ATV

Blog

  • Kurti krenohet me lirinë e medias në Kosovë: Në dy vjet rangimi u përmirësua për 22 vende

    Kurti krenohet me lirinë e medias në Kosovë: Në dy vjet rangimi u përmirësua për 22 vende

    Në Ditën Botërore të Mediave, kryeministri Albin Kurti, duke shpërndarë një statistikë të Reporterëve pa Kufij, është krenuar me lirinë e medias në Kosovë.

    Ai tha se Kosova është përmirësuar për 22 vende në këtë rangim të Reporterëve pa Kufij, duke shtuar se një shtyp i lirë është shtyllë e demokracisë në vend.

    “Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne jemi krenarë të njoftojmë se sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende në 2 vjet për mjedisin e saj gazetaresk. Një shtyp i lirë dhe i pavarur do të mbetet gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe e vendit tonë”.

  • Babai që mbledh kanaçe nëpër rrugë për ta mbajtur familjen, jeton në kushte të mjerueshme

    Babai që mbledh kanaçe nëpër rrugë për ta mbajtur familjen, jeton në kushte të mjerueshme

    Trishtimi dhe varfëria kanë zënë vend që moti nën çatinë e të ashtuquajturës shtëpi, në të cilën jeton familja katër anëtarëshe Tahiri.

    Ata kanë vite që jetojnë me qira në një shtëpi të vjetër, derisa kryefamiljari Blerim Tahiri, në një rrëfim për ATV-në, thotë se mbijetojnë vetëm nga mbledhja e kanaçeve.

    “Vallahin boll me menzi pasha Zotin. Kah po mundem, ndonjëherë naj hekër, ndonjëherë kojshia nga pak po na ndihmojnë, po jeta shumë e vështirë. Fëmijet nuk të pyesin, ata po lypin. Nuk marr as social as pension, asgjë nuk marr unë, veç vet çka të mundem kështu. Më së shumti me hekra, lemenka dal mbledhi rrugëve nëpër kontejnerë kur të gjej”, rrëfen kryefamiljari Blerim Tahiri. /atvlive.tv

  • A kemi media të lira në Kosovë? – Ja çka thonë qytetarët

    A kemi media të lira në Kosovë? – Ja çka thonë qytetarët

    Sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një reagimi, ka shprehur shqetësimin në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve.

    AGK-ja ka kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të trajtojë me seriozitetin më të madh rastet e mbrojtjes së gazetarëve nga dhuna, e cila sipas tyre, vjen si rezultat i ushtrimit të aktivitetit raportues të çështjeve të cilat përbëjnë interes publik.

    Por jo njëjtë mendojnë edhe qytetarët lidhur me lirinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre.

    Ekipi i ATV-vë mori disa përgjigje të qytetarëve në Sheshin e Prishtinës, shumica e të cilëve u shprehen se në Kosovë mediat janë të lira.

    “Kemi media të lira në Kosovë, më të lira nuk ke askund se mediat tona”, thotë një qytetar.

    “Ka media të lira, si nuk ka të lira. Kosova e lirë është. Deri më tash mediat kanë raportuar lirshëm, nuk ka ndikim politika. Tutje nuk e di”, thotë një tjetër qytetar. /atvlive.tv

  • ​Trajneri i Dritës: S’po mendojmë për Ballkanin, së pari kemi Llapin

    ​Trajneri i Dritës: S’po mendojmë për Ballkanin, së pari kemi Llapin

    Java e 32-të në Superligë sjell ndeshjen e së enjtes, ku në stadiumin “Zahr Pajaziti” do të ballafaqohet lideri i tabelës, Drita, me Llapin.

    Për këtë takim, trajneri i Dritës Akis Valvis tha se edhe pse të gjithë e mendojnë ndeshjen me Ballkanin, fokusi duhet të jetë te ndeshja e radhës ndaj Llapit.

    “Kam biseduar me futbollistët dhe ju kam thënë se duhet të jenë të fokusuar te ndeshja e nesërme, Janë të fokusuar, kemi diskutuar shumë dhe duhet të jenë të koncentruar në ndeshjen e radhës, pavarësisht që opinionet nga jashtë njerëzit mendojnë për ndeshjen direkte me Ballkanin. Por, ne realisht kemi biseduar dhe janë shumë të koncentruar te ndeshja e nesërme me Llapin. Në përgjithësi shkoi mirë duhet të jemi të kënaqur, por tani kemi shumë pak kohë për t’u koncentruar dhe bëhemi gati mentalisht e fizikisht dhe deri më tani kemi analizuar shumë. Motivi te çdo lojtarë dhe tifozët janë në nivel shumë të lartë, shumë të lumtur t’i fitojmë ndeshjet edhe për ata. Kam ardhur për të bërë më të mirën dhe nëse këtë vit është shumë vonë për ndryshime do te mund ta shohim në edicionin tjetër”, ka thënë Valvalis.

    Ndërsa, i rikthyer nga lëndimi Marko Simonovski ka thënë se ndihet mirë dhe është shans i madh të jap kontributin e tij në fund.

    “Është shumë e rëndësishme se po ndihem shumë mirë tani. Është shans shumë i madh që tani çdo instruksion prej trajnerit ta kthejmë në produktivitet. Është normale të kemi presion për të punuar më shumë, sidomos kur ke kaq shumë tifozë që të përkrahin dhe kërkojnë më të mirën për klubin. Në çdo ndeshje ne po përgatitemi për të marrë më të mirën dhe ju them se ashtu do veprojmë” theksoi Simonovski.

  • ​Kuvendi miraton dy projektligje

    ​Kuvendi miraton dy projektligje

    Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për investime të qëndrueshme dhe Projektligjin për parqet industriale dhe teknologjike.

    Për këto projektligjeve votuan 61 deputetë, kurse deputetët opozitarë kritikuan përmbajtjen e këtyre projektligjeve.

    Në anën tjetër, Kuvendi nuk miratoi raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi deputetët e mazhorancën abstenuan, njofton kp.

    Pas diskutimeve të këtyre pikave, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:30, ku pritet të shqyrtohen pika të tjera të cilat janë në rend të ditës.

  • Beograd, arrestohet babai i sulmuesit 14-vjeç – shkuan bashkë në poligon qitjeje

    Beograd, arrestohet babai i sulmuesit 14-vjeç – shkuan bashkë në poligon qitjeje

    Është arrestuar edhe babai i djalit që vrau tetë nxënës dhe rojën e një shkolle në Beograd.

    Siç shkruan Telegrafi.rs, 14-vjeçari kishte shkuar bashkë me të atin në poligon të qitjes, teksa ishte vetë ai i cili e ka mësuar të përdorte armë.

    Babai, siç u njoftua në konferencën e jashtëzakonshme për media, tha se kishte disa armë, dhe se ato ishin të mbyllura në një kasafortë me kod, transmeton Klankosova.tv.

    “Sipas informacioneve jozyrtare, ai ka shkuar në poligone së bashku me të atin, ka stërvitur për qitje. A duhet të përfshihet në këtë një fëmijë 12, 13 vjeç? Masat e parapara me ligj do të merren ndaj babait të tij”, tha ministri i Brendshëm serb Bratislav Gashiq.

    Kujtojmë se mëngjesin e sotëm në një shkollë në Beograd, një nxënës 14-vjeç vrau tetë nxënës dhe rojën e shkollës, ndërsa plagosi edhe gjashtë të tjerë, ku njëri nga nxënësit e plagosur është në gjendje të rëndë.

  • ​MSh hap konkurs për 350 specializantë, prioritet do të kenë anesteziologët

    ​MSh hap konkurs për 350 specializantë, prioritet do të kenë anesteziologët

    350 specializantë të rinj parashihet të pranohen në konkursin e ri për specializantë të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq prioritet do të kenë specializantët për lëmin e anesteziologjisë.

    Ky proces i shkollimit specialistik do të bëhet bazuar me Udhëzimin e Ri Administrativ për shkollim specialistik, i cili është miratuar para një muaji.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia garantoi sot cilësi dhe vijueshmëri në këtë konkurs specialistik, derisa tha se kjo cilësi do të sigurohet me mekanizmat që janë paraparë në Udhëzimin e Ri Administrativ.

    Vitia theksoi se bazuar në këtë udhëzim çdo vit do të hapen konkurse për shkollim specialistik.

    Ai njoftoi se krahas anesteziologëve janë edhe lëmia e mjekëve emergjentë dhe neonatologët.

    “Ne tani garantojmë një cilësi përveç të tjerash ne garantojnë edhe vijueshmëri, vazhdimisht në bazë të këtyre kritereve që u përmendën në bazë të projeksioneve të mungesës potenciale të lëmive të specialistëve në lëmi të caktuara në të ardhmen çdo vit do të ketë specializime bazuar në këto kritere….350 specializantë në total por me këtë mënyrë do të sigurohet që të gjithë ata që mbarojnë shkollimin specialistik do ta bëjnë këtë sipas standardeve të reja të vendosura tanimë në gjithë Evropës dhe se cilësia e shkollimit specialistik do të sigurohet me mekanizmat e paraparë shumë qartë në udhëzimin e ri administrativ. Të gjithë specializantët do të pranohet në kuadër të institucioneve publike shëndetësore, do të financohet nga institucionet përkatëse sipas kërkesave të tyre drejtuar MSh për nevoja për staf profesional…Më së shumti numër për konkurs në shkollim specialistik janë të adresuar, por ato lëmi deficitare të evidentuara në bashkëpunim me institucionet shëndetësore e natyrisht kur flasim për anesteziologë nuk kemi fare dhe e dimë secili për mungesën e tyre kështu që numri më i madh në këtë konkurs do të jetë për anesteziologë“, tha Vitia.

    Vitia u shpreh se ky konkurs do të mbështetet në tri kritere bazë e që janë ai për kuadro deficitare, kualitetet mentoriale dhe infrastrukturore.

    “Numri i specializimeve do të mbështetet në tri kritere bazë dhe shumë të rëndësishme, kuadri deficitar jemi dëshmitar që edhe sot po përballemi me kuadër deficitar për shkak të mungesave të tilla të analizave, kapaciteteve mentoriale, ku do të sigurojë një shkollim specialistik efikas dhe cilësor për të gjithë specializantët dhe natyrisht kapacitetet infrastrukturore po aq të rëndësishme për cilësinë e shkollimit specialistik. Në kuadër të kësaj Bordi për Shkollim Specialistik ka arritur të hartojë edhe ditarin e specializantit diçka e paraparë edhe më herët, por që fatkeqësisht nuk ka gjetur zbatim, por që me udhëzimin e ri administrativ janë ngritur mekanizmat e nevojshëm për të monitoruar por edhe zbatuar atë….Ka përpiluar edhe databazën apo modulin elektronik dhe këto metoda do të shërbejnë për monitorimin e punës të specializantit gjatë gjithë shkollimit”, u shpreh ai.

    Kryesuesi i Bordit të Shkollimit Specialistik, Edmond Haliti u shpreh se me këtë konkurs synohet të përmbushen nevojat e institucioneve shëndetësore përmes një konkursi të denjë.

    “Një konkurs që po synojmë që kësaj here të bëhet me standarde të reja e të larta me standarde që janë kompatibile me ato të Unionit Evropian dhe ftoj të gjithë mjekët e përgjithshëm, mjekët stomatologë, farmacistët dhe psikologët klinik që ta gjen vetën brenda këtij konkursi brenda nevojave të institucioneve për t’iu një konkursi besoj unë të denjët dhe fer dhe me suksese. Ajo çka jemi munduar të bëjmë është një planifikim objektiv, duke mësuar nga gabimet e të kaluarës, duke parë dhe gjatë këtyre dy viteve mangësitë në Bordin Specialistik që sistemi jonë i shkollimit specialistik i ka…Ne jemi munduar të përmbushim këto nevoja me këtë konkurs që mbulon pak a shumë nevojat kryesore të kujdesit primar shëndetësor si thelbi që mbulon pjesën më të madhe të shërbimeve shëndetësore dhe nevojat e kujdeseve sekondare dhe terciare”, theksoi ai.

    Haliti njoftoi po ashtu se nuk do të ketë specializime me vetë-financim, ndërsa në kriterin aktual nuk është paraparë kriteri për përvojë profesionale 1 vjeccare.

    “Nuk do të ketë specializime me vetë-financim….nuk ka më kategori me vetëfinancim të paktën me kushtet që kemi por ne kemi evidentuar këto dy vite pune se kjo gjë më tepër ka krijuar probleme dhe ka krijuar kaosin e madh.. Përvoja e punës parashihet 1 vit , nënkuptohet punë profesionale, por për konkursin aktuale kjo megjithatë nuk vlen”, theksoi ai.

    Në vitin 2020 ishin pranuar rreth 1 mijë e 500 specializantë pas një konkursi që kishte hapur ministria e Shëndetësisë, nën udhëheqjen e ish ministrit, Armend Zemaj. Kritikat rreth këtij procesi ishin të mëdha. Madje, edhe vetë specializantët disa herë edhe kishin protestuar./kp

  • MSh-ja hap konkurs për 350 specializantë, shumica prej tyre pritet të jenë anesteziologë

    MSh-ja hap konkurs për 350 specializantë, shumica prej tyre pritet të jenë anesteziologë

    350 specializantë parashihet të pranohen në konkursin e fundi të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq prioritet do të kenë specializantët për lëmin e anesteziologjisë. Ky proces do të bëhet bazuar me Udhëzimin e Ri Administrativ për shkollim specialistik i cili është miratuar para një muaji, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast, ministri i këtij dikasteri, Arben Vitia, tha se Udhëzimi Administrativ për specialistë përbëhet nga tri kritere bazë, teksa premtoi që çdo vit do të ketë specializime bazuar me këto kritere.

    “Jam i lumtur që sot gjendem në këtë konferencë e cila ka një rëndësie të jashtëzakonshme për kuadrit tona të reja në shëndetësi. Udhëzimi i ri do t’i eliminoj mungesat e hasura më herët. Numri i specializimeve do të mbështet në tri kritere bazë. Duke marr parasysh numrin e madh të specializantëve herën e kaluar, kanë bërë që më disa klinika të kemi një mbingarkesë. Duke marr gjitha këto parasysh ne tani garantojmë një cilësi dhe garantojmë një vijueshmëri. Çdo vit do të ketë specializime bazuar me këto kritere. Kemi marr rekomandime që të kemi 350 specializant në total. Rritja e pagave për profesionistë shëndetësor, ndryshimet e legjislacioneve, ky ndryshim administrativ janë vetëm disa veprime që kjo qeveri ka bërë dhe do të bëjmë për të ngritur cilësinë. Numri me i madh në këtë rast është për anesteziologët”, tha ai.

    E kryesuesi i Bordit për Specializime, Edmond Haliti, tha se ky konkurs do të jetë me standarde të larta që janë të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian.

    Ai po ashtu tha se më nuk do të ketë specializime me vetë financim.

    “Me standarde të reja e të larta, ftoj të gjithë mjekët që ta gjejnë vetën brenda këtij konkursi. Ajo çka jemi munduar që të bëjmë është duke evidentuar gabimet e më hershme. Mendoj se do t’i arsyetoj. Jemi munduar që të mbulojmë nevojat që kanë institucionet. Nevojat janë të mëdha por nuk duhet që t’i shkelim rregullat, mendoj që kemi arritur një zgjedhje optimale. Nuk do të ketë më specializime me vetëfinancim”, tha ai.

  • Rama ngushëllon popullin serb për tragjedinë në një shkollë në Beograd

    Rama ngushëllon popullin serb për tragjedinë në një shkollë në Beograd

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngushëlluar familjet e viktimave dhe popullin serb për ngjarjen e sotme në një shkollë në Beograd ku mbeten të vrarë nëntë persona.

    Rama tha se është e trishtueshme të dëgjosh për të shtënat e sotme, teksa të plagosurve iu uroi shërim të shpejtë.

    “Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjet e viktimave, si dhe për popullin dhe autoritetet serbe”, shkroi Rama.

    Kujtojmë se në mëngjesin e sotëm, një 14-vjeç vrau tetë nxënës në një shkollë në Beograd e po ashtu edhe rojën e sigurisë, ndërsa plagosi edhe disa nxënës të tjerë, ku njëri prej tyre vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.

    Lexoni edhe:

    Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

  • Arrestohet sulmuesi 38-vjeçar i cili vrau pesë persona në Teksas

    Arrestohet sulmuesi 38-vjeçar i cili vrau pesë persona në Teksas

    Një burrë i akuzuar për vrasjen e pesë fqinjëve të tij në Teksas, është arrestuar pasi policia e gjeti atë duke u fshehur në një dollap, nën një grumbull rrobash.

    Francisco Oropesa, një 38-vjeçar meksikan, u gjet në veri të Hjustonit, disa kilometra larg shtëpisë së tij në qytezën e Klivlendit, ku kishin ndodhur të shtënat.

    Oropesa akuzohet për vrasjen e fqinjëve pasi ata i kishin kërkuar atij të ndalë qitjet me armë në oborrin e tij, pasi zhurma e armës po zgjonte një foshnje.

    Ndër viktimat e vrasjes masive, që ishte e 173-ta vetëm këtë vit në Shtetet e Bashkuara, ishte edhe një fëmijë nëntëvjeçar.

    Të gjitha viktimat ishin nga Hondurasi, dhe ishin të moshave 31, 28, 21, 18 dhe 9-vjeçe.
    Në kërkimin katër-ditor për Oropesan, u përfshinë zyrtarët e zbatimit të ligjit të shumë juridiksioneve, përfshirë edhe FBI-ja.