ATV

Blog

  • Greqi, zgjedhje parlamentare më 21 maj

    Greqi, zgjedhje parlamentare më 21 maj

    Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Greqi ka filluar zyrtarisht të shtunën, me shpërndarjen e parlamentit që ishte zgjedhur në korrik të 2019-ës.

    Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u takua me presidenten Katerina Sakellaropoulou për të propozuar shpërbërjen e parlamentit, që është pranuar nga presidentja.

    Mitsotakis tha se meqë kanë mbetur më pak se tre muaj deri në përfundimin mandatit katërvjeçar të ligjvënësve, votimi muajin tjetër nuk konsiderohet si zgjedhje e parakohshme.

    Pas takimit me presidenten, Mitsotakis bëri një adresim televiziv gjatë të cilit përmendi të arriturat e qeverisë së tij dhe sfidat që e presin vendin.

    Fushatat zgjedhore në Greqi veçse kishin filluar jozyrtarisht, derisa ato pauzuan për disa ditë në javën e Krishtlindjeve Ortodokse.

    Votimi në zgjedhjet e reja do të bëhet sipas një sistemi të ri të përfaqësimit proporcional në Parlamentin grek me 300 ulëse, që vështirëson gjasat që ndonjë parti të sigurojë shumicën në rundin e parë të votimit.

    Rundi i balotazhit pritet që të mbahet në muajin korrik.

    Qeveria e udhëhequr nga Mitsotakis së fundmi është përballur me presion të shtuar, pas aksidentit tragjik me trena më 28 shkurt, ku vdiqën 57 persona dhe u lënduan 85 të tjerë.

    Pas këtij aksidenti tragjik dha dorëheqje ministri i transportit, ndërsa ra dukshëm popullariteti i partisë së qendrës së djathtë të Mitsotakis, “Demokracia e Re”, megjithëse në sondazhe ajo renditet para partisë majtiste “Siriza” të ish-kryeministrit, Alexis Tsipras.

    Qeverisja e Mitsotakis gjithashtu është përballur me probleme si inflacioni i lartë dhe çmimet e ushqimeve, një skandal përgjimi dhe çështje të tjera. /atvlive.tv

  • Bujqve pritet t’iu shtohet një “barrë” shtesë

    Bujqve pritet t’iu shtohet një “barrë” shtesë

    Bujqve do t’iu duhet të paguajnë taksë për tokën që e punojnë.

    Në Kuvendin e Kosovës pritet të trajtohet shumë shpejt projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, me anë të të cilit pritet të rregullohet kjo çështje.

    Ky ligj do t’i obligojë të gjithë qytetarët që e punojnë tokën, në vlerë mbi 50 mijë euro, të paguajnë tatim prej 0.10 deri në 1 për qind.

    “Ideja ka qenë në atë kuptim që çdo pronë me pasë edhe vlerën e vet dhe në të njëjtën kohë prona si pronë të trajtohet me ligje që aplikohen…”, tha deputeti i VV-së, Visar Korenica.

    Por kjo po kundërshtohet nga opozita, e cila thotë se do të jetë një barrë shtesë për bujqit.

    “Ligji është pa analizë dhe do t’i ngarkojë përsëri kategori të caktuara, me ç’rast, në njërën anë, Qeveria pretendon që duhet t’i subvencionojë bujqit,
    prodhimin vendor dhe, në anën tjetër, i ngarkon pikërisht këtë kategori”, tha anëtari i Komisionit për Buxhet, Ferat Shala.

    Taksë do të paguajnë edhe pronarët të cilët nuk e punojnë tokën. Pagesa për këtë kategori, prej 0.15 deri në 1 për qind, do të vazhdojë të mbetet e njëjtë edhe me projektligjin e ri. /atvlive.tv

  • Ekonomistët s’e shohin si zgjidhje ligjin për vendosjen e çmimit tavan

    Ekonomistët s’e shohin si zgjidhje ligjin për vendosjen e çmimit tavan

    Çmimi i furnizimit nga importi për vaj ushqimor ka rënë në 1.05 euro për litër.

    Rënie ka pësuar edhe gruri për 24 centë kilogrami.

    Por qytetarët po vazhdojnë të paguajnë këto produkte me çmime më të larta.

    Ekzekutivi po thotë se nuk kanë çfarë të bëjnë në këta aspekt pasi që Ligji që sipas tyre do ta rregullonte këtë çështje është dërguar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.

    Megjithatë ekonomistët vlerësojnë se Ligji për vendosjen e çmimit tavan nuk përbën zgjidhje.

    “Duhet të gjenden alternativa për monitorim se sa të tentohet me këto ligje siç është ky ligji tavan, është eksperiment I rrezikshëm duhet të shtohet inspektimi të tregut duhet të ketë kampanja vetëdijesuese, tha njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu”.

    Madje sipas Gërxhaliut, duhet të ketë rritje të prodhimit vendor dhe rritje të eksportit.

    “Në vitin 2022 kemi rekord ku kemi mbi 5 miliard import… duhet të kemi rritje të eksportit dhe prodhimit… por çmimi tavan nuk është garantues i uljeve të çmimit”, tha Gërxhaliu.

    Ndërkohë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se ka rritje të eksportit për 22 për qind rritje krahasuar me vitin 2021.

    “Bilanci tregtar fal rritjes së eksporteve, ne kemi pasur një bilanc tregtar 1 me 10, ndërsa tani duke iu falënderuar rritjes së prodhimit vendor, rritjes së eksportit kemi zvogëluar bilancin tregtar, dhe tani e kemi 1 me 6. Pra po eksportojmë 1 po marrim afër 6, dhe kjo është falë rritjes së kapacitetit të prodhimit vendor, por edhe zëvendësimit të produkteve të importit me prodhimin vendor”, tha ministrja e MINT, Rozeta Hajdari.

    Ndërkaq sipas Agjencisë së statistikave Brenda kësaj jave, 5 kilogramë miell janë shitur rreth 3 euro e 43 centë. Çmimi mesatar për 30 copë vezë ishte nga 3 euro e 59 deri në 3 euro e 93 centë e vaji nga 1 euro e 80 centë deri në 1 euro e 85. /atvlive.tv

  • Gjithçka gati për zgjedhjet e nesërme

    Gjithçka gati për zgjedhjet e nesërme

    Të gjitha përgatitjet janë bërë.

    Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat Veriore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe se është gati për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

    Andaj shpresojnë që i gjithë procesi të shkojë i qetë dhe i lirë.

    Në këtë mbledhje u zëvendësuan edhe komisionarët e nominuar nga partia politike, Partia Kosovskih Srba (PDK), të cilët njoftuan se nuk do të dalin në ditën e zgjedhjeve në vendvotime.

    Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Në garë për zgjedhjet e së dielës janë gjithsej 10 kandidatë për kryetar komune. /atvlive.tv

  • Puna “e dobët” e legjislativit/ Vendi ka pranuar Raportin e Progresit tash e 5 muaj, por ende nuk është debatuar për të

    Puna “e dobët” e legjislativit/ Vendi ka pranuar Raportin e Progresit tash e 5 muaj, por ende nuk është debatuar për të

    Kanë kaluar më shumë se 5 muaj prej kur vendi ka pranuar nga Komisioni Evropian, Raportin për Progresin e vendit.

    Por që atëherë, nuk është arritur asnjëherë të diskutohet për të në Kuvend.

    “Imagjino, ne marrim edhe pak muaj Raportin e Progresit për vitin që lamë, e ne s’kemi arritur që të diskutojmë ende për atë të vitit 2021. Ju mund ta imagjinoni në çfarë gjendje është kjo mazhorancë, kur një raport që është dashur të diskutohet para 5 muajve, ende e kemi në agjendën parlamentare”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri

    Të pakuptimtë tashmë diskutimin për këtë raport e konsideron edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Nuk e di sa ka mbet legjitim. është interesant me u debatua në seanca menjëherë pas publikimit, ku secili e analizon secilin veprim, apo dikaster dhe cilat janë arritjet e ngecjet. Ky është edhe qëllimi i raporti të progresit”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

    Sikur ky raport kanë mbetur edhe dhjetëra projektligje pa u debatuar e pa u miratuar në seanca të Kuvendit.

    Në tremujorin e parë të këtij viti, sipas monitoruesve të Kuvendit, puna e legjislativit ishte më e dobët krahasuar me vitin e kaluar.

    “Numri i projektligjeve që janë miratuar është diku 15, derisa në procedurë janë 16, duke e krahasuar me numrin e vitit të kaluar dhe aktivitetin që ka treguar, ne mund të pohojmë që puna e Kuvendit ka rënë ndjeshëm”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Në seanca të Kuvendit vazhdojnë ende të jenë në rend dite pika të papërfunduara nga seancat e kaluara, madje edhe të seancave nga viti i kaluar.

    Pikërisht kjo është përmendur edhe në Raportin e Progresit ku ka pasur kritika për punën e Kuvendit, duke theksuar vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje. /atvlive.tv

  • Qendra e shëndetit mendor në Prishtinë, pa objekt adekuat

    Qendra e shëndetit mendor në Prishtinë, pa objekt adekuat

    Në këtë hapësirë e larg familjeve, i kalojnë ditët rreth 1 mijë e 800 pacientë me probleme mendore.

    Qendra e Shëndetit mendor, e vetmja në kryeqytet, përpos që ka pak metra katrorë dhe nuk i plotëson nevojat e pacientëve, ballafaqohet edhe me mungesë stafi.

    “Hapësirat janë shumë të vogla për t’i mbuluar këta 1 mijë e 800 pacientë, për shkak se e kemi vetëm një dhomë për qëndrim ditor, nuk mjafton për të organizuar aktivitete të ndryshe, të cilat janë pjesë e rehabilitimit. P.sh. nuk kemi hapësira ku kishim mundur ta bëjmë një terapi të punës. Kemi mungesë edhe të infermierëve”, tha Sami Rexhepi, drejtor dhe neuropsikiatër në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë.

    Rexhepi shtoi se viteve të fundit është rritur numri i pacientëve, megjithatë, pavarësisht sfidave të gjitha shërbimet që pacientët i marrin janë pa pagesë.

    “Është institucion publik, ne kemi edhe terapi edhe ato janë pa pagesë”, tha Rexhepi.

    Qendra e shëndetit mendor është institucion rajonal, i cili përveç Prishtinës, përfshin edhe Podujevën, Obiliqin, Drenasin, Lipjanin e Fushë-Kosovën. /atvlive.tv

  • Pa pjesëmarrjen e serbëve, konsiderohet se zgjedhjet nuk prodhojnë legjitimitet

    Pa pjesëmarrjen e serbëve, konsiderohet se zgjedhjet nuk prodhojnë legjitimitet

    Qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës, të dielën kanë mundësi të zgjedhin kryetarët e tyre.

    Që nga konfirmimi i datës së zgjedhjeve, tema më e diskutuar ka qenë dalja e votuesve.

    Presidentja Vjosa Osmani, ftoi qytetarët të dalin në zgjedhje, pavarësisht kërcënimeve.

    “Shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, tha Osmani.

    Temë tjetër e diskutuar është nëse popullata lokale bojkoton zgjedhjet a kanë ato legjitimitet.

    Krstic, i cili jeton dhe vepron në pjesën veriore të Republikës, nuk beson se mund të ketë përshkallëzim të situatës, megjithatë nuk e përjashton mundësinë e incidenteve të izoluara.

    Ndërkohë, ambasadori amerikan Jeffry Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

    Në një intervistë për ATV-në, edhe ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport tha se është shumë e rëndësishme të shmanget çfarëdo incidenti i dhunshëm dhe të mos ketë përpjekje për të prishur procesin demokratik zgjedhor. /atvlive.tv

  • FSK me aeroport e tre pilotë, por pa helikopterë

    FSK me aeroport e tre pilotë, por pa helikopterë

    Që nga viti 2019, Forca e Sigurisë së Kosovës e ka në dispozicion Aeroportin e Gjakovës, derisa ndër vite i ka shkolluar edhe 3 pilotë.

    Megjithatë, në aeroportin ushtarak i cili u funksionalizua muajin e kaluar e që poashtu, iu shtuan edhe disa hektarë tokë, ende nuk ka ateruar asnjë helikopter i ushtrisë së Kosovës.

    “Aktualisht FSK nuk posedon helikopter. Por, FSK e ka në strukturë njësinë e helikopterëve, e cila në planin e zhvillimit afatgjatë, parashihet që të funksionalizohet”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Pikërisht funksionalizimi i kësaj njësie, nga ekspertë të fushës po konsiderohet shumë i nevojshëm.

    “Kjo njësi do t’i kontribuonte ministrisë së punëve të brendshme, FKS-së por edhe spitalit të QKUK-së. Pra mungesa po I atakon tre sektorë”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

    “Për fat të mirë FSK po punon në drejtim të themelimit të kësaj njësie. Kur dihet që kemi edhe oficerë të gatshëm, tha Avdni ISLAMI, Dr. i shkencave të sigurisë.

    Por, çfarë helikopterë vlerësohet se i duhen Kosovës?

    “FSK-së i duhen minimalisht tre helikopterë të karakterit transportues, dhe një tjetër që transporton 3 persona për raste”, tha Drizan Shala.

    Aeroporti që gjendet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Gjakovës, ka një sistem të vetëm piste me një rrugë paralele për taksim, të gjatë 1.799 metra dhe 30 metra e gjerë. /atvlive.tv

  • Sveçla fton qytetarët të dalin në zgjedhje: Të marrin përgjigjen e merituar grupet e udhëhequra nga Vuçiq

    Sveçla fton qytetarët të dalin në zgjedhje: Të marrin përgjigjen e merituar grupet e udhëhequra nga Vuçiq

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se qytetarët e komunitetit serb ende vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

    Pasi të dielën mbahen zgjedhjet në 4 komunat veriore, Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim, me ç’rast ka deklaruar se në këtë mënyrë presidenti Vuçiq, do e marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët.

    “Qytetarët tanë të komunitetit serb vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presion nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta. Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Andaj, Sveçla ka shkruar se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb.

    “Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”, thuhet tutje në postimin e Sveçlës.

    Më 23 prill mbahen zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqi.

  • KQZ-ja zëvendëson komisionerët e partisë së Jabllanoviqit të tërhequr nga gara

    KQZ-ja zëvendëson komisionerët e partisë së Jabllanoviqit të tërhequr nga gara

    KQZ-ja zëvendëson komisionerët e partisë së Jabllanoviqit të tërhequr nga gara
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të zëvendësuar komisionerët e nominuar nga partia politike, Partia Kosovskih Srba (PDK), të cilët kanë njoftuar këtë institucion se nuk do të dalin në ditën e zgjedhjeve në vendvotime.

    Njoftimi i tyre ka ardhur pas tërheqjes së kreut të kësaj partie, Aleksandër Jabllanoviq nga kandidimi i tij për kryetar të komunës së Leposaviqit.

    Zëvendësimi i tyre do të bëhet me staf lokal nga administrata e Agjencionit për Regjistrim Civil.