ATV

Blog

  • Petkoviq nervozohet me Kurtin për zbulimin e emrave të organizatorëve të protestave të dhunshme në Veri

    Petkoviq nervozohet me Kurtin për zbulimin e emrave të organizatorëve të protestave të dhunshme në Veri

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

    “…sepse, njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviq, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese.

    Duke folur të premten para Kuvendit të Kosovës, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë së Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.

    Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”.

    Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.

    Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve – pa u specifikuar se të kujt – dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”.

    Kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës më 2 qrshor, tha se protestat në veri të vendit nuk janë vullnet i serbëve që jetojnë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.

    Ai e quajti situatën në veri “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele në veri sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”

    Kurti tha se tani është në pyetje “çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik.

    Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

    Ato u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

    Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

    Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

    Komuniteti ndërkombëtar diplomatik, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës, si dhe vendet tjera të shteteve të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit. /REL

    LEXO EDHE:

    Kurti tregon me emra kush ishin personat që sulmuan KFOR-in në veri

  • ​Krasniqi: Atiq është në zyrën e tij të komunës

    ​Krasniqi: Atiq është në zyrën e tij të komunës

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u është përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me situatën në veri. Ai ka deklaruar se kryetari i veriut të Mitrovicës është në zyrën e komunës dhe po vijon punën çdo ditë.

    Sipas tij, ka qenë kërkesë e dy kryetarëve të PDK-së që betimi i tyre të bëhet në Çabër dhe Boletin.

    Krasniqi ka thënë se dy kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut i ka vizituar në zyre.

    Në debatin parlamentar për situatën në veri, ai ka thënë se PDK po ua pamundëson që të bëjnë kërkesë në ZRrE për faturim të rrymës.

    “Të dy kryetarët e PDK-së kanë ardhur në zyre edhe kanë kërkuar që seancat konstituive të mbahen në Çabër dhe në Boletin. Ka qenë kërkesë ekskluzive e tyre që këto t’i bëjmë kështu. Pastaj e pash që pati interferime dhe dërguan email-e, kërkesa që seanca të mbahet në objektet e zyrave të Komunës së Zveçanit dhe të Zubin Potokut. Marrë parasysh që ishte kohë shumë e shkurtër, nuk kemi mundur t’i organizojmë takimet konstituive të kuvendit dhe dhënies së betimit në objektet e komunës, vendosëm që t’i lejojmë të mbahen në Çabër dhe Boletin. Mirëpo, për të plotësuar edhe kërkesën dhe dëshirën e kryetarëve dhe përmbushjen e obligimeve tona, të nesërmen e bëmë të mundshme që kryetarët të shkojnë në zyre”, ka thënë Krasniqi, transmeton KP.

    Më tej, Krasniqi është përgjigjur edhe në pyetjen e opozitës se ku është kryetari i Mitrovicës së Veriut.

    “Pyetja u bë disa herë se ku është Erden Atiqi, Erdeni është në zyre të komunës duke qeverisur dhe çdo ditë në zyre të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe çdo ditë duke qeverisur. Ajo është Komuna e Mitrovicës së Veriut, Erdeni është në zyre. Erdeni e bëri mes tjerave edhe një kërkesë shumë legjitime, kërkoi prej ZRrE-së që të faturohet rryma, një kërkesë të tillë e patëm edhe për dy kryetarët, mirëpo asnjëri as tjetri nuk po lejohet. Ata njëjtë sikurse po raportojnë për takimet në PDK, kur po vijnë në zyre te na po raportojnë se po ua pamundësoni për të bërë kërkesë që t’i drejtohet ZRrE-së sikurse Mitrovica e Veriut edhe Komuna e Zveçanit”, ka shtuar ai.

    Ai ka komentuar edhe deklaratat e kreut të PDK-së, Memli Krasniqit.

    “Deputeti Krasniqi foli për pancirin, për trimërinë e Memlit kemi mësuar në ritmin e rrugës, nuk kam se çfarë të them më shumë”, ka thënë Krasniqi.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Shqipëria në vendin e parë në Evropë për rikuperim të rritjes së fluksit turistik më 2023

    ​Shqipëria në vendin e parë në Evropë për rikuperim të rritjes së fluksit turistik më 2023

    Në publikimin e fundit të Organizatës Botërore e Turizmit, Shqipëria renditet në vendin e tretë në botë dhe të parin në Evropë për sa i përket rikuperimit të rritjes së flukseve turistike në vitin 2023, krahasuar me vitin 2019 që përkon me periudhën e para pandemisë.

    Derisa në Sofje është mbajtur takimi i 68-të i Komisionit për Evropën i Organizatës Botërore të Turizmit. Në këtë takim mori pjesë Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ku Tirana u votëbesua unanimisht për ta organizuar vitin tjetër këtë event.

    Shqipëria do të presë liderët evropianë të turizmit, organizon takimin e Komisionit për Evropën të UNËTO në vitin 2024

    Kumbaro njoftoi se pritet pjesëmarrja e 40 ministrave të turizmit, si një mundësi e vyer për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në nivelin më të lartë të politikë bërjes.

    “Gjatë fjalimit të saj, ministrja Kumbaro tha se “Në vitin 2022 pritëm 7,5 milionë vizitorë të huaj, duke u renditur në krye të vendeve me rikuperimin më të shpejtë të turizmit pas pandemisë. Shqipëria që po bëhet mikpritëse e brandeve ndërkombëtare të hotelerisë me pesë yje, por njëkohësisht ruan edhe bujtinat e vogla që ofrojnë eksperiencën e traditës dhe ushqimit bio”, duke falënderuar edhe UNËTO për bashkëpunimin e shkëlqyer”, bëhet e ditur në komunikatën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë.

    Gjatë qëndrimit në Sofje, ministrja Kumbaro pati takime edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të UNËTO, Zurab Pololikashvili dhe homologë të vendeve të tjera të Evropës ku Shqipëria është mbështetur maksimalisht për modelin e saj të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe gatishmërinë për t’u përshtatur me sfidat e reja që shtron kjo industri në nivel global.

  • ​Policia konfiskoi mall të kontrabanduar në vlerë mbi 44 mijë euro

    ​Policia konfiskoi mall të kontrabanduar në vlerë mbi 44 mijë euro

    Policia e Kosovës ka konfiskuar mall të kontrabanduar në vlerë prej 44 mijë euro. Në një automjet të identifikuar janë gjetur qindra pako me çaj për dobësim. Lidhur me këtë, i dyshuari me inicialet I.B është dërguar për mbajtje 48 orë.

    Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur të enjten në rrugën Debwelldeh-Binqë. Automjeti i identifikuar me targa vendore, ishte duke lëvizur në drejtim të kësaj rruge nga fshati Tanushë i Maqedonisë së Veriut, transmeton KP.

    Ndërsa pasi i njëjti ishte sinjalizuar për ndalje, kishte tentuar të kthehej prapa.

    “Njësitë policore, pasi kanë ndaluar automjetin e dyshuar të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull me iniciale I. B., gjatë kontrollit kanë gjetur të ngarkuar çaj për dobësim 1584 pako të një firme dhe 50 pako çaj të një firme tjetër, e që në total janë gjetur 1634 (një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër) pako, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas çmimit të tregut është mbi 44000 euro, për të cilat i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përkatës mbi prejardhjen e tyre”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Policia ka theksuar se malli i gjetur dërgohet në terminalin doganor Dheu i Bardhë.

  • ​Abdixhiku i kundërpërgjigjet Kurtit: Koordinimin e dini mirë si ai mbrëmë me telefon

    ​Abdixhiku i kundërpërgjigjet Kurtit: Koordinimin e dini mirë si ai mbrëmë me telefon

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka replikuar fjalëve të kryeministrit Kurti për çështjen e arrestimit të bandave në veri, i cili pyeti liderët opozitarë se a duhet ta bëjë këtë veprim me apo pa koordinim.

    Sipas Abdixhikut edhe koordinimi për arrestimin e këtyre kriminelëve serbë duhet të bëhet sikur ai i mbrëmshmi me një telefonat.

    “Se çfarë koordinimi duhet e dinë ti shumë mirë kryeministër. Si ai mbrëmë me telefon e di shumë qartë si ai mbrëmë qasi koordinimi për t’i arrestuar kriminelët, qashtu qysh e ke bërë mbrëmë, ose pak më herët nuk ka Zajednicë as aso e as këso, RTK asociacion ka qasi koordinimi me atë koordinim arrestoj kriminelët në veri”, u shpreh ai, transmeton KP.

    Kreu i LDK-së u shpreh se Kurti i cili Oliver Ivanoviqin e ka quajtur mendjemprehtë, sekretarin amerikan Blinken e quan naiv.

    “Një njeri që ky kryeministër e ka quajtur mendjemprehtë e sekretarin amerikan të shtetit naiv, Oliver Ivanoviq sipas Kurtit mendje prehtë, Antony Blinken sekretar i shtetit naiv, ja patriotizmi i popullit të Kosovës dhe ju e duartrokisni. Ju mburreni me këtë“, tha ai.

    Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në këtë debat parlamentar për situatën në veri kërkoi koordinim me SHBA-të për shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të Kosovës.

    Sipas tij, koordinimi me aleatët është patriotizëm e kjo që po bënë kryeministri Kurti është tradhti.

    “Me ta duhet të shtrojmë edhe sovranitetin në veri dhe ky dallim është substancial, sepse për neve është patriotizëm, e jotja çka po bënë është tradhti sepse të zgjedhësh politikisht të sjellës kundër Republikës së Kosovës dhe NATO dhe BE dhe SHBA dhe aleatët tanë me deklarata publike, të zgjedhësh të krijosh një vëmendje qytetare ditën kur Vuçiq përballet me një propagandë dhe ti asiston t’i heqësh këtë vëmendje atij dhe të marrësh këtë barrë në emër të Kosovës kjo nuk ka lidhje me patriotizëm dhe as me dinjitet. Nuk ka lidhje me dinijtet kjo është sjellje e papërgjegjshme fëmijërore është, popullsitë” ,tha ai.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë:

    LEXO EDHE:

    ​Kurti-liderëve opozitarë: Arrestimin e kriminelëve serbë me koordinim a pa koordinim

  • “Kala Festival”, 657 turistë anglezë mbërritën nga porti i Himarës

    “Kala Festival”, 657 turistë anglezë mbërritën nga porti i Himarës

    Në portin e Himarës në Shqipëri, në dy ditët e fundit kanë mbërritur 657 turistë anglezë për të marrë pjesë në “Kala Festival”, që zhvillohet nga 31 maj deri më 6 qershor.

    Porti i Vlorës bëri të ditur se “vazhdojnë të mbërrijnë në Portin e Himarës turistët anglezë. Ditën e enjte kanë mbërritur 140 të rinj nga Britania e Madhe për të marrë pjesë në “Kala Festival””.

    “Ky festival përveç atmosferës që do të krijojë për adhuruesit e muzikës elektronike, ka për qëllim promovimin e turizmit dhe kulturës shqiptare në botë”, bëhet e ditur nga porti i Vlorës.

    Porti i Vlorës informoi gjithashtu se dy ditë më parë mbërritën në portin e Himarës 517 turistë anglezë, shkruan ATSh.

    Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare.

  • Zyrtare: UEFA merr vendim për gjyqtarin e finales së Ligës së Kampionëve

    Zyrtare: UEFA merr vendim për gjyqtarin e finales së Ligës së Kampionëve

    UEFA përmes një komunikate në faqen zyrtare ka njoftuar për vendimin e marrë sa i përket gjyqtarit Szymon Marciniak, i cili është paraparë që të ndajë drejtësinë në finalen e Ligës së Kampionëve.

    UEFA ka thënë se ka pranuar një komunikatë nga Marciniak, i cili ka shprehur keqardhjen e tij të thellë dhe ka dhënë një sqarim sa i përket përfshirjes së tij në një ngjarje në Poloni, raporton KosovaPress.

    “UEFA ka hetuar akuzat rreth pjesëmarrjes së Szymon Marciniak në një ngjarje të organizuar në Katovicë më 29 maj 2023. Këto akuza janë marrë me seriozitetin maksimal nga UEFA dhe i gjithë komuniteti i futbollit pasi ne refuzojmë pa mëdyshje vlerat e promovuara nga një grup i lidhur me këtë konferencë. Dje u angazhuam për mbledhjen e të gjitha informacioneve relevante dhe kërkuam sqarime urgjente për këtë çështje. Pas një shqyrtimi të plotë, ne kemi marrë një deklaratë nga z. Marciniak, ku shprehte ndjesën më të thellë dhe jepte një sqarim në lidhje me përfshirjen e tij në ngjarje”, shkruhej në komunikatën e UEFA-s.

    “Bazuar në informacionin e dhënë, UEFA konfirmon se Marciniak do të përmbushë rolin e tij si gjyqtari për finalen e UEFA Ligës së Kampionëve 2023”, ishte vendimi i UEFA-s.

    Marciniak do ndajë drejtësinë në finalen e Ligës së Kampionëve më 10 qershor mes Manchester Cityt dhe Interit.

  • ​Kurti-liderëve opozitarë: Arrestimin e kriminelëve serbë me koordinim a pa koordinim

    ​Kurti-liderëve opozitarë: Arrestimin e kriminelëve serbë me koordinim a pa koordinim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka replikuar me krerët opozitar në debatin parlamentar që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës për gjendjen në veri të vendit.

    Kurti u shpreh se protestat në komunat veriore nuk po bëhen për zgjedhje të reja komunale, por janë protesta të njerëzve që adhurojnë Millosheviqin dhe Putnin.

    “Nuk është kjo protestë as në Zveçan, as në Leposaviq e Zubin Potok për zgjedhje të reja komunale, këto janë protesta me kryqin me katër C, me shkronjën ruse Z, këto janë protesta të njerëzve që adhurojnë Millosheviqin dhe Putinin. Dhe punojnë të paguar nga Beogradi dhe me direktiva të Beogradit. Pra, nuk është thjesht vetëm çështja e komunës aty. A ndërtesat e komunës janë të Republikës. Nëse nuk janë për kryetar të komunave për kë janë aty, nëse kryetarët e komunave nuk shkojnë aty ku duhet të jenë ata. Që nga viti 1999 ka struktura paralele ilegale atje, nuk mund të krijojmë struktura paralele strukturave paralele, nuk ka kuptim të krijojmë zyra paralele atje”, theksoi ai, transmeton KosovaPress.

    Shefi i ekzekutivit kosovar iu është përgjigjur thirrjeve të liderëve opozitar për arrestim të kriminelëve serbë, duke i pyetur ata se a duhet ta bëjë këtë arrestim me koordinim apo pa koordinim.

    “Mua mu tha më shumë se sa një herë që meqenëse po i dini me emra edhe me hollësi të tjera kriminelë e bandave atëherë pse s’po i arrestoni dhe u kërkua prej meje që t’i arrestoj. Tash ne kemi filluar t’i arrestojmë dhe në fund të fjalimit përmenda emrat e atyre që janë të arrestuar. Por natyrisht që ka edhe aso që janë kriminel të paarrestuar që janë në veri të vendit. Nëse i hasim dihet që i arrestojmë mirëpo ka edhe mundësi që kanë shkuar në Serbi….Unë iu falënderoj për këtë thirrje që ma bëtë që të arrestohen këta kriminel, por unë e kam një pyetje për juve arrestimi i këtyre kriminelëve a me koordinim a pa koordinim. Qysh po thoni? Pra, ju po bëtë thirrje që njësia speciale e jona të marr urdhër që të bëjë arrestimin e këtyre kriminelëve dhe unë iu falënderoj shumë për këtë mbështetje dhe për këtë sjellje shtetërore, por megjithatë për shkak të diskursit tuaj më duhet tua bëjë këtë pyetje shtesë arrestimin e këtyre kriminelëve në veri për të cilën po më inkurajoni a me koordinim a pa koordinim.Pra, arrestimin po e bëjmë se ju thatë, ju ma dhatë mbështetjen për besë edhe në paça pas ndonjë dilemë mu hoqën dilemat kur folët ju të dy”, tha ai.

    Gjatë këtyre kundërpërgjigjeve karshi opozitës, Kurti pyeti edhe deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri se arrestimin e kriminelëve serbë në veri a ta bëjë me shurdhues a pa shurdhues?

    “Arrestimin e tyre e kërkoi edhe ish ministri i Drejtësisë tash deputeti, Abelard Tahiri ky ka qenë ministër i Drejtësisë ky i di këto punë edhe ky tha që duhet të arrestohen kriminelët edhe deputetin Abelard Tahiri e pyes të njëjtën pyetje a me koordinim a po koordinim. Por, për këtë e kam edhe një pyetje speciale a me shurdhues a pa shurdhues qysh po thu deputeti Tahiri. Deputeti Krasniqi dhe Abdixhiku le të përgjigjen a me koordinim apo pa koordinim, e deputeti Tahiri le të përgjigjet me shurdhues a pa shurdhues” , u shpreh ai.

    E karshi kreut të PDK-së, parti kjo cila ka fituar udhëheqjen në dy komuna veriore, Zubin Potok dhe Zveçan, Kurti adresoi edhe një kërkesë.

    Ai kërkoi që këta kryetar të çlirohen e të shkojnë në objektet komunale sepse Policia i garanton e qeveria i mbështet.

    “Këta janë kanë plotësuar kërkesën Vuçiqit ndërsa, nuk e kanë larguar policinë se nuk pyeten më për polici, a po të pyeteshin për polici unë e di që këta edhe policinë e kishin largua….çlironi ata dy kryetarë që i kanë fitu zgjedhjet në Zubin Potok, kur të ec rroga duhet me punua kur të garojsh dhe zgjedhjesh e do me fitua duhet edhe me punua, prandaj çlironi ata kryetar mos i mbani pengë se ata dojnë me shku edhe në Zveçan edhe në Zubin Potok policia i garanton, qeveria i mbështet ju mos i mbani peng”, tha Kurti.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Krasniqi-Kurtit: Për Zubin Potok e Zveçan, as nuk guxon e as ki të drejtë me fol

    ​Krasniqi-Kurtit: Për Zubin Potok e Zveçan, as nuk guxon e as ki të drejtë me fol

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka paralajmëruar kryeministrin se nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në Zubin Potok dhe Zveçan. Siç tha i pari i kësaj partie, për këto dy komuna ‘ty nuk t’i vet letrat më njeri i lemë’. Në debatin parlamentar për situatën në veri, ai shtoi se kryetari në veri të Mitrovicës nuk është në objekt të komunës, por në zyrë në Lagjen e Boshnjakëve.

    Gjatë seancës plenare, Krasniqi theksoi se heroi i Albin Kurtit është Oliver Ivanoviqi, i cili dikur siç tha ai, i printe bandave për sulme ndaj shqiptarëve.

    “A e din kush i ka prirë bandave që e kanë bërë sulmin ndaj shqiptarëve? Heroi i Albin Kurtit, Oliver Ivanoviqi. Oliver Ivanoviqi ka qenë ai që e ka koordinuar me rojet e urës e me kriminelët serbë vrasjet e shqiptarëve edhe përndjekjet e tyre. Unë kam qenë në atë anë, ky (Albini) nuk ka mundur të jetë fatkeqësisht. Por, Oliver Ivanoviqin që sot e shpall hero, se ky është shpëtimtari i serbëve na tregoi, ky do ta çlirojë komunitetin serb në veri, aty kanë qenë. Lej pallavrat zotëri, lej”, deklaroi Krasniqi, transmeton KP.

    Tutje, Krasniqi ka vijuar me pyetjet për Kurtin nëse do të tërhiqet.

    “Si ndihesh që je shqiptari i parë në Kosovë, që ke përgjegjësi institucionale e që të penalizon Amerika publikisht, të thotë ‘s’guxon me ardh në Uashington’. Si ndihesh që je kryeministri i Kosovës, që është çliruar, është bërë shtet, është zhvilluar, vetëm dhe para se gjithash me Amerikën, që ta përjashtojnë ushtrinë, që prapë Amerika të ka ndihmuar dhe të ka lejuar ta bëjë, prej stërvitjes më të madhe ushtarake? Pse nuk po përgjigjesh? Edhe mbi të gjitha pse nuk po përgjigjesh të tregosh se a ki me u tërheq, a nuk ki me u tërheq? A ki me u tërheq se dole prej takimit me Borrellin edhe paralajmërove zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.

    Kreu i PDK-së e ka paralajmëruar Kurtin se nuk do të mund të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme në Zubin Potok e Zveçan.

    “Unë po të tregoj diçka ti zgjedhje të jashtëzakonshme mundesh me shpresua me mbajt, por për dy komuna, as nuk guxon e as ki të drejtë, e as mundesh me fol, këtë dije. Për Zveçan, për Zubin Potok, ty nuk ti vet letrat më njeri i lem ( i lindur). A duhet me i çu në komuna kryetarët? Po. Pse nuk po e çon Erden Atiqin në komunë? Pse more po i gënjen të mëdhenj e të vogël, po ju thua që Erden Atiqi është në komunë. Erden Atiqi është në zyrën e Ardiana Hoxhiqit o zotëri. Qeveritë tona e kanë bërë atë zyre ndërlidhëse. Hajde merri për dore Xhelal Sveçlën me kaçketë (kapele), Elbert Krasniqi me pancir edhe ti, e hajde e çojmë Erden Atiqin në Mitrovicë të veriut ku është komuna ”, ka deklaruar ai.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani bisedoi me presidenten e PE-së për zhvillimet e fundit

    Osmani bisedoi me presidenten e PE-së për zhvillimet e fundit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka bashkëbiseduar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

    Osmani ka potencuar se i ka shprehur mirënjohje Metsolës për mbështetje për përafrimin e Kosovës me BE-në.

    ”Diskutuam për zhvillimet e fundit dhe përpjekjet tona të përbashkëta duke u mbështetur në vullnetin e Parlamentit Evropian për të avancuar rrugën e Kosovës drejt BE-së.”

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Moldavi ka takuar edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn e po ashtu edhe kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak. /kp