ATV

Blog

  • Kosovarët janë të zhytur në kredi

    Kosovarët janë të zhytur në kredi

    Rreth 70 mijë persona kanë marrë kredi në banka të ndryshme gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

    Kështu thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore dhënë për Institutin për Hulumtime “Front”.

    “Bazuar në të dhënat e gjeneruara sipas Data Bazë së Regjistrit të Kredive të Kosovës-RKK, numri i kredimarrësve total (fizik dhe juridik) për katër mujorin e parë 2023 (janar-prill) është 69,709”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

    Vlera e kredive që janë marrë nga qytetarët nëpër bankat komerciale është mbi 1 miliardë euro.

    “Vlera e kredive që kanë marrë personat fizik dhe juridik në periudhën e njëjtë (janar-prill 2023) është 1,035,842,540.28 €”, thuhet më tej në përgjigje.

    E në rritjen e numrit të kredive thuhet se ka ndikuar rritja e çmimeve në shumë sektorë.

    Ekonomisti Imer Raci thotë për iFront se është e pamundur të mbulohen shpenzimet me pagat aktuale.

    “Ruajtja e standardit për shkak të rritjes së çmimeve ka ndikuar në marrjen e kredive gjë që është e pamundur të mbulohen shpenzimet me pagat aktuale e që nuk i janë përshtatur Inflacionit”, tha ai

    Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

    Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit.

  • ​Intervistimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në seancë të mbyllur

    ​Intervistimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në seancë të mbyllur

    Edhe një seancë e mbyllur për publikun po zhvillohet në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

    Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të katër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), transmeton KP.

    Dëshmitari që mban kodin 4748 është i mbrojtur dhe kjo është dita e tretë me radhë që dëshmia e tij po dëgjohet në seancë të mbyllur.

    Për seancën e sotme është paraparë që ai të përgjigjet në kundërpyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

    Megjithatë, seanca në Hagë ka filluar me një urdhër nga kryegjykatësi Charles L Smith, i cili është dhënë po ashtu në seancë private.

    Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

    Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • ​Mehaj: Ushtarët e Kosovës të gatshëm për çdo sfidë

    ​Mehaj: Ushtarët e Kosovës të gatshëm për çdo sfidë

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka shkruar se në kuadër të përgatitjeve për ushtrimin fushor “Defender Europe 23”, Regjimenti i parë i Forcave Tokësore është duke kryer përgatitjet finale për ushtrim.

    Mehaj ka shkruar në Facebook se Kompania B e Regjimentit të parë të këmbësorisë përgjatë dy javëve ka realizuar patrullimet luftarake në kushte të natës.

    “Qëllimi i këtij ushtrimi ishte aftësimi i pjesëtarëve për manovrim dhe drille të betejës gjatë natës me anë të pajisjeve të natës (NVG)”, ka shkruar ai.

  • Haradinaj: Agron Rrahmani do të mbetet shembull i qëndresës dhe atdhedashurisë

    Haradinaj: Agron Rrahmani do të mbetet shembull i qëndresës dhe atdhedashurisë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar betejat e 12 majit në Ratkoc, Bratotinë dhe Malësi të Vogël, duke thënë se shënuan një kapitull të ri për luftën çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut.

    Haradinaj kujtoi Miliam Krasniqin, Elmi Morinën dhe Bedrush Gashi, për të cilët tha se ishin luftëtarët më të zotë të UÇK-së.

    Tutje, ai theksoi se në të njëjtën datë, më 1998, u përjetësua udhëheqësi i njësiteve të hershme guerile të UÇK-së, Agron Rrahmani ndërsa shtoi se ai do të mbetet përgjithmonë shembull i qëndresës dhe atdhedashurisë.

    Postimi i plotë i tij:

  • Ambasadorët e QUINT-it s’deklarohen për medie pas takimit me Kurtin

    Ambasadorët e QUINT-it s’deklarohen për medie pas takimit me Kurtin

    Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë e Italisë pas mbi një ore takim me kryeministrin Albin Kurti janë parë duke dal nga Qeveria, raporton EKonomia Online.

    Gazetarët tentuan që të kenë një deklaratë në lidhje me takimin, por të njëjtit nuk u prononcuan për medie.

    Takimi ndodh pas reagimit të Zyrës së BE-së në Prishtinë rreth vendimit preliminar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës për interes publik në Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Një ditë më parë Kurti priti në zyrën e tij emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, i cili erdhi në Prishtinë për të diskutuar hapat e mëtejshëm në dialog, si dhe shqetësimet e tij për situatën e sigurisë në veri të vendit.

  • BE ka një kërkesë për Qeverinë lidhur me shpronësimet në veri

    BE ka një kërkesë për Qeverinë lidhur me shpronësimet në veri

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës duke komentuar vendimin e Qeverisë për shpronësimin e tokës për interes publik në Leposaviq dhe Zubin Potok, ka theksuar se BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t’i përmbahen rreptësishtë procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, si dhe të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur të respektohen plotësisht.

    Sipas BE-së, vendosja e katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet.

    DEKLARATË

    BE-ja ka parasysh vendimin preliminar të Qeverisë për shpronësimin e tokës për interes publik në komunat e Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Çdo shpronësim është i ndjeshëm për nga natyra, prandaj procedurat ligjore parashikojnë hapa të tillë si njoftimi paraprak dhe informacioni gjithëpërfshirës i pronarëve të pronave, e drejta e tyre për të paraqitur komente për shpronësimin e kërkuar, mundësia e një mjeti të përshtatshëm juridik, dhe kompensimi adekuat i tyre përpara se procesi të përfundojë.

    Vendosja e katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet.

    BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t’i përmbahen reptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur të respektohen plotësisht.

  • ​Arrestohet një 26-vjeçar në Ferizaj për armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve

    ​Arrestohet një 26-vjeçar në Ferizaj për armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve

    Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar një 26-vjeçar të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.

    Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rrugën “Hamëz Jashari” derisa policët e stacionit ishin në një pikë kontrolli dhe ndaluan një automjet me targa vendore.

    “Gjatë legjitimimit të shoferit dhe kontrollimit të automjetit, policia ka gjetur një karikator me një fishek, sasi të substancës narkotike dhe një mulli për bluarjen e substancave narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia gjithashtu ka bastisur banesën e të dyshuarit, ku ka konfiskuar armë dhe fishek.

    “Është bastisur banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dy armë zjarri (pistoleta) dhe një fishek. I dyshuari G.H (M/K) i moshës 26 vjeçare është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Rasti është iniciuar si ‘’Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’’ dhe ‘’Posedim i paautorizuar i substancave narkotike psikotrope ose analoge”.

     

  • Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, ministri Vitia kërkon nga ta që të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët

    Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, ministri Vitia kërkon nga ta që të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë pjesë në promovimin e Manualit të Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

    Me këtë rast ai i ka uruar infermierët për Ditën Ndërkombëtare të tyre, duke kërkuar që të ofrojnë shërbime sa më cilësorë për qytetarët.

    Vitia infermierët i ka quajtur boshti i sistemit shëndetësor, për çka u ka garantuar mbështetjen e vazhdueshme.

    “Ky manual është realizuar falë punës së ekspertëve, por mbi të gjitha me angazhimin e infermierëve, që janë boshti i sistemit tonë shëndetësor. Roli i infermierisë është i rëndeshim prandaj zhvillimi i vazhdueshëm dhe edukimi është i domosdoshëm”.“

    Manuali përveç zbatimit duhet të përshihet si literaturën në shkollat e mesme dhe fakultetet e studimeve shëndetësore. Do të hartojmë edhe dy manual të tjera. Shpreh mirënjohjen time për ata që punuan në këtë manual. Urime 12 Maji, ofroni shërbime sa ma cilësore për qytetarët tanë”.

  • Dita Botërore e Infermierisë: Studentët e Kolegjit AAB ofrojnë shërbime shëndetësore falas për qytetarët

    Dita Botërore e Infermierisë: Studentët e Kolegjit AAB ofrojnë shërbime shëndetësore falas për qytetarët

    Dita Ndërkombëtare e Infermierisë shënohet çdo vit më datën 12 Maj, kontributin e infermierëve në shoqëri. Ashtu si në gjithë botën, 12 Maji shënohet edhe në Kosovë. Fakulteti i Infermierisë në Kolegjin AAB, për këtë ditë ka organizuar aktivitete të shumta për studentët.

    Koordinatorja e Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin Teuta Bujupi, në një intervistë në emisionin ALARM në ATV, tregoi se për këtë ditë, në këtë kolegj është organizuar edhe një kurs ndërkombëtar për infermierët, si dhe do të ketë aktivitete të shumta të studentëve.

    “Ne në kuadër të javës së infermierisë ose pikërisht sot në ditë e infermierisë, në Kolegjin AAB kemi edhe një kurs ndërkombëtar që organizohet për nderë të kësaj dite, për infermierët të cilët do të përfshihen në këtë organizim, do të kenë mundësi të ketë qasje të marrjes së informatave të reja lidhur me njohuritë që mund të fitojnë ata në menaxhimin e situatave të ndryshme karshi punës që kanë në terren, në klinika, në ordinanca ku ata punojnë. Ky kurs do të fillojë sot, do të jetë gjatë gjithë ditës. Përveç këtij kursi, ne e kemi filluar javën e infermierisë me aktivitete edhe ditëve që kaluan kemi pasur organizimin e dhurimit vullnetar të gjakut, që tashmë prej vitit 2016 është bërë traditë në Kolegjin AAB, ku shumë vullnetarë, studentë, staf dhurojnë gjak dhe pikërisht e bëjnë për humanizëm karshi situatave të ndryshme që përballemi”, tha Bujupi.

    Ajo tregoi për nderë të kësaj ditë, studentët e infermierisë të Kolegjit AAB dje kishin aktivitete të ndryshme infermierie në shtatë komunat kryesore në Kosovë.

    “Ne dje e kemi pasur një aktivitet në 7 komunat kryesore të Kosovës, ku kemi aplikuar disa teknika infermierie ose kemi ofruar shërbime shëndetësore falas për ta, duke iu ofruar matje të tensionit arterial, matjen e glikemisë, po ashtu kemi bërë edhe një edukim për këta persona të cilët veç janë të atakuar me sëmundjet, por edhe për edukimin dhe promovimin e shëndetit karshi një jete të shëndetshme, për të cilën dita ditës kemi filluar të kemi probleme të shëndetit karshi stilit të jetës”, tregoi Bujupi. /atvlive.tv

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Moti gjatë ditës së sotme në vendin tonë do të kryesisht me intervale të lehta me diell, ndërsa gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 14 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 19 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme: