ATV

Blog

  • Dogana sekuestron rreth 600 litra tretës

    Dogana sekuestron rreth 600 litra tretës

    Zyrtarët Doganor kanë sekuestruar 600 litra tretës, pas një kontrolle në regjionin e Ferizajt.

    “Zyrtarët Doganor kanë ushtruar kontrolle pa paralajmërim në dy lokacione në regjionin e Ferizajt dhe me këtë rast është hasur në 568 litra Tretës / Nitro. Tërë sasia është konfiskuar si dhe nga personave përgjegjës është iniciuar procedura kundërvajtëse”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës. /atvlive.tv

  • Blinkeni thotë se ushtria ruse është rast studimi për dështime

    Blinkeni thotë se ushtria ruse është rast studimi për dështime

    Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në një fjalim në Helsinki, ushtrisë ruse i është referuar si “e dyta më e mira në Ukrainë” sa u përket kapaciteteve.

    Komentet e Blinkenit janë referencë për deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili shpesh ka thënë se ushtria e tij është e dyta më e mira në botë.

    Blinkeni ka thënë se ushtria e Rusisë është rast studimi për dështime pasi i janë vrarë më shumë se 100 mijë ushtarë vetëm në gjashtë muajt e fundit. SHBA-ja është aleatja kryesore në furnizimin me armatim të Kievit me qëllim që t’i mposhtë forcat e Kremlinit.

    Sekretari amerikan i Shtetit më herët ka thënë se nuk mund të ketë armëpushim në Ukrainë, derisa nuk do të arrihet marrëveshja jetëgjate e paqes që do ta përfshinte tërheqjen e ushtrisë ruse nga Ukraina.

  • Bie numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi

    Bie numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi

    Instituti GAP ka publikuar statistikat të cilat thonë se numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi ka shkuar duke rënë vazhdimisht.

    Sipas këtyre statistikave, rënie më të madhe të numrit të nxënësve ka në komunat e Kamenicës dhe Junikut.

    “Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi ka shkuar duke rënë vazhdimisht. Krahasuar me vitin shkollor 2008/2009, në vitin shkollor 2021/22 mësimin e ndjekin 134,366 nxënës më pak, apo një rënie prej 30.3%. Rënie më të madhe të numrit të nxënësve ka në komunat e Kamenicës dhe Junikut (-53%), Rahovecit, Dragashit dhe Vitisë (-45%), dhe Gjilanit dhe Suharekës (-41%)”, thuhet në njoftimin e GAP.

    Ndërkaq, në përmbledhjen e raportit thuhet se sa i përket personelit arsimor, që përfshin mësimdhënësit, personelin administrativ dhe personelin ndihmës, numri i tyre ka mbetur thuajse i njëjtë që nga viti shkollor 2013/2014.

    “Sa i përket personelit arsimor, që përfshin mësimdhënësit, personelin administrativ dhe personelin ndihmës, numri i tyre ka mbetur thuajse i njëjtë që nga viti shkollor 2013/2014, kur MASHT publikoi të dhëna të detajuara për këtë kategori. Në krahasim me vitin shkollor 2013/2014, në vitin shkollor 2021/2022, numri i mësimdhënësve ka rënë për -1%, numri i personelit ndihmës është rritur me 6%, ndërsa numri i personelit administrativ ka rënë për -3%”, thuhet tutje në raport.

  • Sekuestrohen barna pa banderola në Skenderaj

    Sekuestrohen barna pa banderola në Skenderaj

    Njësitet e Doganës së Kosovës kanë kryer kontroll në një barnatore të dyshuar për mallra të kontrabanduara në Skenderaj, gjersa kanë sekuestruar barna pa banderola.

    Në njoftim thuhet se kontrollet janë kryer pas pranimit të informatave nga qytetarët.

    “… Zyrtarët e Doganës kanë kryer një kontroll në një barnatore. Kontrolli ka zbuluar mallra, respektivisht barna të pa zhdoganuara (pa banderolla) në sasi të konsiderueshme. Të gjitha mallrat janë konfiskuar si dhe ka filluar procedura kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës”, thuhet në njoftim.

    Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura Android dhe Ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

  • ​ASK: Qeveria rrit shpenzimet, për tre muaj shpenzoi 511.8 milionë euro

    ​ASK: Qeveria rrit shpenzimet, për tre muaj shpenzoi 511.8 milionë euro

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon llogaritë qeveritare për tremujorin e parë 2023, ku gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme ishin 675.8 milionë euro, që është një rritje e të hyrave, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, që ishin 557.6 milionë euro.

    Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë: tatimet në produkte (63.7%) të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura (16.7%); transfertat e tjera aktuale (11.9%); pagesat për prodhimet jo-tregtare (3.7%); ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

    Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM1 2023 ishin 511.8 milionë euro, që është një rritje e shpenzimeve, krahasuar me periudhën e vitit paraprak (TM1 2022), që ishin 459.7 milionë euro.

    Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (34.5%); kontributet sociale dhe përfitimet (29.0%); konsumi i ndërmjetëm (12.5%); subvencionet (11.6%); ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.

  • Ra në bunar, nxirret i gjallë një person në Suharekë

    Ra në bunar, nxirret i gjallë një person në Suharekë

    Organizata Vullnetare Zjarrfikësit dhe Shpëtimit kanë arritur ta nxjerrin të gjallë një person që kishte rënë në bunar.

    Ngjarja ka ndodhur në Shirokë të Suharekës rreth orës 08:30.

    Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

  • Kosova i bën Serbisë kërkesë zyrtare për ndriçimin e fatit të të zhdukurve

    Kosova i bën Serbisë kërkesë zyrtare për ndriçimin e fatit të të zhdukurve

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti sot ka bërë të ditur se i ka drejtuar Serbisë një shkresë për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    Hoti ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë ka kërkuar të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave.

    Ai ka shtuar se shkresa e parë ka nisur me Drenicën, sepse siç ka shkruar ai, në Drenicë, Serbia ka filluar krimet massive ndaj popullit të Kosovës.

    “Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës. Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur. Natyrisht që shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

  • ​Gërvalla për deputetët e LDK-së: Ngatërrojnë partneritetin me servilizëm

    ​Gërvalla për deputetët e LDK-së: Ngatërrojnë partneritetin me servilizëm

    Seanca e Kuvendit ku po diskutohet për situatën në veri, për zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla, është zhgënjyese.

    Duke ju drejtuar deputetëve të LDK-së, ajo ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ngatërron partneritetin me servilizëm dhe politikën me thashethemet.

    Ajo ka përsëritur se me partnerët ndërkombëtar bisedojnë hapur dhe synojnë t’i bindin për qëllimet e drejta të Kosovës.

    Sipas saj dhuna në veri nuk ka të bëjë me të drejtat e pakicave serbe.

    “Dhuna në veri nuk ka të bëjë me të drejtat e pakicave serbe, nuk ka të bëjë me sigurimin e të drejtave të tyre dhe e dimë shumë mirë se cilat janë bandat serbe që terrorizojnë banorët brenda republikës sonë….Është një kohë e vështirë e cila kërkon vendime të vështira, me partnerët tanë bisedojmë hapur dhe debatojmë me ta jemi të pastër dhe synojmë të bindim partnerët tanë për qëllimet tona të drejta. Në dallim nga ata që sot flasin në emër të LDK dhe ngatërrojnë partneritetin me servilizmin politikën me thashethemet…Në krahë të presidentit Rugova e kam mësuar gjatë takimeve të tij që miqtë aleatët dhe partnerët tanë nuk duhet gënjyer, por duhet shpjeguar, diskutuar dhe koordinuar me ta për të siguruar mbështetjen e tyre për interesat legjitime të qytetarëve”, u shpreh ajo, transmeton KP.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla i ka replikuar Ramush Haradinajt duke i thënë se është turp me prit në zyre Radoiçiqin dhe shokët e tij e jo t’i mbrosh qëndrimet legjitime të Kosovës.

    “U përmend fjala turp deputetit Haradinaj e paska lëshuar sallën, turp nuk është të mbrosh qëndrimet legjitime të Kosovës turp është me prit në zyre Radoiçiqin dhe shokët e tij jo pse është serb por kriminel. Dy partitë politike këtu Aleanca dhe PDK thjesht nuk kanë kredibilitet për të folur për aleancën me Amerikën. Që nga qeveria Hotin as LDK më nuk ka kredibilitet…Ne nuk i gënjejmë SHBA dhe as BE e jo si ju deputetët të nderuar të opozitës, këtu në foltore jeni shqiponjë kur shkoni nëpër ambasada ktheni në pula”, tha ajo.

    Gërvalla tha se SHBA-të dhe BE nuk kërkojnë nënshtrim, por presin ndërtimin e një shteti demokratik.

    “SHBA dhe BE na ne nuk kërkojnë as nënshtrim as servilitet presin të ndërtojmë një shtet demokratik dhe ligjor presim vendime të guximshme presim marrje të përgjegjësisë për çdo veprim tonin presin debat të hapur në shërbim të prosperitet të Kosovës”, u shpreh ajo.

    Gërvalla ka kritikuar edhe PDK-në, sipas saj, për mos-shkuarjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

    E pas fjalimit të saj, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ndonëse Gërvalla e përmendi LDK-në 13 herë, si person ajo hynë në kategorinë e personave që si parti as nuk e replikojnë.

    “Hynë në kategorinë e personave që LDK as nuk replikon”, tha ai.

    Debati parlamentar për situatën në veri të vendit është ndërprerë për një pauzë deri në 15:30.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova po merr pjesë në turneun ndërkombëtar të boksit në Maqedoninë e Veriut

    Kosova po merr pjesë në turneun ndërkombëtar të boksit në Maqedoninë e Veriut

    Ekipi i boksierëve kosovarë aktualisht po merr pjesë në turneun ndërkombëtar për senior dhe të rinj “Miroslav Petroviç”.

    Ky turne do të zhvillohet sot dhe nesër (2 dhe 3 qershor) në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, raporton KP.

    Kosova është pjesëmarrëse me tre boksierë sernior dhe dy të rinj.

    Te seniorët do të boksojnë Gentrit Gashi (kategoria 60 kilogramë), Shpetim Bajoku (kategoria 67 kilogramë) dhe Patriot Behrami (kategoria 71 kilogramë).

    Në anën tjetër te të rinjtë do të boksojnë Benjamin Deva (kategoria 48 kilogarmë) dhe Sali Hajdaraj (kategoria 60 kilogramë).

    Sot në ring do të ngjiten Gentrit Gashi, Shpetim Bajoku dhe Patriot Behrami me fillim nga ora 17:00.

    Ekipin e Kosovës po e udhëheq selektori, Besim Brahimi me trajnerin, Mehmet Haxhani.

  • Bugajski: Serbia mund të krijojë konflikt të gjerë nëse merr përgjigje të dobët nga Uashingtoni

    Bugajski: Serbia mund të krijojë konflikt të gjerë nëse merr përgjigje të dobët nga Uashingtoni

    Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq posedon disa mjete për të provokuar konflikte brenda Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe për të mobilizuar publikun kundër armiqve të huaj të supozuar. Sipas tij, dhuna e fundit nga bandat e organizuara kundër Policisë së Kosovës dhe trupave të NATO-s në veri të Kosovës mund të jetë një lajmëtar për një konflikt më të gjerë të krijuar nga Beogradi nëse Vuçiq merr një përgjigje të dobët nga Uashingtoni.

    Në një shkrim autorial për Istagran, analisti vlerëson se demonstratat masive në Beograd dhe reagimet e frikshme të qeverisë Vuçiq, tregojnë se Serbia mund të jetë në prag të një revolucioni politik, transmeton KosovaPress.

    “Pas vitesh të kontrolleve shtrënguese të regjimit, korrupsionit masiv zyrtar, dhe gjuhës së vazhdueshme të urrejtjes mediatike, publiku serb më në fund po zgjohet nga hutimi i tij. Megjithatë, rezultatet e revoltës paqësore publike mbeten të pasigurta dhe mund të përshpejtojnë dhunën si në Serbi ashtu edhe në rajon më gjerë. Regjimet jodemokratike janë në thelb të paqëndrueshme. Regjimet kuazi-autoritare kanë rezultuar të jenë më të brishtat, siç kemi filluar të shohim në Serbi. Demokracitë vërtet pluraliste mund të rrotullojnë partitë dhe liderët, ndërsa sistemet plotësisht autoritare ose totalitare mund të shtypin të gjitha mospajtimet, të paktën për një periudhë të gjatë kohore, siç shohim në Rusi dhe Bjellorusi. Por sistemi gjysmë-autoritar që ende lejon partitë rivale dhe shoqërinë civile të funksionojnë është më i prekshëm ndaj kryengritjeve siç e pamë në Ukrainë përpara reformës demokratike në vitin 2014”, ka shkruar ai.

    Njohësi i çështjeve të Ballkanit ka vlerësuar po ashtu se skenari aktual ose mund të mbetet paqësor ose të kthehet i dhunshëm, në varësi të faktit nëse Vuçiq është i gatshëm të sakrifikojë njerëzit për pushtet.

    “Qeveria mund të përpiqet të shtypë dhe të shpërndajë protestat, por nëse ato zgjerohen me kërkesa konkrete politike, mund të ndodhë edhe një skenar i dhunshëm. Kjo bëhet më e mundshme nëse regjimi refuzon të përgatitet për zgjedhje konkurruese dhe ruan mbështetjen e aparatit të sigurisë dhe policisë. Revolta fillimisht paqësore e Ukrainës në shkurt të vitit 2014 u përball me dhunën shtetërore dhe mbi njëqind protestues u vranë nga forcat e sigurisë. Vuçiq tani po përpiqet me dëshpërim të provojë se ai është ende popullor duke organizuar mitingjet e tij masive në një kopje të kohës komuniste kur punëtorët nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të merrnin pjesë. Ai gjithashtu po nxit armiqësi dhe po përpiqet të diskreditojë opozitën demokratike duke pretenduar se ‘shërbimet e huaja të inteligjencës qëndrojnë pas protestave’”, ka shkruar ai.

    Ai ka paralajmëruar se tubimet e Vuçiqit mund të bëhen të ngjashme me ato të Millosheviqit në fillim të viteve 1990, ku fjalimet e zemëruara nxitën ndarjet etnike që kontribuan në rënien e dhunshme të Jugosllavisë dhe vrasjet masive të civilëve.

    “Në plejadën aktuale rajonale, Vuqiç posedon disa mjete për të provokuar konflikte brenda Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe për të mobilizuar publikun kundër armiqve të huaj të pretenduar. Dhuna e fundit nga bandat e organizuara kundër Policisë së Kosovës dhe trupave të NATO-s në veri të Kosovës mund të jetë një lajmëtar për një konflikt më të gjerë të krijuar nga Beogradi nëse Vuçiq merr një përgjigje të dobët nga Uashingtoni”, ka thënë Bugajski.

    Sipas tij, edhe Moska do të luante një rol në krizën që, siç tha ai, po shpaloset.

    “Për zyrtarët rusë revolucionet popullore janë fenomen negativ i imponuar nga shërbimet speciale amerikane. Dhe nëse rezultatet kërcënojnë të kulmojnë me reformat demokratike dhe integrimin perëndimor, atëherë kryengritja paqësore duhet të shuhet në mënyrë që Kremlini të mos humbasë një aleat tjetër. Çdo qeveri që është miqësore me Rusinë, por sfidohet nga opozita e përhapur publike, përshkruhet automatikisht si viktimë e “Perëndimit kolektiv” dhe duhet të ndihmohet për t’u kapur pas pushtetit.

    “Ndryshe nga Ukraina, Serbia nuk përballet me një ndërhyrje të mundshme ushtarake ruse për të shtypur demokratizimin dhe integrimin evropian. Megjithatë, shërbimet ruse dhe përfaqësuesit e tyre lokalë, duke përfshirë grupe të ndryshme radikale nacionaliste, mund të organizojnë provokime për të destabilizuar vendin. Kaosi i brendshëm në Serbi dhe konfliktet e armatosura në Kosovë, Bosnjë, dhe Mal të Zi, do të ishin zgjidhja e dytë më e mirë për Kremlinin nëse një regjim miqësor në Beograd rrezikohet të zëvendësohet. Do të ndihmonte gjithashtu në largimin e vëmendjes nga lufta e dështuar në Ukrainë dhe përshkallëzimi i trazirave të brendshme në vetë Rusinë”, ka thënë ai në shkrimin e tij.

    Për fund, ai ka shtuar se për të parandaluar një spirale të dhunës rajonale, një mesazh i qartë duhet të dërgohet nga Uashingtoni se ai mbështet aspiratat e popullit serb dhe do të mbrojë plotësisht integritetin e fqinjëve të Serbisë.

    “Mbështetja e fortë ndërkombëtare për zgjedhje të ndershme në Serbi mund të ndihmojë në sigurimin e një qeverie properëndimore që do të ndërpresë lidhjet korruptive të Beogradit me Moskën dhe do të revokojë çdo ambicie rajonale ekspansioniste. Pa një revolucion të suksesshëm demokratik në Serbi, Ballkani do të përballet me perspektivën e përshkallëzimit që nuk mund të de-përshkallëzohet më.”

    Ndryshe, situata në veri të Kosovës është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

    Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.