ATV

Blog

  • ​Gjenden mbetje mortore, dyshohet të jenë të një shqiptari të zhdukur gjatë luftës së fundit

    ​Gjenden mbetje mortore, dyshohet të jenë të një shqiptari të zhdukur gjatë luftës së fundit

    Sot (e hënë) ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) bashkë me ato të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës kanë gjetur mbetje mortore në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë dhe sipas ekspertëve dyshohet se i përkasin një personi të nacionalitetit shqiptar të vrarë e më pas të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Mbetjet u gjetën gjatë gërmimeve që po kryheshin për të katërtën herë në të njëjtën lokacion, ku dyshohet se ishin mbetjet e dy personave të zhdukur. I gjithë procesi është ndjekur nga afër edhe nga ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, deklaroi për KosovaPress se duhet të priten procedurat e tjera deri në marrjen e raportit të ADN-së për të konfirmuar identitetin e mbetjeve mortore.

    “Aktualisht ekipet tona të IML-së, të policisë dhe ekipet e komisionit e kanë has me një varr dhe në atë varr është gjetur një trup që sipas ekspertëve dyshohet të jetë person i zhdukur i luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht këtë nuk mund ta vërtetojmë deri në procedurat e tjera të ekspertëve, deri në marrjen e raportit të ADN-së. Megjithatë, për mua në këtë rast, jo vetëm si kryetar i komisionit por edhe si familjar, sa herë një pajisje e tillë gërmon nën tokë e kemi një ndjesi të rëndë ndër vete, mirëpo tash kur e gjetëm ishte një ndjesi edhe më e rëndë por edhe lehtësimi që megjithatë shpresojmë se do të arrijmë te rezultati i personave të zhdukur. Shpresojmë se familjes, personi që i përket, t’ia lehtësojmë sado pak dhimbjen”, deklaroi Hoti.

    Në lidhje me personin e dytë që po kërkohet, Hoti deklaroi se kërkimet do të vijojnë në të gjitha pikat ku dyshohet.

    “Nuk e di nëse do të mund të gjejnë prapë në të njëjtin varr apo në varre të tjera personin tjetër nëse ky është person i zhdukur, mirëpo ne nuk do te ndalim deri në gjitha pikat e tjera që kemi dyshime për persona të zhdukur”, tha Hoti.

    Në të njëjtin lokacion më parë janë gjetur edhe trupa të tjerë, prandaj është vlerësuar se at mund të ketë prapë mbeteje. Se si dyshohet se përfunduan aty viktimat e gjenocidit serb tregon Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    “Në bazë të dhënave që paraprakisht kemi lexuar, forcat serbe nga Spitali i Prishtinës gjatë viteve 99-të kanë bartur, në përpjekje të tyre për te fshehur gjurmët e krimit, mbetjet mortore kufomat e tetë viktimave në këtë lokacion dhe gjashtë nga tetë në bazë të dhënave janë gjetur të zhvarrosur, qoftë duke i identifikuar me metodë tradicionale nga ana e vet familjeve apo edhe me metodë shkencore të ADN-së nga ana e mekanizmave ndërkombëtarë që kanë qenë pjesë e këtij procesi, siç kemi pas rastin në vitin 2009 nga ana e EULEX-it”, tha Gara.

    Mbi 1600 persona ende janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

  • Kurti pas takimit me senatorët amerikanë: Marrëveshja me Serbinë duhet zbatohet tërësisht e pa kushtëzime

    Kurti pas takimit me senatorët amerikanë: Marrëveshja me Serbinë duhet zbatohet tërësisht e pa kushtëzime

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën janë të shkëlqyera dhe çdo ditë sa vijën e forcohen e thellohen.

    Kurti pas takimit me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, shtoi se të dy ka pasur një bisedë të përzemërt me senatorët.

    Ai theksoi se marrëveshja me Serbinë duhet zbatohet tërësisht e pa kushtëzime.

    “Me senatorët patëm një bisedë të përzemërt, folëm për marrëdhëniet e shkëlqyera që sa vijnë e thellohen e forcohen. Diskutuam mbi zhvillimet në vend, arritjen dhe synime. Bisedim edhe për dialogun me Serbinë, me theks te marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit. Na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime. I falënderojë ata për kontributin, jeni të mirëseardhur çdo herë”.

    Të dy senatorët fillimisht janë pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani.

    Në prillin e vitit të kaluar senatori amerikan Chris Murphy kishte vizituar Prishtinën e Beogradin.

    Murphy në atë kohë shprehej i prerë se duhet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ai madje e kishte vlerësuar si “kokëforte” qasjen e kryeministrit Kurtit.

  • Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Nagip Krasniqit

    Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Nagip Krasniqit

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me datë 19.05.2023 ka vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurin N.K, në kohëzgjatje edhe për dy muaj. Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit”, ka thanë ajo në një përgjigje me shkrim për Kosovapress.

    Më 19 prill, Prokuroria Speciale ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Një ditë pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Nagip Krasniqin.

    Ndërkohë, më 25 prill Bordi i kompanisë publike të KEK-ut, ka pezulluar nga detyra e kryeshefit Nagip Krasniqin.

  • “Zoti na rujt”, moderatori i Ekipi A shkakton të qeshura në studio kur i drejtohet mysafirit!

    “Zoti na rujt”, moderatori i Ekipi A shkakton të qeshura në studio kur i drejtohet mysafirit!

    Mbrëmë në emisionin EKIPA A në ATV, pyetja e moderatorit Ylber Kelmendi ka shkaktuar të qeshura në studio, kur e pyet presidentin e KF Ferizajt se a do t’i qëndronte pas skuadrës nëse do të binte nga liga.

    “Nuk po kam qejf me e përmend as hipotetiken as kurgjo, veç po du me t’pyet në rast, ‘Zoti na rujt’, nëse bjen Ferizaj nga Liga, a do t’i qëndrosh pas kësaj skuadre?”, ishte pyetja e moderatorit që shkaktoi të qeshura në studio.

    Pas situatës komike që u krijua në studio, presidenti i KF Ferizaj, Lulzim Abazi, iu përgjigj duke i thënë se do të vazhdojë t’i qëndrojë prapa skuadrës edhe nëse bien nga Liga. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Rami Hadar zyrtarizohet trajner i Kosovës në basketboll

    Rami Hadar zyrtarizohet trajner i Kosovës në basketboll

    Trajneri i KB Peja, Rami Hadar është zyrtarizuar këtë të hënë trajner i Kombëtares së Kosovës në Basketboll.

    Trajneri izraelit do të drejtojë Kosovën për tri vitet e ardhshme.

    Prezantimin e trajnerit izraelit e ka bërë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu.

    Në konferencë për media, Fetahu tha se është nder që Hadar ka pranuar që ta drejtojë Kosovën dhe se nën drejtimin e tij pret rezultate të mira në ndeshjet kundër Danimarkës në udhëtim si dhe Zvicrës si vendas në parakualifikimet për Eurobasket 2025.

    Nga ana tjetër, Hadar tha se në Kosovë po ndjehet si në shtëpinë e tij dhe në momentin që ka marr ofertën e ka pranuar me shumë kënaqësi.

    Ai tha se objektivi i tij me Kosovën është që të ketë rezultate sa më të mira, por edhe krijimin e një gjenerate të re në Kombëtaren e Kosovës në Basketboll.

    Hadar gjithashtu tha se planifikon prurje të reja në kombëtare duke përfshirë edhe natyralizime të tjera përveç atyre katër që janë momentalisht në kombëtare.

    Në lidhje me përzgjedhjen e Hadar, i pari i FBK së bëri të ditur se vendimi ishte marrë disa javë më parë dhe jo për shkak të suksesit që ai pati me Pejën ku u shpall kampion i Kosovës duke e sjellë titullin pas 1 dekade pasi e mposhti Trepçën në finale. /atvlive.tv

  • “Lëkura duhet të mbrohet jo vetëm gjatë verës”, këshilla nga estetistja Lirjana Nimani

    “Lëkura duhet të mbrohet jo vetëm gjatë verës”, këshilla nga estetistja Lirjana Nimani

    Për kujdesin ndaj lëkurës, veçmas mbrojtjes nga dielli, u diskutua në emisionin “E Diela Vlen” në ATV.

    Meqë, maji është edhe muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e lëkurës.

    Sipas estetistes Lirjana Nimani, kujdesi për lëkurë duhet të jetë gjatë katër stinëve të vitit, e jo vetëm gjatë verës.

    “Çka është një gjë shumë me rëndësi, jo vetëm kur vjen pranvera të përdoret kremi SPF, por gjatë gjithë stinëve. Disiplina e kujdesit të lëkurës të jetë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, sepse dielli është prezent gjithnjë”, u shpreh Nimani. /atvlive.tv

    Por, këshilla të tjera mund të ndiqni në linkun më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Fermeri nga Deçani që thotë nuk e lëshon Kosovën as për Amerikën

    Fermeri nga Deçani që thotë nuk e lëshon Kosovën as për Amerikën

    Ekipi i ATV-së ishte në vizitë të ferma e familjes Islamaj në fshatin Ratish të Deçanit.

    Pronari i kësaj ferme, Valdet Islamaj në rubrikën “Ferma Jonë” në emisionin “E Diela Vlen”, tregon se si e nis ditën, t’u e pas parasysh se kishte edhe kuaj dhe lopë, për vështirësitë të mirat dhe gjithçka tjetër.

    Ai tha së vetëm dashuria për kuaj dhe të mirat që sjellin lopët i mban, pasi që sipas tij, nga Komuna nuk ka asnjë mbështetje.

    “Edhe në Kosovë ka punë, vetëm se nuk po dojnë rinia. Ju ka ba truni veç jashtë. Mu me m’thanë qetash në Amerikë me shku, unë nuk shkoj se e kam biznesin tem, e njoh dhe e du”, tha ndër të tjera Islamaj.

    Islamaj gjithashtu foli edhe për një sfidë, të cilën e kishte kaluar, e pavarësisht kësaj, ai nuk e lëshoi vendin.

    “Mu vjet mu ka djeg posdomi ,diku 3000 danga sanë 1000 danga kashtë. I kam kërkua ndihmë Komunës, po më kanë thanë, por që nuk është realizu asnjë send, të paktën as 1 euro nuk është realizua”, u shpreh ai. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Hapet edicioni i shtatë i “Prishtina International Theater Festival”

    Hapet edicioni i shtatë i “Prishtina International Theater Festival”

    Sot fillon edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

    Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji, duke filluar nga ora 19:30 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

    Organizatorët e festivalit, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit Prishtina International Theater Festival këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Kroacisë, me shfaqjen “Rusalka” të regjisores Ivica Shimiç.

    Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se risi në këtë festival do të jetë pjesëmarrja e trupave teatrale nga Spanja, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

    Ndërsa, drejtori i ART Image, Ilir Bytyçi, tha se ky organizim ndërkombëtar dhe garues përbën shfaqje të cilat janë zgjedhur nga një komision profesional, duke shtuar se qëllimi kryesor është që Kosova të njihet në gjithë botën përmes artit dhe kulturës.

    Në konferencën për media foli edhe aktorja kroate e shfaqjes “Rusalka”, Buga Marija Simiç, shfaqje kjo me të cilën sonte nis festivali.

    Ajo tha se është hera e parë që vjen në Kosovë, ku po ndihet si në shtëpinë e vet për shkak të pritjes së ngrohtë në Kolegjin AAB.

    “Nuk patëm mundësi të shohim shumë gjëra, por nga ajo që pashë, ka një atmosferë të bukur që e dua midis të gjithëve, që është mikpritja nga njerëzit. Na pritën ngrohtësisht në aeroport dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë. Ky kompleks, nga ajo që kemi parë, është shumë impresionues. Ne thjesht po ecnim rreth tij, duket si një anije hapësinore. Pra, po ndjehem shumë e nderuar që jemi zgjedhur të jemi pjesë e festivalit. Është vërtetë një privilegj të jem në mes të të gjithë këtyre artistëve dhe të gjitha këtyre shfaqjeve të zgjedhura për këtë festival”, tha aktorja Buga Marija Simiç.

    Ajo tha se ky është festivali i parë ndërkombëtar në të cilën merr pjesë shfaqja “Rusalka” dhe se mezi pret të ndajë me publikun kosovar pjesë shumë të veçanta për shfaqjen dhe për teatrin të cilin e përfaqëson. /atvlive.tv

  • Murphy: Kosova çdo herë u është përgjigjur thirrjeve të ShBA-së, Serbia mos ta pengojë anëtarësimin

    Murphy: Kosova çdo herë u është përgjigjur thirrjeve të ShBA-së, Serbia mos ta pengojë anëtarësimin

    Senatori amerikan, Chris Murphy, tha se Kosova çdo herë ka treguar bashkëpunim me ShBA, sa herë që i është kërkuar, raporton Ekonomia Online.

    Peters mori si shembull të bashkëpunimit, sanksionet që i ka vënë Kosova ndaj Rusisë dhe strehimin e afganëve.

    Ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, pati fjalë të mëdha edhe për qasjen e Qeverisë në luftën ndaj korrupsionit dhe rritjen ekonomike.

    Murphy shtoi se kanë biseduar për dialogun Kosovë-Serbi, duke kërkuar që Serbia mos ta pengojë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që është e mundur në rrugëtimin transatlantik të Kosovës dhe rrugëtimin evropian. Më vjen mirë për marrëveshjen e fundit që është arritur në Bruksel që përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare”.

    “Por edhe hapat e vështirë që duhet ndërmerren nga të dyja palët. Serbia duhet të ndalojë për të qenë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosova e ka marrë një zotim për t’u lejuar komunave që të bashkohen në një asociacion. Mendoj se zotimet sipas asaj marrëveshjeje të realizohen sa më shpejtë që është e mundur”.

    “Mos u lajthitni marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së është e fuqishme dhe do të fuqizohet edhe më tej”, ka thënë Murphy.

  • Senatori Peters garanton se ShBA-ja do ta përkrah Kosovën në çdo hap

    Senatori Peters garanton se ShBA-ja do ta përkrah Kosovën në çdo hap

    Senatori amerikan Gary Peters tha se Kosova dhe ShBA-ja kanë marrëdhënie speciale, raporton Ekonomia Online.

    Peters shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta mbështesin dhe përkrahin Kosovën.

    Ai, në një konferencë për medie pas përfundimit të takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se pjesë të diskutimeve ishte edhe mbështetja e FSK-së.

    “Marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së është speciale, nuk e di që ekziston ndonjë vend në botë që kanë marrëdhënie kaq të ngushta sa dy vende”.

    “Keni ndihmuar ShBA-në që të mbrojë e të ruajë demokracinë në botë. Prandaj SHBA-ja do të jetë pranë jush”.

    “Ne do të punojmë me ju edhe për sigurinë kibernetike, do të mundohemi të bashkëpunojmë edhe në furnizimin e pajisjeve ushtarake”, shtoi ai.