ATV

Blog

  • Operacion policor në gjashtë lokacione, arrestohen pesë persona për “shtytje në kryerjen e veprës terroriste”

    Operacion policor në gjashtë lokacione, arrestohen pesë persona për “shtytje në kryerjen e veprës terroriste”

    Drejtoria Kundër Terrorizmit, në koordinim me Prokurorinë Speciale, pas hetimeve disamujore, sot ka ndërmarrë operacion policor në gjashtë lokacione, në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, për zbatimin e urdhëresës për kontroll, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.

    Si rezultat i këtij operacioni, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘shtytje në kryerjen e veprës terroriste, sipas nenit 134 të KPRK-së’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas nenit 366 të KPRK-së, janë arrestuar pesë persona të dyshuar (L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S.), ndaj të cilëve janë duke vijuar procedurat ligjore.

    Të dyshuarit e lartcekur janë të njohur për Policinë e Kosovës, si të dyshuar për përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra tjera penale në rajonin e Pejës.

    Në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar: tri revole, një armë automatike AK-47, një armë rekreative pneumatike, pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.

    Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

  • ​Konjufca: Rastet e dhunës në familje nuk kanë pësuar rënie domethënese

    ​Konjufca: Rastet e dhunës në familje nuk kanë pësuar rënie domethënese

    Kuvendi i Kosovës ishte nikoqir i seminarit të Rrjetit të Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë. Aty, kryetari Glauk Konjufca ka thënë se përkundër masave ligjore dhe fushatave për ngritje të vetëdijes, rastet e dhunës në familje nuk kanë pësuar rënie domethënëse.

    Ai ka theksuar se nevojitet më shumë përpjekje për të shënuar progres.

    Në seminarin që për temë kishte promovimin e një parlamenti me ndjeshmëri gjinore, Konjufca ka thënë se Kosova po merr masa të vazhdueshme për të luftuar pabarazinë.

    “Pa barazi gjinore nuk ka barazi njerëzore. Barazia njerëzore është abstrakte e bile edhe subversive nëse nuk e merr formën praktike e konkrete të barazisë gjinore. Aspekti bazik i qytetërimit është barazia e grave me burrat. Kosova po bën veprime të shumta e po merr masa të vazhdueshme për ta luftuar pabarazinë”, ka thënë ai.

    Ai ka përmendur miratimin e Konventës së Stambollit në Kuvendin e Kosovës, si dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj grave.

    “Përkundër të gjitha këtyre masave ligjore dhe institucionale, edhe plot fushatave të tjera vetëdijësuese, progresi është shumë i ngadalshëm, kurse rastet e dhunës në familje nuk kanë pësuar ndonjë rënie domethënëse. Prandaj nevojitet edhe më shumë përpjekje, edhe më shumë bashkim i forcave për t’i dalë në krye kësaj detyre”, ka thënë ai.

    Ai ka theksuar se çdo veprim institucional i cili rrit pjesëmarrjen e grave në jetën publike, është i domosdoshëm.

  • Ferizaj, vetëm për një javë raportohen shtatë raste të dhunës në familje

    Ferizaj, vetëm për një javë raportohen shtatë raste të dhunës në familje

    Vetëm për një javë, në Policinë Rajonale të Ferizajt, janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje. Lidhur me këto raste, katër persona janë ndaluar në mbajtje ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

    Siç bëhet e ditur në njoftimin e Policisë, pesë prej tyre janë në Ferizaj ndërsa dy raste në Shtime.

    “Në Policinë Rajonale të Ferizajt gjatë javës që shkoj, nga data 08-14/05/2023 janë raportuar 7 raste të dhunës në familje, prej tyre 5 raste janë raportuar në Ferizaj dhe 2 raste në Shtime. Me vendim nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, 4 persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë , ndërsa 3 persona tjerë janë liruar për procedurë të rregullt hetimore”, bëhet e ditur në komunikatën e Policisë.

    Policia e Kosovës fton qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje.

    Qytetarët të cilët kanë informacione mund ta bëjnë këtë edhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, ose në numrat e telefonit: 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.

    PK siguron që të dhënat e raportuesve ruhen me konfidencialitet të plotë.

  • ​Turqia shkon në balotazh

    ​Turqia shkon në balotazh

    Beteja e Turqisë për presidencën duket pothuajse e sigurt se do të shkojë në balotazh, me presidentin Rexhep Tajip Erdogan të vendosur për një epërsi prej katër pikësh në raundin e parë.

    Pas 20 vitesh në pushtet, ai qëndroi në ballkonin e selisë së partisë së tij duke thënë se ishte i bindur se do të fitonte edhe pesë vite të tjera.

    Sfidanti i opozitës Kemal Kilicdaroglu pohoi gjithashtu se kishte fitoren në duart e tij.

    Gjithçka dukej se kishte rënë në vend për suksesin e raundit të parë.

    Por rezultatet jo të plota i japin atij rreth 45%, Erdoganin me më shumë se 49% të votave. Kandidatëve u duhen më shumë se 50% për të fituar në raundin e parë, shkruan BBC.

    Erdogan ka një rritje të shtuar teksa kërkon të zgjasë presidencën e tij. Aleanca e tij Popullore e partive ka fituar gjithashtu një shumicë në parlament, sipas shifrave paraprake të dhëna nga agjencia shtetërore e lajmeve.

    Për muaj të tërë, partitë e ndryshme opozitare të Turqisë kishin bashkuar forcat e tyre në një përpjekje për t’i dhënë fund një presidenti që e ka zgjeruar pushtetin e tij në mënyrë dramatike që nga një grusht shteti i dështuar kundër tij më 2016.

    Dhe turqit dolën për të votuar në një numër shumë të lartë. Zyrtarët vlerësojnë pjesëmarrje prej 88.8%.

    Zgjedhjet po ndiqen nga afër në Perëndim, sepse Kilicdaroglu ka premtuar të ringjallë demokracinë turke si dhe marrëdhëniet me aleatët e saj në NATO. Nga ana tjetër, qeveria e Erdogan me rrënjë islamike ka akuzuar Perëndimin se po komploton për ta rrëzuar atë dhe kandidatura e Turqisë për në BE ka qenë prej kohësh në akull.

    Në orët e para të së hënës, Kilicdaroglu qëndroi në një skenë në selinë e partisë së tij në Ankara, i rrethuar nga aleatët e tij, duke bërë çmos që të dukej optimist.

    “Nëse kombi ynë thotë raundin e dytë, ne do të fitojmë absolutisht në raundin e dytë,” tha ai.

    Zëdhënësi i partisë Faik Oztrak përforcoi më vonë komentet e tij, duke shtuar se ata do të bënin gjithçka që mundeshin në dy javë përpara balotazhit.

  • Historia e Kullës së Tahir Mehës në Prekaz!

    Historia e Kullës së Tahir Mehës në Prekaz!

    Sapo të futesh në Prekaz, vëreni se ky fsha ka një histori të lashtë kombëtare. Në hyrje të Prekazit është kulla apo oda siç njihet më shumë në Drenicë e Ilaz Kodrës e pak metra më tej, është ajo e familjes së Adem Jasharit. Rreth 700 metra prej saj është kulla e Tahir Mehës. Kjo kullë është një monument i trashëgimisë kulturore në Prekazin e Epërm të Skenderajt. Ky monument është i miratuar në kategorinë arkitekturore.

    “Kulla e vjetër kishte filluar në vitin 1913 dhe përfunduar në vitin 1916. Është ndërtuar nga meshkujt e lagjes Meha, nga shokët e Emin Latit, Nebih Mehës, Tahir Mehës edhe Beqir Mehës. Në këtë kullë kanë marrë pjesë Azem Bejta me shokë, Hasan Prishtina dhe njerëz atdhetarë të asaj kohe, sepse gjyshi i Tahirit, Emin Lati ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës. Po ashtu ka marrë pjesë edhe legjendari, komandanti i Drenicës Shaban Polluzha, me qenë se Nebih Meha ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës. I ka qendru kohës, është kullë e vjetër, është e lashtë, i ka qendru kohës deri me 13 maj 1981 kur mixha Tahir me gjyshin Nebiun luftuan kundër njësiteve speciale të Republikës Federative të Jugosllavisë. Po atë ditë kanë rënë dëshmorë mixha dhe gjyshi dhe është rrënuar kulla nga tanksi serb”, tregon në një bisedë për ATV-në, Ilir Meha, familjar i Heroit Kombëtar, Tahir Mehës. /atvlive.tv

  • Ministri Krasniqi deklarohet për hapjen e Urës së Ibrit

    Ministri Krasniqi deklarohet për hapjen e Urës së Ibrit

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së jugut për hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër ndodhet ende në trajtim në ministri, raporton Ekonomia Online.

    I pyetur nëse çështja e hapjes së Urës së Ibrit do të diskutohet në procesin dialogues në Bruksel, siç ka pretenduar javën e kaluar emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ministri Krasniqi ka nënkuptuar se për qeverinë vlen përgjigja e kryeministrit.

    Krasniqi këto komente i bëri në një deklarim për media pas përfundimit të takimit mes përfaqësuesve të qeverisë dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).

    “Vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, aktualisht është në trajtim në Ministrinë tonë, kurdo që të përfundojë vlerësimi i ligjshmërisë së aktit ne do e dërgojmë te instancat tjera”, tha Krasniqi.

    Krasniqi ka thënë se brenda takimit mes qeveritarëve dhe kryetarëve të komunave, është shprehur pajtim për trajtimin e çështjes së të hyrave vetanake.

    “Sa i përket të hyrave vetanake, ministri i Financave në emër të qeverisë e hapi derën për zgjidhjen e kësaj çështje, sepse ne faktikisht po e implementojmë një amandament të miratuar në kuadër të Ligjit për Buxhetin. Nëse duhet të ndryshohet ky amandament, ministri edhe një herë sot u kërkoi kryetarëve të komunave që të bëjnë kërkesë dhe ajo do të trajtohet”, ka thënë Krasniqi.

  • ​Trupat ukrainase i afrohen Bakhmutit

    ​Trupat ukrainase i afrohen Bakhmutit

    Forcat ukrainase kanë arritur përparime të mëtejshme në zonën përreth qytetit lindor të kontestuar ashpër të Bakhmutit.

    Sipas zëvendësministres ukrainase të Mbrojtjes, Hanna Maliar, ushtria ukrainase ka kapur më shumë se 10 pozicione armike në veri dhe në jug të Bakhmutit.

    “Ushtarët rusë u kapën gjatë operacionit dhe trupat ukrainase vazhduan të avancojnë kundër të gjitha gjasave. Këtu një metër vlen 10 kilometra për sa i përket kompleksitetit të detyrës”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

    Pavarësisht suksesit të fundit ukrainas, situata në Bakhmut mbetet e tensionuar, pasi ushtria ruse po bën rezistencë të ashpër.

    “Armiku ka mbledhur të gjitha forcat e tij atje dhe po përpiqet të përparojë, duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tij”, shkroi Maliar.

  • Në fillim të qershorit pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

    Në fillim të qershorit pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

    Më 1 qershor të këtij viti pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e kanë konfirmuar nga zyra për informim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

    Në seancën e 24 janarit 2023, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës, Admir Salihu, që të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës.

    Ndërsa, në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

    Pas pranimit të ekspertizës, gjakata ka caktuar seancën e radhës, e cila do të mbahet më 1 qershor 2023.

    Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

    Kurse, më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

    Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

    Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

  • Sarrazin: I kemi në tryezë konceptet e Asociacionit, nuk është më debat teorik

    Sarrazin: I kemi në tryezë konceptet e Asociacionit, nuk është më debat teorik

    Me rastin e zgjatjes së mandatit të Bundeswehr-it gjerman në Kosovë, gazeta Welt ka publikuar një intervistë me Manuel Sarrazin.

    I dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por mbi të gjitha për ndikimin e Rusisë në rajon.

    “Ndoshta nuk ka ende një marrëveshje mes dy palëve në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por tani, të paktën për herë të parë, ka koncepte në tryezë në mënyrë që interesat serbe nga njëra anë dhe aftësia e Kosovës për të vepruar si shtet nga ana tjetër mund të pajtohen. Deri më tani ka qenë gjithmonë vetëm një diskutim teorik”, ka thënë Sarrazin, duke shprehur njëkohësisht shpresën se, “nëse arrijmë të hyjmë në një proces pozitiv dhe të ndërtojmë besim reciprok, atëherë mund të shkojmë shumë larg”.

    Duke iu përgjigjur pyetjes për ndikimin e Moskës, ai thotë se “Është relativisht e qartë se Rusia nuk ka interes për një zgjidhje paqësore, por jo për të mbështetur Serbinë, por për të mbajtur Bashkimin Evropian të zënë me konflikte dhe për të minuar të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.”

    Njëkohësisht Sarrazin ka theksuar se duhet pasur kujdes me vlerësimet.

    “Në njërën anë, ne dëgjojmë se ndikimi rus, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, tani vjen drejtpërdrejt nga Moska, pra jo më përmes palëve të treta. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një justifikim i mirë për qeverinë serbe, sepse ajo mund të thotë – “Ne nuk kemi asgjë me këtë, janë rusët”. Është pak si “macja e Shrodingerit”: Rusia është brenda, por sa shumë, apo sa pak, nuk mund ta vërtetosh”./GazetaSinjali/

  • Parandalohet një rast i kontrabandës në veri të Mitrovicës

    Parandalohet një rast i kontrabandës në veri të Mitrovicës

    Policia ka parandaluar një kontrabandë në fshatin Bistricë, pasi kanë hasur në një kamion që po transportonte dru për në Serbi.

    Sipas policisë, i dyshuari ka dalë nga kamioni dhe ka ikur në drejtim të panjohur.

    “Gjatë patrullimit në fshatin Bistricë kanë vërejtur një automjet transportues/kamion me targa vendore i cili ishte duke lëvizur nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë. Personi i dyshuar porsa ka vërejtur njësinë policore e ka braktisur automjetin duke e lënë atë të ndezur, dhe është larguar në drejtim të panjohur. Gjatë kontrollit të realizuar në automjet janë gjetur të ngarkuara lëndë drunore të cilat dyshohet se ishin të dedikuara për t’i dërguar në Serbi”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet për procedura të mëtutjeshme hetimore, ndërsa automjeti i përfshirë në rast është dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare (SPMK) në Leposaviq.