ATV

Blog

  • Stano: Nëse nuk zbatohen pjesë të marrëveshjes, do të ketë pasoja të mëdha ndaj Serbisë

    Stano: Nëse nuk zbatohen pjesë të marrëveshjes, do të ketë pasoja të mëdha ndaj Serbisë

    Bashkimi Evropian është duke insistuar që Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja.

    Lidhur me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje është deklaruar të martën sërish, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ai është përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili është cituar nga mediat në Serbi, të ketë thënë se do t’i zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë.

    Sipas Stanos, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare.

    Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

  • (VIDEO) Momenti kur automjeti i Bernard Ndrecës shpërthen sapo ai hipën në të

    (VIDEO) Momenti kur automjeti i Bernard Ndrecës shpërthen sapo ai hipën në të

    Euronews Albania ka mundur të sigurojë pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë, kur automjeti tip ‘Audi’ i kreut të Rithemelimit në Vaun e Dejës, Benard Ndreca, hidhet në erë.

    Nga pamjet e siguruara, shihet Ndreca i cili hipën në automjet rreth orës 07:10 minuta dhe teksa ai nis lëvizjen me automjetin e tij, sasia e tritolit e vendosur në pjesën e përparme të makinës shpërthen.

    Shpërthimi është tepër i fuqishëm duke dëmtuar makinën në pjesën e motorit.

    Ndreca mundet të dalë nga automjeti duke i shpëtuar mrekullisht atentatit.

    Nga video shihet gjithashtu që pranë makinës ndodhej edhe një grua, e cila gjithashtu ka shpëtuar për mrekulli.

    Vetë Ndreca ka reaguar në lidhje me incidentin, duke thënë se nuk ka konflikte me njeri dhe se sulmi mund të ketë ardhur për shkak të angazhimit të tij politik.

    Kamerat e sigurisë kanë kapur edhe momentin kur dy autorët e maskuar kanë vendosur tritolin në pjesën e përparme të makinës nga krahu i shoferit.

    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon mbledhjen e provave që mund të bëjnë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.

     

  • Kurti konfirmon adresën e re të Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar

    Kurti konfirmon adresën e re të Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka konfirmuar se Ambasada e Kosovës në Mbretëri të Bashkuar do të zhvendoset në Hyde Park.

    Ai ka shkruar në Twitter se Kosova është e interesuar të forcojë lidhjet me Mbretërinë e Bashkuar.

    “I emocionuar të ndaj që ambasada Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar ka një adresë të re dhe së shpejti do të zhvendoset në Hyde Park në një shtëpi që i përkiste komedianit të ndjerë Spike Milligan. Ne jemi të nderuar nga historia kulturore që mban lokacioni dhe synojmë të forcojmë më tej lidhjet tona”, ka shkruar Kurti.

  • 12 fëmijë u braktisën në  vitin 2022 nga prindërit e tyre, Qendra për Punë Sociale thotë se janë lënë edhe në kontejnerë

    12 fëmijë u braktisën në vitin 2022 nga prindërit e tyre, Qendra për Punë Sociale thotë se janë lënë edhe në kontejnerë

    Të dhënat numerike për fëmijët e braktisur 2000-2022, sipas raportimeve nga Qendrat për Punë Sociale komunale të vendit, të siguruara nga “LIBERO”, tregojnë se 12 fëmijë janë braktisur nga prindërit e tyre në vitin 2022, ndërkohë në vitin 2000 menjëherë pas luftës janë braktisur 67 fëmijë.

    Fenomeni i braktisjes së fëmijëve konsiderohet si një ndër fenomenet shoqërore i cili gjen hapësirë edhe te shoqëria kosovare.

    Për  të diskutuar për këtë çështje, të hënën në emisionin “LIBERO” ishin të ftuar: Remzije Krasniqi – Drejtoreshë për Avokim në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, Vebi Mujku – Drejtor i Qendrës për Punë Sociale dhe Fata Rexhepi Mehmeti – Koordinatore e Psikologëve në organizatën për fëmijët pa përkujdesje prindërore (OFAP).

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, tha se ka pasur raste kur fëmijët janë lënë edhe pranë kontejnerëve.

    “…Kemi pasur raste kur fëmijët janë lënë pranë kontejnerëve, në vendet ku është rrezikuar jeta e fëmijës…”, potencoi Mujku.

    Për fëmijët e braktisur një rëndësi tepër të madhe e kanë edhe familjet strehuese, të cilat ofrojnë mbështetje për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve, e  në lidhje me këtë çështje, Rexhepi Mehmeti theksoi se komunat prijëse në këtë aspekt janë Gjakova dhe Ferizaji

    “…Aktualisht komunat që kanë më së shumti familje strehuese janë Gjakova dhe Ferizaji. Familjet strehuese janë të përgatitura që do të ofrojnë kujdes përkohësisht për këta fëmijë derisa t’iu zgjidhet statusi…”, tha ajo.

    Derisa drejtoresha e SOS fshatrave të fëmijëve, potencoi se në SOS pothuajse shumica e fëmijëve kanë ardhur nga familjet biologjike, por që janë privuar nga kujdesi prindëror për arsye të ndryshme.

    “… Për arsye të ndryshme nëse prindërve nuk ju ka kthyer zotësia e veprimit si prind, fëmijët mbajnë kontakte me familjarët biologjikë…”, deklaroi Krasniqi.

    Vlen të theksohet se në emisionin “LIBERO” në një lidhje direkte është kyçur Fatmire Hoti Musliu – nënë e cila ka strehuar 4 fëmijë të braktisur.

    “…Jam familje strehuese prej vitit 2017 dhe deri tani kam pasur 4 fëmijë të braktisur. Për momentin e kam një fëmijë, do të përkujdesem për të derisa t’i zgjidhet statusi…E kam përkrahjen e të gjithëve (të burrit dhe të familjes)…”, u shpreh ajo.

    Kujtojmë se sigurimin e përgjegjësisë së prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të mirë të fëmijës, e garanton edhe Ligji i Kuvendit të Republikës së Kosovës, për Mbrojtjen e Fëmijës, neni 1, pika 1.3.

    Sipas Ligjit në Kosovë për mbrojtjen e fëmijës, neni 27, pika 4 “Fëmija nuk mund të ndahet nga prindërit, kujdestari i tij kundër dëshirës dhe vullnetit. Përveç se në rastet kur kjo ndarje është në interesin më të mirë të fëmijës, nëse fëmija është në rrezik, nëse ndarja është e pashmangshme apo nëse kjo ndarje kërkohet nga ligji ose nga një vendim i formës së prerë”

    Për ta shikuar emisionin  e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • OKB: Rreth 9 mijë civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    OKB: Rreth 9 mijë civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    Rreth 8,500 civilë janë vrarë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Zyrtarisht, OKB-ja ka verifikuar 8,490 viktima dhe 14,244 të plagosur që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022 dhe këtë muaj.

    Sipas OKB-së, shifrat janë vetëm maja e ajsbergut” për shkak të aksesit të kufizuar në zonat e betejës, veçanërisht në lindje dhe jug.

    Shumica e viktimave u regjistruan në territorin e kontrolluar nga qeveria ukrainase dhe nën sulmin e forcave ruse, duke përfshirë 3,927 në rajonet Donetsk dhe Luhansk.

    Rusia nga ana tjetër mohon të ketë shënjestruar civilët ose të ketë kryer mizori.

  • Lista Serbe kërkon urgjentisht tërheqjen e Njësive Speciale të Policisë nga veriu

    Lista Serbe kërkon urgjentisht tërheqjen e Njësive Speciale të Policisë nga veriu

    Lista Serbe përmes një reagimi, nuk ka hezituar të shtyjë përpara propagandën e saj nxitëse e përçarëse për të arritur qëllimet e saj për nxitje të tensioneve në veri.

    Në reagim, Lista Serbe ka dënuar siç e kanë quajtuar atë “tentativës për vrasjen e serbit Milan Jovanoviq nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës”.

    Ata kanë fajësuar Policinë se po ushtrojnë terror ndaj popullatës serbe në veri, ndërsa kanë kërkuar që urgjentisht Njësia Speciale të largohet nga veriu i Kosovës, pasi sipas tyre atje janë ilegalisht.

    “Forcat speciale të Kurtit që janë ilegalisht të pranishme në veri të Kosovës dhe Metohisë kanë derdhur edhe një herë gjak serb dhe kanë tentuar të vrasin bashkëqytetarin tonë Milan Jovanoviq nga Zveçani në urën e Bistricës”, thotë Lista Serbe në reagimin e saj.

    Rreagimi i plotë:

    Lista serbe dënon ashpër tentativën për vrasjen e serbit Milan Jovanoviq nga forcat speciale të Kurtit në Urën e Bistricës, në rrugën Kosovska Mitrovicë – Leposaviq dhe kërkon tërheqjen urgjente të të gjitha njësive speciale që janë të pranishme ilegalisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe ngacmimi i vazhdueshëm i popullit serb në këtë zonë, ndëshkimi i përgjegjësve për tentativën e vrasjes së Milan Jovanoviqit por edhe Miljan Deleviqit dhe publikimi i videove të bëra nga kamerat në urën e Bistricës për të dyja ngjarjet e përmendura.

    Forcat speciale të Kurtit që janë ilegalisht të pranishme në veri të Kosovës dhe Metohisë kanë derdhur edhe një herë gjak serb dhe kanë tentuar të vrasin bashkëqytetarin tonë Milan Jovanoviq nga Zveçani në urën e Bistricës.

    Kjo pikë famëkeqe, ilegale e forcave speciale shqiptare është shndërruar në simbol të represionit të regjimit të Albin Kurtit mbi serbët, mbi të cilin u tentua për të dytën herë vrasja e një serbi.

    Zemërimi i mëtejshëm i qytetarëve provokon konstatimin se përgjegjësit për sulmet ndaj serbëve fshihen nga autoritetet më të larta në Prishtinë dhe ministri në krye të Sveçlës, i cili padyshim i mbështet veprimet ilegale të këtyre njësive.

    U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të dënojnë egërsinë e këtyre njësive parapolicore që po shtypin qytetarët e thjeshtë dhe të kërkojnë tërheqjen e tyre nga veriu i Kosovës dhe Metohisë, për të rivendosur paqen në këtë zonë dhe për të parandaluar rrezikimin e jetës por edhe të paqes dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.

  • Krasniqi: Agim Ramadani dha shembullin se si duhet të mbrohet atdheu

    Krasniqi: Agim Ramadani dha shembullin se si duhet të mbrohet atdheu

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në 24-vjetorin e rënies e ka kujtuar komandantin Agim Ramadani, për të cilin tha se ka dhënë shembullin e veçantë se si duhet të mbrohet atdheu.

    Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se heroi, Agim Ramadani, jeton në zemrat e secilit shqiptar atdhedashës.

    “24 vjet nga rënia heroike e Agim Ramadanit – komandant ‘Katanës’. Duke i prirë një prej betejave më të rëndësishme të luftës çlirimtare, asaj për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, Agimi u flijua edhe vet që ai kufi të mos mbyllet më. Përmes jetës dhe veprës, si poet e patriot, Agimi dha shembullin e veçantë se si duhet dhe mbrohet atdheu. Sot, përmes vargjeve dhe luftës së tij, ai jeton në zemrat e secilit shqiptar atdhedashës. Lavdi të gjithë dëshmorëve të betejës së Koshares, bashkëluftëtarëve të Agimit, që për asnjë moment nuk u stepën në rrugën e shenjtë të lirisë!”, ka shkruar Krasniqi.

  • KQZ pritet të miratojë listën me qendrat e votimit për zgjedhjet në veri

    KQZ pritet të miratojë listën me qendrat e votimit për zgjedhjet në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e radhës pritet të miratojë listën me qendra të votimit të cilat do të hapen për zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

    “Sa i përket çështjes së qendrave të votimit në mbledhjen e radhës KQZ do të miratojë listën me qendra të votimit të cilat do të hapën në këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.

    Elezi ka folur pasi ka dështuar të mbahet mbledhja e KQZ-së e cila ishte paraparë për sot.

    Sipas tij, KQZ ka shtyrë për në mbledhjen e radhës diskutimet dhe vendimmarrjen për qendrat e votimit që do të hapen në zgjedhjet e 23 prillit në katër komuna të veriut të Kosovës.

    Ai ka thënë se në mbledhjen e paraparë të zhvillohet sot, në rend dite ishte edhe njoftimi lidhur me vlerësimin e rrezikut për qendrat e votimit në këto komuna.

    “Në momentet e fundit derisa po diskutohej në Këshillin për operacione zgjedhore ku po trajtoheshin shumë prej çështjeve të cilat priteshin të dilnin sot në rendin e ditës, anëtarët e KQZ-së konsideruan se do duhet më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës që kanë qenë të planifikuara për sot, për mbledhjen e KQZ-së. Mbledhja e paraparë të zhvillohet sot në ora 11:00 është shtyrë për ditën e nesërme, ndërkaq për orën do të ju njoftojmë nesër”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, transmeton kp.

    Megjithatë, sipas Elezit ky institucion është duke i zhvilluar të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.

    “Sa i përket përgatitjeve që është duke i zhvilluar KQZ-ja, në fillim të këtij procesi zgjedhor diku rreth muajit mars, KQZ-ja ka miratuar planin operacional dhe të gjitha afatet e aktiviteteve zgjedhore, megjithatë KQZ është duke zhvilluar përgatitjet në kuadër të këtyre planifikimeve. Natyrisht kemi parasysh edhe sfidat të cilat e shoqërojnë këtë proces zgjedhor dhe si institucion jemi të përkushtuar për të përmbushur detyrat tona kushtetuese dhe ligjore me qëllim të organizimit të këtij procesi zgjedhor…Planifikimet, përgatitjet janë duke u bërë në bazë të dinamikës që është paraparë me planin operacional të miratuar nga ana e KQZ-së”, tha Elezi.

    Zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit do të mbahen më 23 prill.

  • ​Çmimet e perimeve vazhdojnë te mbesin të larta, ankohen qytetarët

    ​Çmimet e perimeve vazhdojnë te mbesin të larta, ankohen qytetarët

    Çmimet e perimeve vazhdojnë të jenë të larta në tregjet e Kosovës. Derisa qytetarët ankohen për një gjë të tillë, janë tregtarët që arsyetojnë çmimet e produkteve që shesin. Ata thonë se për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të tjera, detyrohen të rrisin edhe çmimin e produkteve në treg.

    Të papërballueshme këto çmime mbesin për qytetarët, të cilët detyrohen të blejnë çdo ditë gjëra ushqimore, derisa theksojnë se me koston e çmimeve që paguajnë sot për shumë pak produkte, para disa vitesh kanë blerë shumë gjëra.

    Ndonëse mundohen të arsyetojnë tregtarët, banorët e kryeqytetit i konsiderojnë të tejet të larta çmimet e pemëve dhe të perimeve, sikurse edhe shumë produkte tjera në vend.

    Kryefamiljari, Afrim Namani, frekuentues i Tregut të Gjelbër në Prishtinë, thotë se jetesa me gjashtë anëtarë të familjes, në kushtet aktuale, nuk është aspak e lehtë.

    “As një çmim këtu në treg nuk është i përballueshëm për ne, nuk ka rregullsi këtu fare shumë me keqardhje, çmimet janë të larta, 25 cent më kushtoj dy fije e qepës, e kemi jetesën shumë të rendë nuk jetohet këtu… Është një jetë shumë e pistë me një rrogë shumë të vogël dhe uroj që të përmirësohet ndonjë gjë sepse nuk ka asgjë në rregull… Unë nuk kam asnjë të ardhur një asistencë të vogël e kam pasur dhe atë ma kanë ndaluar sepse e kanë vendosur ta shfuqizojnë atë ligj dhe për momentin gjendem pa punë me gjashtë anëtarë të familjes”, thotë Namani.

    I të njëjtit mendim ishte edhe qytetari, Musli Xhemajli, i cili thotë se këto produkte në përditshmëri janë të nevojshme por çmimet e tyre nuk janë aspak të përballueshme.

    “Çmimet aktuale në treg janë të pa përballueshme dhe shihet se në çfarë gjendje jemi ne në Kosovë sidomos në treg që tashmë është përditshmëri se të ishte që të blejmë më rrallë në treg si shembull rrobat do të ishte ndryshe por gjërat e tregut janë të përditshme, tani që bleva 3 tranguj në treg më kushtuan 1.20 cent, ndërsa domatet tani po kushtojnë 2 euro, qepët e reja diku afër 20 euro, kurse 1.50 cent është domatja, për punëtorët që paguhen këtu në Kosovë dhe kalojnë me pagë prej 200,300 euro është shumë e pa arsyeshme këto çmime”, thotë ai.

    Se çmimet janë të larta thotë edhe një qytetare tjetër nga Prishtina. Ajo thotë se në të kaluarën produktet i blinte më lirë.

    “Këto çmime nuk janë të përballueshme për qytetarë aspak, për neve pensionerëve nuk është e lehtë, 10 euro më kushtuan disa produkte te vogla që i mora në treg, kurse disa kohë më parë kemi mundur me i marrë me lirë këto që i mora sot do t’i merrja me 5 euro ose 6 euro, kurse tani një kilogram djathë është 5,6 euro. Tani që e mora, një kilogram molla, ku më erdhën 4 molla, më kushtoi 1 euro, pra për ne si qytetarë është shumë çmimi i shtrenjtë, por nuk kemi zgjidhje tjetër sepse nuk mund të rrimë pa ngrënë, dhe na duhen me i ble këto produkte gati çdo ditë”, tha ajo.

    Por ndryshe mendon Bekim Hajdini. Sipas tij, çmimet në treg janë të arsyeshme dhe nuk të përballueshme.

    “Çmimet e tregut se janë të arsyeshme, por për disa familje dhe nuk janë të arsyeshme, por këto janë mesataret…Familjet të cilat janë më mesatare nuk mund që ta përballojnë por çmimet nuk janë aq keq”, theksoi ai.

    E që çmimet janë të larta pohojnë edhe tregtarët.

    Sipas Rrahim Govorit, i cili punon në Tregun e Gjelbër, çmimet janë të larta edhe për vetë tregtarët.

    “Këto çmime janë ‘astronomike’, me të ardhurat që kanë qytetarët e Kosovës, asnjë familje s’mund t’i përballojë, një kilogram patate është bërë 0.80 centë, specat 2.50 euro deri në 4 euro, çmimet janë të larta. Unë vetë si pensionist, por edhe punoj në një lami timen këtu në treg, unë dhe e kam të vështirë me këto çmime, e lëre më disa qytetarë që jetojnë vetëm me pensione me 100 euro, duhet të paguaj rrymën, ushqimin, tatimin. Tani tatimi është rritur shumë, unë që kam paguar deri më tani 70 euro për vit, tani e kam 148 euro kur e pashë u habita shumë”, thotë ai.

    Nga ajo që ka parë ekipi i KosovaPress-it në teren, 1 kilogram domate kushton 1 euro e 70 centë, 1 kg qepë 1 euro e 50 centë, 1 kg spinaq nga 1 euro deri në 1 euro e 50 centë dhe speci djegës 2 euro e 50 centë. Po ashtu, kilogrami i trangujve kushton 1 euro e 50 centë.

    Rënie e çmimit është vërejtur tek bananet dhe dredhëzat. Derisa ditë më parë bananet shiteshin për rreth 2 euro për 1 kilogramë, çmimi i tyre ka rënë në 1.50 euro. Ndërsa një kilogramë dredhëza tash kushton 1.30 euro, ndërkohë që me herët kjo sasi tregtohej për 2 euro. /kp

  • “90% e meshkujve mendojnë se seksi është dashuri, për mua është gjimnastikë në mëngjes”

    “90% e meshkujve mendojnë se seksi është dashuri, për mua është gjimnastikë në mëngjes”

    Gazetari Milaim Zeka, në emisionin LIBERO në ATV, ka thënë se dashuria dhe seksi nuk kanë të bëjnë asgjë njëra me tjetrën.

    Ai tha se, për të, dashuria është hyjnore, ndërsa seksi sikur gjimnastika e mëngjesit n’Kinë.

    “Për mua, seksi s’ka fare të bëjë me dashuri. Njeriu i do fëmijët e vet, i do prindërit e vet, pastaj dashuria ndaj ushqimit, ndaj njerëzve. Këtë vetëm ballkanasit e përziejnë. Në Ballkan, 90 për qind e meshkujve, seksin e quajnë dashuri, ndërsa është e kundërta. Unë mendoj që dashuria është hyjnore, është krejt diçka tjetër. Unë besoj fuqishëm në dashuri, seksin e quaj sikur gjimnastika e mëngjesit n’Kinë”, tha Zeka. /atvlive.tv