ATV

Blog

  • PSD-ja në Ditën e Evropës e “faturon” Gjermaninë për mjekët e infermierët që po ia merr Kosovës

    PSD-ja në Ditën e Evropës e “faturon” Gjermaninë për mjekët e infermierët që po ia merr Kosovës

    Partia Socialdemokrate (PSD), në Ditën e Evropës, ka “faturuar” Gjermaninë për mjekët dhe infermierët e marrë nga Kosova, raporton Ekonomia Online.

    Zgjim Hyseni nga kjo parti tha se Gjermania po eksporton mallra në Kosovë e po importon njerëz, duke iu referuar numrit të madh të mjekëve të cilët kanë shkuar në këtë vend.

    Sipas tij, vetëm në katër muajt e fundit 91 mjekë kanë ikur nga Kosova e të cilët po të shkolloheshin në Gjermani do të kushtonin 200 mijë euro.

    Madje siç tha ai po të llogariteshin edhe 300 infermierë që do të kushtonin nga 30 mijë gjithsecili, veço këtë vit Gjermanisë i janë dhënë 27 milionë euro.

    “Sot, për ditën e Evropës kemi ardh me urua Gjermaninë. Gjermania po eksporton mallra, e po importon njerëz. Mjekët po i marrin falas. Vetëm në katër muajt e fundit të këtij viti, kanë ikur 91 mjekë, të cilët po të shkolloheshin në Gjermani do të kushtonin 200 mijë euro. Po t’i llogarisim edhe 300 infermierë, që do të kushtonin nga 30 mijë euro. Pra, vetëm këtë vit ne ja kemi dhënë Gjermanisë 27 milionë euro.

    “Nëse trendi vazhdon si kështu, kjo i bie që ne e subvencionojmë Gjermaninë. Oda e Mjekëve ka paralajmëruar që brenda 3-4 viteve të ardhshme, Kosova do të mbesë pa mjekë.  Kjo marrëdhënie e pabarabartë nuk është asgjë tjetër përveç shfrytëzim”.

    “Kjo është fatura e shfrytëzimit e kemi sjell sot për Ditën e Evropës, por është e kufizuar sepse nuk janë edhe profesionet e tjera. Në tregun e lirë, që po e quajnë, vetëm Kosova po shprazet, nuk po vijnë këtu mjekë gjerman”.

  • Kurti kujton Konushefcin dhe Malajn: Dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe, neve na ka mbetur një pjesë e vogël

    Kurti kujton Konushefcin dhe Malajn: Dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe, neve na ka mbetur një pjesë e vogël

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve tek varret e heroit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, në 25-vjetorin e rënies së tyre, ka thënë se dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe për Kosovën, e si të tillë duhet të jenë udhërrëfyes për hapat e mëtutjeshëm.

    Kurti, duke kujtuar veprën e tyre, tha se janë pikërisht dëshmorët që i dëshmojnë krimet serbe në Kosovë, por edhe vullnetin e popullit shqiptar, raporton Ekonomia Online.

    “Sot më 9 maj, kur u bënë 25 vjet të rënies së Ilir Konushefci dhe Dr. Hazir Malaj, erdhëm këtu bashkë me kolegë, ministra, deputetë, me zëvendëskryeministren Rexhepi dhe me dy familjet, Konushefci e Malaj, që të bëjmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit, të cilët nuk kursyen asgjë, të cilët dhanë jetën që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vet”.

    Sipas Kurtit, dëshmorët kanë kryer pjesën më të madhe të ecjes politike e shoqërore, e një pjesë e vogël na ka mbetur, siç u shpreh ai, neve.

    “Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike e shoqërore në vendin tonë e kanë kryer dëshmorët e kombit. Neve na ka mbetur një pjesë më e vogël, por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë e mbarë duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe e vullnetit të paepur të popullit tonë për liri”.

    “Iliri dhe Dr. Haziri na bënë bashkë të gjithë neve. Janë dëshmorët e kombit të cilëve asnjëherë nuk mund t’ua lajmë borxhin. Lavdi”, është shprehur Kurti.

  • Gërvalla e bindur: Një Republikë serbe s’do të ndodh në Kosovë

    Gërvalla e bindur: Një Republikë serbe s’do të ndodh në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është shprehu e bindur se në Kosovë nuk do të formohet në Republikë serbe, e ngjashme më atë në Bosnjë.

    Gërvalla sqaroi se kanë shqyrtuar modelin e Kroacisë për trajtimin e komuniteteve, duke theksuar se presin nga serbët të jenë më serioz në procesin e dialogut.

    Madje tha se presin edhe nga BE që të ketë më shumë këmbëngulje në vendimet që merren në praninë e tyre.

    Gërvalla këto komente i bëri pas takimit që ka pasur me homologun kroat Gordan Grlic Radman.

    “Konsultimet politike janë organizëm tradicional dhe shtetet flasin për konsultimet bilaterale. Ato nuk kanë te bëjnë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sa i përket modeleve të Asociacionit neve na janë prezantuar nga Lajçak si shembuj në Kosovë. Të gjitha modelet që kemi parë kemi konstatuar që Kushtetuta e Kosovës u jep shumë më tepër të drejta se sa te gjitha modelet që ne kemi parë. Unike në Kosovë është prezenca e vazhdueshme e pakicës serbe në Kabinetin Qeveritar”.

    “Prandaj ne kemi trajtuar modelet dhe për neve nuk vijnë në shprehje sepse shkelin vijat e Kushtetutës, e për neve këto nuk vijnë ne shprehje, sepse baza e funksionalizimit të shtetit është respektimi i kushtetshmrisë territoriale. Ky rajon e ka boll një republikë serbe në Bosnjë edhe ajo është tepër. Ne jemi në proces të negociatave asgjë nuk është e pranuar sot, ne kemi dhënë fjalën dhe mbajmë fjalën tonë, presim nga BE që të njëjtat kritere të vlejnë edhe për Serbinë cila mbetet e befasuar çdo takim. Presim nga BE që më shumë këmbëngulje të qëndrojnë në kërkesat e tyre”.

    “Modelet që janë paraqitur paraqesin elemente të zbatueshme dhe prej tyre do të përpiqemi të zgjidhim modelet më të mira. Ne jemi në proces të negociatave asgjë nuk është e vendosur sot. E vendosur është që qoftë në shkurt qoftë në mara ne kemi dhënë fjalën tonë dhe ne ndajmë fjalën tonë. Presim nga BE-ja që e njëjta të vlejnë edhe për Serbinë përfaqësuesit e të cilit vihen sikurse nuk kanë qenë”.

    Gërvalla, ka thënë se me homologun kroat diskutuan për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës në shumë fusha.

    “Mikun Gordan e falënderova shumë për përkrahjen në disa fusha që Kroacia ia ka dhënë Kosovës në shumë fusha. E falënderova për përkrahjen e jashtëzakonshme që Kroacia e ka dhënë në çdo forum. Për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të dytë u pajtuam që është një proces që ka zgjatur padrejtësisht shumë”, u shpreh Gërvalla.

    “E falënderova kolegun Gordan për mbështetjen që Kroacia që i ka dhënë Kosovës që nga dita e parë aplikimit për an në Këshillin e Evropës dhe sigurimin e votave. Biseduam për perspektiven Evropiane të Kosovës, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që ka marr formë, duke e ditur që shtetet”.

    “Kjo vizitë lidhet me një datë shumë të shënuar për Kroacinë. 720 vjetori i regjistrimit të parë zyrtar të diasporës kroate dhe kjo ka ndodhur në Janjevë. Dhe së bashku pastaj do të shkojmë në Janjevë. Me kroatët e Janjevës do festojmë këtë ditë të shënuar për ta”.

  • Gërvalla për akuzat ndaj Berishajt: Duhen fakte në tavolinë, mjaft më me supozime

    Gërvalla për akuzat ndaj Berishajt: Duhen fakte në tavolinë, mjaft më me supozime

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka adresuar edhe njëherë çështjen e ambasadorit shqiptar në Kroaci, Martin Berishajt, i cili akuzohej për përfshirje në një skandal financiar në këtë vend.

    Ajo u pyet në konferencë për media ku përkrah kishte homologun e saj nga Kroacia, Gordan Grlic-Radman, ku tha se ambasadori në fjalë i ka thënë ato që ka pasur për t’i thënë në seancën me komisionin parlamentar, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se nuk po arrin ta kuptojë se si personat që i kanë miratuar përgjigjet e tij me tundje koke, tash dalin kundër.

    “Në marrëveshje edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Berishaj i ka dhënë përgjigjet e tij në komisionin parlamentar ku është dashur të japë deklaratën e tij, e kam ndjekur me shumë vëmendje atë seancë të komisionit parlamentar, e kam parë që asnjë pyetje nuk ka mbetur pa përgjigje në atë seancë të komisonit parlamentar, edhe e kam parë miratimin e anëtarëve të komisionit të deklaratave të ambasadorit Berishaj gjatë asaj seance dhe prandaj më habit shumë fakti që pa pritur e pa kujtuar muaj më vonë, të njëjtit persona që kanë qenë të pranishëmn në atë seancë dhe që kanë pohuar dhe tundur kokën për secilën prej deklaratave të ambasadorit Berishaj më pas dalin dhe deklarojnë diçka krejt tjetër për një seancë të cilën e kemi parë të gjithë publikisht”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media.

    “Unë nuk besoj që ambasadori Berishaj e ka problem t’u japë përgjigje mediave tona me siguri në një moment kur do të ketë më pak angazhime bilaterale, do t’ju thërrasim një ditë dhe do t’ju qëndrojmë të dy, pyetje-përgjigje pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj refuzimi”.

    Ajo shtoi se ata të cilët po vazhdojnë me akuza ndaj Berishajt, është koha të vijnë me fakte, dhe jo vetëm të flasin bazuar mbi supozime.

    “Por mendoj që ka ardhur një moment kur të gjithë ata që e vazhdojnë fushatën do të duhej ta pyesnin veten, a thua a vazhdohet fushata vetëm në bazë të supozimeve apo ka kaluar aq kohë sa në ndërkohë do të duhen faktet në tavolinë para se të vazhdojmë me fushata, me kampanja politike ndaj personave të caktuar?”.

  • Akil Gjakova e fiton luftën e parë në Botërorin e xhudos

    Akil Gjakova e fiton luftën e parë në Botërorin e xhudos

    Akil Gjakova e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme garën e tij në Kampionatin Botëror të Xhudos që po mbahet në Doha të Katarit.

    Në kategorinë deri 73 kilogramë, Xhudisti kosovar u përball me rumunin Adrian Sulca në kategorinë deri në 73 kilogramë, ndaj të cilit fitoi me Oppon, raporton KosovaPress.

    Përveç Akilit, sot do të garojnë edhe Nora Gjakova dhe Flaka Logja.

  • Kupa e Shqipërisë/ Nesër mësohen dy finalistët

    Kupa e Shqipërisë/ Nesër mësohen dy finalistët

    Do të luhen ditën e mërkurë ndeshjet e kthimit të fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për edicionin futbollistik 2022-2023.

    Egnatia kërkon finalen e parë në historinë e klubit, teksa do të presë në shtëpi ekipin e Vllaznisë, që vjen si fituese e dy edicioneve të fundit e Kupës së Shqipërisë. Gjithçka është e hapur, teksa takimi i parë në Shkodër është mbyllur me rezultatin 1-1. Ndeshja është planifikuar të luhet në stadiumin ‘Egnatia Arena’ në Rrogozhinë në ora 14:00.

    Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale të këtij edicioni, Teuta do të kërkojë të bëjë mrekullinë ndaj Tiranës. Bardheblutë fituan lehtësisht në takimin e parë ndaj durrsakëve me shifrat 3-0, me gola të Florent Hasanit, Bruno Lulajt dhe Regi Lushkjes. Sfida e dytë e kësaj faze është programuar të luhet në stadiumin ‘Niko Dovana’ në Durrës, në ora 17:00.

    Ndërsa, finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë do të luhet më datën 1 qershor 2023.

  • Haradinaj: Ilir Konushevci i takon brezit më të artë të komandantëve themelues të UÇK-së

    Haradinaj: Ilir Konushevci i takon brezit më të artë të komandantëve themelues të UÇK-së

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e 25-vjetorit së rënies së heronjve, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, ka bërë homazhe te varret e heronjve të kombit në Velani.

    Haradinaj u shpreh se Konushevci i takon brezit më të artë të komandantëve themelues të UÇK-së.

    “Hazir Malaj ishte mjek dhe u bashkua me UÇK-në, me Ilir Konushevcin, e prej themeluesve të UÇK-së, pra komandant nismëtar i cili u nda nga ne padrejtësisht në Shqipëri. Që atëherë ne e kujtojmë me respekt dhe e nderojmë çdoherë veprën e tij. Jam i bindur se i takon brezit më të artë të komandantëve themelues të UÇK-së, pra Ilir Konushevci”, tha Haradinaj.

    Më 13 maj 1992, Ilir Konushevci si 23 vjeçar, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themeluan grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

    Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

    Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

  • Kovaçevski takohet me Blinken, diskutohet edhe për situatën në rajon

    Kovaçevski takohet me Blinken, diskutohet edhe për situatën në rajon

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Uashington, është takuar me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Antoni Blinken. Siç bëhet e ditur, në këtë takim Kovaçevski dhe Blinken shkëmbyen mendime për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve, si dhe për situatën në rajon.

    Në takim ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kryeministri Kovaçevski vlerësoi se të dy vendet në vazhdimësi kultivojnë një dialog politik produktiv dhe se Maqedonia e Veriut mbetet partner strategjik i qëndrueshëm dhe aleat i dëshmuar i SHBA-ve.

    “Dy vendet ndajnë lidhje të thella, të bazuara në respektin e ndërsjellë për vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, dhe marrëdhënie të tilla do të vazhdojnë të zhvillohen me dinamikë edhe më të fuqishme”, thuhet në komunikatën qeveritare.

    Sekretari amerikan i Shtetit Blinken në takim theksoi se SHBA e vlerëson kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kontekst rajonal, por mbi të gjitha si aleate e fuqishme e NATO-s.

    Sipas komunikatës, Blinken ka premtuar se SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Maqedoninë e Veriut në hapat e saj të ardhshëm, duke vlerësuar vendimet e guximshme dhe të guximshme të marra nga Qeveria për të siguruar një të ardhme të begatë brenda BE-së dhe NATO-s.

    “Blinken përcolli mbështetjen e fuqishme afatgjatë të presidentit Biden për rajonin dhe veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, me shpresën se vendi do të përfitojë nga mundësitë që i ka përpara dhe në këtë drejtim, Sekretari i Shtetit theksoi se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë fuqishëm me Maqedoninë e Veriut”, thuhet në komunikatë.

    Kryeministri maqedonas theksoi se vendi i tij merr mbështetje të fuqishme dhe të vazhdueshme nga SHBA-të në arritjen e qëllimeve strategjike që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

    Kryeministri shprehu kënaqësinë e sinqertë për fillimin me sukses të Dialogut Strategjik me SHBA-të, i cili është një moment historik i ri në marrëdhëniet tona miqësore, duke përmirësuar marrëdhëniet reciproke politike, ekonomike dhe forma të tjera të dialogut, arsimore dhe kulturore.

    Kovaçevski theksoi se ky dialog është në interes të dy vendeve për konkretizimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të përbashkët.

    Kryeministri Kovaçevski theksoi rëndësinë e mbështetjes së mëparshme të SHBA-ve për vazhdimin dhe intensifikimin e procesit reformues për demokratizimin e mëtejmë të shoqërisë sonë, sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, që është një inkurajim i rëndësishëm në proces. negociatat e anëtarësimit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

    Në këtë drejtim u theksua mbështetja e plotë që Maqedonia e Veriut merr nga SHBA-të për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e eurointegrimit të vendit.

    Kreu i ekzekutivit maqedonas theksoi se reformat për sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit janë prioritetet më të larta. Kryeministri theksoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut vlerëson lartë mbështetjen amerikane për zhvillimin e strategjive kundër korrupsionit për secilin vend nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut, në mbështetje të strategjive nacionale kundër korrupsionit që kanë është krijuar në shumë fusha.

    Në takim, Kovaçevski theksoi se institucionet demokratike të Maqedonisë së Veriut, demokracia gjithëpërfshirëse dhe multietnike janë një stimul për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe i tregojnë rajonit se demokracia ushqen kushtet e nevojshme për të promovuar siguri dhe prosperitet të pandërprerë.

    Mbështetja nga SHBA-të vazhdon edhe në periudhën e ardhshme, sepse është e një rëndësie të madhe për stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, por edhe të rajonit.

  • Radman: Modeli kroat për pakicën serbe mund të shërbejë për Kosovën

    Radman: Modeli kroat për pakicën serbe mund të shërbejë për Kosovën

    Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic Radman, ka thënë se modeli kroat i rregullimit të pakicës serbe mund të shërbejë si shembull edhe për Kosovën.

    Në vizitën e sotme të tij në Kosovë, në konferencën e përbashkët për media me kryediplomaten kosovare, ai tha se ky model ka pasur sukses në Kroaci, por se varet nga shtetet sa mund të zbatohet tek sistemet e tjera.

    Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se asnjë Asociacion që shkel kushtetutën e Kosovës nuk është zgjidhje.

  • Sulmohet seksualisht një e mitur, arrestohet një i dyshuar

    Sulmohet seksualisht një e mitur, arrestohet një i dyshuar

    Një e mitur ka deklaruar se ka qenë e ngacmuar seksualisht nga dy të mitur.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima ka deklaruar se njëri nga të dyshuarit e ka filmuar me telefon derisa ajo nuk ishte e vetëdijshme.

    “Viktima është intervistuar në prezencë të prindërve dhe zyrtarit nga QPS”, thuhet në raport.

    Me vendim të prokurorit një i dyshuar kosovar (i mitur) është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

    Rasti është hapur si “Sulm seksual/Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”.