ATV

Blog

  • Sot mbahet Parada e Krenarisë

    Sot mbahet Parada e Krenarisë

    Java e Krenarisë çdo vit shënohet edhe përmes aksioneve rrugore, ndërkaq, këtë vit aksioni rrugor u fokusua në rëndësinë dhe luftimin e stigmatizimit të shëndetit mendor, si dhe pranimit shoqëror të personave LGBTIQ+.

    Në njoftim thuhet se aksioni rrugor ka targetuar në mënyrë të veçantë dhe institucionet publike, të cilat kanë përgjegjësi për të krijuar mekanizma që ua lehtëson çasje personave LGBTIQ+ në shërbime të shëndetit mendor.

    Në kuadër të Javës së Krenarisë sot mbahet parada në ora 17:00, ndërkaq në ora 19:00 mbahet koncerti.

  • Man City – Inter, dita e finales së madhe të Ligës së Kampionëve

    Man City – Inter, dita e finales së madhe të Ligës së Kampionëve

    Manchester City dhe Interi do të luajnë sot (e shtunë) mes vete në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve për sezonin 2022/23.

    Edicioni 2022/23 i Ligës së Kampionëve do ta mbyll perden këtë mbrëmje me ndeshjen e fundit, atë finale.

    Qytetarët dhe Nerazzurrët do të ndeshen mes vete në stadiumin “Ataturk Olympic” të Stambollit, me fillim nga ora 21:00.

    Ekipi i Pep Guardiolës vjen në këtë ndeshje si favorit, pasi ka eliminuar klube si Bayern Munich në çerekfinale dhe Real Madrid në gjysmëfinale.

    Në anën tjetër, ekipi i Simone Inzaghit ka eliminuar Benficën në çerekfinale, para së ta eliminonte në gjysmëfinale, rivalin e madh lokal, Milanin.

    Të dy ekipet janë të kompletuara për këtë finale të madhe.

  • Ish-kryetari i OEK-ut e quan normale rritjen e kamatave të kredive: Mund të shkojnë deri në 8%

    Ish-kryetari i OEK-ut e quan normale rritjen e kamatave të kredive: Mund të shkojnë deri në 8%

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, e konsideron si normale rritjen e kamatave bankare, pasi sipas tij, është mënyra më e mirë në luftën kundër inflacionit.

    Ai thotë se ngritja e kamatave është një ndër mekanizmat kyç dhe se kjo është bërë edhe me kërkesë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë.

    Gërxhaliu, thotë se rritja e kamatave është proklamuar shumë më herët.

    “Duhet të kuptohet një ngritje të kamatave bankare kemi pas qysh më herët këtë e ka proklamuar Banka Qendrore Evropiane, që është kërkuar që të rritet për 2 për qind kamata. Këtë e ka kërkuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë dhe Banka Botërore për të shpallur luftë kundër inflacionit që e ka kapluar Bashkimin Evropian edhe shumë vende të tjera në këtë drejtim edhe Kosovën. Në anën tjetër përdoret kjo ngritje e kamatave në Bankën Qendrore Evropiane, për faktin që është një mekanizëm kyç për t’i luftuar efektin e inflacionit që e ka goditur Evropën. Në këtë drejtim shumë shtete sot e kemi recesion ekonomik dhe devinitivisht një situatë e tillë nuk mund të i ik edhe Kosova. Ajo çka e karakterizon Kosovën me tepër është që niveli i zhvillimit ekonomik nuk mund të krahasohet me vendet Evropiane”, thotë Gërxhaliu.

    Sipas tij, nëse vazhdohet me trendin aktual të inflacionit, rritja e kamatave mund të shkojë deri në 8 për qind. Goditje, thotë Gërxhaliu do të kenë bizneset e vogla dhe qendra e reja inovative.

    “Në anën tjetër e kemi Bankën Qendrore e cila kohëve të fundit është para sfidave të shumta në mungesë të një Guvernatori të mirëfillte dhe në mungesë të procedurave komfort ligjeve dhe transparencës së nevojshme e tëra kjo do të ndikoj që edhe në Kosovë qytetarët dhe bizneset të jenë të goditura. Është paralajmëruar që deri në qershor të këtij viti kamata do të jetë afër 6 për qind. Në qoftë se do të vazhdohet në këtë trend  me siguri do të ketë edhe rritje që mund të shkoj deri 7.5 apo deri 8 për qind. Është mjaftë shqetësues fakti që do të jetë një goditje për bizneset e vogla, do të jetë një goditje për bizneset ekzistuese dhe do të jetë shumë e vështire që të kemi kreditim për qendrat e reja inovative të cilat kishin me qenë në funksion të zhvillimit”, u shpreh Gërxhaliu, teksa ka folur edhe për mungesën e guvernatorit në Bankën Qendrore të Kosovës.

    Ai kërkon që prioritet i Guvernatorit të ardhshëm të jetë liberalizimi i tregut të Bankave.

    “Besoj që një ndër prioritet e Guvernatorit të ardhshëm në Kosovë është që të jetë që të liberalizohet tregu i Bankave sepse Kosova ka nevojë për banka të reja të fuqishme. Ne kemi në Kosovë disa banka të cilat në vend nga ku vinë janë shumë të fuqishme shumë aktive, mirëpo në Kosovë janë vetëm një dekadë dhe nuk janë në funksion të zhvillimit. Duhet të avancohet një dialog i mirëfilli publiko-privat, duhet të kemi një fond të garantonit të kredive që do të jetë me aktiv dhe tekë atëherë mund të flitet për rënien e kamatave”, thotë Gërxhaliu.

    Gërxhaliu e sheh si të pamundur ndaljen e rritjes së kamatave, pasi sipas tij kjo çështje nuk e ka goditur vetëm Kosovën. Ai thotë se Kosova është dashur të jetë e përgatitur.

    “Është e pa mundur të mendohet se ka qenë e mundur të parandalohet sepse kjo nuk është dukuri që e ka goditur vetëm Kosovën, vjen nga raporte, çdo lëvizje, çdo rekomandim nga bankat evropiane në veçanti nga Banka Qendrore Evropiane transferohet në mënyrë zingjiror. Është dashur me kohë që të jemi të përgatitur që t’i bëjmë disa kalkulime që efektet të jenë më të ulëta se sa do të jenë tani e tutje. Është e vërtet që kohët e fundit flitet shumë për profitin bankar, mirëpo mos të harrojmë të njëjtën kohë edhe bankat e paguajnë riskun e vetë. Garancia kryesore e kreditimeve e funksionimit normal të bankave është stabiliteti politik, këtë Kosova nuk e ka. Faktori i dytë është sundimi i rendit dhe ligjit dhe e treta është pluralizmi i tregut”, u shpreh Gërxhaliu.

  • Inteligjenca britanike: Ukraina thyen linjën e parë të mbrojtjes ruse

    Inteligjenca britanike: Ukraina thyen linjën e parë të mbrojtjes ruse

    Ukraina ka kaluar me sukses linjën e parë të mbrojtjes ruse në disa pjesë të vendit gjatë 48 orëve të fundit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

    Në përditësimin e fundit të inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes tha se ka pasur operacione “të rëndësishme” në “disa sektorë” në lindje dhe në jug të Ukrainës.

    Ai tha se “progres i mirë” është bërë nga trupat në disa zona, ku ata “kanë depërtuar në vijën e parë të mbrojtjes ruse”.

     

    “Në të tjerat, përparimi ukrainas ka qenë më i ngadalshëm”, shkruan në njoftim.

    Mbrojtja e Rusisë ka qenë e “përzier”, thotë Ministria e Mbrojtjes, me disa njësi “duke kryer operacione të besueshme të mbrojtjes manovruese” dhe të tjera që tërhiqen “në një farë çrregullimi”.

    Raportet për viktima ruse po rriten pasi ushtria e saj është e detyruar të tërhiqet “nëpër fushat e tyre të minuara”, tha ministria.

    Ndryshe, preisdenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se ka nisur kundërsulmi i Ukrainës.

  • Bëhen 24 vjet nga ndalja e bombardimeve të NATO-s, e çlirimi i Kosovës

    Bëhen 24 vjet nga ndalja e bombardimeve të NATO-s, e çlirimi i Kosovës

    Janë bërë 24 vjet nga ndalja e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, pas 78 ditë të sulmeve që kishin filluar më 24 mars.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 10 qershor 1999 ka lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit, kurse Këshilli i Sigurisë së OKB-së, po në të njëjtën ditë ka miratuar rezolutën 1244, ku janë dërguar 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

    Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

    Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

    Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

    Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

  • Ibrahimi sqaron se cilat janë procedurat që Mitrovica e veriut të bëhet anëtarë e Asociacionit të Komunave

    Ibrahimi sqaron se cilat janë procedurat që Mitrovica e veriut të bëhet anëtarë e Asociacionit të Komunave

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është duke e shqyrtuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, që kjo komunë të bëhet anëtare e AKK-së.

    Në lidhje me këtë kërkesë, kryetari i AKK-së Sazan Ibrahimi, tha se sapo kanë pranuar kërkesën nga kryetari Atiq, po atë ditë kanë dërguar informatat për proceduar që duhet ndjekur kjo komunë për t’u anëtarësuar.

    “Ne si Asociacion i Komunave të Kosovës po sa e kemi marr kërkesën nga kryetari nga kryetari Erden Atiq, kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore për mundësinë e anëtarësimit në AKK, po atë ditë e kemi dërguar një informatë te kryetari Atiq ku ja kemi elaburuar në detaje procedurat të cilat duhet të ndjekën nga komuna e Mitrovicës Veriore në mënyrën që të bëhet anëtare e AKK-së”, tha ai.

    Ibrahimi sqaroi se një kjo komunë për t’u bërë anëtare e AKK-së së pari duhet që Kuvendi Komunal i saj të marr vendimin për t’u anëtarësuar.

    Pastaj bëhet shqyrtimi i ligjshmërisë së atij vendimi dhe në hapi radhës është votimi i atij vendimi në Kuvendin e AKK-së.

    “Procedura është që fillimisht Kuvendi Komunal i komunës përkatëse duhet marr vendim për anëtarësim, për shprehje të gatishmëri për anëtarësim në AKK dhe pas shqyrtimit të ligjshmërisë të atij vendimi të Kuvendit Komunal atëherë dërgohet në AKK ku pastaj hapi  radhës është që Kuvendi i AKK-së merr vendim për anëtarësim të asaj komune. Pasi që AKK-ja është mekanizëm vullnetar, është organizatë jo qeveritare, me vetë faktin që një komunë tregon gatishmëri që të anëtarësohet në mekanizmin tonë është më së i mirëseardhur”, tha ai.

    Kryetari i AKK-së ka thënë nëse ndiqen të gjitha këto proceduar dhe kërkesa që parashihen për anëtarësim në AKK, anëtarësimi i Mitrovicës Veriorë në këtë organizatë mund të bëhet shpejt, por sipas tij, së pari duhet që të ketë vendimi nga Kuvendi Komunal i komunës.

    “Tani neve e kemi informuar kryetarin Atiq se duhet të merret vendim në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore, pastaj at akte, ato vendime të Kuvendeve komunale me legjislacionin në fuqi dërgohen në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal për shqyrtimin e ligjshmërisë se a janë në harmoni me legjislacionin ne fuqi. Pastaj kërkesa, ajo përgjigje kthehet nga MAPL-ja dhe po besojmë që kjo mund të kryhet shpejtë, po ne jemi duke besuar dhe pastaj ai vendim i Kuvendi Komunal i cili është i ligjshëm dhe dërgohet në AKK dhe pastaj hapi i fundit është i Kuvendit të AKK ku deri më tani nuk ka ndodhur që një anëtarë të mos pranohet”.

    “Neve nga perspektiva e AKK-së na nevojitet vendimi i Kuvendit Komunal të komunës përkatëse e cila tregon gatishmëri dhe bënë kërkesë në AKK për anëtarësim. Ne nuk ndërhymë në procese politike se çka do të ndodh nëse ndodhë diçka e tillë, ne besojmë që do e pranojmë  vendimin  nga Kuvendi Komunal i cili do të jetë i shqyrtuar nga aspekti ligjor nga institucioni përkatës”, tha ai

  • Asnjë polic s’ka refuzuar të shkojë në veri

    Asnjë polic s’ka refuzuar të shkojë në veri

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri, tha se pjesa e veriut është një plagë e hapur që nga pas lufta dhe gjithmonë Policia atje ka qenë e rrezikuara.

    Por përkundër kësaj ai theksoi se pavarësisht rrezikut në atë pjesë të vendit asnjë zyrtarë policorë nuk ka hezituar që të shkojë, kjo sipas tij, tregon vullneti që kanë ata për ta mbrojtur vendin.

    “Rrezikshmëri është permanente sepse ata intervenojnë në çdo rast, normale që edhe në situata të tilla. Në pjesën e veriut është një plagë e hapur që nga pas lufta dhe çdo herë veprimet atje edhe prezenca e policisë kanë qenë më të rrezikuar për shkak se në atë pjesë siç e dimë kemi veprime të njerëzve ilegal, të bandave të ndryshme kriminale, e që nga këto normal që rreziku është më i madh. Edhe tani kur po veprojmë, ne i kemi parë që aty janë sulmuar Policia, janë djegë vetura janë dëmtuar vetura të policisë. Madje edhe vetë lëndimi i pjesëtarë të KFOR-it, që ishte 30 tregon se sa ekstreme dhe sa janë të rrezikuar Policia në pjesën veriore të vendit”, tha ai.

    “Sa i përket punës dhe gatishmërisë dhe vullnetit të secilit pjesëtarë të policisë, pavarësisht kushteve të tjera dhe mirëqenies, ata janë duke e kryer punë me një vetë motivim jashtëzakonisht të lartë. Nuk kemi pasur asnjë rast që të hezitoj të shkojë në atë pjesë, do të thotë vullneti për ta mbrojtur vendin nga Policia po them në secilin veç e veç është jashtëzakonisht në nivel të lartë. Prandaj edhe kjo është ajo arsyeja që edhe qeveri duhet t’i ketë parasysh sfidat e Policisë të Kosovës e që të bëjë përmirësim e mirëqenies së tyre”, tha ai.

    Sipas tij, zyrtarët policor janë duke u përballuar me rrezikshmëri të lartë në pjesën veriore të vendit dhe mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë është i padrejtë dhe se ka rritur pakënaqësitë, duke quar në 40 dorëheqje vullnetare, kjo edhe për shkaqe të tjera.

    “Edhe kufizimi i shtesave të tjera, mandej zvogëlimi i përvojës së punës nga 0.5 në 0.25, për 15 vitet e para të përvojës së punës, të gjitha këto kanë ndikuara. Përkundër që kemi pasur rritje në pagën bazë te policia e Kosovës nuk kemi rritje në pagë, nuk kemi rritje në neto, atë çka e merr polici. do të thotë nuk është rritje dhe kjo është ajo që është rrit pakënaqësia te të gjithë të punësuarit në policinë e Kosovës. Si pasoj e kësaj kemi edhe dorëheqje vullnetare e që kjo po vazhdon nuk është vetëm ky vit që kemi dorëheqje vullnetare, kemi pasur çdo vit. Sa për informim diku prej formimit të policisë e deri me tani kemi mbi 2 200 dorëheqje vullnetare, ndërsa këtë vit deri më tani kemi 40 dorëheqje vullnetare, që është një sinjal shumë i keq. Nëse vërtet vazhdohet kështu do të mbesim pa profesionistë. Sipas kërkesave të pjesëtarëve të Policisë dhe pakënaqësive të tyre do të fillojmë edhe me hapa sindikal”.

    Ai sqaron se janë bërë katër muaj për zyrtarët policorë nuk është ekzekutuar shtesa e rrezikshmërisë. Zeqiri tha se arsyetimi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave, ka qenë se ende nuk i kanë bërë përllogaritjet e shtesave, që ai pohon se është arsyetim i papranueshëm.

    “Është muaji i katërt që nga implementimi i ligjit të ri të pagave që shtesat për rrezikshmëri nuk është ekzekutua tekë zyrtarët policorë dhe një shtesë tjetër të pjesa e stafit civil. Pakënaqësitë janë shprehur që në fillim që në muajin shkurt kur është bërë pagesa me ligjin e ri të pagave dhe nuk është bërë ekzekutimi i shtesave për rrezikshmëri. Kështu në përgjithësi ka qenë një pakënaqësi jashtëzakonisht e madhe dhe tani më kaluan katër muaj dhe kjo shtesë ende nuk është duke u ekzekutuar përkundër kërkesave”, tha ai.

    “Arsyetimi i vetëm që është dhënë edhe përmes medieve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave është se ende nuk kanë mundur ta gjejnë atë mënyrën e vendosjes apo siç kanë thënë ata nuk kanë mundur që t’i bëjnë përllogaritjen e këtyre shtesave për mi vendos. Për ne si sindikatë është jashtëzakonisht e pa arsyeshme dhe jashtëzakonisht e pa pranueshme. Kjo është definitivisht dhe logjikisht nuk mund të merret me mend se si është e mundshme kjo. Neve kemi pritur deri më tani nuk kemi ndonjë përgjigje konkret e vetmja është që tani më këta kanë filluar, dikush nga Ministria e Financave, të bëjë krahasimin me shtet e rajonit se si e kanë. Të gjitha e kanë më mirë edhe siç e kemi pas. Nuk kemi kërkuar më shumë se sa ka qenë shtesa e rrezikshmërisë”, tha ai.

  • Boris Johnson dorëzon mandatin e deputetit

    Boris Johnson dorëzon mandatin e deputetit

    Boris Johnson, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, ka dhënë dorëheqje si anëtar i Parlamentit.

    Ish-udhëheqësi i partisë Konservatore tha se ishte “i befasuar” pasi mori një letër nga një komitet i Dhomës së Komunave, i cili po e heton nëse gënjeu ligjvënësit britanikë për ndejat që thyenin ndalimin gjatë pandemisë, të njohur si “Partygate”.

    Johnson, një nga arkitektët kryesorë të BREXIT, tha se letra ia bëri të qartë, “për habinë time, se ata janë të vendosur të përdorin procedurat kundër meje për të më dëbuar nga Parlamenti”, raporton cnn.

    Ish-udhëheqësi tha se raporti “Partygate”, i cili ende nuk është publikuar, “është i mbushur me pasaktësi dhe erë paragjykimi, por nën procesin e tyre absurd dhe të padrejtë, unë nuk kam asnjë aftësi formale për të sfiduar çdo gjë që ata thonë”.

    “Sot i kam shkruar shoqatës sime në Uxbridge dhe South Ruislip duke konfirmuar se po tërhiqem menjëherë dhe do të nxis zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

    Vitin e kaluar, Policia Metropolitane i dha Johnson dhe ministrit të atëhershëm të financave, Rishi Sunak – i cili aktualisht është kryeministër – një gjobë për pjesëmarrjen në një ndejë në Downing Street gjatë bllokimit shkaku i COVID-19, duke e bërë Johnson kryeministrin e parë në detyrë të Mbretërisë së Bashkuar që ka shkelur ligjin.

  • 145 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit

    145 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit

    Sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.

    Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi është goditur dhe tronditur nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët, të cilët kanë vepruar dhe punuar në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kanë nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, ata me shpejtësi kanë themeluar “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

    Komitetin e Stambollit e kanë përbërë një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizës lindore: Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve i është bashkuar ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka pasur karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk është zgjedhur rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin është mbajtur Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.

    Delegatët që kanë marrë pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kanë pasur për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

    Mendim të njëjtë kanë shprehur delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kanë kërkuar me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

    Në ditën e parë të punimeve në Kuvend kanë folur delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që janë mbajtur në atë ditë është ruajtur vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës.

    Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ka ftuar të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera ka thënë: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

    Delegatëve të grupimit atdhetar, i është dashur të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë, ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ka qenë i pranishëm në atë tubim. Ata janë përpjekur të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.

    Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e ka përmbushur misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ka qenë vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.

    Po atë ditë Kuvendi Kombëtar ka miratuar tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës është ngritur zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes është shpallur edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës është dashur të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që janë përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

    Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ka qenë një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij i është dhënë goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe janë hedhur themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, ka pasur një karakter atdhetar.

    Menjëherë pas themelimit të Lidhjes janë formuar organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes ka qëndruar Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore, ndërsa kryetar është zgjedhur Iljaz pashë Dibra.

  • Partitë e “vogla” kritikojnë ligjin për zgjedhje, s’u largua pragu prej 5 %

    Partitë e “vogla” kritikojnë ligjin për zgjedhje, s’u largua pragu prej 5 %

    Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme u votua në dy lexime, në seancën e kaluar të Kuvendit, bashkë me përkrahjen edhe të partive opozitare.

    Por, partitë politike që në zgjedhjet e fundit mbetën jashtë Kuvendit, pasi nuk e arritën pragun prej 5%, pikë kjo që nuk u ndryshua në ligjin e ri, po e kritikojnë atë.

    Sipas Gëzim Kelmendit, nga partia Fjala, do të duhej të kishte më shumë pluralizëm.

    “Është ndikim i partive të pushtetit dhe i diskriminojnë partitë e vogla. Nuk përfaqësohet interesi i qytetarëve, por interesi i partive të mëdha dhe brenda tyre ka autrokraci ku udhëheqësi synon t’i arrijë vetëm mendimet e veta dhe nuk lejon që dikush tjetër të ketë mendim ndryshe brenda partisë politike”, tha Kelmendi.

    Jo vetëm për këtë, por për të gjitha nenet, Partia Social Demokrate vlerëson se fillimisht do të duhej që të kishte debat publik për projektligjin.

    “E kontrabandoi këtë ligj në bashkëpunim e duke ia bë argatin opozita parlamentare. Shoqëria jonë e ka pasur të nevojshëm një debat. A don me u dhanë hapësirë vetëm partive që janë mbi 5% apo edhe iniciativa tjera qytetare, që mbase nuk janë 5%, por mbase e meritojnë që ta kenë së paku 1 apo 2 përfaqësues në kuvend”, tha Frashër Krasniqi nga PSD.

    Kuvendi miratoi Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme me 79 vota për dhe asnjë votë kundër. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: