ATV

Blog

  • Whitaker: Ka përfunduar epoka kur ShBA paguante më shumë për mbrojtjen e Evropës

    Whitaker: Ka përfunduar epoka kur ShBA paguante më shumë për mbrojtjen e Evropës

    Ambasadori i Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, ka deklaruar se ka përfunduar periudha kur SHBA mbulonte pjesën më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen e Evropës.

    Përmes një reagimi publik lidhur me takimin e kësaj jave ndërmjet SHBA-së dhe NATO-s, ai theksoi se tashmë aleatët duhet të tregojnë më shumë angazhim konkret në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Whitaker u shpreh se qasja e re amerikane bazohet në politikën “America First” të presidentit Donald Trump, duke kërkuar veprime dhe përgjegjësi më të mëdha nga vendet aleate.

    “Epoka kur Amerika paguante një faturë të jashtëzakonshme për mbrojtjen e Evropës ka mbaruar”, deklaroi ai, duke shtuar se SHBA pret angazhim më të madh nga partnerët e NATO-s në përballje me sfidat globale të sigurisë.

  • Aksion i madh në Burgun e Dubravës, bastisen të gjitha dhomat e të burgosurve

    Aksion i madh në Burgun e Dubravës, bastisen të gjitha dhomat e të burgosurve

    Zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë zhvilluar një operacion të gjerë bastisjeje në Qendrën Korrektuese të Dubravës, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjes së sigurisë brenda institucionit korrektues.

    Gjatë aksionit janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme të qendrës, përfshirë dhomat e të burgosurve, hapësirat e përbashkëta, sallën e sportit, si dhe ambientet e jashtme përcjellëse.

    Në operacion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera korrektuese, ndërsa mbështetje ka ofruar edhe njësia speciale K9.

    Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të kontrollit nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Megjithatë, gjatë bastisjes janë larguar sende të tepërta nga dhomat e të burgosurve dhe hapësirat e përbashkëta, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka falënderuar të burgosurit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtij operacioni, duke theksuar se aksione të tilla synojnë krijimin e një ambienti korrektues të qetë, të sigurt dhe funksional.

  • Çifti fitues i giveaway-t të Interex udhëton sot drejt Vjenës për koncertin e Yll Limanit

    Çifti fitues i giveaway-t të Interex udhëton sot drejt Vjenës për koncertin e Yll Limanit

    Loja shpërblyese “Viti i Ëndrrave të Mëdha” e organizuar nga Interex në Instagram ka përfunduar me sukses, duke shpallur çiftin fitues që sot do të udhëtojë drejt Vjenës për të ndjekur nga afër koncertin e shumëpritur të Yll Limanit.

    Përmes këtij giveaway-je, Interex i ka dhuruar fituesve një eksperiencë të plotë VIP, e cila premton emocione të paharrueshme dhe momente unike, duke i çuar fituesit drejt një aventure speciale në Vjenë, aty ku do të përjetojnë nga afër atmosferën magjike të koncertit të shumëpritur të Yll Limanit.

    Loja u zhvillua nga data 6 deri më 30 Prill në faqen zyrtare të Interex në Instagram dhe arriti të tërheqë interesim të madh nga ndjekësit dhe konsumatorët në të gjithë Kosovën. Mijëra persona u bënë pjesë e giveaway-t duke ndjekur hapat e pjesëmarrjes dhe duke shpërndarë energji pozitive në rrjetet sociale.

    Ky organizim ishte menduar si një mënyrë për të shpërblyer besnikërinë e konsumatorëve të Interex dhe për t’u ofruar atyre eksperienca ndryshe, përtej përfitimeve të zakonshme. Për çiftin fitues, ky udhëtim do të jetë një mundësi unike për të krijuar kujtime të paharrueshme në një nga koncertet më të komentuara të momentit.

    Nga Interex u shprehën të lumtur për interesimin dhe reagimet shumë pozitive që kjo lojë shpërblyese ka marrë gjatë gjithë periudhës së zhvillimit. Sipas tyre, surpriza dhe aktivitete të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, si pjesë e angazhimit për të qenë sa më afër konsumatorëve.

    “Viti i Ëndrrave të Mëdha” rezultoi të jetë më shumë se një giveaway, ishte një eksperiencë që bashkoi emocionin, muzikën dhe mundësinë për të jetuar një aventurë unike.

    Screenshot
  • Liverpool dhe Chelsea ndajnë pikët në “Anfield”

    Liverpool dhe Chelsea ndajnë pikët në “Anfield”

    Liverpooli dhe Chelsea përfunduan në barazim 1-1 në ndeshjen e javës së 36-të të Ligës Premier, e zhvilluar në “Anfield”.

    Vendasit nisën furishëm ndeshjen, duke kaluar në epërsi që në minutën e 6-të. Pas një aksioni të ndërtuar nga Rio Ngumuoha, Ryan Gravenberch mori topin në skajin e zonës dhe e dërgoi saktë në këndin e djathtë të sipërm për 1-0.

    Chelsea reagoi dhe krijoi raste të rrezikshme, me Marc Cucurellan që pati një mundësi të madhe në minutën e 28-të, por u ndal nga një pritje vendimtare e Giorgi Mamardashvilit. Barazimi erdhi në minutën e 35-të, kur Enzo Fernandez realizoi një goditje dënimi të shkëlqyer, me topin që përfundoi në rrjetë pas prekjeve në shtyllën e majtë për 1-1.

    Në pjesën e dytë, Chelsea mendoi se kishte përmbysur rezultatin, por goli i Cole Palmer u anulua me ndërhyrjen e VAR-it për pozicion jashtë loje. Edhe Liverpooli pa një gol të anulohej për offside; Curtis Jones e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 58-të, por u sinjalizua jashtë loje.

    Në vazhdim, Liverpooli ishte shumë pranë golit të fitores. Dominik Szoboszlai goditi shtyllën e majtë me një goditje të fortë nga skaji i zonës, ndërsa Virgil Van Dijk tronditi traversën me kokë pas një goditjeje nga këndi në minutën e 79-të.

    Pavarësisht presionit dhe rasteve të shumta, asnjëra skuadër nuk arriti të shënojë golin e dytë, duke u detyruar të ndajnë nga një pikë.

    Liverpool mbetet në kuotën e 59 pikëve,kurse Chelsea del nga zona evropiane duke tubuar 49 pikë.

  • Alvaro Arbeloa i zhgënjyer nga ngjarjet në dhomat e zhveshjes së Real Madridit

    Alvaro Arbeloa i zhgënjyer nga ngjarjet në dhomat e zhveshjes së Real Madridit

    Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka shprehur pakënaqësinë e tij për rrjedhjen e informacioneve nga brenda klubit, pas incidentit të raportuar mes Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni gjatë stërvitjes.

    Sipas raportimeve, dy mesfushorët u përplasën për dy ditë radhazi në seancat stërvitore, ndërsa situata eskaloi në kontakt fizik, ku Valverde mbeti edhe i gjakosur. Arbeloa nuk e justifikoi sjelljen e lojtarëve, por theksoi se gabime të tilla ndodhin në futboll, duke përmendur si shembull legjendën e klubit, Juanito.

    Megjithatë, ajo që e shqetëson më shumë teknikun spanjoll është fakti që ngjarja u bë publike nga dikush brenda klubit.

    “Fakti që gjërat që ndodhin në dhomat e zhveshjes publikohen duket si një tradhti ndaj Real Madridit, një akt mosbesnikërie dhe kjo më trishton shumë”, deklaroi Arbeloa.

    I pyetur për mundësinë e ekzistencës së një “spiuni” brenda ekipit, trajneri u përgjigj me diplomaci.

    “Jo, unë nuk punoj për CIA-n. Nuk akuzoj lojtarët apo askënd tjetër, sepse nuk kam prova. Ka shumë njerëz rreth Real Madridit dhe nuk mund të fajësoj askënd. Ajo që diskutoj me lojtarët e mi duhet të mbetet mes nesh”, përfundoi Arbeloa.

  • Francesco Bagnaia siguron “pole position” në Le Mans, Ducati dominon kualifikueset

    Francesco Bagnaia siguron “pole position” në Le Mans, Ducati dominon kualifikueset

    Ducati dominoi provat kualifikuese të Çmimit të Madh të Le Mans në MotoGP, me Francesco Bagnaia që regjistroi kohën më të shpejtë.

    Piloti italian përshkoi pistën franceze me kohën 1 minutë, 29 sekonda e 634 të mijtat, duke siguruar “pole position”-in e parë që nga gara e Malajzisë sezonin e kaluar.

    Menjëherë pas tij u rendit kampioni i botës në fuqi, Marc Marquez, i cili mbeti vetëm 12 të mijtat prapa shokut të skuadrës te Ducati.

    Vijën e parë të nisjes e kompletoi lideri aktual i kampionatit, Marco Bezzecchi, që me motorin e Aprilia ndaloi kronometrin vetëm 23 të mijtat më ngadalë se Bagnaia.

    Në vijën e dytë të startit do të jenë Fabio Di Giannantonio, Pedro Acosta dhe Fabio Quartararo.

    Më pas renditen Joan Mir, Jorge Martin dhe Ai Ogura, ndërsa në vijën e katërt të nisjes do të jenë Alex Marquez, Johann Zarco dhe Alex Rins.

  • Bayern Munich synon Charles De Ketelaere-Belgu jep “dritën jeshile” për transferimin

    Bayern Munich synon Charles De Ketelaere-Belgu jep “dritën jeshile” për transferimin

    Bayern Munich ka intensifikuar interesimin për sulmuesin e Atalanta, Charles De Ketelaere, ndërsa reprezentuesi belg raportohet se ka dhënë miratimin për një transferim të mundshëm veror në “Allianz Arena”.

    Gjiganti i Bundesliga e konsideron 25-vjeçarin si një përforcim prioritar për repartin ofensiv, pas paraqitjeve mbresëlënëse që ai ka zhvilluar në Serie A me fanellën e Atalantas.

    Sipas raportimeve nga media italiane dhe eksperti i merkatos Sacha Tavolieri, Bayern tashmë ka nisur lëvizjet prapa skenës për të përgatitur terrenin e marrëveshjes. De Ketelaere thuhet se e ka mirëpritur mundësinë e kalimit në Bavari, duke bërë që kushtet personale të mos konsiderohen problem në negociatat e ardhshme.

    Megjithatë, klubi gjerman duhet ende të hyjë në bisedime zyrtare me Atalantan për të arritur një marrëveshje mbi tarifën e transferimit të ish-lojtarit të AC Milan.

    Karriera e De Ketelaere ka njohur një ringritje të madhe në Bergamo nën drejtimin e trajnerit Gian Piero Gasperini. Aftësitë e tij teknike dhe loja mes linjave kanë qenë vendimtare në transformimin e tij gjatë sezonit të fundit.

    Futbollisti belg iu bashkua Atalantas fillimisht në formë huazimi nga Milani në vitin 2023, ndërsa klubi italian aktivizoi më pas opsionin e blerjes për rreth 24 milionë euro në verën e vitit 2024.

  • Wembanyama udhëheq San Antonion drejt triumfit, Knicks pranë kualifikimit

    Wembanyama udhëheq San Antonion drejt triumfit, Knicks pranë kualifikimit

    San Antonio Spurs siguroi një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Minnesota Timberwolves, në një ndeshje të luftuar deri në fund.

    Për vendasit nuk mjaftuan 32 pikët dhe 14 kërcimet e Anthony Edwards.

     

    Heroi i mbrëmjes ishte Victor Wembanyama, i cili mori përsipër skuadrën e tij dhe e udhëhoqi drejt suksesit në Mineapolis me 39 pikë, 16 prej të cilave i realizoi vetëm në periodën e katërt.

     

    Në Konferencën e Lindjes, New York Knicks vazhduan serinë pozitive ndaj Philadelphia 76ers, duke fituar edhe ndeshjen e tretë.

    Rikthimi i Joel Embiid nuk mjaftoi për Philadelphia-n, pasi Knicks arritën të bëjnë diferencën falë paraqitjes së shkëlqyer të Jalen Brunson, i cili realizoi 33 pikë, pavarësisht mungesës së rëndësishme të OG Anunoby.

  • Manchester City synon transferimin e Vinicius Junior-Rinovimi me Real Madridin mbetet pezull

    Ylli brazilian i Real Madrid CF, Vinícius Júnior, është rikthyer në qendër të spekulimeve të merkatos evropiane, me Manchester City F.C. që po monitoron nga afër situatën e tij në Madrid.

    Kontrata aktuale e sulmuesit skadon në vitin 2027, ndërsa bisedimet për rinovimin ende nuk kanë sjellë një marrëveshje përfundimtare. Kjo ka ngritur shqetësime te drejtuesit e klubit madrilen, të cilët e konsiderojnë këtë verë si vendimtare për të ardhmen e lojtarit.

    Sipas raportimeve, Vinicius kërkon të trajtohet si një nga figurat kryesore të projektit dhe pretendon një pagë të ngjashme me atë të Kylian Mbappé. Kjo ka krijuar tensione brenda klubit, pasi presidenti Florentino Pérez nuk dëshiron të prishë strukturën aktuale të pagave.

    Situata sportive e ekipit gjithashtu nuk po ndihmon. Fundi i sezonit për Real Madrid CF është shoqëruar me paqëndrueshmëri, dyshime dhe tensione të brendshme, duke bërë që braziliani të reflektojë më seriozisht për të ardhmen e tij.

    Në këtë situatë po përpiqet të përfitojë Manchester City F.C.. Trajneri Pep Guardiola e sheh Viniciusin si një përforcim ideal për repartin ofensiv, falë shpejtësisë, aftësisë në duele një kundër një dhe ndikimit të madh në lojë.

    Edhe pse City ka alternativa në krahun e majtë, drejtuesit anglezë besojnë se asnjë lojtar nuk ofron profilin dhe ndikimin global të brazilianit. Për më tepër, klubi anglez i garanton stabilitet sportiv dhe konkurrencë për trofetë më të mëdhenj çdo sezon.

    Nëse situata te Real Madrid CF nuk ndryshon, mundësia e një transferimi të Vinícius Júnior drejt Anglisë mund të bëhet gjithnjë e më reale.

  • Fermin Lopez hedh poshtë largimin nga Barcelona: Dua të qëndroj këtu përgjithmonë

    Fermin Lopez hedh poshtë largimin nga Barcelona: Dua të qëndroj këtu përgjithmonë

    Mesfushori i FC Barcelona, Fermín López, ka mohuar mundësinë e largimit nga klubi gjatë afatit kalimtar veror, pavarësisht interesimit që kishte nga Chelsea F.C. vitin e kaluar.

    Forma e shkëlqyer e 22-vjeçarit bëri që Barcelona t’ia rinovojë kontratën në janar deri në vitin 2031, duke siguruar kështu të ardhmen e tij afatgjatë në “Camp Nou”.

    Megjithatë, spekulimet për të ardhmen e tij nuk kanë munguar, pasi mediat kanë raportuar vazhdimisht se Fermin mund të jetë një nga lojtarët që klubi mund ta sakrifikojë për të balancuar financat.

    Vetë lojtari ka reaguar ndaj këtyre zërave, duke theksuar se dëshira e tij ka qenë gjithmonë të qëndrojë te Barcelona.

    “Mendoj se të gjithë mund të jenë të qetë. Këto gjëra ndodhën edhe vitin e kaluar. Gjithmonë ka thashetheme dhe histori të tilla, por unë kam qenë shumë i qetë sepse doja të qëndroja te Barça”, deklaroi fillimisht Fermin.

    “Gjithmonë kam dashur të jem këtu. Ka qenë ëndrra ime që nga fëmijëria dhe tani që jam pjesë e këtij klubi, dua ta shijoj në maksimum dhe të qëndroj këtu për aq kohë sa të jetë e mundur. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj të qëndroj te Barcelona përgjithmonë”, përfundoi ylli spanjoll.