shpërndan banerin për çlirimtarët “sillni ata në shtëpi”

    Endrit Thaçi shpërndan banerin për çlirimtarët “sillni ata në shtëpi”

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërndarë në Instagram një fotografi të një baneri të vendosur në kryeqytet në mbështetje të çlirimtarëve.

    Në baner shkruhet: “Çlirimtarët, sillni ata në shtëpi”.

    Fotografinë e këtij mesazhi Endriti e publikoi në llogarinë e tij.

  • Ramush Haradinaj përkujton Ilaz Kodrën: Ishte frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit

    Ramush Haradinaj përkujton Ilaz Kodrën: Ishte frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka përkujtuar sakrificën heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 27-vjetorin e përjetësisë.

    Përmes një postimi në Facebook, kreu i Aleancës thotë se Kodra ishte ndër luftëtarët më të shquar të luftës çlirimtare, frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit.

    “Dje i kujtuam me respekt dëshmorët Jakub Demaliaj e Bilall Mazrekaj, ndërsa sot përulemi me nderim para sakrificës heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 27-vjetorin e përjetësisë. Komandant Ilaz Kodra ishte ndër luftëtarët më të shquar të luftës çlirimtare, frymëzim për bashkëluftëtarët në vijat e frontit. Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën kur ra heroikisht Luani dhe u plagos Rafet Rama”, ka shkruar Haradinaj

    “Më 30 prill 1999, ai dhe bashkëluftëtarët e tij luftuan me trimëri kundër disa brigadave të ushtrisë pushtuese serbe, duke e kthyer rrjedhën e historisë në favor të lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme komandant Ilaz Kodrës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, përfundon postimi.

  • AKR: Largohet masa e pezullimit nga KQZ, rikthehemi plotësisht në aktivitet politik

    AKR: Largohet masa e pezullimit nga KQZ, rikthehemi plotësisht në aktivitet politik

    Aleanca Kosova e Re (AKR) njofton opinionin publik se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur heqjen e masës së pezullimit ndaj subjektit tonë politik, pas përmbushjes së të gjitha obligimeve ligjore të përcaktuara.

    Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kjo masë ishte vendosur më 12 mars 2026, ndërsa është hequr pasi AKR ka respektuar afatin ligjor prej 45 ditësh, duke mbajtur Kuvendin Zgjedhor dhe duke përmbushur kërkesat përkatëse procedurale.

    “AKR e konsideron këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm institucional dhe politik të subjektit tonë. Ne mbetemi të përkushtuar për funksionim transparent, respektim të ligjit dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Strukturat e reja të dala nga Kuvendi Zgjedhor do të angazhohen menjëherë në fuqizimin e partisë, rritjen e besimit qytetar dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme politike.

    AKR falënderon të gjithë anëtarët dhe mbështetësit për durimin dhe besimin gjatë kësaj periudhe dhe siguron se do të vazhdojë me një energji të re dhe vizion të qartë për të ardhmen”, thuhet në njoftim.

  • Mimoza Ahmeti i bën kërkesën e pazakontë nga Ferma VIP 3 kryeministrit Edi Rama

    Mimoza Ahmeti i bën kërkesën e pazakontë nga Ferma VIP 3 kryeministrit Edi Rama

    Poetja dhe shkrimtarja Mimoza Ahmeti ka sjellë një nga momentet më komike në Ferma VIP, teksa gjatë një sfide brenda fermës i është drejtuar me një “thirrje” të pazakontë kryeministrit Edi Rama.

    E vendosur nën presion për të fituar sfidën e mbledhjes së lepujve, Ahmeti zgjodhi ta trajtojë situatën me humor, duke “kërkuar” ndihmën e Ramës përmes satelitëve imagjinarë “Albania 1” dhe “Albania 2”, si zgjidhje për lokalizimin e kafshëve.

    “Kryeministër, a punon sateliti me i gjet pak lepujt e mi?… Lësho pak satelitin t’i kapin”, u shpreh ajo gjatë bisedës me konkurrentët, ndërsa shtoi se po “humbte pikë” në sfidë dhe ishte në minus.

    Në të njëjtën bisedë, konkurrentja Sara e nxiti të kapte të paktën një lepur vetë, por Moza vijoi me batuta, duke insistuar se Rama “nuk lë gjë pa gjetur”.

    “I them Edit unë, tani m’i gjen Edi në vend. Gjeji o vëlla gjeji, ti çfarë nuk gjen”, dëgjohet të thotë Ahmeti, duke e kthyer sfidën në një skenë plot ironi.

    Por “kërkesa” e saj nuk u ndal me kaq. Në vazhdën e humorit, Mimoza kërkoi edhe ndihmën e platformës e-Albania, duke sugjeruar me ironi që lepujt të pajisen me certifikata identiteti, në mënyrë që të mos mbeten “me identitet të panjohur”.

    “Dua shtatë certifikata lepujsh me e-Albania, ju lutem punon sistemi?… Shtatë certifikata lepujsh dua unë, t’i gjej identiteti se po kërkoj me identitet të panjohur”, tha ajo, duke shkaktuar të qeshura mes konkurrentëve.

    Momenti është shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, ku ndjekësit e emisionit e kanë komentuar si një nga skenat më spontane dhe argëtuese të Ferma VIP, duke vlerësuar stilin ironik të Ahmetit dhe mënyrën si e kthen çdo situatë në batutë.

  • Data e zgjedhjeve, Haxhiu takon sot partitë politike

    Data e zgjedhjeve, Haxhiu takon sot partitë politike

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu pret sot në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Takimi mbahet në ora 15:00.

    “Në orën 15:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pret në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në njoftim.

    Haxhiu një ditë më parë takoi kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

    Radoniqi ka deklaruar se përgatitjet për zgjedhje kërkojnë kohë dhe se procesi nuk është i lehtë, duke theksuar se data më e mundshme për mbajtjen e tyre është 7 qershori.

    Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Radoniqi tha se ende nuk është diskutuar çështja e buxhetit për zgjedhjet në KQZ.

    “…Çështje e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, po besoj do të jetë përafërsisht si zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë… Dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, u shpreh të mërkurën Radoniqi.

    Kosova shkon në zgjedhje të reja pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

  • Nafta arrin çmimin më të lartë që nga viti 2022

    Nafta arrin çmimin më të lartë që nga viti 2022

    Çmimet e naftës janë rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2022, pas një raporti se ushtria amerikane do të informojë presidentin Donald Trump mbi planet e reja për veprime të mundshme në luftën e Iranit.

    Komanda Qendrore e ShBA-së ka përgatitur një plan për një valë sulmesh “të shkurtra dhe të fuqishme” ndaj Iranit, në përpjekje për të thyer bllokimin në negociatat me Teheranin, raportoi faqja e lajmeve Axios, shkruan BBC.

    Nafta bruto Brent u rrit me pothuajse 7% në më shumë se 126 dollarë (94 paund) për fuçi, niveli më i lartë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.Çmimet e energjisë janë rritur këtë javë, ndërsa bisedimet e paqes duket se kanë ngecur, me kanalin kryesor të Ngushticës së Hormuzit që mbetet praktikisht i mbyllur.

  • Parashikimi i “Nostradamusit modern” për Iranin

    Parashikimi i “Nostradamusit modern” për Iranin

    Një parashikues i vetëshpallur, i njohur si “Nostradamusi i ri”, ka bërë një tjetër deklaratë të fortë për zhvillimet globale, duke paralajmëruar për përshkallëzim të konfliktit në Iran.

    Craig Hamilton-Parker, i cili ndan parashikimet e tij në rrjetet sociale, pretendon se ka parashikuar më herët ngjarje të mëdha si pandemia Covid-19, vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II dhe zhvillime politike ndërkombëtare. Së fundmi, ai ka tërhequr vëmendje me një parashikim të ri për situatën në Lindjen e Mesme.

    Sipas tij, lufta në Iran mund të intensifikohet me përfshirjen e një shteti tjetër, konkretisht Arabisë Saudite. Ai pretendon se mund të ketë sulme të drejtpërdrejta dhe zhvillime të brendshme destabilizuese brenda vetë Iranit.

    Në deklaratat e tij, Hamilton-Parker përmend edhe mundësinë e tensioneve të brendshme politike në Iran, duke sugjeruar përplasje të brendshme që mund të ndikojnë në rrjedhën e konfliktit.

    Ai është bërë i njohur për pretendimet e tij mbi parashikime të mëparshme, përfshirë edhe zhvillime që lidhen me Donald Trump, për të cilin thotë se kishte parashikuar sjellje të pazakonta në skenën publike.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se deklarata të tilla duhet të trajtohen me kujdes, pasi nuk bazohen në analiza shkencore apo burime të verifikuara. Parashikimet e këtij lloji mbeten në nivel spekulativ dhe nuk përbëjnë burim të besueshëm për zhvillimet gjeopolitike.