ATV

Blog

  • Halimi: Vrasja e grave, gjendje emergjence në shoqërinë tonë, presidentja të veprojë me urgjencë

    Halimi: Vrasja e grave, gjendje emergjence në shoqërinë tonë, presidentja të veprojë me urgjencë

    Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka alarmuar se po normalizohet krimi mbi gratë.

    Duke marrë shkas nga vrasja e dy grave kosovare në Gjermani dhe Zvicër ditët e fundit, Halimi ka shkruar se kjo “shpërfaq një gjendje emergjence në komunitetin tonë, që të ngritet zkundër mizorisë”.

    Shoqëria, thotë ajo, “duhet të organizojë fushata vetëdijësuese për mbrojtjen e të drejtave të grave”.

    “Politika e jashtme duhet të krijojë një strategji të posaçme për mërgatën kosovare ngase indiferenca ndaj vrasjës së grave është e barasvlerëshme me miratimin e krimit!”, ka shkruar Halimi në Facebook.

    Zëdhënësja e LDK-së tha se kjo s’po e shqetëson qeverinë, ndërsa ka kërkuar që presidentja Vjosa Osmani të veprojë me urgjencë.

    “Presidentja si grua, por edhe prijëse politike duhet me urgjencë ta krijojë një grup nën patronatin e saj, që të avokojë për mbrojtjën e lirive dhe jetës së grave në mërgatë”, shkroi Halimi.

    Postimi i plotë i saj:

    Dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre po shndërrohet në përditshmëri, në një shoqëri të narrativave burrërore e kanunore. Mosreagimi përmes zërit të ngritur të shoqërisë duke shenjëstruar vrasësit për ta marrë dënimin e merituar po e normalizon krimin mbi gratë.

    Vrasja e gruas nga një burrë kosovar në Gjermani e më pas edhe gruas, nënës së katër fëmijëve në Zvicër, poashtu nga një kosovar, shpërfaq një gjendje emergjence në komunitetin tonë, që të ngritët kundër mizorisë.

    Kurse shoqëria jonë, me të gjitha potencialet e saj, OJQ-ve, zyrave diplomatike, shoqatave e mediave, duhet të organizojë fushata vetëdijësuese për mbrojtjen e të drejtave të grave.

    Politika e jashtme duhet të krijojë një strategji të posaçme për mërgatën kosovare ngase indiferenca ndaj vrasjës së grave është e barasvlerëshme me miratimin e krimit!

    Gratë po vriten, e fatkeqësisht asnjë shqetësim nga ky kabinet qeveritar dhe mekanizmat e shtetit.

    Paradigmat janë të njohura pse dhuna ndaj grave jashtë Kosovës, është aq e shprehur.

    Bartja e mendësisë tradicionale, patriarkale në ambintin e ri dhe kombinimi i tij me traumën sociale të mërgimit, është një nga shkaqet thelbësore që prodhon dhunë në familje.

    Dhuna ndaj grave deri në eliminimin fizik të tyre esencialisht është luftë kundër lirisë, e për nënshtrimin e tyre diktatit të burrit që pandehet pronar i jetës së tjetrit/tjetrës.

    Presidentja si grua, por edhe prijëse politike duhet me urgjencë ta krijojë një grup nën patronatin e saj, që të avokojë për mbrojtjën e lirive dhe jetës së grave në mërgatë.

    Ajo sëbashku me shoqatat, aktivistet e shoqërisë civile dhe forumet e grave duhet të nisë një ofensivë për ta ndalur këtë mizori, që lajmet për vrasje grashë të mos mbesin vetëm kronika të zeza, por të na zgjojnë në mbrojtje të jetës dhe lirisë.

  • Vuçeviq: Në veri të Kosovës situatë e qetë, pres një veprim më vendimtar nga KFOR-i

    Vuçeviq: Në veri të Kosovës situatë e qetë, pres një veprim më vendimtar nga KFOR-i

    Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka thënë se situata në veri të Kosovës është e qetë, poe sipas tij, “tensionet mund të shpërthejnë në çdo minutë”.

    Vuçeviq ka theksuar se pret një veprim vendimtar nga KFOR-i siç tha “në mbrojtjen e serbëve në Kosovë”.

    “Është e rëndësishme nëse serbët arrijnë të shprehin në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh me ta, veçanërisht në katër komunat në veri, pa përshkallëzim të mëtejshëm”, tha Vuçeviq për TV Prva, shkruan Kosovonline.

  • Erdogan: Turqia po shënon historinë në botë me numrin e votuesve

    Erdogan: Turqia po shënon historinë në botë me numrin e votuesve

    Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, ka thënë se në Turqi ka dalë një numër i madh i qytetarëve për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

    “Zgjedhje presidenciale në Turqi janë demokratike, kjo është hera e parë që ne jemi dëshmitarë të një votimi të tillë. Nuk ka asnjë vend tjetër në historinë botërore që ka një pjesëmarrje të votuesve prej gati 90 përqind”.

    “Por Turqia, me një pjesëmarrje gati 90%, po lufton për demokracinë në mënyrën më të mirë dhe besoj se do të jetë kështu edhe sot. I lutem Zotit që zgjedhjet të jenë të dobishme për vendin dhe kombin tonë”, ka thënë Erdogan.

    Po ashtu, Erdogan sot ka votuar derisa qytetarët turq u kthyen për të votuar për herë të dytë këtë muaj.

    Erdogan, i cili ka qenë në krye të Turqisë për 20 vjet, është i favorizuar për të fituar një mandat të ri pesë-vjeçar në balotazhin e dytë, pasi nuk arriti një fitore të plotë në raundin e parë më 14 maj.

    Kilicdaroglu, një ish-burokrat 74-vjeçar, e ka përshkruar balotazhin si një referendum për të ardhmen e vendit. Më shumë se 64 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë, shkruan Associated Press.

  • Peci i shkon në zyrë kryetarit të Mitrovicës së Veriut: I ofrova mbështetje për sfidat që e presin

    Peci i shkon në zyrë kryetarit të Mitrovicës së Veriut: I ofrova mbështetje për sfidat që e presin

    Ministri i Bujqësisë Faton Peci e ka vizituar në zyrë kryetarin e ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

    Peci, përmes një postimi në Facebook, tha se i ofron mbështetje të plotë në sfidat që e presin.

    “Sot në mëngjesin e hershëm kisha kënaqësinë që bashkë me Zëvendësministrin e Brendshëm, Blerim Gashani, të vizitoj kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. I ofrova mbështetje të plotë për sfidat që e presin”, ka shkruar Peci në Facebook.

    Peci tha se e gëzon fakti që për një periudhë të shkurtër Atiqi ka konsoliduar ekip në përbërje shumë etnike.

    “Na gëzon fakti që për një periudhë të shkurtër, ai ka konsoliduar ekipin në përbërje shumë etnike, që është refleksion i vullnetit politik dhe gjenerozitet i shoqërisë kosovare për të krijuar mundësi për të gjitha komunitetet”, ka shtuar ai.

  • Sulmohet fizikisht një person në një kafene në Leposaviq

    Sulmohet fizikisht një person në një kafene në Leposaviq

    Një person ka raportuar në Policinë e Kosovës se dje derisa ishte duke qëndruar në një kafiteri në Leposaviq, është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar i panjohur.

    Lidhur me këtë rast, Policia thotë se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar për në shtëpi.

    Në raportin 24-orësh, thuhet se rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, derisa është ende në hetime nga njësitet policore.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR Leposaviq 27.05.2023-19:00. Viktima mashkull kosovar, ka njoftuar se deri sa ishte duke qëndruar në një kafiteri , është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar i pa njohur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar për në shtëpi. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore”, thuhet në raportin e Policisë.

  • “Asociacion pa kompetenca ekzekutive”, serbët në veri presin marrëveshje për situatën

    “Asociacion pa kompetenca ekzekutive”, serbët në veri presin marrëveshje për situatën

    Situata në komunat veriore vlerësohet e qetë pas incidenteve të së premtes ku kryetarët Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, u penguan që të hyjnë në objektet komunale që për pasojë u lënduan disa policë si dhe u dogjën e u dëmtuan vetura zyrtare e civile.

    Analisti nga veriu, Branisllav Kërstiq, konsideron se situata po tensionohet tash kur ka marrëveshje dhe po kërkohet me ngulm zbatimi i tyre nga ndërkombëtarët.

    Duke nënkuptuar zgjedhjen e nënkryetares së Mitrovicës së Veriut, Katarina Axhanqiq, Kërstiq thotë se nuk mund të merren njerëz të pashkolluar për t’u emëruar në institucione vetëm pse janë të nacionalitetit serb.

    Kërstiq thotë se mesazhet për shmangien e tensioneve të mëtutjeshme janë shumë serioze, ndërsa beson se epilogu përfundimtar rreth kësaj situate do të përcaktohet me ndikimin e fuqive euroatlantike.

    Kërstiq potencon se deri në fund të vitit 2023 do të formohet një lloj i Asociacionit për serbët, por pa kompetenca ekzekutive dhe territoriale, ndërsa deri në shtator të vitit të ardhshëm ai e sheh të zgjidhur tërësisht problemin midis Kosovës dhe Serbisë.

    Serbët lokalë në veri urojnë për një marrëveshje sa më të shpejtë politike “për të rregulluar gjërat” në këto komuna. Ata thonë se nuk i njohin kryetarët e rinj të komunave të zgjedhur përmes votës më 23 prill.

    Svetomir Boshkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, duke folur për kryetarin e sapozgjedhur të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, thotë se i dëshiron suksese në udhëheqjen e qytetit. Ai përmend punën e Policisë së Kosovës për të vënë rregull në komunikacion si hap pozitiv ditëve të fundit.

    Millena Jakshiq, qytetare nga Zubin Potoku bën të ditur se nuk i njeh kryetarët e rinj, por thotë se shpreson se deri në fund të këtij viti gjërat do të rregullohen në kuadër të një marrëveshjeje politike.

    Tensionet në veri të vendit u shtuan pasi njerëz me të dyshuar kriminale penguan kryetarët e zgjedhur më 23 prill të hyjnë në objektet e Kuvendeve Komunale në Zveçan, Leposaviq si dhe Zubin Potok.

    Për shkak të sulmeve ndaj tyre, policia u detyrua që të përdorë gazin lotsjellës si dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët, të cilët përpos Policisë, sulmuan edhe përfaqësuesit e mediave si dhe civilë të tjerë.

    Policia deklaroi se të paktën pesë zyrtarë janë lënduar si pasojë e sulmeve ndaj tyre.

    Ndërkombëtarët, të prirë nga Shtetet e Bashkuara, kërkuan nga Kosova që të përmbahet nga “çdo veprim i mëtejmë që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, ndërkaq Bashkimi Evropian, po ashtu dënoi “veprimet e njëanshme” të Prishtinës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se shkuarja në vendet e punës së kryetarëve të rinj, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në komunat në veri duhej të ishte gjëja më normale e mundshme./KP

  • Borxhet e FSSh-së i lënë pacientët pa shërbime shëndetësore, Vitia: Do të bëhet një plan

    Borxhet e FSSh-së i lënë pacientët pa shërbime shëndetësore, Vitia: Do të bëhet një plan

    Borxhi prej rreth 30 milionë eurove i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore karshi institucioneve private në vend dhe atyre jashtë vendit, po i lë pacientët pa marrë trajtim shëndetësor për mjekimin që nuk po mund ta marrin në institucionet publike në vend. Kjo po ndodh pasi që fletë-zotimet e lëshuara nga FSSH nuk po njihen nga këto spitale për shkak të borxheve të papaguara.

    Shoqata për të Drejtat e Pacientëve kërkon që sa më shpejt institucionet përgjegjëse të gjejnë një zgjidhje për pagesën e këtij borxhi, pasi pacientët vetëm sa po varfërohen, duke u munduar t’i sigurojnë vetë mjetet për shërim.

    Ndërsa, nga Fondi për Sigurime Shëndetësore thonë se si institucion nuk kanë mjete për shlyerjen e këtij borxhi milionësh, ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaron se do të bëhet një plan për këtë çështje bazuar në evidenca.

    Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra deklaron për KosovaPress se pacientët e Kosovës po pësojnë nga këto telashe financiare që i ka Fondi për Sigurime Shëndetësore.

    Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri deklaron se tashmë kanë themeluar një Komision që ka për obligim evidentimin e borxheve, të cilat Fondi i ka në spitalet private e publike jashtë vendit.

    Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të FSSH-së, Bujar Kaçuri pranon se ka raste kur spitalet ndaj të cilave ka borxhe Fondi, pacientëve nuk po ua pranojnë fletë-zotimet e lëshuara nga ky institucion.

    Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke mos dhënë ndonjë afat se kur mund të bëhen këto pagesa deklaron për KosovaPress se kanë takuar spitalet ndaj të cilave Fondi ka borxhe dhe tashmë po presin evidencat e një grupi punues në bazë të të cilave do të hartohet edhe plani për shlyerjen e këtyre borxheve.

    Vitin e kaluar për shkak të dyshimeve për keqpërdorim dhe keqmenaxhim për trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi. Bordi i Fondi e ka shkarkuar nga detyra e drejtorit të Fondit, Fatmir Plakiqin./kp

  • Mungesa e rezultateve, kërkohen ndryshime në Kombëtaren e Kosovës në basketboll

    Mungesa e rezultateve, kërkohen ndryshime në Kombëtaren e Kosovës në basketboll

    Me Pejën të shpallur kampion pas pesë finaleve të zjarrta përballë Trepçës i erdhi fundi një sezoni fantastik në Superligën e Kosovës në basketboll.

    Rritja e cilësisë në klubet e Superligës zgjoi interesim të madh te publiku që gjatë gjithë sezonit shfaqi interesim të madh për të parë ndeshjet, gjë kjo që ka lënë të kënaqur edhe drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, por brenga që mbetet është që ky entuziazëm dhe kjo cilësi nuk po arrin të bartet edhe në nivel të Kombëtares së Kosovës në basketboll.

    Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahuu, thotë për KosovaPress se po punojnë intensivisht që përmes vendimeve administrative, siç është rregulli që klubet të kenë dy lojtarë vendor në fushë ta përcjellin këtë cilësi edhe në nivel të kombëtares.

    “Në realitet ne duhet ta shfrytëzojmë momentumin të cilin e kemi me zhvillimin e basketbollit tani e sa vite, me masivizimin e tij, me interesin i cili po shfaqet çdo ditë e më shumë për basketbollin, duhet ta shfrytëzojmë për rekrutim të basketbollistëve të rinj. Ideja e Federatës së Basketbollit të Kosovës është gjithmonë që ta gjejë balancin e duhur mes asaj që na nevojitet për visibilitet, na nevojitet për cilësi të garës, me punën të cilën e bëjmë për përfaqësueset tona. Ne i kemi dhënë hapësirë të mjaftueshme besoj marr parasysh tërë gamën e lojtarëve të cilët i kemi në dispozicion për përfaqësueset tona me vendimet administrative të cilat i kemi marrë për ta detyruar secilin klub që në çdo moment në Superligë t’i këtë së paku dy lojtar vendor në fushë.”, tha Fetahu.

    Nga ana tjetër, ish-basketbollisti dhe trajneri i basketbollit, Ismet Ferati, vë në dukje faktin se nuk po bëhet puna e duhur me kategoritë e reja dhe se për shkak të ngecjes në këtë hallkë, po mungojnë rezultatet e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai thotë se nëse kjo qasje nuk ndryshon urgjentisht, atëherë ekziston rreziku që Kosova brenda pak vitesh të mos ketë lojtar të nivelit të lartë për t’i zëvendësuar ata që janë duke luajtur aktualisht.

    Duke folur për KosovaPress, Ferati thotë se klubet duhet të detyrohën që t’i kenë nga tre lojtarë vendor në fushë, e jo dy sa është aktualisht me rregullat në fuqi.

    Së fundi, në krye të Kosovës u emërua trajneri izraelit Rami Hadar dhe bashkë me të, i pari i FBK-së thotë se do të vij edhe një lojtar i huaj si i natyralizuar por do të ketë edhe lojtarë të rinj vendor në kombëtare.

    Në kuadër të parakualifikimeve për Eurobasket 2025, Kosova është pjesë e grupit H ku do të ballafaqohet me Zvicrën dhe Danimarkën. /kp

  • Von Cramon pas takimit me Kurtin: Të zbatohet shpejtë dhe pa kushte marrëveshja bazë

    Von Cramon pas takimit me Kurtin: Të zbatohet shpejtë dhe pa kushte marrëveshja bazë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në mëngjes takoi Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se ata biseduan për zhvillimet në vend, me theks procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për procesin pas-zgjedhor në katër komunat në veri të vendit.

    Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyrë një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, është e rëndësishme që të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës.

    Ndërsa, për sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të saj, ai përsëriti që duhet zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar.

    Kryeministri shtoi që është kënaqësi të pres Cramonin në takim në këto kohë të rëndësishme dhe e falënderoi atë për përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.​

    Në takim ishin edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli Dalipi, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

  • Vdes ish-kryetari i Mamushës, Arif Butuç

    Vdes ish-kryetari i Mamushës, Arif Butuç

    Ka vdekur ish-kryetari i Komunës së Mamushës, Arif Butuç, pas një ataku në zemër, në mëngjesin e së dielës.

    Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët, teksa kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot.

    “Njoftim për të gjithë miqtë dhe të afërmit. Njoftojmë miqtë, të afërmit, bashkatdhetarët dhe dashamirët se sot daja im Arif Bütüç nderoi jetën. Varrimi bëhet me datë 28.05.23 në ora 16:30 në varrezat e fshatit në Mamushë”, thuhet në njoftimin.

    Butuç shërbeu për dy mandate si kryetar i Mamushës.