ATV

Blog

  • Rreziku nga shtylla elektrike në qendër të kryeqytetit

    Rreziku nga shtylla elektrike në qendër të kryeqytetit

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Një shtyllë elektrike në rrugën “Sylejman Vokshi”, në qendër të Prishtinës, është kthyer në rrezik serioz për banorët. Sipas tyre, ka një kohë të gjatë që mbahet nga disa kabllo dhe mund të bjerë mbi qytetarët, të cilët lëvizin në atë pjesë. Ndërkohë, KEDS-i ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të intervenojë për rregullimin e saj.

    Gjithë çfarë po e mban këtë shtyllë të vjetër elektrike janë këto kabllo. Në fakt do të duhej të ishte e kundërta.

    “Qytetarët të cilët frekuentojnë rrugën ‘Sylejman Vokshi’ këtu në kryeqytet ankohen për vjetrimin e shtyllës elektrike, e cila sipas tyre mund edhe të rrëzohet.”

    Si pasojë e gjendjes jostabile të shtyllës, qytetarët kalimin në këtë zonë e bëjnë me shumë kujdes.

    “Te them realitetin, ne e frekuentojmë çdo ditë këtë rrugë, pe shihni vetë gjendjen qysh është, nuk po e dimë kush po e sheh të arsyeshme ta lë në këtë pozicion shtyllën”.

    “Po ndihemi të rrezikuar se kjo shtyllë është e drurit, mundet me ra në tokë, me pasë probleme, kishte qenë mirë me marr masa ma shpejt me rregullu”.

    Më të rrezikuarit janë fëmijët.

    “Është shqetësuese se këtu kalojnë fëmijët që shkojnë në shkollë, kalojnë edhe banorët. Çdo moment kemi frikë që mundet me ra edhe dikush me pësu prej saj”.

    Për këtë është në dijeni edhe KEDS-i, i cili premton se do të intervenojë për evitimin e rrezikut.

    “Ekipet e KEDS-it në terren tashmë janë në dijeni për këtë. Gjatë javës do të dalin në vend për të vlerësuar gjendjen e shtyllës elektrike. Varësisht prej vlerësimit, KEDS-i do të veprojë me qëllim të eliminimit të çfarëdo rreziku të mundshëm që mund të vijë nga ajo shtyllë”.

    Ndryshe, kjo shtyllë sipas banorëve ka së paku 8 vjet që është në këtë gjendje, por deri më tani ata thonë se interesimi për probleme të tilla në këtë lagje, ishte i vogël.

  • Pesë autoambulanca të QKMF-së në Drenas, jashtë funksionit

    Pesë autoambulanca të QKMF-së në Drenas, jashtë funksionit

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI   

    Pesë autoambulanca të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Drenas janë jashtë funksionit, për shkak të disa defekteve. Në marrëveshjen e komunës me operatorin e ri ekonomik, nuk është paraparë rregullimi i tyre. Kjo QKMF tani funksionon me vetëm dy autoambulanca për rreth 60 mijë banorë sa llogaritet se ka kjo komunë.

    “Për shkak të disa defekteve këto pesë autoambulanca prapa meje kanë mbetur jashtë funksionit, e kjo për shkak që operatorit që merret me rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre i ka skaduar afati i kontratës”.

    Aktualisht funksionale e kanë vetëm një, por as ajo sipas punëtorëve nuk i plotëson kushtet për bartje të pacientëve.

    Për këtë problem, drejtori Ismet Bogiqi fajëson komunën, pasi që, sipas tij, e gjithë puna ka ngecur te procedurat e tenderimit të një operatori të ri ekonomik.

    “Procesi është në procedurë të prokurimit, ka qenë më herët. Mjetet janë ndarë po diçka nuk ka rrjedhë mirë, njëherë u shpall e prapë u rishpall, se dikush u anku prej operatorëve. Kontrata ende nuk është bërë. Mjetet janë, po tash për tash e kemi marrë edhe një autoambulancë e po presim veç me i regjistrua”.

    Por në komunën e Drenasit, thonë të kundërtën. Sipas tyre, rregullimi i autoambulancave nuk u bë për shkak se nuk ishte paraparë në kushtet e tenderimit.

    “Autoambulancat kanë qenë tri në funksion deri para dy javëve. Ambulancat e tjera janë në defekt në motor, rregullimi i tyre nga operatori ekonomik nuk ka qenë i mundur, sepse defektet nuk kanë qenë në paramasë të tenderit. Gjithashtu, kemi premtim nga Ministria e Shëndetësisë edhe për një autoambulancë”.

    Nga komuna kanë bërë të ditur për ATV-në se tashmë e kanë blerë një autoambulancë të re, e cila është në procedurë të regjistrimit dhe e cila ka kushtuar 58 mijë euro.

     

     

     

     

  • Serbët në veri duan paqe dhe qetësi

    Serbët në veri duan paqe dhe qetësi

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    Qytetarët nga komuniteti serb në Mitrovicë të veriut shprehen të lodhur nga kërcënimet se situata në veri mund të eskalojë. Ata thonë se duan të jetojnë të qetë dhe palët në dialog të arrijnë marrëveshje paqësore.

    Edhe nga këshilli i shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut kërkojnë më shumë siguri pas deklarimeve të fundit rreth rrezikut për tensione.

    Edhe ata nga komuniteti serb thonë se duan paqe dhe të jetojnë të lirë, e liderët e të dyja vendeve të gjejnë zgjidhje paqësore.

    “Duhet një takim serbët edhe shqiptarët që jetojnë në Kosovë, tjetër jo, as Amerika, as Evropa e as Rusia, as askush, serbët dhe shqiptarët, unë mendoj luftë nuk është mirë”.

    “Nuk jam politikan, punoj për familjen time, më e mira do të ishte që njerëzit të arrinin marrëveshje e të bisedonin dhe si për ne, edhe për ju të bëhet diçka, pa luftë e pa dhunë, kjo do të ishte më e mira.”

    “Jemi mësuar me frikë e tensione, por çfarë të them, nuk do të ishte mirë që të ndodhin përsëri.”

    Por edhe shqiptarët, nuk është se ndihen fortë të sigurt, duke marrë parasysh edhe faktin se për një eskalim të mundshëm të gjendjes atje, u dha paralajmërim edhe nga ndërkombëtarët. Andaj nga këshilli i shqiptarëve në veri, për çdo lloj tensioni, i mbajnë përgjegjës vetë ndërkombëtarët.

    “Deklaratat e tij të bëjnë me u shqetësu, sepse këta vetë po duan me nxitë një konflikt shqiptaro-serb, me vetë faktin se zgjedhjet kur u mbajtën nuk pati asnjë incident, sepse ke bashkësia ndërkombëtare dhe NATO-ja që i bëri Serbisë presion dhe kaluan zgjedhjet siç është më së miri”.

    Megjithatë, sipas gazetarit serb që vepron në Mitrovicë të veriut, Branislav Krstic, situata në veri është duke u monitoruar, andaj edhe nuk ka vend për panik.

    “Brukseli zyrtar dhe administrata amerikane janë duke e monitoruar situatën dhe jam shumë i sigurt se as Kurti e as Vucic nuk duan ta humbin kredibilitetin me provoku incidente serioze në veri. Nuk ka nevojë që asnjë qytetar të frikësohet edhe sipas informatave që i kemi nga terreni, do të kalojmë edhe këtë pjesë pa incidente serioze”.

    Pas vendimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të veturave, lista serbe paralajmëroi rezistencë, nëse një gjë e tillë ndodh. Se situata në veri mund të eskalojë, e tha ditë më parë edhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borell, pasi palët në dialog përsëri nuk gjetën pajtim.

  • Kërkesa e Enver Dugollit për Masakrën e Dubravës, jashtë juridiksionit të Gjykatës Speciale

    Kërkesa e Enver Dugollit për Masakrën e Dubravës, jashtë juridiksionit të Gjykatës Speciale

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Me hetimet për masakrën në burgun e Dubravës është duke u marrë Prokuroria Speciale e Kosovës, ajo me seli në Hagë, ndaj së cilës deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëri nga të mbijetuarit e masakrës, Enver Dugolli, ka kërkuar të iniciojë hetime.

    Por, sipas juristëve, ajo nuk do të mundë të veprojë. Avokatët e akredituar të Speciales thonë se juridiksioni i Dhomave të Specializuara është raporti i ish-senatorit Dick Marty.

    Avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thotë se kërkesa e Dugollit është e vonuar.

    Juristët thonë se raporti i Dick Marty-t është në juridiksion i ZPS-së.

    “Kërkesa është legjitime, do të gjente më shumë zbatim nëse më herët institucionet e Kosovës ishin marrë dhe do të ishte bërë presion për zgjerimin e fushëveprimtarisë e mandatit të Speciales. Rregullohet me ligj, i cili shumë lehtë mund të interpretohet, por edhe të zgjerohet. ZPS-ja i heton vetëm krimet e pretenduara të ndërlidhura me raportin e Dick Martit”, ka thënë Hodaj.

    “Juridiksioni lëndor i Dhomave të Specializuara dhe ZPS-ja mbështetet në raportin e Dick Martit, i cili në pjesën dërrmuese merret me krimet e kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, por aty flitet edhe për krimet që janë kryer nga forcat serbe“, shtoi avokati Artan Qerkini.

     Megjithatë, sipas Qerkinit, do të varet nga ZPS-ja se si do ta interpretojë raportin e Dick Marty, në të cilin përmenden edhe krimet e pretenduara të kryera nga forcat serbe.

    “Në raport me pjesëtarët e UÇK-së raporti i d.m. është interpretuar në mënyrë të zgjeruar. Po të kishte interpretim të zgjeruar, edhe me forcat serbe mund të gjendej baza juridike që ZPS-ja të merret edhe me krimet tjera të luftës, të kryera nga forcat serbe”, tha Qerkini.

    ZPS-ja nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës nëse do të trajtohet kërkesa e Dugollit, i cili të shtunën e kaluar nga holli i Kuvendit tha se prokurorisë i dorëzoi edhe prova.

    Ndërkohë, masakrën në burgun e Dubravës është duke e hetuar edhe Prokuroria Speciale në Prishtinë.

  • KEK-u u gjobit 3.2 milionë euro për tetë shkelje rregullash e legjislacioni

    KEK-u u gjobit 3.2 milionë euro për tetë shkelje rregullash e legjislacioni

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Zyra e Rregullatorit për Energji konstatoi tetë shkelje rregullash dhe legjislacioni nga KEK-u, në raportin që arsyeton gjobën në vlerë 3.2 milionë euro.

    Dokumenti konfirmon raportimin e ATV-së se KEK-u tregtoi me kompaninë sllovene HSE, e cila nuk është e licencuar në Kosovë.

    Po ashtu, raporti konstaton se KEK-u mori energji nga marrëveshja me KESH-in edhe kur s’kishte nevojë dhe e shiti atë në tregun e lirë.

    Vitin e kaluar ATV-ja kishte raportuar për kontratat në vlerë milionëshe të KEK-ut dhe KESCO-s për blerje të energjisë nga HSE-ja, me mjetet nga subvencioni i Qeverisë.

    Vetëm në periudhën dhjetor 2021-janar 2022, KEK-u kishte nënshkruar 22 kontrata për blerjen e energjisë nga HSE-ja, në vlerë të përgjithshme 2.4 milionë euro.

    Raporti përfshin raste të shitjes së energjisë nga KEK-u në drejtim të HSE-së.

    Në monitorimin e saj, ZRRE-ja ka gjetur se KEK-u kishte marrë energji elektrike nga marrëveshja për shkëmbim dhe depozitim me Shqipërinë, edhe kur nuk ka pasur nevoja të brendshme, dhe e ka shitur atë në tregun e lirë.

    Veprim ky që përbën shkelje të marrëveshjes KEK-KESH.

    Raporti konstaton se gjatë tregtimit, KEK-u ka përzgjedhur oferta fituese në kundërshtim me procedurat e tregtimit, duke mos pasur kriter çmimin më të favorshëm, por sasinë e energjisë.

    Po ashtu, në kundërshtim me procedurat e tregtimit të energjisë, KEK-u në disa raste, pavarësisht ofertave valide, ka përsëritur procesin e shitjes së energjisë.

    ZRRE-ja konstaton se KEK-u, gjenerimi dhe furnizimi, kanë nënshkruar marrëveshje të brendshme në kundërshtim me Ligjin për Energjinë, në kontestin e  obligimeve të licencës si Furnizues i Mundësisë së Fundit – për të furnizuar përkohësisht ndërmarrjen Ferronikeli.

  • Distria Krasniqi mbetet pa medalje në Kampionatin Botëror të Xhudos, mposhtet nga Giuffrida

    Distria Krasniqi mbetet pa medalje në Kampionatin Botëror të Xhudos, mposhtet nga Giuffrida

    Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka mbetur pa medalje nga Kampionati Botëror i Xhudos, pasi u mposht në garën për medalje të bronztë nga garuesja italiane, Odette Giuffrida.

    Ëndrra për medalja të artë iu shua Krasniqit në gjysmëfinale kur u mposht nga 22-vjeçarja, Uta Abe, teksa as në luftën për të bronztën nuk arriti ta tregojë veten.

    Gara për medalje të bronztë ishte e gjatë dhe shumë e mundimshme, ku u deshën më shumë se 12 minuta për të dalë fituesi, nëpërmjet Golden Score.

    Distria arriti një herë ta gjuante në tatami, me një lëvizje që fillimisht u konsiderua si Uchimata, por gjyqtari pas rishikimit vendosi vetëm për një shido për italianen.

    Pas 12 minutave përballje, një gabim i Krasniqit i kushtoi me pikë, pasi kundërshtarja e shfrytëzoi mirë dhe fitoi me rezultat të përgjithshëm 1:0.

    Kështu Distria mbetet pa medalje në Kampionatin Botëror të Xhudos që po mbahet në Doha të Katarit, teksa është gara e vetme e madhe në të cilën asnjëherë nuk ka triumfuar si e artë.

  • Policia e Dogana arrestojnë një person të dyshuar

    Policia e Dogana arrestojnë një person të dyshuar

    Policia e Kosovës, respektivisht njësitë nga Policia Kufitare, Njësia K9 dhe Njësia Antikontrabandë nga Dogana e Kosovës në kuadër të implementimit të planit të përbashkët operacional ” EU4FOCAL-ACTION DAYS” pas kryerjes së procedurave për regjistrimin e personit L.H (1987) nga Prishtina në automjetin e tij me targa vendore, është selektuar për kontrollë në vijën e dytë.

    Pas selektimit për kontroll më të detajuar, gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit të lartcekur është gjetur substancë narkotike e llojit Kokainë, po ashtu është kryer kontrolli trupor i të dyshuarit me ç‘rast i është gjetur në trup një sasi e vogël e substancës së njëjte të cilat pas peshimit së bashku kanë rezultuar gjithsej 101.82 gram.

    Lidhur me rastin është njoftuar njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prizren dhe Forenzikës të cilët pasi kanë dal në vendin e ngjarjes, me ç’rast nga i dyshuari janë sekuestruar si prova materiale dëshmitë si në vijim:

    – Një (1) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 101 gram,

    – Një (1) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 0.82 gram,

    – Një (1) telefon mobil,

    – Vetura me targa vendore.

    Pas njoftimit të prokurorit të shtetit janë pranuar udhëzime që të bëhet bastisje tek shtëpia e të dyshuarit

    me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë :
    – Tri (3) peshore digjitale,
    – Tri (3) pako me foli.

    Me aktvendim mbi ndalim të lëshuar nga prokurori kujdestar i dyshuar është ndaluar për 48 ore, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

  • Kryetari i Kuvendit të Austrisë në Qeveri, pritet në takim nga Kurti

    Kryetari i Kuvendit të Austrisë në Qeveri, pritet në takim nga Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim Kryetarin e Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, raporton Ekonomia Online.

    Në fillim të takimit mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje.

    Sobota paradite është pritur në takim nga homologu kosovar, Glauk Konjufca. Pas takimit ai ka thënë se marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme dhe duhet zbatuar dhe se luftimi i korrupsionit është hap drejt BE-së.

    Përderisa Konjufca i është ankuar se me Serbia po kërkon Republikë serbe brenda Kosovës, por që e ka falënderuar atë për ndihëm në vazhdueshme.

  • ​Konjufca: Nëse dialogu e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, atëherë mirupafshim

    ​Konjufca: Nëse dialogu e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, atëherë mirupafshim

    Pikënisja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Ai ka theksuar se nëse Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon më në dialog. E nëse procesi i dialogut e ka si çmim shkatërrimin e themeleve të shtetit të Kosovës, sipas tij është më mirë të thuhet “mirupafshim nga ky proces”.

    Pas takimit me homologun e tij austriak, Konjufca, tha se draft-statuti i Asociacionit, i hartuar nga ish-ekipi menaxhues krijon një republikë serbe në Kosovë.

    Në konferencën e përbashkët për medie, kryeparlamentari Konjufca akuzoi Serbinë se po tenton të destabilizojë veriun e Kosovës, përmes strukturave paralele kriminale atje.

    “Kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Unë këtë mendim e kam. S’ka logjik që me u nis prej një pozicioni që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mbërri tek Kushtetuta e Kosovës. Ashtu nuk mundesh me mbërri kurrë te Kushtetuta e Kosovës. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës. Bile, bile mendoj se nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar, Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, Kosova nuk ka çka të kërkojë në dialog më. Kurrfarë interesi nuk e ka Kosova në atë dialog. Çka kemi ne në interes ne shkatërru kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon vetëm në dëm të interesave tona nëse është ashtu. Kosova është në dialog sepse beson në dy principe shumë. Principin e parë që dialogu është për njohje të ndërsjellët dhe tjetra se çfarëdo rregullimi dhe vetëmenaxhimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Pasi nëse është e kundërta, nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimin e shtetit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë me thënë mirupafshim. S’ka interes këtu”, tha ai.

    Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, tha se Kosova dhe Serbia duhet të kenë interpretim të njëjtë për marrëveshjen bazë të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj në Ohër.

    Ai tha se përkundër deklaratave dhe votimit kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, marrëveshja e fasilituar nga Bashkimi Evropian nuk po zbehet, por duhet të ketë durim pasi nevojitet më shumë kohë për zbatimin e plotë të saj.

    “Me sa di unë marrëveshja e Ohrit thotë se Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Unë mendoj se posaçërisht, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vendimtar për Kosovën, pasi aty janë të përfaqësuara më shumë shtete që janë në BE. Në situata të ndërlikuara dhe të ndjeshme, Këshilli i Evropës merr vendime dhe qenësore që kanë ndikim afatgjatë. Nuk mendoj se marrëveshja po zbehet, por në politikën ndërkombëtare duhet të kemi pak më shumë kohë. Ajo nuk bëhet çdo herë në hapësirat publike. Duhet të ketë dialog me besim të dyanshëm”, tha ai.

    Megjithatë, Sobotka përmendi si zgjidhje për Asociacionin edhe Tirolin Jugor, i cili sipas tij ka treguar se mund të arrihet një zgjidhje kompromisi.

    “Austria mund të jetë një shembull për Kosovën, nëse mendoni edhe për historinë e shekullit tonë të 20. Nëse e marrim shembullin e Triolit të Jugut, i cili ka treguar se si edhe këtu përmes rrugës së dialogut mund të arrihet një rezultat i mirë. Këtë mund të vlejë edhe për komunat të cilat janë të banuara nga serbët. Nuk ka alternativë që ata mos të hynë ata në zgjedhje. Zgjedhjet shërbejnë për të marrë pjesë dhe është një drejtë themelore në demokraci”, theksoi Sobotka.

    Krahas kësaj, dy kryeparlamentarët Konjufca dhe Sobotka morën pjesë edhe në “Punëtorinë për Demokraci – DEMOS-ti”, ku bashkëbiseduan me nxënës filloristë, në hollin e Kuvendit./KosovaPress/

  • ​Odat Ekonomike Kosovë – Maqedoni e Veriut: Në 10 vjetët e ardhshme të jetë prioritet ekonomia

    ​Odat Ekonomike Kosovë – Maqedoni e Veriut: Në 10 vjetët e ardhshme të jetë prioritet ekonomia

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe homologu i tij maqedonas, Branko Azeski kanë diskutuar të hënën në Prishtinë për iniciativat e reja të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal. Së bashku theksuan se kanë për synim zhvillimin e bizneseve në dy vendet, derisa apeluan që ekonomia të jetë prioriteti kryesor për të dy vendet.

    Kryetari Rafuna deklaroi se patën mundësinë që të shkëmbejnë idetë dhe sfidat qe po përballen bizneset.

    Në një konferencë për media, Rafuna theksoi se partneriteti me Maqedoninë e Veriut është me rëndësi për shtetin e Kosovës. Derisa shtoi se Maqedonia është edhe shteti i parë me të cilin eksporton vendi.

    “Patëm mundësinë të shkëmbejmë mendimet, idetë për sfidat me të cilat po përballet biznesi, që kanë të bëjnë me inflacionin, me krizën energjetike, me ekonominë e tregut të lirë, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin regjional dhe të gjitha këto tema jo vetëm që i përkasin bizneseve të Maqedonisë dhe Kosovës, por i përkasin të gjitha bizneseve të Ballkanit… Për Kosovën është shumë me rëndësi partneri maqedonas. Në qoftë se shihet në statistika, Maqedonia është shteti i parë ku eksportojmë, ne kemi eksport më të madh në Maqedoni se në Shqipëri e vende tjera. Kështu ne jemi të përkushtuar që ta ngritim edhe në një nivel tjetër bashkëpunimin”, tha Rafuna.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski u shpreh se në vitet e ardhshme prioritet duhet të jetë biznesi dhe jo politika.

    Azeski tha se i gjithë profiti bëhet nëse hapen kufijtë, me ç’rast shtoi e kjo mund të arrihet vetëm me një bashkëpunim të mirë.

    “Lëvizja e bashkëpunimit kufitar zhvillohet, ashtu që ne mendojmë se gjatë mandatit tonë ato kufij do të zhduken. Biznesi do t’i rrëzojë ato kufij dhe ne do të punojmë të kushtuar për atë proces…Në 10 vitet e ardhshme biznesi të jetë prioritet e jo politika. Biznesi të zgjedh problemet e komunikimit tonë, të veprimtarisë tonë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor dhe biznesi të jetë çdo kund dominues. Këtë mund ta bëjmë duke hapur korridoret, do t’i modernizojmë hekurudhoret si vendet të cilat nuk dalin nga deti, do të kërkojmë të kemi një status special në portet, do t’i shkëpusim të gjitha ndalesat administrative të cilat dominojnë ne kufij dhe do të veprojmë së bashku që elitat politike të mos mundin të na shtypin dhe ta vendosin në interes të tyre. Profiti bëhet nëse hapen kufijtë, nëse vendosen korridoret, nëse unë mund të vij në Prishtinë për tre orë, është ajo që neve na nevojitet”, tha Azeski.

    Mes tjerash, Rafuna bëri të ditur se në takimin e radhës të bordit të Odave të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në fillim të muajit qershor në Prishtinë, do të diskutojnë në detaje dhe do të dalin me konkluzione të përbashkëta se si t’i qasen dhe si do t’i ndihmojnë më mirë bizneset e të dy vendeve. /kp