ATV

Blog

  • Podujevë, gruaja goditet me veturë nga ish-bashkëshorti

    Podujevë, gruaja goditet me veturë nga ish-bashkëshorti

    Të premten në Podujevë një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti e ka goditur me veturë.

    Sipas Raportit të Policisë, viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës teksa i dyshuari ëshë liruar në procedurë të rregullt.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare, nga ish-bashkëshorti i saj me të cilin tani janë të ndarë, është goditur qëllimshëm me veturë nga mbrapa”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

    “Palët janë intervistuar, viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt”, vijon raporti.

  • Berisha-Ndrejaj: Vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizëm, komplikimet nga kjo sëmundje mund të jenë serioze

    Berisha-Ndrejaj: Vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizëm, komplikimet nga kjo sëmundje mund të jenë serioze

    Rastet e fundit të fruthit të raportuara në Kosovë paraqesin një sinjal serioz për shëndetin publik, raporton Ekonomia Online.

    Ndërsa, marrja e vaksinës kundër kësaj sëmundje ndalon përhapjen e saj.

    Pavarësisht, që kohëve të fundit ka pasur pretendime që vaksina kundër fruthit shkakton autizëm, një gjë të tillë e ka hedhur poshtë drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera-Berisha-Ndrejaj.

    Berisha-Ndrejaj për Ekonomia Online ka treguar se kjo vaksinë nuk ka të bëjë fare me autizëm.

    Ajo tha se më e rrezikshme është sëmundja e cila mund të ketë komplikime në sistem respirator dhe kardiovaskular.

    “Vaksina përmban në vetë tre lloje të vaksinave MMR, është kundër fruthit, kundër mumësit dhe rubeollës. Vaksina kundër fruthit (morbillit) nuk ka asnjë efekt anësor, këtu nuk ka asnjë gjë të vërtetë, përhapja e lajmeve të rreme dhe dezinformatave sigurisht ndikon në popullatën e cila nuk është mirë e informuar, ose me dashje marrin informata të gabuara dhe nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre, prej vaksinave nuk ka rrezik, por ka rrezik prej sëmundjes, sëmundja mund të shkojë me klinikë të rëndë duke dhënë komplikime në sistem nervor qendror, duke dhënë komplikime në sistemin respirator, sistemin kardiovaskular e tjerë e tjerë. Pra rreziku është nga sëmundja, rreziku është nga mosvaksinimi dhe rrezik nuk ka nga vaksinimi, përkundrazi përfitimi nga vaksinimi është shumë i lartë”, tha Berisha-Ndrejaj.

    Ajo tha se prindërit me të cilët kanë biseduar janë të gatshëm t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

    “Neve kemi biseduar me prindër të të gjithë fëmijëve që kanë qenë të pavaksinuar, shumica prej tyre nuk është se nuk kanë dashtë me vaksinu fëmiun, por për shkaqe të ndryshme shëndetësore, qoftë ndonjë gjendje tjetër virale e ka shty kohën e vaksinimit, por kemi pasë edhe prej atyre që jo vetëm fëmijët e sëmurë por edhe të tjerët nuk i kanë vaksinuar, ndërkohë që duke biseduar me ta, ata tash e tutje shprehin gatishmëri që t’i vaksinojnë fëmijët e tjerë”, tha Berisha-Ndrejaj.

    Kujtojmë se në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 10 raste me sëmundjen e fruthit, prej të cilave katër janë dukë u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjegjësisht në Klinikën Infektive.

  • Vetëvendosje mban mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm

    Vetëvendosje mban mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm

    Lëvizja Vetëvendosje sot nga ora 10:00 do të mbajë mbledhjen e Këshillit të saj të Përgjithshëm.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme u caktuan më 7 qershor pasi Kuvendi dështoi të zgjidhte Presidentin e ri të vendit. VV pritet që në këtë mbledhje të nominoj kandidatin për Kryeministër.

  • Nesër përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim për certifikim në zgjedhjet e 7 qershorit

    Nesër përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim për certifikim në zgjedhjet e 7 qershorit

    Listës së 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që deri më 7 maj njoftuan pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, mund t’i shtohen edhe subjektet e reja politike.

    Më 10 maj në orën 24:00, KQZ do të përmbyllë afatin për subjektet e reja politike, si nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të radhës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, por jo edhe partitë politike, që ligji për zgjedhjet e përgjithshme i konsideron të certifikuara automatikisht.

    “Deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.

    Ndërkaq, dy ditë më pas, deri më 12 maj, të gjitha subjektet politike kanë kohë për të dorëzuar online në KQZ listën me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet për Kuvend.

    “Më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha ai.

    Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike. Nga këto, 18 ishin parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    Deri më tani, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 prej tyre kanë njoftuar KQZ-në se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, 9 të tjera për mospjesëmarrje dhe janë formuar 3 koalicione të ndryshme.

    Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

    Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate.

    Partitë politike që kanë njoftuar formimin e koalicionit: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).

  • LDK mban sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pritet nominimi i kandidatit për kryeministër

    LDK mban sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pritet nominimi i kandidatit për kryeministër

    Lidhja Demokratike e Kosovës mban sot nga ora 12:00 mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

    Gjatë kësaj mbledhjeje pritet të dalin emrat e Vjosa Osmanit për presidente dhe të Lumir Abdixhikut për kryeministër.

    Ndërkohë, mbrëmë ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një postimi në Facebook iu është drejtuar anëtarësisë së partisë, duke theksuar zotimin e tij për bashkimin e të gjitha grupeve brenda subjektit.

    Ai ka deklaruar se synon t’i bashkojë ata që kanë qëndruar në parti, ata që janë larguar, ata që kanë heshtur dhe ata që ende besojnë në LDK.

  • Policia: Kurti u kërcënua me jetë nga një adresë nga Kraleva e Serbisë

    Policia: Kurti u kërcënua me jetë nga një adresë nga Kraleva e Serbisë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të drejtuar ndaj Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e publikuar në rrjete sociale.

    Sipas njoftimit të Policisë, kanosja është adresuar përmes profilit të quajtur “Severna Brigada”, e njohur edhe si “Brigada e Veriut”, organizatë e shpallur terroriste nga institucionet e Republikës së Kosovës.

    “Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, më datë 08 maj 2026, ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të adresuar ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në rrjetet sociale nga profili i quajtur ‘Severna Brigada’”, thuhet në njoftim.

    Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), janë ndërmarrë menjëherë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

    “Në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike”, thuhet më tej.

    Nga hetimet e deritanishme është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë në Facebook “facebook.com/severna.brigada.2025”, ndërsa sipas të dhënave të siguruara, postimi dyshohet se është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës.

    “Bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë. Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës thekson se hetimet po vazhdojnë dhe janë siguruar të dhëna shtesë që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

    “Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK”, përfundon njoftimi.

  • Fundjavë me diell dhe vranësira të pjesshme

    Fundjavë me diell dhe vranësira të pjesshme

    Të shtunën mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht i vranët, por me intervale të herëpashershme me diell.

    Gjatë orëve të ditës, siç ka njoftuar IHMK, vranësirat konvektive pritet që lokalisht të shoqërohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh, kryesisht në disa zona të kufizuara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7–10°C, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16–19°C.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi prej 1–11 m/s.

    Të dielën parashihet mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale më të gjata me diell, si pasojë e stabilizimit gradual të kushteve atmosferike.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6–9°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 19 deri në 22°C.

    Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes.

    Kushtet agrometeorologjike gjatë fundjavës paraqiten përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore pranverore, sidomos për perimet dhe drithërat në fazat intensive të vegjetacionit.

  • Trump shpall armëpushim tre-ditor midis Ukrainës dhe Rusisë

    Trump shpall armëpushim tre-ditor midis Ukrainës dhe Rusisë

    Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, njoftoi të premten në rrjetet sociale se do të ketë një armëpushim tre-ditor në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës nga 9 maji deri më 11 maj për të shënuar fundin e Luftës së Dytë Botërore për rusët.

    Trump kishte thënë pas një telefonate me Putinin më 29 prill se një armëpushim i përkohshëm ishte në proces, shkruan Reuters.

    Putin njoftoi një armëpushim të ngjashëm vitin e kaluar që zgjati tre ditë, por nuk u ra dakord me Kievin.

  • Deklarata e Pavarësisë pas kauçit, OVL i reagon Bashës: Akt i poshtër, të nisin hetimet, u normalizua armiqësia  ndaj themeleve të shtetit

    Deklarata e Pavarësisë pas kauçit, OVL i reagon Bashës: Akt i poshtër, të nisin hetimet, u normalizua armiqësia ndaj themeleve të shtetit

    Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Grainca, ka publikuar sot një fotografi me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, ku vëmendje ka marrë fakti se prapa kauçit në zyrën e Bashës shihet se është lënë për tokë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

    Lidhur me këtë ka reaguar OVL-UÇK. Këta të fundit kanë thënë se fotografia e lënë mbrapa divanit, është ‘’rrëfim politik’’ dhe se, Deklarata e Pavarësisë ‘’përdhoset nga ministri i Qeverisë Kurti’’, përcjell Gazeta Express.

    ‘‘Albin Kurti dhe LVV-ja nuk mund t’i lajnë duart nga kjo. Lartësuan figura të tilla dhe normalizuan armiqësinë ndaj themeleve të Republikës, duke e kthyer pushtetin institucional në strehë për ata që nuk u pajtuan kurrë me pavarësinë e Kosovës. Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit’’, ka thënë mes tjerash OVL-UÇK.

    Postimi:

    Fotografia nga zyra e Dimal Bashës është rrëfim politik. Deklarata e Pavarësisë, e vulosur me sakrificë, gjak, burgime, mërgim dhe luftë, përdhoset nga ministri i Qeverisë Kurti.

    Basha nuk ka bërë thjesht një gabim protokollar. Ka shpërfaqur një vazhdimësi. Një njeri që dikur u vinte firmën shkrimeve që shpifnin kundër UÇK-së duke e quajtur kriminale, nuk mund të fshihet sot pas pakujdesisë kur simboli i shtetësisë së Kosovës nëpërkëmbet nën autoritetin e tij. I njëjti përçmim, veçse i inskenuar brenda institucioneve që ekzistojnë falë atyre që ai ka fyer.

    Albin Kurti dhe LVV-ja nuk mund t’i lajnë duart nga kjo. Lartësuan figura të tilla dhe normalizuan armiqësinë ndaj themeleve të Republikës, duke e kthyer pushtetin institucional në strehë për ata që nuk u pajtuan kurrë me pavarësinë e Kosovës. Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e dënuar këtë akt të poshtër, i kujton Qeverisë se pavarësia e Kosovës nuk është dekor. UÇK-ja nuk është material shpifjesh për oportunistët politikë që ndërtuan karrierë mbi varret e atyre që vetë i dënuan. Prokuroria e Shtetit duhet të nis hetimet. Basha duhet të sqarojë se në llogari të kujt i përdhos dokumentet me vlerë të posaçme shtetërore, e Kurti duhet të përgjigjet për kulturën antishtetërore që ka instaluar qëllimisht në qeveri.

  • Abdixhiku i drejtohet anëtarësisë: Do t’i bashkojë të gjithë, shtëpia e LDK’së do bëhet sërish një

    Abdixhiku i drejtohet anëtarësisë: Do t’i bashkojë të gjithë, shtëpia e LDK’së do bëhet sërish një

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumri Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, i është ‘’zotuar’’ anëtarësisë së kësaj partie, se do t’i ‘’bashkojë të gjithë’’.

    Abdixhiku ka thënë se, ka ardhur koha që ‘’shtëpia’’ e LDK’së të bëhet ‘’sërish një’’.

    Postimi:

    Anëtarësisë së Lidhjes,

    Ju zotohem, do t’i bashkoj të gjithë.

    Ata që kanë qëndruar gjithmonë.

    Ata që janë larguar.

    Ata që kanë heshtur.

    Ata që ende besojnë.

    Sepse LDK-ja ka qenë gjithmonë më e madhe se secili prej nesh. LDK-ja ka qenë gjithmonë shtëpia e njerëzve të saj.

    Dhe koha ka ardhur që kjo shtëpi të bëhet sërish një.