ATV

Blog

  • Sot mësohet kampioni i Kosovës në basketbollin e femrave

    Sot mësohet kampioni i Kosovës në basketbollin e femrave

    Bashkimi dhe Prishtina sonte zhvillojnë ndeshjen e pestë finale në kuadër të Play-off-it me ç’rast fituesi i sotëm do të shpallet edhe kampion.

    Rezultati aktual në seri është 2:2. Bashkimi fitoi ndeshjen e parë më rezultat 92:76, për të barazuar Prishtina në lojën e kthimit serinë me shifrat 79:66. Prizrenaset fitoren e tretë e arritën me vetëm një pikë dallim, 70:69, ndërsa në lojën e katërt, vajzat e Prishtinës bindshëm ishin më të mira, duke e mbyllur ndeshjen me rezultat final 67:42.

    Prizrenaset duan trofeun e shtatë të titullit të kampionit, kurse prishtinaset të 12-tin në histori të klubit.

    Sfida do të zhvillohet në Therandë në Palestrën “13 Qershori” nga ora 20:00.

  • ​Shaqiri: Ndaj Kosovës do kem shumë emocione, por do jap maksimumin

    ​Shaqiri: Ndaj Kosovës do kem shumë emocione, por do jap maksimumin

    Xherdan Shaqiri ka folur për ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Në intervistën e dhënë për “The Guardian”, Shaqiri ka thënë se ballafaqimi me Kosovën do të jetë një moment krenarie, por që shprehet i bindur se do t’i bëhet një pritje e ngrohtë dhe se do të jetë moment shumë emocional, përcjellë KosovaPress.

    Ai shpreson se rikthimi i tij si futbollist në atë ndeshje kualifikuese do të jetë një përvojë krejtësisht më pozitive.

    “Unë luaj për Zvicrën. Por unë kam lindur në Kosovë dhe i dua të dy vendet. Unë do të jap 100% për Zvicrën. Me siguri do të jetë një moment krenarie. Do të shijoj çdo moment duke luajtur atje, sepse e gjithë familja ime do të vijë. Do të jetë emocionale për mua. Dhe jam i sigurt se do të kemi një pritje shumë të ngrohtë.”, tha Shaqiri.

    Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Zvicrë do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” më 9 shtator të këtij viti.

  • Selmanaj: Bashkëpunëtorët e Serbisë janë ‘qu në harpa’ bash si në kohën e Rankoviqit e të Titos

    Selmanaj: Bashkëpunëtorët e Serbisë janë ‘qu në harpa’ bash si në kohën e Rankoviqit e të Titos

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë se bashkëpunëtorët e Serbisë janë ‘qu në harpa’ bash si në kohën e Rankoviqit e të Titos, por, sipas tij, do të përfundojnë aty ku e kanë vendin në plehun e historisë.

    “‘Shumë e keqe kjo Serbi po shumë ma të kqi do shqiptar të zi që bojnë llaf e monafiki’ thotë kënga e Kamer Loshit! Historia nuk rishkruhet! Pikë”, ka shkruar Selmanaj në “Facebook”.

  • Haliti: S’jam zonja Meri, por nëse Vuçiqit i duket vetja i fuqishëm për luftë e shohim kush fiton

    Haliti: S’jam zonja Meri, por nëse Vuçiqit i duket vetja i fuqishëm për luftë e shohim kush fiton

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka komentuar deklaratën e fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ku tha se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

    Haliti në një prononcim për Blic thotë se palët do të kenë presion për t’i zbatuar të gjitha pikat.

    “Palët janë dakorduar për marrëveshje dhe kush nuk e zbaton marrëveshjen sipas asaj që është diskutuar në Ohër, do të ketë presion që ta zbatojë. Ndërsa, cilët nga pikat i sheh problematike për t’i zbatuar, unë nuk jam zonja Meri që ta di se çfarë ata mendojnë”, thotë Haliti.

    Haliti thotë se Vuçiq po përpiqet ta paraqes veten para opinionit të brendshëm që është nën presion.

    “Presidenti Vuçiq do të përpiqet të eskivojë duke e paraqit veten para opinionit të vet të brendshëm që është nën presion duke thënë se nuk pata çare pa e miratu, sepse kostoja për Serbinë është shumë e lartë”, thotë Haliti.

    Haliti theksoi se asnjëra palë nuk mund t’i ikë kësaj marrëveshjeje.

    “Ata janë zotuar për marrëveshje në prezencë të BE-së dhe SHBA-ve, asnjëra palë nuk mund t’i ikë kësaj çështjeje. Nëse Vuçiq e llogarit veten të fuqishëm për të filluar një luftë të re në Ballkan, atëherë do ta shohim se kush do të jetë fitimtari”, tha Haliti

    Kujtojmë se, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do ta zbatojë totalisht marrëveshjen e arritur së fundmi me Kosovën.

    Vuçiq i tha televizionit publik serb se disa pika nuk do të zbatohen nga ana e Serbisë. Deklaratën e tij e ka cituar Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, duke thënë se Perëndimi tani duhet t’i vë sanksione Serbisë.

    “Ne do t’i zbatojmë disa pjesë (të marrëveshjes), ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë se çka nuk do të zbatoj”, ka thënë Vuçiq.

    Vela tha se kjo është “një kontradiktë e qartë” me atë për të cilën ka pasur marrëveshje si dhe me qëndrimin e Bashkimit Europian.

    “Sanksionet duhet të pasojnë!”, ka shkruar Vela në Twitter.

  • Osmani: Serbia synon ta marrë Kosovën ashtu siç bëri Rusia me Krimenë

    Osmani: Serbia synon ta marrë Kosovën ashtu siç bëri Rusia me Krimenë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia po i përdor taktikat ruse për ta frikësuar Kosovën.

    Në një intervistë për “The Sun Online”, ajo ka thënë se një situatë e rrezikshme po krijohet në Ballkan.

    Sipas saj, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, është “thellësisht i lidhur” me Putinin, duke shtuar se Serbia synon ta marrë territorin e Kosovës, ashtu siç bëri Rusia me Krimenë.

    Ajo ka thënë se Serbia po armatos dhe po financon grupe paraushtarake. “Të gjitha këto tregojnë se është pikërisht i njëjti plan si ai i Putinit për Krimenë”, ka thënë ajo.

    Osmani i kërkoi Perëndimit të vazhdojë t’i mbështesë ata, duke paralajmëruar se konflikti në Ballkan do të destabilizojë më tej një Evropë tashmë të brishtë.

    Derisa ka folur për Planin Evropian, ajo ka thënë se janë absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje.

    Sipas saj, njohja reciproke është zgjidhja e vetme që mund të garantojë paqe dhe stabilitet afatgjatë.

    Ajo ka shtuar se partnerët evropianë duhet t’ia rikujtojnë vazhdimisht Serbisë se Kosova është e pavarur dhe e tillë do të mbetet gjithmonë.

  • ​Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë private

    ​Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë private

    Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë është duke e dhënë dëshminë e saj para trupit gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dëshmitarja është e mbrojtur dhe identiteti i saj nuk është i bërë i ditur për publikun, transmeton kp.

    Seanca ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka filluar me pyetjet e prokurorisë për dëshmitaren dhe të njëjtat kanë vijuar në seancë private.

    Tutje, dëshmitarja ka konfirmuar se është intervistuar nga prokuroria e kësaj gjykate edhe në dy raste të tjera në Prishtinë.

    Prokuroria ka paraqitur dokumentet me dëshmitë e saj por ato nuk janë transmetuar për publikun.

    Trupi gjykues ka bërë të ditur se dëshmia e dëshmitares së parë do të zgjasë katër ditë.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Haradinaj kujton heroin Agim Ramadani: Ishte ndër komandantët të shquar të UÇK-së

    Haradinaj kujton heroin Agim Ramadani: Ishte ndër komandantët të shquar të UÇK-së

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin Agim Ramadani, në 24-vjetorin e rënies, duke thënë se ai ishte njëri prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se rënia heroike e heoit Agim Ramadani dhe e luftëtarëve të tjerë ishte humbje e madhe për UÇK-në, porse po aq e madhe ishte vendosmëria për ta vazhduar rrugën drejt lirisë.

    “Sot, 24 vjet pas rënies heroike, me respekt të thellë e kujtojmë Agim Ramadanin – Komandant ‘Katana’, njërin prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.

    Poashtu, Haradinaj ka kujtuar edhe trimat e tjerë të UÇK-së që ishin të udhëhequr nga komandanti i tyre Agim Ramadani.

    “Kujtojmë sot trimat e UÇK-së, heronjtë e thyerjes së kufirit mes shqiptarëve, Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi, Rifat Çelaj, Arben Jusufi, Driton Veliu, Emri Curri, Harun Beka, Rifat Salihaj, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala, të udhëhequr nga Agim Ramadani, luftëtari, strategu e artisti që kishte kuptuar konceptin e lirisë në thellësinë e tij. Rënia e tyre heroike 24 vjet më parë ishte humbje e madhe për UÇK-në, por po aq e madhe ishte vendosmëria për ta vazhduar rrugën drejt lirisë. Lavdi e përjetshme Agim Ramadanit dhe gjithë dëshmorëve që u flijuan për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

  • ​Çeku: Nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale sportive në Kosovë

    ​Çeku: Nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale sportive në Kosovë

    Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka thënë se Kosova nuk do të tolerojë asnjë aktivitet ilegal sportiv brenda territorit të Kosovës.

    Së fundi, Policia e Kosovës ka ndaluar zhvillimin e garave ilegale në futboll në Veri të vendit që po organizoheshin jashtë garave që parasheh Federata e Futbollit të Kosovës.

    Pas kësaj, Federata e Futbollit në Serbi i është drejtuar UEFA-së me një letër ku ankohet për kinse pengim të zhvillimit të garave dhe intimidim të sportistëve nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Këtë letër, ministri Çeku e ka quajtur shtrembërim të realitetit, por edhe përdorim i gjuhës fyeze ndaj Kosovës.

    “Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut. Letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.”

    Ai ka shtuar se federatat sportive në Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje që klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë, por ato kanë vazhduar të mos e bëjnë këtë, andaj gara të tille, ilegale, Çeku ka thënë se nuk do të tolerohen.

    “Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat evropiane e botërore të sportit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës.”, ka shkruan i pari i MKRS-s në “Facebook”.

    Në lidhje me këto organizime të garave ilegale në Kosovë nga ana e Serbisë, javën e kaluar FFK i ka dërguar letër edhe UEFA-s dhe FIFA-s

  • “Ky popull të çmon veç nëse ke para dhe dashnore” – Milaim Zeka godet me deklaratën e tij

    “Ky popull të çmon veç nëse ke para dhe dashnore” – Milaim Zeka godet me deklaratën e tij

    Gazetari Milaim Zeka së bashku me gruan e tij Edlirën ishte i ftuar në emisionin LIBERO në ATV. Në këtë emision, Zeka ka thënë se populli këtu e çmon njeriun vetëm nëse ka para ose dashnore dhe sipas tij, nuk të çmon në bazë të vlerave që i ke.

    “Ky popull të çmon veç a ke para dhe dashnore. As nuk ia ndienë a ke qenë në burg, a ta kanë vra familjen, a ke ba diçka për këtë vend, a ke ba diçka për fëmijët e këtij vendi, dmth një popull që nuk të çmon në bazë të vlerave që i ke, por veç sa ke para, çfarë kerri po vozitë, a ke ndonjë dashnore, se këtu është marrë me i thanë ndokujt ‘nuk kam dashnore’”, tha Zeka.

    Ai ka thënë se është e vështirë me qenë i drejtë dhe i sinqertë.

    “Muhamedi dhe Jezu Krishti, janë njerëzit që turmat i kanë sharë më së shumti. Baba im i ndjerë me ka thënë ‘ke lind në vend të gabueshëm, por Zoti të ka çun ë një vend të drejtë, në Suediu. Vështirë është brenda familjes këtu me qenë, i drejtë, i sinqertë. Në jetën time që njihemi edhe privatisht, as nuk ke dëgju, asnjë njëri nuk më ka ulë përpara me thanë, pse bre ke folë për mua, diçka. Ua them njerëzve atë që e mendoj, të mirën ose të keqen. Jo që nuk i bëj keq dikuj, por unë nuk di as me mëndu keq”, tha Zeka. /atvlive.tv

  • ​Rukiqi: Thellimi i deficitit tregtar në vlera rekord, një tjetër dështim i kësaj qeverie

    ​Rukiqi: Thellimi i deficitit tregtar në vlera rekord, një tjetër dështim i kësaj qeverie

    Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) po konsiderohet problematik thellimi i deficitit tregtar përgjatë dy viteve nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Nga kjo parti thonë se tashmë edhe Serbia është shndërruar në partnerin kryesor tregtar të Kosovës, ndryshe nga sa ishte thënë nga Albin Kurti para se të vinte në pushtet kur kishte premtuar të kundërtën.

    Berat Rukiqi nga LDK shprehet se përkundër se kjo qeveri kishte premtuar rritje të prodhimeve vendore për t’i zëvendësuar produktet e importuara, ai thekson se në këto dy vite të kësaj udhëheqje nuk janë parë politika apo vendime në këtë drejtim.

    Sipas Rukiqit, gjatë kësaj kohe, deficiti tregtar është rritur për 2 miliardë euro.

    “Ne e shohim si problematike këtë thellimin e deficitit tregtar, Kosova ka pasur deficit tregtar por asnjëherë në nivelin që e kemi tani sidomos duke e ditur se kemi një qeveria që ka ardhur me premtime që do të fokusohet në rritje të prodhimit vendor në zëvendësim të importeve dhe politikave të cilët në funksion të zvogëlimit të deficit tregtar. Çka po shohim këto dy vite, po i shohim 2 miliardë më shumë deficit tregtar në një kohë kur sidomos ka në segmente të caktuara të qeverisë tendencë për të interpretuar shifra të rritjes së eksportit apo rritjes ekonomike që ne po i shohim se nuk kanë prodhuar ndonjë efekt në atë pasqyrën e gjerë ekonomike të vendit dhe për neve është shqetësuese, sidomos nëse vazhdimisht shohim mosveprime apo realisht shohim neglizhencë, pak vendime, pak politika ose më mirë me thënë hiç politika e mos të flasin për ndonjë reformë qoftë përmbajtjesore ekonomike”, tha ai.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi u shpreh se përkundër pritshmërive edhe në qeverisjen Kurti, Serbia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar më i madh në vend.

    Ai deklaroi se trendi i tremujorit të parë të importeve nga Serbia të lë të kuptosh se deri në fund të këtij vitit importet nga fqinji verior do të kalojnë shifrën e 400 milionë eurove.

    “Kemi pas premtime në raport në Serbinë në raport me politikat e trajtimit të raporteve me Serbinë jo vetëm ekonomike, por në përgjithësi këto dy vite shohim rritje të importeve, mbi 370 milionë euro importe nga Serbia në vitin 2022, trend qe ka vazhduar me rritje më të shpejtë edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Pra, edhe aty ku është premtuar diçka që ka qenë realisht politikë ose objektiv me të cilin kjo qeveri ka arritur në pushtet edhe aty nuk shohim asnjë ndryshim, shohim një trend qe sigurisht në fund tw këtij viti do të tejkalojë 400 milionë shumën e importeve nga Serbia. Pra, Serbia vazhdon të mbetet një ndër partnerët kryesor tregtar në kohë kur është menduar se do të ketë politika e veprime konkrete e reciproke e veprime të tjera që do të ndikonin në zbutjen e këtij hendeku deficitar që e kemi”, u shpreh Rukiqi.

    Rukiqi tregoi edhe disa nga politikat që duhet ndjekur ekzekutivi kosovar për të ulur deficitin tregtar.

    “Ne duhet të krijojmë klimë të uljes se barrierave, të nxitjes se projekteve zhvillimore në fusha të ndryshme, shembull mund të ishte pjesë e turizmit, një pjesë ku do të nxiste investime dhe kjo pastaj do të krijonte një cikël të zhvillimit të brendshëm ekonomik, pastaj do të duhej te kishte fokus në sektor të caktuar…. do të duhej të kishte më shumë fokus tek investitorët që tani janë duke shkuar nëpër vendet e rajonit e duke u zhvendosur nga vendet të cilat kanë rritje të kostove të shikojmë t’i sjellim këtu të shohin këtë potencialin të eksportit të shërbimeve të teknologjisë informative”, tha ai.

    Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka pasur kritika ndaj Qevrisë Kurti duke e quajtur të paaftë për të gjetur zgjidhje për krizat e njëpasnjëshme dhe që po vështirëson jetën e qytetarëve. /kp