ATV

Blog

  • Singapori ashpërson luftën kundër bullizmit – Rrahje me shkop si masë e fundit në shkolla

    Singapori ashpërson luftën kundër bullizmit – Rrahje me shkop si masë e fundit në shkolla

    Singapori ka miratuar udhëzime të reja që parashohin ndëshkime më të rrepta për nxënësit që ushtrojnë bullizëm, përfshirë edhe rastet e ngacmimit në internet.

    Sipas rregullave të reja, në raste të rënda mund të aplikohet edhe rrahja me shkop, si masë e fundit disiplinore.

    Vendimi u diskutua në parlament dhe vjen pas një rishikimi njëvjeçar të politikave kundër bullizmit, i nxitur nga disa raste që tërhoqën vëmendje të madhe publike gjatë vitit të kaluar. Autoritetet synojnë të forcojnë disiplinën dhe të rrisin sigurinë në shkolla.

    Ministri i Arsimit, Desmond Lee, theksoi se ndëshkimi fizik do të përdoret vetëm kur të gjitha masat e tjera rezultojnë të pamjaftueshme, raporton theguardian.

    Ai nënvizoi se shkollat do të ndjekin procedura të rrepta dhe se çdo rast do të shqyrtohet me kujdes para se të merret vendimi për një dënim të tillë.

    Sipas udhëzimeve, ndëshkimi me rrahje do të zbatohet vetëm për djemtë mbi moshën nëntë vjeç, ndërsa për vajzat do të aplikohen masa të tjera disiplinore si pezullimi, mbajtja pas orarit mësimor dhe ulja e notës në sjellje.

    Autoritetet theksojnë se pas çdo ndëshkimi, nxënësit do të ndiqen nga afër për mirëqenien dhe përparimin e tyre, duke u ofruar edhe mbështetje këshilluese për të parandaluar përsëritjen e sjelljeve problematike.

    Megjithatë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve kundërshtojnë këtë qasje, duke paralajmëruar se ndëshkimi fizik mund të ketë pasoja negative për shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve. Sipas të dhënave globale, ndëshkimi fizik mbetet një praktikë e përhapur, pavarësisht kritikave në rritje.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit: 18 parti konfirmojnë pjesëmarrjen, 1 koalicion i formuar

    Zgjedhjet e 7 qershorit: 18 parti konfirmojnë pjesëmarrjen, 1 koalicion i formuar

    Kur kanë mbetur vetëm edhe një ditë afat për partitë politike për të njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje ose mospjesëmarrjen dhe deklarimin e koalicioneve, disa nga partitë politike kanë kryer këto obligime ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për RTK se deri më tani (e mërkurë, 6 maj 2026, ora 12:00), KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike; mospjesëmarrjen nga 4 të tjera dhe formimin e 1 koalicioni të përbërë nga 2 parti politike.

    “Është duke vazhduar periudha për partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës për ta njoftuar KQZ-në për: pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Kjo periudhë ka filluar më 1 maj dhe do të përfundojë më 7 maj. Deri më tani (e mërkurë, 6 maj 2026, ora 12:00) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, mospjesëmarrje nga 4 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike”, tha Elezi.

    Më tej, sipas tij, “këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrimit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës”.

    Sipas Elezit, partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Socialdemokrate; Kosovaki Nevi Romani Partia; Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; Za Slobodu Pravdu i Opstanak; Srpska Lista; Yenilikçi Türk Hareket Partisi; Lidhja Demokratike e Kosovës; Fjala; Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; Socialdemokratska Unija; Jedinstvena Goranska Partija; Kosova Demokratik Türk Partisi; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; Nova Demokratska Stranka; Partia Liberale Egjiptiane; Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; dhe Kosovski Savez.

    Ndërkaq, sipas tij, partitë politike që deri më tani kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Demokratike e Unitetit; Balli Kombëtar i Kosovës; Lëvizja Qytetare Vatra; dhe Bashkimi për Ndryshim Anamorava.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, 6 ditë nga hapja e afatit për deklarim të koalicioneve, KQZ ka pranuar vetëm njoftimin për formimin e koalicionit nga dy parti boshnjake. Bëhet fjalë për Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, që kanë paraqitur në KQZ koalicionin me emrin “Koalicija VAKAT”.

    Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.

    Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.

    “Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.

    Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

    “KQZ ka vendosur afatin 11-ditore, nga 2 maj deri më 10 maj 2026, për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

  • Nga tensioni te pajtimi, Neymar dhe Robinho Jr. mbyllin konfliktin në fushë

    Nga tensioni te pajtimi, Neymar dhe Robinho Jr. mbyllin konfliktin në fushë

    Ditët e fundit në Brazil u përfol shumë për përplasjen mes Neymar dhe të riut Robinho Jr., një incident që ndodhi gjatë një seance stërvitore dhe tërhoqi vëmendje të madhe.

    Situata u tensionua pasi Neymar reagoi ashpër ndaj një veprimi të talentit të ri, por gjithçka u zbut shpejt. Ylli brazilian kërkoi falje publikisht, duke ulur menjëherë tonet dhe duke treguar respekt ndaj lojtarit dhe familjes së tij.

    Se tensionet janë lënë pas u dëshmua edhe në fushë. Në ndeshjen ndaj Recoletas në kuadër të Copa Sudamericana, Neymar realizoi një gol në minutën e 41-të dhe festoi pikërisht me Robinho Jr.

    Ky moment simbolik konfirmoi se marrëdhënia mes tyre është rikthyer në normalitet, duke mbyllur një episod të shkurtër, por shumë të komentuar në futbollin brazilian.

  • Tre javë nga fundi, beteja për Champions ndez Serie A

    Tre javë nga fundi, beteja për Champions ndez Serie A

    Sezoni 2025/26 në Serie A po hyn në sprintin final, me vetëm tre xhiro të mbetura dhe Inter që tashmë ka siguruar titullin kampion. Megjithatë, beteja më e ashpër po zhvillohet për vendet që çojnë në UEFA Champions League.

    Në garë për top katërshe janë disa skuadra me diferenca minimale pikësh, Napoli mban vendin e dytë me 70 pikë, i ndjekur nga Milan me 67, Juventus me 65, Roma me 64 dhe surpriza e sezonit, Como me 62 pikë. Çdo ndeshje në këtë fazë mund të ndryshojë gjithçka.

    Kualifikimi në Champions nuk sjell vetëm prestigj sportiv, por edhe përfitime të mëdha financiare. Sipas analizave të Calcio e Finanza, Roma do të përfitonte më së shumti, rreth 43 milionë euro nëse arrin të futet në katërshen e parë. Pas saj vjen Juventus me pak më pak të ardhura.

    Napoli, që është shumë pranë kualifikimit dhe ka nevojë vetëm për një fitore në tri ndeshjet e mbetura, pritet të arkëtojë rreth 38.9 milionë euro. Milan mund të përfitojë afërsisht 38.5 milionë euro, ndërsa një kualifikim i mundshëm i Como do të sillte rreth 34.9 milionë euro, një arritje e jashtëzakonshme për klubin.

    Ndërkohë, kampioni Inter tashmë ka siguruar përfitime të konsiderueshme: rreth 50 milionë euro nga pjesëmarrja në Champions dhe edhe 15.7 milionë euro shtesë nga fitimi i titullit.

    Me shumë në lojë, si në fushë ashtu edhe në financa, fundi i sezonit në Itali pritet të jetë dramatik deri në sekondën e fundit.

  • Koreja e Veriut heq nga kushtetuta synimin për ribashkim me Jugun

    Koreja e Veriut heq nga kushtetuta synimin për ribashkim me Jugun

    Koreja e Veriut ka hequr nga kushtetuta çdo referencë për ribashkimin me Korenë e Jugut, duke sinjalizuar një qëndrim më të ashpër ndaj Seulit. Sipas një dokumenti të parë nga AFP, klauzola për “ribashkimin e atdheut” është larguar në versionin e ri të miratuar në mars.

    Në vend të saj, kushtetuta thekson kufijtë shtetërorë dhe e cilëson Korenë e Jugut si “Republika e Koresë”, duke ndaluar çdo shkelje të territorit. Ky ndryshim vjen pas deklaratave të Kim Jong Unit, i cili e ka quajtur Jugun “shtet armik”.

    Ndërkohë, tensionet mbeten të larta, me Phenianin që vazhdon testet raketore dhe forcon lidhjet me Rusinë dhe Kinën, ndërsa Seuli kërkon dialog pa kushte, por pa përgjigje nga Veriu.

  • Një burrë në spital me hantavirus pas udhëtimit me anije turistike – njofton qeveria zvicerane

    Një burrë në spital me hantavirus pas udhëtimit me anije turistike – njofton qeveria zvicerane

    Një burrë në Zvicër ndodhet në spital me hantavirus, pasi qe kishte udhëtuar me anijen turistike MV Hondius, ka bërë të ditur qeveria Zvicerane.

    Sipas njoftimeve, burri u kthye në shtëpi nga udhëtimi prej Amerikës se Jugut “në fund të prillit” dhe u paraqit në Spitalin Universitar të Cyrihut pasi që shfaqu simptoma, raporton BBC.

    Qeveria thotë se ai u vendos menjëherë në izolim, duke shtuar se “aktualisht nuk ka rrezik për publikun”.

    Autoritetet po hetojnë nëse ai ka pasur kontakt me persona të tjerë gjatë kohës që ishte i sëmurë.

    Burri ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij gjatë udhëtimit, e cila nuk ka shfaqur ende simptoma, por gjithashtu është izoluar si masë paraprake

  • Spotify ka nisur një sistem të ri verifikimi për “artistët jo-AI”

    Spotify ka nisur një sistem të ri verifikimi për “artistët jo-AI”

    Spotify ka nisur një sistem të ri verifikimi për artistët jo-AI, me qëllim rritjen e autenticitetit dhe besimit në platformë.

    Artistët e verifikuar do të marrin një “Verified by Spotify” me një shenjë të gjelbër që do të shfaqet në profil dhe në kërkime.

    Për t’u kualifikuar, artistët duhet të kenë aktivitet të qëndrueshëm të dëgjuesve dhe angazhim të vazhdueshëm me publikun.

    Gjithashtu kërkohet një prezencë e qartë jashtë platformës, si koncerte dhe rrjete sociale të lidhura.

    Spotify ka bërë të ditur se artistët e krijuar nga inteligjenca artificiale nuk do të jenë të pranueshëm për këtë verifikim në këtë fazë.

    Paralelisht, platforma po shton një seksion të ri në profilet e artistëve që tregon karrierën, publikimet dhe aktivitetin e tyre artistik.

  • Gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara, Avokati i Popullit me letër Sekretarit të ShBA-së

    Gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara, Avokati i Popullit me letër Sekretarit të ShBA-së

    Avokati i Popullit i drejtohet me letër Sekretarit të ShBA-së dhe shteteve financuese lidhur me gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara të Kosovës

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, nëpërmjet së cilës ua ka përcjellë edhe raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe ka paraqitur shqetësimet e tij, të bazuara në gjetjet e këtij raporti.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.

    “Raporti u është dërguar Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës”.

    Tutje në njoftim thuhet se në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit.

    “Avokati i Popullit i ka informuar ata se Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar vazhdimisht përputhshmërinë me të drejtat themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), si dhe kushtet e të paraburgosurve. Ai thekson në letër se, si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka angazhuar organizatën BHRC për të kryer një vlerësim paraprak të pavarur, si rezultat i shqetësimeve të tij serioze dhe të vazhdueshme lidhur me respektimin e të drejtave themelore në kuadër të procedurave gjyqësore në DhSK”.

    Raporti në fjalë ka identifikuar shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e garancive themelore procedurale që u ofrohen të akuzuarve, e në veçanti, me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Këto parime përbëjnë garanci themelore në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtësisë penale ndërkombëtare.

    Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore.

  • Koncert festiv i Filharmonisë së Kosovës për Ditën e Evropës në Prishtinë

    Koncert festiv i Filharmonisë së Kosovës për Ditën e Evropës në Prishtinë

    Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, Filharmonia e Kosovës do të mbajë një koncert festiv më 8 maj, ora 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallati i Rinisë.

    Koncerti do të dirigjohet nga maestro Peter Valentoviq, ndërsa si solist do të paraqitet violonçelisti Victor Julien-Laferrière.

    Programi i mbrëmjes i kushtohet kompozitorit Antonín Dvořák. Publiku do të ndjekë Koncertin për violonçel dhe Simfoninë nr. 9 “Nga Bota e Re”, ndër veprat më të njohura të repertorit klasik.

    Ky aktivitet synon afrimin e publikut me muzikën klasike evropiane dhe shënimin e Ditës së Evropës përmes artit. Filharmonia e Kosovës fton publikun të marrë pjesë në këtë mbrëmje kulturore.

  • Tejkaluan në vijë të plotë, gjobiten me nga 200 euro dy shoferë, u merret edhe leja për tre muaj

    Tejkaluan në vijë të plotë, gjobiten me nga 200 euro dy shoferë, u merret edhe leja për tre muaj

    Policia e Kosovës ka gjobitur dy shoferë që tejkaluan në vijë të plotë, duke rrezikuar trafikun.

    Ata u dënuan me nga 200 euro, dy pikë negative dhe ndalim drejtimi për tre muaj.

    Njoftimi:

    Dy kundërvajtës janë gjobitur për tejkalim në vijë të plotë

    Mitrovicë e Jugut 06 maj 2026

    Njësia e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, ka lëshuar dy vendime për gjoba dhe masa mbrojtëse për dy shofer të automjeteve të cilët me veprimet e tyre duke bërë tejkalime në vijë të plotë kanë rrezikuar pjesëmarrësit tjerë në trafik.

    Ndaj dy kundërvajtësve janë marrë masat ligjore të parapara me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ku u janë shqiptuar gjobat prej dyqind (200) euro, dy (2) pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalimi i drejtimit me mjet motorik prej tre (3) muajve.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes dhe të respektojnë rregullat e trafikut rrugor.