ATV

Blog

  • Konjufca: Padia ndaj Serbisë për gjenocid është shumë afër përpilimit

    Konjufca: Padia ndaj Serbisë për gjenocid është shumë afër përpilimit

    Kosova ka bazë të mjaftueshme juridike dhe mjaftueshëm fakte që ta paditë Serbinë për gjenocid.

    Kështu vlerëson profesori universitar, Arsim Bajrami, i cili sot promovoi edhe një libër që dokumenton krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Megjithatë, ai vlerëson se nuk duhet ngutur me padinë.

    “Të gjitha kushtet për ushtrimin e padisë ndaj Serbisë janë plotësuar, por Kosova nuk duhet të nxitohet me ba padinë pa u përgatitë mirë. Kjo nuk është një çështje politike e një kryeministri apo e një fushate zgjedhore, por është një çështje shtetërore dhe kur të bëhet padia duhet të jemi të sigurt që do ta fitojmë rastin, sepse humbja eventuale e rastit na e dëmton esencialisht historinë”, tha Bajrami.

    Ndonjë datë e përafërt nuk u dha, por megjithatë, padia është afër përfundimit, sipas kreut të Kuvendit, Glauk Konjufca.

    “Mund të konstatoj se kjo për të cilën po bëni pyetje është shumë afër. Nuk mund të jap muaj apo afate të caktuara, veçse e di që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesionalë”, tha Konjufca.

    Padisë ndaj Serbisë i gëzohet edhe opozita, por ka vërejtje në mostransparencë, pasi, sipas saj nuk kanë asnjë njohuri rreth saj.

    “Sikur për shumë procese të tjera as për këtë nuk dimë asgjë, sepse nuk kemi qenë të involvuar dhe nuk e dimë kjo “shumë afër” çfarë nënkupton, ku janë afër, çfarë është përgatitur, kush janë ato ekipe që kanë punu, pra nëse janë afër krejt çka mundem me thanë është se është një lajm i mirë”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Sidoqoftë padia për gjenocid ndaj Serbisë, ka qenë edhe një nga zotimet kryesore të qeverisë Kurti, para se ta marrë mandatin qeverisës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmia e dëshmitarit të pestë, më e hapur për publikun

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmia e dëshmitarit të pestë, më e hapur për publikun

    Dëshmitari i pestë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka treguar se si iu vra një familjar nga disa persona të maskuar.

    Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar më shumë detaje, duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit.

    Ai është pyetur nëse është e saktë ajo që ka thënë se numri një është marrë nga UÇK-ja nga shtëpia e tij.

    Ai nuk u tregua as i sigurt për numrin e saktë të personave që i kishte parë me maskë.

    Avokatja Venkateswari Alagendra: A u ktheve prapa në vendin e incidentit?

    Dëshmitari : Jo, nuk është e vërtetë se në shtëpi, ndoshta një gabim te përkthimi”. Para se mi pa kufomat kam shku. Kah jam kthy e kam pa makinën në shpat. Kur jam shku në shtëpi, numri 2… me numrin 4.

    Pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit kanë qenë kryesisht sa i përket një dokumenti jopublik, të cilin dëshmitari e pohoi se është ankesë e bërë nga ai.

    Avokatja Venkateswari Alagendra: Dëshmitari është pak konfuz, a po thoni se numri 2 dhe ai 4 shkuan bashkë me njëri-tjetrin? Pasi shkuat në vendin e incidentin, u kthyet në fshat dhe i treguat çfarë kishte ndodhur?

    Dëshmitari: I kam thanë para se me shku te vendi i ngjarjes. Para se me shku të vendi s’kam komuniku ma me numrin 2… numrin 4.

    Dëshmitari i pestë i mbrojtur i ZPS-së, ish-anëtar i UÇK-së, pjesën më të madhe të dëshmisë e ka dhënë në seancë të mbyllur për publikun.

    Gjykimi ndaj ish-liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të vazhdojë të martën. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Hapet biblioteka e Adem Demaçit, Kurti: T’i lexojmë librat që ai i lexoi

    ​Hapet biblioteka e Adem Demaçit, Kurti: T’i lexojmë librat që ai i lexoi

    Në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë është hapur biblioteka e Adem Demaçit, ku i biri i tij ka deponuar një prej shkrimeve të veprimtarit të çështjes kombëtare.

    Aty ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili ka bërë thirrje që të lexohen librat e Demaçit, raporton KP.

    Kreu i ekzekutivit ka thënë se kjo bibliotekë flet me fjalët e Adem Demaçit.

    “Qenia e kësaj biblioteke na flet me fjalët e Adem Demaçit, imagjinata është e imja, realiteti është i juaji. E me këtë, baca Adem, ose biblioteka e tij na thotë se imagjinata ka shumë forma autonome dhe të mundshme ndërsa realiteti është kombinimi i tyre kompleks në aktualitet”, ka thënë Kurti.

    Ai ka theksuar rëndësinë që ka leximi i librave të Demaçit, por sipas tij duhet lexuar edhe librat që veprimtari i çështjes kombëtare kishte lexuar dikur.

    “Populli i Adem Demaçit, populli i bacës Adem, që i përdori më së miri burgjet si bibliotekë, nuk ka se si të mos e përdorë mirë bibliotekën për një liri më të ditur. Nuk mjafton t’i lexojmë librat e bacës Adem e të mësojmë për të, por duhet të shkojmë edhe tek biblioteka Adem Demaçi dhe te Adem Demaçi si bibliotekë, të lexojmë librat e tij por edhe të lexojmë librat që ai lexoi”, ka thënë ai.

    Ndërsa Shqiptar Demaçi, ka lexuar idenë për lëvizjen politike, të shkruar nga babai i tij.

    Ai ka bërë të ditur se të njëjtën letër, me shkrimin origjinal të Adem Demaçit, do ta deponojë në bibliotekë.

    “Ne synojmë që në sistemin tonë politik të përfshijmë të gjitha të arriturat pozitive të deritashme të njerizimit në të gjitha fushat. 11 gusht, 2014, Prishtinë, Adem Demaçi. Kjo do të deponohet tani në bibliotekë do të mbesë aty, meqenëse është origjinali”, ka thënë i biri i Adem Demaçit.

    Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Bardh Rugova, ka folur edhe për rëndësinë që ka aktiviteti i Javës së Bibliotekës.

    “Ne jemi në këtë bibliotekë këtu me mbiemrin etiketë kombëtare dhe kjo më shumë se gjithçka tjetër tregon se kemi të bëjmë me simbolin e një arkivi të dijës së këtij vendi, të trashëgimisë së dijës së Kosovës. Java e bibliotekës zakonisht shërben pjesërisht për të kremtuar këtë trashëgimi, pjesërisht, Aktivitete si kjo, si Java e Bibliotekës, më shumë se kaq, shërbejnë për të na vetëdijesuar për sistemin e vlerës së kësaj trashëgimie”, ka thënë Rugova.

    Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi ka bërë thirrje që të mbrohen koleksionet e trashëguara.

    “Ju bëj thirrje nga pozicionet tuaja që të mbrojmë pronën tonë intelektuale, dokumentet, librat dhe të gjitha koleksionet e trashëguara dhe t’i përdorim ato në mënyra që lartësojnë vlerën e kërkimit dhe cilësinë e mësimit duke avokuar për vetëdije më të lartë për këtë pasuri”, ka thënë Qerimi.

    Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur edicionin e 20 të Javës së Bibliotekës.

    Aktivitetet do zgjasin deri me 28 maj ku do të ketë ligjërata e diskutime me temën “Biblioteka dhe shërbimi i referencave”.

  • ​Borrell-Serbisë: Ruajtja e lidhjeve me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën drejt BE-së

    ​Borrell-Serbisë: Ruajtja e lidhjeve me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën drejt BE-së

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i ka kujtuar Serbisë se ruajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE. Ai ka folur në Bruksel, pas takimit të ministrave të bllokut, ku gjithashtu kërkuar zbatim të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij është rruga e vetme drejt normalizimit.

    Borrell ka thënë se në takim kanë diskutuar për ndikimin e Rusisë e cila po përpiqet të devijojë rrugën evropiane të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor.

    “Ne mirëpresim zgjedhjet inkurajuese strategjike të disa prej tyre, të cilët janë plotësisht në linjë me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet, dhe gjithashtu u treguam atyre që nuk janë rreshtuar plotësisht ose nuk janë rreshtuar fare, dhe dua të përmend Serbinë, se ruajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian”, ka thënë Borrell.

    Ndërsa duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se tensionet dhe provokimet duhet të marrin fund.

    “E përmendëm konkretisht dialogun Beograd-Prishtinë, edhe një herë më duhet të sqaroj se të jesh anëtare e Bashkimit Evropian është ushtrim bashkëpunimi, është ushtrim i shteteve që kanë luftuar në të kaluarën, që të bëhen jo vetëm fqinjë, por edhe miq e partnerë. Ky është një ushtrim i të jetuarit së bashku, dhe për këtë, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i marrëveshjes, është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të marrin fund. Dhe atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit gjithashtu duhet të ndalojë. Të jesh anëtar i Bashkimit Evropian do të thotë të jesh në gjendje të bashkëpunosh dhe të veprosh si fqinjë i mirë, duke kapërcyer të gjitha vështirësitë e së kaluarës”, ka thënë ai. /KP

  • Hetimet për masakrën e Dubravës, prokuroria i identifikon mbi 40 të dyshuar

    Hetimet për masakrën e Dubravës, prokuroria i identifikon mbi 40 të dyshuar

    Derisa deputeti i Kosovës, Enver Dugolli, i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, ta hetojë masakrën e Dubravës, Prokuroria Speciale në Prishtinë thotë se i ka intensifikuar hetimet.

    Prokurori i rastit Ilir Morina në një intervistë për ATV-në, ka thënë se kanë arritur të identifikojnë mbi 40 të dyshuar, por të cilët nuk jetojnë në Kosovë.

    Lidhur me këtë rast, një person është në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar.

    “Kemi arritur të identifikojmë mbi 40 të pandehur, mbi 60 të dëmtuar dhe mbi 100 dëshmitarë, në këtë fazë për shkak të hetimeve, nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Morina.

    Duke marrë parasysh që tashmë lejohet gjykimi në mungesë, Morina nuk e përjashton mundësinë që të aplikohet një gjykimi i tillë, meqë aktualisht bashkëpunimi juridik me Serbinë mungon.

    DEK: Ilir Morina, Prokuror Special
    “Në parim kemi synimin që t’i kompletojmë hetimet dhe në momentin që vijmë në atë fazë dhe nuk i kemi të pandehurit prezentë do t’i aplikojmë dispozitat për gjykimin në mungesë”, tha Morina.

    Derisa ZPS-ja nuk e ka mohuar e as pohuar mundësinë për nisjen e hetimeve pas kërkesës së Dugollit, Morina ka thënë se rasti është në kompetencë të Prokurorisë Speciale.

    “Ju deklaroj që aktualisht çështja është në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe jemi duke punuar me lëndën dhe kemi kompetencë të plotë”, tha Morina.

    Ndërkohë, juristët thonë se dy Prokurori të të njëjtit shtet nuk mund ta hetojnë të njëjtin rast. Ligji për Dhomat e Specializuara specifikon se brenda juridiksionit lëndor të tyre, Dhomat kanë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera të Kosovës.

    “Dy prokurori nuk mund të njëjtën kohë me zhvillu hetime. Nëse vlerësohet se ZPS-ja ka juridiksion që të merret edhe me masakrën e Dubravës, atëherë Prokuroria duhet t’i ndërpresë hetimet”, tha Artan Qerkini, Avokat.

    Hetimet për masakrën e Dubravës kishin nisur në vitin 2013 nga prokurorët e EULEX-it. Dy vjet më vonë për të ruajtur afatin e hetimeve ishte bërë pezullimi i tyre, teksa rasti ishte vazhduar në vitin 2018, kur edhe lëndët e krimeve të luftës ishin transferuar te prokurorët vendorë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Nis Edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival

    Nis Edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival

    Me një ceremoni solmene, në ambientet e Teatrit Kamertal në Kolegjin AAB, ka nisur edicioni i 7-të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

    Njëri nga organizatorët kryesor të PITF2023, drejtori Ilir Bytyçi, tha se ky festival i cili është me karakter ndërkombëtar, i vetmi në Kosovë, këtë edicion ka tejkaluar të gjitha pritshmeritë për nga numri i të interesuarve për pjesëmarrje.

    “Siç e dini ky festival është me karakter ndërkombëtar, është kompetitiv dhe është i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, dhe vazhdon të jetë i tillë. Veçania e këtij edicioni të 7-të, është se janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë e aplikacioneve. Kemi marrë aplikacione nga e mbarë bota. Komisioni e ka pasur një punë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e vetëm 7 prej tyre, të cilat do të keni mundësinë t’i ndiqni nga sot e në vazhdim”, tha Bytyçi.

    Edhe drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se këtë edicion të PITF ka pasur aplikacione nga e mbarë bota, nga Brazili, Tunizia e shumë shtete të kontinenteve të tjera.

    “Ka qenë e vështirë për komisionin me i përzgjedhë shfaqjet pasi që po shohim që edicion pas edicioni, po kemi kultura të ndryshme, shtete të ndryshme të cilat po aplikojnë për të qenë pjesë e PITF, po përmend disa shtete, kemi pasur të interesuar nga Brazili, nga Tunizia e që veç se po na bëjnë krenarë që të vazhdojmë tutje që me edicionet e radhës të marrin shfaqje edhe nga kontinentet e tjera të botës”, tha Alshiqi.

    Ajo tha se realizimi i këtij edicioni nuk do të ishte i mundur pa financimin e ART Image si financuesi kryesor, mbështetjen e Kolegjit AAB si dhe punën e një ekipi të tërë tash e disa muaj rresht.

    Ceremonia hapëse e festivalit u pasua me shfaqjen e parë, “Rusalka” nga Kroacia, e cila u dha sonte në orën 20:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB. Me regjisor Ivica Šimić shfaqja “Rusalka” impresionoi publikun me personazhet që trajtonin temën e një ëndrre të personazhit të arrinte të bëhej një këngëtare e operës por që duhej të ndiqte hapat, vështirësitë e sfidat. Gjithashtu duke përbërë një perspektivë psikologjike se secili duhet të jetë vetëvetja pavarësisht paragjykimeve nga të tjerët. Publiku nderoi aktoret me duatrokitje dhe mirënjohje.

    Këtë edicion do të ndahen katër çmime për fituesit e PITF2023:

    -Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin kryesor;
    – Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin dytësor;
    – Çmimin për regjinë më të mirë;
    – Çmimin për shfaqjen më të mirë.

    Për ndarjen e çmimeve, vlerësimet do t’i japin tri juri:

    Juria qendrore profesionale e festivalit që sivjet përbëhet, nga:
    – Ibrahim Berisha, shkrimtar dhe publicist;
    – Bislim Muçaj, aktor;
    – Zijad Meheiç, producent.

    Juria e medias:
    Lumira Kelmendi, RTK
    Xhejlane Terbunja, aktore dhe
    Erona Salihu, ATV.

    Do të jetë edhe juria e studentëve që vijnë nga Kolegji AAB dhe Universiteti i Prishtinës, e që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin “Shfaqja më e mirë”.

    PITF2023 do të pasurohet edhe me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB, dega Pikturë, të cilët do të realizojnë 7 piktura me tematika të shfaqjeve konkurruese të këtij festivali.

    Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.

    Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “Boxes” nga Turqia me regji të Balım Kar dhe Semih Değirmenci, duke filluar nga ora 20:00. /atvlive.tv

  • ​Gërvalla: Serbia të zbatojë marrëveshjen, Suedia po bisedon me anëtarët për aplikimin tonë

    ​Gërvalla: Serbia të zbatojë marrëveshjen, Suedia po bisedon me anëtarët për aplikimin tonë

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se shpreson që Presidenca suedeze e Këshillit të Bashkimi Evropian të ketë rezultate konkrete në bisedat që po bën me anëtarët e tjerë të Unionit në lidhje me aplikimin e Kosovës për në BE.

    Këto deklarata, Gërvalla i bëri pas takimit në Bruksel të ministrave të BE-së, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Gërvalla tha se në këtë takim e kanë paraqitur qartë pozicionin e Kosovës në lidhje me raportet me Serbinë ndërsa kanë kujtuar se Beogradi zyrtar në vazhdimësi refuzon të zbatojë marrëveshjen e 27 shkurtit të arritur në Bruksel dhe aneksin e saj të 18 marsit në Ohër.

    “Kam paraqitur qëndrimin e Republikës së Kosovës që në marrëveshjen që kemi lidhur në Bruksel dhe fazën e implementimit në Ohër e shohim si një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe që presim nga Serbia edhe pse sinjalet janë jo të mira, ngaqë jeni vetë dëshmitarë, që presidenti Vuçiq, ministri i Jashtëm Daçiq por edhe shumë të tjerë, në vazhdimësi jo vetëm refuzojnë implementimin por shpesh edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë. Ka pasur intervenime të ndryshme nga disa ministra të cilat e kanë shprehur rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mendoj që pozicionin e Republikës së Kosovës e kemi shfaqur shumë qartë”, deklaroi Gërvalla.

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës foli edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian ku deklaroi se Suedia ende është duke biseduar me shtetet anëtare rreth kësaj kërkese, por tha se ky shtet gjatë presidencës së saj është treguar i gatshëm për të çuar përpara kërkesën e Kosovës.

    “Ne shpresojmë që Presidenca suedeze të finalizojë bisedat që po zhvillon me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vijnë me një rezultat konkret, parashikimi se cili mund të jetë rezultati dhe kur nuk jam në gjendje të jap se nuk do të ishin serioze por besoj që me qasjen të cilën Suedia ka pasur gjatë presidencës së saj është treguar shumë e gatshme për të çuar përpara kërkesën tonë dhe për të biseduar me të gjithë anëtarët, pra edhe me ata që janë përkrahës të kërkesës sonë dhe me ata që hezitojnë pak më shumë”, tha Gërvalla.

    Gërvalla tha se takimet e tilla ku marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Ballkani Perëndimor janë mundësi e mirë për të diskutuar sfidat për të cilat është duke kaluar Evropa dhe rajoni ynë.

    “E rëndësishme është gjithashtu që Evropa ka filluar, Bashkimi Evropian ka filluar të ndërgjegjësohet që Ballkani Perëndimor jo vetëm që është pjesë gjeografike e Evropës por duhet edhe më shumë të afrohet politikisht me Bashkimin Evropian me qëllim që në një të ardhme integrimi të jetë i shpejtë dhe i natyrshëm”, tha Gërvalla.

    Përpos Gërvallës, në këtë takim në Bruksel morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm nga pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. /KP

  • ATK kërkon nga sektori gastronomisë dhe këngëtarët të deklarojnë detyrimet tatimore

    ATK kërkon nga sektori gastronomisë dhe këngëtarët të deklarojnë detyrimet tatimore

    Duke pas parasysh që tani më kemi hyrë në sezonin kur disa sektorë të bizneseve rrisin aktivitetin e tyre, Administrata Tatimore e Kosovës u bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve të cilët në aktivitetet e tyre kanë veprimtarinë e gastronomisë/hotelerisë, këngëtarëve, stilistëve, si dhe salloneve të bukurisë, që të deklarojnë saktë detyrimet e tyre tatimore, pasi që në të kundërtën do të duhet të veprojmë sipas thirrjeve ligjore.

    “ATK paralajmëron se para se të fillojmë me verifikimet dhe kontrollet tatimore, i bëjmë thirrje të gjithë personave e bizneseve të deklarojnë dhe paguajnë saktë obligimet e tyre të përcaktuara me Legjislacionin Tatimor në fuqi, në të kundërtën ne jemi të obliguar që të fillojmë me verifikime dhe hapjen e kontrolleve tatimore, të cilat mund të rezultojnë me ndëshkimet nga parregullsitë dhe pasaktësitë e hasura”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

    Sipas ATK-së, sezonit të verës shumëfishohen aktivitetet e lartpërmendura, të cilat bazuar në aktivitetin që kanë, janë si një zinxhir, ku kryesisht janë shumë evidente ndeja të ndryshme, si në restorante ashtu edhe në diskoteka, në të cilat ndërlidhen pjesa e këndimit ose DJ, si dhe përgatitja nga sallonet e bukurisë dhe stilistet.

    “Për ketë qëllim ATK ka dizajnuar projektin për Akomodim dhe Shërbime Ushqimore, i cili bazuar në të dhënat e përmbushjes, renditet si njëra ndër industritë me nivel të lartë të mos-përmbushjes së detyrimeve tatimore, andaj edhe është pjesë e planeve specifike të përmbushjes për grupet e identifikuara me rreziqe të larta për vitin 2022”, thuhet në njoftim.

    Modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, kanë nxjerrë faktorët të ndryshëm që kanë kontribuar në përzgjedhjen e kësaj industrie si: pagesa/të hyra përgjithësisht të ulëta, pavarësisht numrit të madh të tyre; mos-deklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mos-deklarimi apo nën-deklarimi i ahengjeve dhe mos-mbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; mos-lëshimi i kuponëve fiskal; pagesat po ashtu në cash të realizuara në mes të konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mos mbajtja e tatimit në qira apo nën-deklarimi i saj.

  • ​Konjufca takoi senatorët amerikanë: Nuk mund të formohet mekanizëm që cenon sovranitetin

    ​Konjufca takoi senatorët amerikanë: Nuk mund të formohet mekanizëm që cenon sovranitetin

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk mund të formohet Asociacion, apo ndonjë mekanizëm tjetër, që cenon sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Këtë qëndrim ai e ka ndarë edhe me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

    Në takimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, Konjufca ka theksuar se mbështetja e shteteve të bashkuara është qenësore për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

    “Ai theksoi se mbështetja e SHBA-së është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës. Gjithashtu përsëriti qëndrimin e shtetit të Kosovës, mbështetur edhe në garancinë e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatën e Kuvendit.

    Sipas kësaj komunikate, Konjufca dhe senatorët amerikanë kanë konstatuar se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-ve është speciale dhe se ata kanë shprehur përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve.

  • ​Sveçla vizitoi kryetarin e veriut të Mitrovicës

    ​Sveçla vizitoi kryetarin e veriut të Mitrovicës

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar kryetarin e veriut të Mitrovicës, Erden Atiq. Ai ka thënë se kjo pjesë e Mitrovicës do të përjetojë progresin e merituar.

    Pas takimit në zyrën e kryetarit të zgjedhur, Sveçla ka thënë se i ka ofruar atij gatishmërinë e plotë në zbatimin e prioriteteve të tij.

    “I urova punë të mbarë në detyrën e tij të re duke i ofruar gatishmërinë time të plotë në zbatimin e prioriteteve të tij. Do të angazhohemi bashkërisht, si nivel qendror dhe lokal, që qytetarëve tanë të Mitrovicës së Veriut të ju sigurojmë mirëqenie, arsim, shëndetësi, siguri e kushte të qëndrueshme jetese. Mitrovica e Veriut si çdo komunë e Republikës së Kosovës do të përjetojë progresin e merituar”, ka shkruar ministri i Brendshëm.

    Më 19 maj, Erden Atiq është betuar kryetar i veriut të Mitrovicës, pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës.

    Këto zgjedhje janë bojkotuar nga Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.