ATV

Blog

  • Power për Asociacionin: Pozicioni i SHBA-së i qartë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, do të jetë në përputhje me Kushtetutën

    Power për Asociacionin: Pozicioni i SHBA-së i qartë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, do të jetë në përputhje me Kushtetutën

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pozicioni i SHBA-së është i qartë sa i përket Asociacionit, i cili duhet të jetë në përputhje me Kushtetutës së Kosovës dhe strukturës qeverisëse.

    Ajo tha se kompetencat ekzekutive nuk janë diçka që parashihen në marrëveshje.

    “Mendoj se SHBA-ja ka qenë shumë e qartë lidhur me pozicionin tonë, e që është se nuk duhet krijuar një nivel shtesë të qeverisjes dhe se kompetencat ekzekutive nuk janë diçka që parashihet këtu. Ajo për çka po flasim janë funksionet komunale, që tashmë ushtrohen në pjesët tjera të Kosovës. Prandaj, e kuptoj sensitivitetin rreth kësaj çështjeje, brengën që ekziston, sidomos kur kihen parasysh disa propozime të bëra paraprakisht. Prapë, sa i përket qëndrimit të SHBA-së lidhur me vendin që ky Asociacion duhet të ketë brenda Kushtetutës së Kosovës dhe strukturës qeverisëse në Kosovë, ai është shumë i qartë”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power për situatën në veri: Është një kohë shumë delikate ku një situatë e ngrirë mund të “shkrihet”

    Power për situatën në veri: Është një kohë shumë delikate ku një situatë e ngrirë mund të “shkrihet”

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se tani kjo situata siç e quan ajo, ‘e ngrirë’, mund të dëmtojë përparimin e arritur.

    “Stabiliteti është i rëndësishëm, në kuptimin që nuk duhet pasur elemente të armatosura që i provokojnë njerëzit në çfarëdo mënyre. Unë mendoj se është një kohë shumë delikate ku një situatë e ngrirë mund të “shkrihet” në mënyra që mund të dëmtojnë përparimin e arritur”, tha Power.

    Ajo tha se serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione sepse kjo, sipas saj, do t’ua përmirësonte jetën qytetarëve, do t’i përmirësonte shërbimet, do të përmirësonte ndjenjën e të qenit të përfaqësuar.

    Power thotë se ngecja e progresit politik është vetvetiu destabilizuese.

    “Kur të kthehem në SHBA dhe të takoj liderë të biznesit të mund t’u them se Kosova është një vend i hapur për biznes, shikoni se çfarë reformash kanë bërë, shikoni ankandin për energji diellore që sapo e shpallëm. Pra, është me rëndësi që të ruhet stabiliteti gjatë kohës që po përpiqemi të arrijmë progres politik, por ngecja e progresit politik është vetvetiu destabilizuese”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power tregon se çfarë i thanë Kurti e Osmani për Marrëveshjen e Ohrit

    Power tregon se çfarë i thanë Kurti e Osmani për Marrëveshjen e Ohrit

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pas takimit që kishte me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, këta dy të fundit dy ishin shumë të vendosur se Marrëveshja e Ohrit duhet implementuar në tërësi.

    “Tani po hyjmë në një faze kritike ku po presim që të dyja palët të dalin me propozime shumë konkrete në mënyrë që të arrihet një pozicion i përbashkët. Mendoj se është me rëndësi të kihet parasysh se po vijmë nga një periudhë ku mendohej se nuk do të kishte diskutime, në radhë të parë se nuk do të kishte dialog pa njohje, megjithëse kjo ishte mjaft kohë më parë. Edhe tani, gjatë këtyre bisedimeve ka një mosgadishmëri për t’u angazhuar rreth Asociacionit”, tha Power.

    Megjithatë, ajo thotë se është optimiste fazën e ardhshme pala kosovare do të dalë me propozime konkrete. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power: Pozicioni i SHBA-së për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, është i qartë

    Power: Pozicioni i SHBA-së për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, është i qartë

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pozicioni i SHBA-së për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë është i qartë dhe kur mendohet normalizimi i raporteve kudo në botë kjo është një rrjedhojë normale.

    ““Tani fokusi është në integrimin e Kosovës në institucionet Euro-Atlantike, ndërsa në Kosovë fokusi është në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Fokusi gjithashtu është edhe në sigurimin që serbët të përmbushin pjesën e tyre të obligimeve nga marrëveshja. Mendoj se ka mjaft në këtë marrëveshje mbi normalizimin për t’u sjellë benefite të gjithëve”, tha Power.

    Sipas saj, normalizimi me Serbinë do të hiqte shumë barriera për Kosovën si nga aspekti i integrimit po ashtu edhe në uljen e barrierave në tregti.

    “Qartazi, ka kaluar një periudhë e gjatë nga viti 1999 pa shumë normalizim, përkundër përparimit të madh demokratik dhe ekonomik. Asgjë nuk mund t’ia mohojë këtë të fundit Kosovës dhe kjo është arsyeja pse ajo është aty ku është sot dhe po shënon rezultate në luftën kundër korrupsinit dhe zhvillim të reformave. Megjithatë, ajo që normalizimi do të bënte të mundur nga aspekti i integrimit rajonal, uljes së barrierave në tregti si dhe reputacionit të Kosovës në nivel rajonal, European dhe global, mendoj se do të ishte një ngjarje transformative, dhe zbatimi i kornizës implementuese do të zhbllokonte progresin ekonomik i cili tani do të ishte vështirë i realizueshëm”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Power: Qysh më 1999 e pash vendosmërinë e kosovarëve për të ndërtuar të ardhmen, një Kosovë të pavarur

    Power: Qysh më 1999 e pash vendosmërinë e kosovarëve për të ndërtuar të ardhmen, një Kosovë të pavarur

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për lidhjen e saj me Kosovën në kohën e luftës në vitin 1999, ku në atë kohë ishte në pozitën e gazetares që kishte përcjellë nga afër eksodin e shqiptarëve pas bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi.

    “Unë dikur kam qenë gazetare. Karrierën time e fillova si korrespondente e luftës në Bosnie, gjatë kohës kur ish-Jugosllavia po kolapsonte dhe njerëzit po kalonin nëpër vuajtje të shumta. Këtu kam ardhur në vitin 1999, në kohën kur shqiptarët etnik po hynin masovikisht në shtete fqinje. Fillimisht isha në Maqedoni dhe po intervistoja njerëzit që po kalonin kufirin dhe po hynin në këtë vend dhe po mësoja se cilat ishin arsyet që po i shyenin të iknin nga vendi i tyre. Ishin rrethanat shumë të vështira këtu që kishin të bëjnë me luftën. Pastaj, hyra në Kosovë bashkë me njerëzit që po ktheheshin prapa dhe po zbulonin se ç’kishte ndodhur me shtëpitë dhe familjarët e tyre. Qysh atëherë pashë tek ata vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme më të shndritshme në Kosovë, në Kosovën e pavarur, e cila u realizua më vonë”, tregon Power.

    Ajo thotë se tani i duket e pabesueshme që është rikthyer prapë, tani në cilësinë e Administratores së USAID-it.

    “USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliardë dollarë amerikan për të rritur mundësitë e punësimit dhe fitimit, ndërtuar sundimin e ligjit, themeluar gjyktatë përfshirë atë komerciale, fuqizuar mediet e pavarura. Pra, tani kam shumë më tepër vegla në dispozicion krahasuar me kohën e atëhershme kur kisha vetëm një çantë shpine, një laps dhe fletore për të marrë shënime. Por, më duhet të them se gjatë jetës sime, ambicia më ka mbetur e njëjtë, e që është bërja e asaj që një person mund të bëj për t’u ndihmuar njerëzve të kenë jetë dinjitoze, të lirë dhe me mundësi që të prosperojnë. Tani ndjehem me fat që jam këtu dhe kam mundësinë të bisedoj me kosovarët lidhur me atë se çka mendojnë ata se mund të bëj SHBA-ja për të ndihmuar në këtë fazë të rritjes dhe zhvillimit të Kosovës”, tha Power. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Vazhdon shtrirja e sportit të xhudos në gjithë Kosovën

    ​Vazhdon shtrirja e sportit të xhudos në gjithë Kosovën

    Përmes projektit “Kosova shtet i xhudos” po vazhdon shtrirja dhe demonstrimi i i sportit të xhudos nëpër shkollat fillore në të gjithë Kosovën.

    Demonstrimi i këtij sporti sot është bërë në SHFMU ‘Jeta e Re” në fshatin Gremë, të Ferizajt, përcjellë KosovaPress.

    “Bashkë me trajnerin e klubit të xhudos, “Kastrioti”, Mal Musa dhe xhudistët, Vlera Gashi, Erza Sadriu, Jetesa Baliu, Eljesa Salihu, Agron Hamza, Ermir Bytyqi, Erion Guta kemi demonstruar lëvizjet bazike të xhudos pranë nxënësve pjesëmarrës. Ky ishte demonstrimi i parë i realizuar në zona rurale dhe demonstrimi i parë ku janë përfshirë mësimdhënësit dhe prindërit, duke e rritur interesimin për regjistrime në klubet e xhudos.”, thuhet në faqen zyrtare të Federatës së Xhudos.

    Programi shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos”, përmes komponentës, “Xhudo në shkolla – xhudistët e rinj”, ka për qëllim të zhvillojë masovizimin dhe integrimin e disiplinës së xhudos në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës.

  • Shkon në 10 numri i të vdekurve nga sulmi i 3 majit në shkollën e Beogradit

    Shkon në 10 numri i të vdekurve nga sulmi i 3 majit në shkollën e Beogradit

    Ka shkuar në 10 numri i të vdekurve si pasojë e sulmit që ndodhi më 3 maj në një shkollë fillore në Beograd.

    Vajza kishte qenë duke u trajtuar në Klinikën Universitare Tiršova.

    Siç raportohet ajo kishte pasur lëndime të rënda në kokë.

    Ajo vdiq pavarësisht ndërhyrjeve kirurgjikale, duke mos iu përballuar plagëve dhe masave intensive të marra nga mjekët.

    Kjo u bë e ditur nga ministrja e Shëndetësisë Danica Grujiçiq.

    Grujiçiq i shprehu ngushëllime familjes së vajzës.

    Para gati dy jave në shkollën “Vladislav Ribnikar”, në Beograd një 14-vjeçar e kishte kryer një sulm të armatosur.

    Si pasojë e këtij sulmi kishin vdekur tetë nxënës dhe roja e shkollës.

    E po ashtu ishin plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

  • Bllokimi i të hyrave vetanake, Aliu: Kurti premtoi zgjidhje

    Bllokimi i të hyrave vetanake, Aliu: Kurti premtoi zgjidhje

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu ka deklaruar se nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti morën zotimin se do të nisë një procedurë për zgjidhjen e çështjes së të hyrave vetanake. Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të ketë vullnet për adresimin e këtij problemi, derisa komentoi edhe deklarimet e Kurtit, i cili u shpreh se “kryetarët e komunave po e luajnë rolin e opozitës”.

    Për këtë deklarim të Kurtit, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se kryetarët e komunave nuk janë opozitë, pasi opozita e qeverisë Kurti është në parlamentin e Kosovës.

    “Kryetarët e komunave nuk kanë qenë opozitës e asnjërës nga qeveritë që janë ndërtuar që nga historia e pasluftës sepse ne thjesht bëjmë detyrën tonë, ne jemi më shumë kërkues sepse ndaj nesh janë më shumë kërkues qytetarët, dhe jemi më shumë kërkues sepse kemi shumë projekte për të bërë e zhvilluar dhe dëshirojmë t’i eliminojmë dhe evitojnë pengesat që i kemi në zhvillim e sipër. Prandaj, ne kërkojmë vazhdueshëm nga qeveritë e kaluara edhe tash kemi rastin me qeverinë Kurti të jemi kërkues, por jo absolutisht që të jemi opozitë sepse opozita e Qeverisë Kurti është në parlamentin e Kosovës, aty bëhet opozita, kryetarët e komunave të Kosovës iu takojnë të gjithë qytetarëve të tyre, po ashtu edhe Asociacioni i Komunave ka dëshmuar se ka unitet qytetar më shumë se politik”, theksoi ai.

    Sa i takon çështjes së të hyrave vetanake, i pari i Ferizajt tha se morën zotimin nga kryeministri Kurti se do të fillojë një procedurë për zgjedhjen e kësaj çështjeje.

    Sipas tij, qeveria duhet të ketë vullnet të zhbllokojë këtë proces.

    “Sa i përket të hyrave vetanake unë kërkova nga kryeministri se nuk është çështjes si lojë fjalësh si është në debat se kush duhet të marr flamurin, për ne nuk është kjo çështje për kryetarët e komunave çështja është e si të zgjidhet, kemi marr zotimin e kryeministrit që të fillojë një procedurë e cila do të ketë zgjidhje për këtë çështje sepse të hyrat vetanake iu takojnë komunave dhe duhet të menaxhohen nga komunat… Më shumë se sa një garë është çështje e vullnetit. Qeveria duhet të tregojë vullnet në mënyrë që të zgjidhet kjo çështje e jo se si të tregohemi të fortë para dikujt ”, theksoi ai.

    Sa i takon paralajmërimeve të disa kryetarëve se çështjen e të hyrave vetanake do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, kryetari i Ferizajt u shpreh se nuk beson se do të vije puna deri aty.

    “Nuk e besoj që do të vije puna që kjo çështje të shkoj në Gjykatën Kushtetuese sepse po besoj se takimi i sotshëm ka treguar se kemi energji për t’i zgjidhur këto çështje”, tha ai.

    Kryetari Aliu u shpreh se në këtë takim me kryeministrin dhe ministrat e Kosovës kërkuan azhuritet e efikasitet në mënyrë që të evitohen problemet që po përballen. /KP

  • “Skanderbeg”, vjen filmi i parë i animuar 3D me hero shqiptar

    “Skanderbeg”, vjen filmi i parë i animuar 3D me hero shqiptar

    Florjan Binaj është skenarist i këtij projekti ndërsa Daniel Kordhoni është autor/producent.

    Siç tregojnë autorët, ideja e filmit të animuar “Skanderbeg”, lindi për faktin se të gjithë fëmijët kanë qejf personazhe, siç është edhe Spiderman. Tashme do të kemi edhe një hero shqiptar që ata e njohin dhe i frymëzon shumë.

    Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, Binaj dhe Kordhoni treguan më shumë detaje rreth këtij projekti.

    “Kjo ide lindi në kohën e pandemisë në vitin 2020 kur ne ishim brenda në shtëpi dhe duke ndenjur vetëm me fëmijët, shihnim vetëm kukulla me ta dhe në një moment me erdhi në maje të hundës duke parë kukulla të huaja”, tregon Florijani.

    Ai thotë se duke biseduar me Danielin, i kishte thënë se si ka mundësi që nuk kemi një palë kukulla ose një film të animuar shqiptar ku do të ketë heronjtë shqiptarë.

    “Ne krenohemi me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, por e kemi vetëm në librat e historisë dhe e festojmë festën e tij vetëm një herë në vit. Pse mos të jetë më shumë se aq. Dhe, filluam bashkë me Danielin duke menduar po sikur ta bëjmë një film të shkurtër, ta bëjmë film të gjatë, ta bëjmë kështu apo ashtu, dhe unë shkruaja skenarin, takoheshim në mbrëmje me video lidhje dhe flisnim për orë të tëra se si do e zhvillojmë, ndërkohë Danieli kërkonte të gjente një grup artistësh që punonin në 3D grafistë për t’i konkretizuar këto hapa që bëmë. Deri sa para një viti e ca e mbaruam skenarin, më pas filloi puna për konkretizimin e këtyre personazheve për t’i bërë sa më real në mënyrë që t’ua tregojmë njerëzve që ‘ja po bëjmë diçka serioze’ dhe erdhëm në pikën që jemi sot”, tregon Florjani.

    Në anën tjetër, Daniel Kordhoni, autor dhe producent i filmit të animuar “Skenderbeg”, foli për pronën intelektuale të këtij projekti, duke thënë që janë kujdesu që
    personazhet t’i patentojnë dhe t’i mbrojnë të drejtat autoriale të projektit.

    Ai tregoi se kjo që është bërë deri më tani është vetëm fillimi i projektit, për të cilën iu duhen edhe ndihmë financiare për ta vazhduar më tej.

    “Unë personalisht si sipërmarrës që jam këtu në Francë, në qoftë se nuk do marrë donacionin e duhur ose mbështetjen e duhur nga organizata apo persona në fjalë, do të shkoj deri në atë pikë sa që do marr kredi dhe do ta bëj këtë projekt”, tha Danieli. /atvlive.tv

  • Përfundojnë dy takimet dypalëshe, pritet të nisë takimi mes Lajçakut, Bislimit dhe Petkoviqit

    Përfundojnë dy takimet dypalëshe, pritet të nisë takimi mes Lajçakut, Bislimit dhe Petkoviqit

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar të hënën në Bruksel, me takime të ndara të kryenegociatorëve të të dyja shteteve me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Lajçak, ka zhvilluar një takim bilateral me delegacionin serb të kryesuar nga kryenegociatori serb Petar Petkoviq. Më pas ai ka zhvilluar një takim dypalësh edhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bisimi.

    Pas takimeve të ndara, pritet të nisë edhe takimi i përbashkët.

    Fokusi i takimeve është zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të saj.

    Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.

    I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

    Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

    Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.

    Duke folur për takimet në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë edhe me kryeministrin kosovar Kurti, dhe presidentin serb Vuçiq, Lajçak tha se liderëve u ka përcjellë pritshmërinë për përqendrimin në normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    “Nënvizova po ashtu rëndësinë që të evitohet çfarëdo lëvizje e pakoordinuar që mund të dëmtojë procesin”, ka shkruar Lajçak. Ndërkaq, duke iu referuar vizitës që zhvilloi në veri të Kosovës, ku ka biseduar për situatën aktuale, ai ka tërhequr vërejtjen se “ajo që kam dëgjuar, më ka shqetësuar”.

    “Prandaj ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi ai.

    Zyrtari i lartë evropian po ashtu është shprehur se pret nga Bislimi dhe Petkoviqi që të jenë të gatshëm të pajtohen për hapa konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    BE-ja pret që pas takimit të së hënës të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

    Palët tashmë kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth prioriteteve sa i përket zbatimit të pikave të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

    Ekzekutivi kosovar insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes, por Beogradi këmbëngul që fillimisht të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

    Edhe BE-ja, sipas një zyrtari të lartë, është e mendimit që themelimi i Asociacionit është çështja kryesore që do të vendosë edhe fatin e tërë procesit dhe kjo çështje konsiderohet si prioriteti kryesor, edhe pse sipas Aneksit të marrëveshjes, të gjitha pikat formalisht duhet të kenë rëndësinë e njëjtë.

    Drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, që u prezantua në Bruksel më 2 maj, u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës dhe ky refuzim ishte i pritshëm për BE-në.

    Kryeministri Kurti kishte prezantuar një vizion të tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se ishte frymëzuar nga marrëveshja e Kroacisë me Serbinë.

    Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshjes për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore. /REL