ATV

Blog

  • ​Çeku: Projektligji për lirinë fetare rregullon statusin juridik të bashkësive fetare

    ​Çeku: Projektligji për lirinë fetare rregullon statusin juridik të bashkësive fetare

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, rregullon statusin juridik të bashkësive fetare.

    Sipas tij, i njëjti rregullon edhe mënyrën e regjistrimit të bashkësive të reja fetare e çështja të tjera në këtë aspekt.

    Shqyrtimi këtij projektligji ishte në rend dite në seancën e Kuvendit të Kosovës, por i njëjti është shtyrë për një tjetër seancë.

    Megjithatë, ministri Çeku, me autorizim të kryeministrit, Albin Kurti ka dhënë arsyetimin për këtë projektligj.

    Por, përveç këtij arsyetimi, projektligji në fjalë nuk u hodh në votim në mungesë të prezencës së deputetëve nga komuniteti serb.

    “Me këtë projektligj garantohet ushtrimi i lirisë së fesë sipas Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare përfshirë këtu Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Projektligji rregullon statusin juridik të bashkësive fetare mënyrën dhe kushtet e regjistrimit të bashkësive të reja fetare në Kosovës, çështjen e varrezave dhe riteve të varrimit, fondet dhe donacionet e bashkësive fetare si dhe raportimin e tyre financiar” , ka thënë ai.

    Më pas, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë do të bëhet kur të krijohen kushtet në Kuvend.

    “Ky projektligj e kërkon që votohet në Kuvend të Kosovës me 61 vota për, por gjysma e pakicave po ashtu 51% e pakicave të komuniteteve, deputetët që vijnë nga komunitetet duhet ta kemi votën e tyre për këtë projektligj që ky të kaloj. Kjo nënkupton se 11 vota duhet të jenë të komuniteteve. Kjo i bie që së paku të jetë edhe 1 votë nga Lista Serbe, ata nuk i kemi të pranishëm fare në Kuvend, kështu që ky projektligj mbetet të trajtohet njëherë tjetër kur t’i kemi kushtet e krijuara në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, me 70 vota, është krijuar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje është nënkryetar i këtij Komisioni, Alban Bajrami dhe anëtare janë Arjeta Fejza, Labinotë Demi-Murtezi, Yllza Hoti dhe Mirlinda Sadiku.

    Ndërsa, nga PDK anëtarë do të jenë Ariana Musliu-Shoshi dhe Florent Zejnullahu, kurse Duda Balje do të përfaqësoj grupin multietnik.

    E meqenëse nuk ishin në sallë deputetët e LDK-së dhe AAK-së, përfaqësimi në Komisionin Hetimor do të plotësohet në ndërkohë.

    Alban Bajrami deputeti i LVV-së ka treguar çështjet themelore që do t’i trajtojë Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

    “Do të përqendroj hetimin e tij për të zbardhur këto çështje themelore sa është numri i rasteve të dhunës seksuale dhe dhunës në familje për periudhën 5 vjeçare, cili është epilogu aktual i këtyre rasteve sa zgjat një trajtim i rasteve të dhunës seksuale dhe në familje, sa është numri i dënimeve të shqiptuara për këto raste, sa është prezente gjuha seksiste dhe paragjykues në këto aktgjykime, sa raste të tilla janë parashtruar”, tha ai.

    Në mungesë të deputetëve të AAK-së në sallën e Kuvendit është shtyrë votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, e cila është propozuar nga kjo parti.

    Me 61 vota, Kuvendi i Kosovës në parim e ka votuar projektligjin për organizimin e tregut për produktet bujqësore. Po ashtu, ligjvënësit kosovarë kanë votuar pro edhe për Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim. /kp

  • Nis edicioni i parë i ‘’PriDox’’, pjesë e programit vjetor të ‘’PriFest’’

    Nis edicioni i parë i ‘’PriDox’’, pjesë e programit vjetor të ‘’PriFest’’

    Pjesës së programit vjetor të PriFest nga mbrëmë iu shtua edhe PriDox që hapi edicionin e parë në Kinamnë “Armata” në Prishtinë ku deri më 10 qershor do të jetë jave e filmit dokumentar.

    Kino Armata ishte vendtakim për shumë artistë, regjisorë, krijues filmash e artdashës.

    Të gjithë këta u mblodhën për të shënuar hapjen e PRI-DOX, java e filmit dokumentar, e cila është pjesë e programit vjetor të PriFest.

    “Po ndihem mirë se do ta hapim me një film shumë të mirë, mysafirin e kemi këtu, regjisorin, producentin e filmit që kanë ardhë nga Holanda, shpresojmë që koha e keqe nuk i pengon as njerëzit me ardhë që sonte ta hapim së bashku Pri-Dox-in. Do të kemi nga pesë filma dokumentarë gjatë javës, çdo natë nga një film. Vjosa na ka lënë vitin e kaluar, pastaj ka ardhur pikëpyetje çka me ba, mandej u mblodhëm një komunitet i shokëve e kolegëve, të cilët realisht edhe më dhanë kurajo mua dhe stafit që me e vazhdu bashkë për Vjosën. Kështu ka qenë vjet ky edicioni nëse e mbani në mend, pikërisht këtu e kemi mbajte”, tha regjisori Fatos Berisha.

    “Për mua nuk është lehtë kështu edhe emocionalisht, por edhe vet si organizim sepse ajo i ka kry shumicën e punëve dhe i ka kry shumë mirë dhe unë më shumë jam marrë me filmat, por tash edhe unë po mësohem. Tani e ka një kuptim tjetër për mua, e ka një kuptim të vazhdimësisë të ruajtjes së trashëgimisë së Vjosës, e emrit të saj, punës së saj sepse ajo ka investu shumë në të, e ka dashur shumë, e ka pasur pasion, ka investu shumë kohë, shumë energji, kështu që tash e ka atë kuptimin e plotë me e mbajtë aq sa mundemi dhe dimë”, u shpreh Berisha.

    Edicioni i parë i PriDox u hap me filmin dokumentar “Paved Paradise” të regjisorit holandez Karsten de Vreugd, i cili ishte i pranishëm në premierën e filmit të tij në Kosovë.

    “Është vërtetë bukur të jem këtu. Isha dy vite më parë, por më pas ishte Covid-i, kështu që gjithçka u mbyll, asnjë kafene nuk ishte e hapur gjatë natës, ishte e mbyllur nga ora 7 ose 8, por disi isha në PriFest, kështu që është mirë që jam kthyer. Jam shumë i nderuar që PriDox ka përzgjedhur filmat e mi për këtë vit, kështu që jam shumë i lumtur dhe pres sa më shumë njerëz të jenë këtu sesa gjatë Covid-it”, tha regjisori Karsten de Vreugd.

    Në mesin e të pranishmëve ishin edhe Ministri i kulturës Hajrullah Çeku, si dhe artistë të shumtë.

    “Skena kulturore e Prishtinës u pasurua edhe më një ngjarje shumë të rëndësishme dhe mbi të gjitha, atë që kanë qenë në ngjarje të veçanta gjatë vitit, tashmë po shndërrohen në institucione. Pra, PriFest, përveç edicionit që e ka tradicional, tash po e shton edhe një ngjarje gjatë vitit që është PriDox, ku pamë filma shumë të mirë dokumentarë. Jam shumë i gëzuar që njerëz sikur Fatosi dhe të tillë ka plotë në Kosovë jo vetëm në Prishtinë, kanë sens dhe shpirtë ndërmarrësie në Kulturë dhe duke e zhvillu kulturën, unë besoj shumë se po e zhvillojmë edhe shtetin, po i ndihmojmë shumë qyytetarëve të Ksooëvs”, tha ministri Çeku.

    PriDox do të zgjasë deri më 10 qershor, ndërsa edicioni i 15 i PriFest do të mbahet në shtator. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti për situatën në veri: S’kam marrë ultimatum, nuk zgjidhet me trysni

    ​Kurti për situatën në veri: S’kam marrë ultimatum, nuk zgjidhet me trysni

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deeskalimi i situatës në veri nuk mund të zgjidhet me trysni dhe përmendje pasojash. Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar por u shpreh i bindur se do të mund t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë, derisa shtoi se s’ka marrë asnjë ultimatum nga ata për zgjidhjen e situatës në veri.

    Kurti, pasi mori pjesë në një aktivitet të xhudos në Mitrovicë, para mediave tha se u ka ofruar përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisarit të ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar mënyrën e sigurt se si të ketë një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës.

    Ai tha se është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, por me kushtin që fillimisht të ketë sundim të ligjit në atje dhe pastaj që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike.

    “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm dhe të grupeve kriminale… Pika e parë është sundimi i ligjit, s’ka qëndrueshmëri institucionale pa sundim të ligjit, një prej pikave themelore të demokracisë është ligji mbi politikën… E dyta, që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme të kemi zvogëlim të pranisë në ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhje të parakohshme, pasi jemi të vetëdijshëm se dalja ka qenë e ulët. Pra, po zgjedhje të reja, po zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit. Përgatitja e terrenit nënkupton se nuk mund të jenë zgjedhjet vetëm pa incidente zgjedhje tamam, por duhet të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike në njërën anë dhe anën tjetër një fushatë parazgjedhore që është e lirë dhe demokratike”, tha ai.

    Kurti insistoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e ShBA-së janë të shkëlqyera.

    Ai shtoi se kur vijnë për diskutime emisarët evropian dhe amerikan në Kosovë janë në cilësi të ndërmjetësuesit të dialogut dhe aty nuk është në pyetje BE-ja dhe ShBA-ja, por raporti i Kosovës me Serbinë.

    “Nuk mendoj se këto gjëra zgjidhen me trysni dhe me përmendje pasojash dhe ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur se do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët edhe evropian dhe amerikan, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe ShBA-në janë të shkëlqyeshme. Kur vjen emisari evropian apo amerikan si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika, por është në pyetje raporti ynë me Serbinë, natyrisht kjo nuk është e njëjta gjë tani. Duhet të dalloni kërkesën që na bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, p.sh. për t’i pranuar refugjatët nga Afganistani, 1893 i kemi pranuar të gjithë, menjëherë të gatshëm, 410 prej tyre ende janë në Kosovë. Kur ShBA-ja në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale kërkon diçka prej neve ne nuk kemi dilema të themi po. Por kur emisari amerikan kërkon diçka në raportin tonë me Serbinë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm dhe kujdesshëm”, tha ai.

    Sipas Kurtit, në këtë situatë është vendi për shkak të braktisjes së Listës Serbe të institucioneve. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të garantojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prill, ani pse i kishin premtuar atij pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit.

    “Në këtë situatë jemi meqenëse Lista Serbe i braktisi institucionet me 5 nëntor dhe jo vetëm kaq, bojkotoi procesin zgjedhor dhe bëri thirrje që të bojkotohet procesi zgjedhor. Jo vetëm kaq, në ditën e heshtjes zgjedhore shkuan në Bajtanicë në ushtrimet ushtarake në vendin ku janë eksponuar 742 kufoma shqiptare dhe ku s’ka as pllakë përkujtimore. Natyrisht ne jemi të zhgënjyer që faktorët ndërkombëtar nuk kanë arritur të garantojnë pjesëmarrjen e serbëve siç na kanë premtuar neve. Me datën 16 mars ka skaduar afati për regjistrimin e partive politike për 4 komunat në veri. Presidentja e Republikës Vjosa Osmani, afatin e 16 marsit e ka zgjeruar deri 21 mars, pra e ka shtyrë për pesë ditë për me i kriju kohë shtesë partive serbëve. Mua më thoshin se porsa të bëhet marrëveshja e Ohrit serbët marrin pjesë, e bëmë marrëveshjen e Ohrit me 18 mars, kaloi afati me 21 mars dhe përsëri ata bojkot dhe vetëm bojkot. Krejt çka kemi mundur kemi bërë. S’kemi pas qare pa i bërë betimet dhe hyrjen e kryetarëve tonë në ndërtesat e komunave, pasi 28 maji ka qenë afati i fundit ligjor. Nuk janë këto vendime taktike të Qeverisë, përkundrazi janë obligime tona ligjore që ne i kemi respektuar në përpikëri”, tha ai.

    Në anën tjetër, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ende s’ka asnjë draft të shkruar për statutin e Asociacionit, ani pse emisari i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se ekzekutivi e ka të gatshëm draftin për Asociacionin por po e mban të fshehur.

    “Draft-statut të Asociacionit, Qeveria e Kosovës s’ka shkruar. Qeveria ka shprehur gatishmërinë për një draft-statut për thellimin e mëtutjeshëm të draft-vizionit qysh në Ohër më 18 mars kur u refuzua një gjë e tillë. Gjithashtu e kemi shprehur në vazhdimësi gatishmërinë tonë kur të pajtohemi për parimet. Pasi nuk ka kuptim një tekst gjerë e gjatë nëse parimet bazë nuk janë të dakoorduara. Me ShBA-në kemi pajtueshmëri të plot sa i përket parimeve bazë dhe këtë ambasadori amerikan, Hovenier e ka thënë. Kur unë kam deklaruar në Ohër se e shkruaj draft-statutin me shtyllat siç janë qëndrimi evropian, letra e Mogerinit, qëndrimi amerikan i shprehur në tekstin e Chollet dhe Escobar dhe po ashtu kushtetutshmëria e vendit tonë, përfshirë edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ambasadori amerikan ka thënë gjithçka në rregull”, theksoi Kurti.

    Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndruan përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët paraqitën tri kërkesa për Kosovën, deeskalimi i situatës në veri, organizimi i zgjedhjeve të reja në komunat veriore sa më shpejtë dhe rikthimi në dialog./KP/

  • Osmani e dekoron shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”

    Osmani e dekoron shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, raporton EO.

    Osmani tha se me veprat shkrimtari Kadare ka mbrojtur e ka promovuar kulturën, traditat e gjuhën shqipe. Ajo shtoi se Kadare ka qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptarë.

    “Si mirënjohje në emër të popullit të Kosovës, nderojmë shkrimtarin tonë të shquar, zotin Ismail Kadare vepra e të cilit është enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve, e historisë së tyre, dokeve e traditave dhe mbi të gjitha e gjuhës shqipe. Jam shumë i lumtur që jeni këtu kur Prishtina e jonë e dashur është veshur me petkun e librit. Prania juaja në panairin e librit është një mesazh i rëndësishëm”.

    “Ju keni qenë vazhdimisht pikë referimi për shqiptarët. Nëpërmjet krijimtarisë suaj ju keni dhënë shembullin për shqiptarët. Ju e keni shpalosur artistikisht si rrallë kush historinë e tradita shqiptare. Ju e keni mbrojtur e keni promovuar kulturën shqiptare, si dhe keni qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptarë”, tha ajo.

    Shkrimtari Kadare tha se për të nuk ka nderim më të madh se dekorata që morri nga Osmani, raporton EO.

    “Jam shumë i prekur që jam në mes jush, për këtë nderim kaq të madh. Është një fat i rrallë që një popull të nderoj dhe të të quaj bashkë mbrojtës të të drejtave te tij”.

    “Për fat të keq Shqipëri ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmba nga forcat e huaja por për fat të mirë ajo i ka kapërcyer vështirësitë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta pengoj një popull që të jetoj i lirë. Vetë mbledhja jonë këtu tregon triumfin e popullit shqiptarë. Nuk ka nderim më të madh për një intelektual se sa kjo që po e përjetoj sot këtu”.

  • Reagon Prishtina, ndjehet e tradhtuar nga “Plisat”

    Reagon Prishtina, ndjehet e tradhtuar nga “Plisat”

    Këtë të hëne skuadra e Prishtinës e fitoi Kupën e Kosovës, pasi që në finale e mposhti Gjilanin me rezultat solid 2:0.

    Ndeshja ishte e zjarrtë, ndërsa nuk munguan edhe problemet nga tifozët, veçanërisht nga tifo-grupi “Plisat” e Prishtinës, raporton KosovaPress.

    Gjatë tërë ndeshjes “Plisat” nuk treguan përkrahje ndaj lojtarëve që përfaqësojnë ekipin e Prishtinës, por brohorisnin vazhdimisht kundër bordit të klubit kryeqytetas.

    Tani, Prishtina përmes një njoftimi zyrtarë ka sqaruar ngjarjet që e përcollën finalen kundër Gjilanit, duke theksuar se ndihet e tradhtuar nga tifo-grupi i klubit.

    “Për Prishtinën, suksesi ishte jetik. Fatkeqësisht, tifozët tanë në tribunën jugore, jo që nuk përkrahen për asnjë minutë djemtë e ekipit, por ata as nuk qëndruar për t’i përshëndetur futbollistët apo për t’iu gëzuar triumfit. Kjo do të duhej të ishte primare për një grup tifozësh, nëse vetëm kanë harruar qëllimin për çka shërbejnë. Iu kemi dalë në ndihmë duke iu blerë bileta dhe duke iu financuar fishekzjarrët dhe koreografinë, por klubi u ndje i tradhëtuar”, shkruante Prishtina në njoftim.

    Më tej, Prishtina zbuloi se kjo koreografi nga “Plisat” ishte e paralajmëruar, dhe se kjo gjë ishte bërë e ditur nga një aksionar aktual i klubit në televizion, për të cilin gjiganti kosovar nuk kishte fjalë të mira

    “Paraprakisht kishim paralajmërime dhe njohuri që e njëjta do të ndodhte dhe për ironi kjo u paralajmërua nga një aksionar aktual i klubit në televizion. Natyrisht, ky aksionar ka harruar ndërkohë që është pjesë e klubit, edhe sepse aktualisht paguhet nga FFK dhe i njëjti për 18 vite sa është aksionar jo vetëm që nuk ka kontribuar asnjë cent në arkën e klubit, por nuk e mban mend askush të ketë blerë një biletë të vetme për të parë ndonjë ndeshje futbolli në ‘Fadil Vokrri’. Ne si klub, me shkas nuk vendosëm të reagonim para ndeshjes, duke mos dashur të besojmë se një gjë e tillë do të ndodhte. Megjithatë ndodhi dhe atë në formën më brutale të mundshme”, shkruante në komunikatën e Prishtinës.

    Po ashtu, Prishtina ka bërë të ditur se ka dërguar ankesë në KAS të KOK-ut sa i përket licencimit të klubit për gara evropiane.

    “Ne duam të ju njoftojmë që klubi ka dërguar ankesën për licencim në KAS të KOK-ut. Siç e dini, FC Prishtina është klubi i parë i licencuar në Ministrinë e Sportit, por të njëjtat kritere sipas FFK-së ne nuk i plotësuakam për të garuar në Evropë. Për ne nuk vlejnë rregullat e njëjta ashtu siç vlejnë për klubet tjera.

    Këto metoda i kemi parë edhe më herët, ia kemi dalë atëherë, do t’ia dalim edhe tani. Por, të bashkuar do t’ia dalim edhe më lehtë. Andaj, skuadrës sonë, i duhet përkrahja juaj më shumë se kurrë më parë. Kemi fituar Kupën e Republikës, e cila na mundëson të luftojmë për të drejtën tonë për ta përfaqësuar vendin në garat e UEFA-së. Dhe nga kjo nuk do të heqim dorë lehtë”, shkruante në komunikatën e Prishtinës.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

    Specialja ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) me vendimin e 6 qershorit 2023, kanë vazhduar masën e paraburgimit për Pjetër Shalën.

    “Paneli urdhëron vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit”, thuhet në dispozitiv të vendimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, është urdhëruar ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave, nëse dëshirojnë që të paraqesin parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se 6 korrik 2023.

    Tutje, është urdhëruar mbrojtja që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se 13 korrik 2023 dhe ka përcaktuar që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se 18 korrik 2023.

    Në fillim të këtij vendimi paraqitet historiku procedural, ndër të tjera se ZPS ka dorëzuar parashtresën e saj për shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, duke kërkuar vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, se mbrojtja iu është përgjigj parashtresës të ZPS-së duke kërkuar nga Paneli që të urdhërojë lirimin e përkohshëm të të akuzuarit ose vendosjen në arrest shtëpiak tek rezidenca e tij në Belgjikë, dhe së fundmi kundër-përgjigjen e ZPS-së.

    Në pjesën arsyetuese të vendimit thuhet se Paneli rikujton se, në vendimin konfirmues, gjyqtari i procedurës paraprake përcaktoi se ekzistonte një “dyshim i bazuar mirë”, në kuptim të nenit 39(2) të Ligjit, se i akuzuari ka kryer vepra penale brenda juridiksionit të DhSK-së .

    ‘‘Duke kujtuar se pragu i “dyshimit të bazuar mirë” është domosdoshmërisht më i lartë se “dyshimi i bazuar” i kërkuar për vazhdimin e paraburgimit, Paneli rithekson se, në bazë të vendimit për konfirmim, kërkesa e nenit 41(6)(a) të Ligjit është plotësuar’’, thuhet në vendim.

    Në lidhje me këtë, dhe përveç dëshmive të dëshmitarëve të dëgjuara deri më sot dhe materialeve tjera mbështetëse, Paneli konstatoi në këtë vendim se kërkesa sipas nenit 41(6)(a) të Ligjit nuk ka pushuar së ekzistuari dhe për këtë arsye vazhdon të përmbushet.

    Ndërkaq, thuhet se Paneli rikujton se më parë ka gjetur se i akuzuari nuk është në rrezik të arratisjes andaj edhe nuk është i bindur nga parashtresat e ZPS-së se vendimi i Apelit për deklaratat e mëparshme është në gjendje ta ndryshojë atë vlerësim.

    ‘‘Rrjedhimisht, Paneli mbetet i bindur se i akuzuari nuk është në rrezik të arratisjes dhe se një rrezik i tillë, edhe nëse ekzistonte, mund të zbutet në mënyrë adekuate me kushtet që do t’i vendosen në përputhje me nenin 41(12) të Ligjit dhe rregullin 56(5) të Rregullores’’, thuhet tutje.

    Kurse thuhet se Paneli edhe më parë ka vërtetuar se ekziston rreziku i pengimit të procedurës penale, sipas nenit 41 (6) (b) (ii) të Ligjit, për shkak të fillimit të gjykimit dhe dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së, zbulimin e identitetit të dëshmitarëve dhe provave shoqëruese, duke përfshirë informacione potencialisht inkriminuese. deklaratat kërcënuese të të akuzuarit [REDAKTUAR] dhe klima e përgjithshme, e themeluar dhe e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë.

    Sipas kësaj gjykate, këta faktorë dhe rrethana vazhdojnë të ekzistojnë dhe nuk është paraqitur asnjë informacion apo zhvillim që i minon ata dhe përfundimin që ata mbështesin.

    ‘‘Përkundrazi, fakti që paraqitja e provave është në vazhdim e sipër dhe se dëshmitarë shtesë të ZPS-së kanë ofruar prova, duke përfshirë prova potencialisht inkriminuese, do të thotë se rreziku i pengimit të procedurës është ende shumë i pranishëm’’, thuhet tutje në arsyetim të vendimit.

    Gjithashtu, sipas këtij vendimi Paneli nuk është i bindur nga argumenti i mbrojtjes se deklaratat e të akuzuarit nuk duhet të mbështeten për qëllime të shqyrtimit të paraburgimit.

    ‘‘Kolegji i Gjykatës së Apelit e la në fuqi vendimin e Panelit për deklaratat e mëparshme dhe deklaratat janë dhe mbeten në dispozicion të Panelit derisa dhe nëse nuk vendoset ndryshe’’, thuhet më tej.

    Rrjedhimisht, Paneli ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që i akuzuarit të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së.

    ‘‘Paneli rikujton se, përderisa ekzistenca e rrezikut të pengimit nuk përkthehet automatikisht në rrezik të kryerjes së krimeve të mëtejshme, faktorët që mbështesin të parën janë të rëndësishëm për vlerësimin e këtij të fundit në rastin aktual’’, thuhet në vendim.

    Sipas kësaj gjykate, i akuzuari tani ka njohuri të plotë për rastin kundër tij, duke përfshirë identitetin e dëshmitarëve të PSP-së, pasi masat mbrojtëse janë hequr ndaj të akuzuari, deri në vitin 2016 dhe 2019, i akuzuari bëri deklarata kërcënuese [REDAKTUAR] dhe paraqitja e provave nga ZPS është në proces.

    ‘‘Përveç kësaj, Paneli thekson se dëshmitë e gjashtë dëshmitarëve të parë tani janë përfunduar dhe dëshmia e dëshmitarit të shtatë është në vazhdim e sipër. Prandaj z. Shala ka marrë më tej një pasqyrë specifike për rastin dhe prova kundër tij’’, thuhet më tutje në vendim.

    Andaj, Paneli ka konkluduar se, për qëllimet e rishikimit periodik të paraburgimit të të akuzuarit, në pajtim me nenin 41(10) të Ligjit dhe rregullin 57(2) të Rregullores, koha që i akuzuari ka kaluar në paraburgim nuk është joproporcionale .

    Versionin e redaktuar publik të vendimit për shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit të Pjetër Shalës mund ta gjeni në gjuhën angleze: KËTU.

  • Kurti thotë se nuk ka marrë kurrfarë ultimatumi

    Kurti thotë se nuk ka marrë kurrfarë ultimatumi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka marrë asnjë lloj ultimatumi pas takimit me emisarët e ShBA-së dhe BE-së, duke shtuar se u ka ofruar atyre mënyrën për të dalë nga kriza.

    “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale…E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”.

  • Kosova-Rumania, fillon shitja e biletave të ndeshjes

    Kosova-Rumania, fillon shitja e biletave të ndeshjes

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një komunikate në faqen zyrtare ka bërë të ditur se ka filluar shitja e biletave për ndeshjen e Kosovës kundër Rumanisë.

    Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen ndaj Rumanisë në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024, raporton KosovaPress.

    FFK ka njoftuar se çmimet e biletave fillojnë nga 5 euro në sektorin e Veriut dhe Jugut, dhe arrijnë deri në 80 euro për sektorin VIP. Në sektorin e Lindjes biletat kushtojnë 10 euro ndërsa në Perëndim 20 euro.

    Një person mund të blejë deri në katër bileta.

    Më 16 qershor me fillim nga ora 20:45, Kosova do të zhvillojë ndeshjen ndaj Rumanisë si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndeshje kjo e cila është e vlefshme për kualifikimet drejt Euro 2024.

    Ndërkaq, më poshtë mund ta gjeni linkun ku mund të bëhet blerja e biletave online.

    Federata e Futbollit e Kosovës (ebileta.al)

  • Kryetarët Atiq dhe Peci bisedojnë për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit

    Kryetarët Atiq dhe Peci bisedojnë për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci kanë biseduar sot për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në komunat në veri të vendit.

    Ishte Atiq që njoftoi se ka pritur në një takim të parin e Zveçanit, Ilir Peci.

    “Z. Ilir Peci e urova për mandatin në krye të Zveçanit dhe i urova punë të mbarë. Së bashku diskutuam për sfidat dhe problematikat me të cilat përballen qytetarët e komunave tona dhe biseduam për zgjidhjet për ato probleme. Në këto komuna nuk është menduar asnjëherë për qytetarin dhe se janë lënë shumë mbrapa shërbimet publike”, ka shkruar ai.

    Atiq ka theksuar se komunat në veri të vendit, të cilat tashmë kanë kryetarë shqiptarë, do të bëhen të qytetarëve dhe do të jenë vende të banueshme ku normalisht do të zhvillohet jeta sikur në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

  • Refuzohet kërkesa e Ferizajt, Liria pjesë e Superligës për sezonin 2023/24

    Refuzohet kërkesa e Ferizajt, Liria pjesë e Superligës për sezonin 2023/24

    Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendim për ndeshjen e barazhit mes KF Ferizaj dhe KF Lirisë.

    KG i FFK-së ka marrë vendim që ta refuzojë kërkesën e Ferizajt për kontestimin e rregullsisë së ndeshjes ndaj Lirisë, raporton KosovaPress.

    “Refuzohet si e pabazuar ankesa e KF Ferizaj – nga Ferizaj dhe ndeshja e barazhit në mes KF Ferizaj dhe KF Liria regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, në kohë të rregullt e pas vazhdimeve 0:0, me penallti 0:3 në favor të KF Liria nga Prizreni”, shkruante në komunikatën e FFK-së.

    Po ashtu, më poshtë mund të gjeni arsyetimin e FFK-së se pse ka refuzuar kërkesën e Ferizajt.

    “Bazuar në kushtet e përgjithshme për gara dhe sipas nenit 13 të Rregullores së Garave, viti garues fillon më 01 korrik , ndërsa përfundon më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Viti është i ndarë në dy stinor – vjeshtor dhe pranveror dhe se ndeshja e barazhit është vazhdim dhe juridikisht kualifikohet si ndeshje e stinorit pranveror që është brenda edicionit të garave për vitin 2022-2023. Po ashtu edhe sipas nenit 29 të Propozicioneve të Garave lojtari Liridon Fetahaj ka qenë i licencuar për edicionin e garave për vitin 2022-2023, kështu që pretendimet e palës ankimore nuk u vërtetuan, prandaj, ankesa e KF Ferizaji, refuzohet si e pabazuar dhe ndeshja e barazhit mes KF Ferizaj dhe KF Liria, regjistrohet me rezultat të arritur në fushë, në kohë të rregullt dhe pas vazhdimeve 0:0, me penallti 0:3 në favor të KF Liria. Nga theksimet e lartëshënuara u vendos si në dipozitiv”, ishte arsyetimi i FFK-së për kërkesën e refuzuar të Ferizaj.

    FFK ka bërë të ditur se Ferizaj ka të drejtën e kundërshtimit të këtij raporti, tre ditë që nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së.