ATV

Blog

  • ​Kryeministri hungarez, Viktor Orban merr meritat për lirimin e tre policëve

    ​Kryeministri hungarez, Viktor Orban merr meritat për lirimin e tre policëve

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka reaguar për lirimin e tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga autoritetet serbe dy javë më parë.

    Orban duke marrë meritat për lirimin e tre zyrtarëve policorë, ka shkruar në Twitter se Kryeministri se serb Aleksandar Vuçiq sapo e ka njoftuar në përputhje me kërkesën e bërë në takimin e tyre javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë.

    “Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sapo më njoftoi se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë. E vlerësojmë shumë hapin e presidentit Vuçiq, të cilën ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”, shkruan Orban.

  • Lirimi i policëve të rrëmbyer nga Serbia, Osmani falënderon SHBA-të

    Lirimi i policëve të rrëmbyer nga Serbia, Osmani falënderon SHBA-të

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia. Për këtë ajo ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Osmani, në konferencë për media pas takimit me guvernaatoren Kim Reynolds, ka thënë se aleanca e Kosovës me ShBA-të është ekzistenciale.

    Ajo shtoi se nënshkrimi i marrëveshjes me shtetin e Iowa-s për bashkëpunim me Kosovën do të thellojë miqësinë mes dy vendeve./KP

  • Lirimi i tre policëve, reagon Rama: Lajm i vonuar

    Lirimi i tre policëve, reagon Rama: Lajm i vonuar

    Kreu i qeverisë, Edi Rama ka reaguar pas lajmit për lirimin e policëve në Kosovë.

    Nëpërmjet një reagimi në Twitter, Rama thotë se kthimi i policëve është një lajm i vonuar, megjithatë shumë i mirë sepse i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe i hap rrugë de-eskalimit të dialogut.

    Shkrimi i plotë i Ramës:

    Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë.

    Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.

    Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës.

    Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht. Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare.

    Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës.

  • Lirimi i tre policëve, Krasniqi: Lajm i mirë, tani është radha për shtensionimin e situatës në veri

    Lirimi i tre policëve, Krasniqi: Lajm i mirë, tani është radha për shtensionimin e situatës në veri

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar për lirimin e tre policëve të rrëmbyer nga autoritetet serbe dy javë më parë.

    Krasniqi ka shkruar në Facebook se lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi – Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë.

    Krasniqi ka nënvizuar po ashtu se tani është radha për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje.

    “Lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi – Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë. Falënderoj të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces. Tani, radha është për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje, përmes veprimeve të matura dhe të përgjegjshme politike”, shkruan Krasniqi.

    LEXONI EDHE:

    Kurti flet pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Shkelja e Serbisë duhet qortuar

  • Kurti flet pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Shkelja e Serbisë duhet qortuar

    Kurti flet pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Shkelja e Serbisë duhet qortuar

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, derisa ka konfirmuar lirimin e tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga Serbia, ai ka thënë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi.

    Kurti ka shkruar se ky rrëmbim konsiston me një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe si i tillë duhet qortuar.

    “Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Kurti.

    Më 14 qershor, tre policë kufitar të Kosovës ishin rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të vendit tonë.

    Lirohen tre policët e rrëmbyer nga Serbia

  • Kurti takohet me sekretarin britanik James Cleverly, diskutojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Kurti takohet me sekretarin britanik James Cleverly, diskutojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në takim nga Sekretari për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

    Falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e sekretarit Cleverly, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha etapat e shtetformimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit.

    Në takim u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë dhe fushat në të cilat ato mund të forcohen e thellohen.

    Zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe situata në katër komunat në veri të vendit ishin po ashtu temë e këtij takimi. Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly me propozimin e tij për shtensionimin e situatës, duke theksuar se sundimi i ligjit është parimi bazë për adresimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditëve të tensionuara në ato komuna dhe që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në po ato komuna, e të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të lira e demokratike dhe me fushatë të hapur dhe fer.

    Kryeministri Kurti po zhvillon një vizitë pune dyditore në Britani të Madhe. Ky ishte takimi i dytë i tij me sekretarin Cleverly. Takimi i parë ishte mbajtur në tetor të vitit të kaluar, po ashtu në Mbretëri të Bashkuar.​

  • Ish-kreu i CIA-s paralajmëron Prigozhinin: Mos qëndro afër dritareve të hapura

    Ish-kreu i CIA-s paralajmëron Prigozhinin: Mos qëndro afër dritareve të hapura

    Ish-drejtori i CIA-s e ka paralajmëruar liderin e Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, të jetë i kujdesshëm kur ndodhet pranë dritareve të hapura.

    Gjenerali në pension, ish-udhëheqës i CIA-s, David Petraeus përmendi disa raste të rusëve – kundërshtarë të Putinit – që kanë vdekur në rrethana të paqarta, duke përfshirë rënien nga dritaret.

    Si pjesë e marrëveshjes që Yevgeny Prigozhin të ndalonte marshimin e Wagnerit drejt Moskës, ai pranoi të shkonte në mërgim në Bjellorusinë fqinje, udhëheqësi i së cilës është një aleat i presidentit rus Vladimir Putin.

    “Prigozhin e siguroi jetën, por humbi grupin e tij Wagner”, tha Petraeus për CNN.

    Ai më pas shtoi se Prigozhin duhet të jetë shumë i kujdesshëm rreth dritareve të hapura në mjedisin e tij të ri në Bjellorusi.

  • ​Haxhiu reagon pas lirimit të policëve, ka një kërkesë për ndërkombëtarët

    ​Haxhiu reagon pas lirimit të policëve, ka një kërkesë për ndërkombëtarët

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia. Ajo ka thënë se kjo dëshmon vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi, me qëllim të destabilizimit të Kosovës.

    Haxhiu ka thënë se rrëmbimi i tyre nuk kishte të bënte me drejtësi por me agresionin e Serbisë.

    “Lirimi nga paraburgimi në Serbi i tre policëve të Kosovës, është lajm i mirë që dëshmon edhe më tej vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi me qëllim destabilizimin në veri të vendit. Kidnapimi i tre policëve nuk kishte të bënte me drejtësi por me agresionin e Serbisë në Kosovë. Këtë fakt duhet ta njohin dhe pranojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj autoriteteve serbe për hyrjen e tyre të jashtëligjshme në Kosovë dhe rrëmbimin e tre policëve kufitarë”, ka shkruar Haxhiu.

  • Publikohet fotoja e parë pas lirimit të tre policëve kosovarë

    Publikohet fotoja e parë pas lirimit të tre policëve kosovarë

    Gjykata e Kralevës sot ka vendosur për lirimin e tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat policore të Serbisë. Ndërkohë, tanimë ata janë liruar edhe nga burgu.

    Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli ka publikuar një fotografi me tre policët derisa ka shkruar “më në fund”.

    Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u kidnapuan më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.

  • ​Merr detyrën shefi i ri i EULEX-it

    ​Merr detyrën shefi i ri i EULEX-it

    Giovanni Pietro Barbano e ka marrë detyrën si shef i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

    Ai është gjeneralmajor i karabinierëve italianë me më shumë se 40 vjet përvojë në ligj dhe rend, në aktivitete policore dhe operacione paqeje.

    Sipas njoftimit të EULEX-it, Barbano “pranoi se Misioni operon në një kontekst ende të vështirë, në mes të tensioneve të rritura”.

    “Misioni është një mjet i shkëlqyer për përgjigjen më të gjerë të BE-së ndaj sfidave të sigurisë, pasi EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës. Brenda kufijve të mandatit të tij, Misioni do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin në Kosovë, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj”, ka thënë ai.

    Ai pason diplomatin suedez, ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, i cili përfundoi mandatin e tij si Shef i Misionit më 25 qershor.

    “Me një ndjenjë të madhe përgjegjësie i marr sot detyrat e mia si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në sundimin e ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të përmbushur moton e Misionit ‘Partneritet për Drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në terren dhe për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë” ka thënë Barbano.

    Ai gjithashtu ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivelin policor, prokurorial, gjyqësor dhe korrektues për të vlerësuar se si këto raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës.

    Sipas tij, ndër të tjera, monitorimi do të fokusohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, duke përfshirë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë./KP