ATV

Blog

  • ​Fillojnë punimet në stadiumin e Gjakovës

    ​Fillojnë punimet në stadiumin e Gjakovës

    Kanë nisur punimet në vazhdimin e ndërtimit të Stadiumit të Qytetit në Gjakovë ku do të ndërtohet tribuna lindore dhe jugore e tij.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini i cili ka thënë se për këtë projekt janë ndarë 2.5 milionë euro dhe se ai do t’u shërbejë shumë gjeneratave ndër vite, duke qenë një tempull i sportit dhe kulturës.

    Fillimin e këtyre punimeve, Gjini e ka quajtur si ditë të veçantë.

    Ky është postimi i plotë i Gjinit në Facebook:

    Sot, është një ditë shumë e veçantë!

    Kjo, sepse edhe zyrtarisht filluan punimet për vazhdimin e Stadiumit të Qytetit nga dy kompani serioze, konkretisht tribuna lindje dhe jug si dhe pjesa e fushës e cila do të shndërrohet në tërësi.

    Më entuziazmon fakti që ky projekt madhor, do t’iu shërbejë shumë gjeneratave ndër vite, duke qenë një tempull i sportit dhe kulturës.

    Për këto faza që i nisëm sot, Komuna e Gjakovës do të investojë rreth 2.5 milionë euro. Shpresojmë që pjesa e projektit, e nisur nga Ministria do të vazhdojë, në mënyrë që konstrukti të jetë i përfunduar e më pas të vazhdojë pjesa e mbulojës, ndriçimit dhe të gjitha pjesët që i takojnë një stadiumi të mirëfilltë.

    Stadiumi i Qytetit të Gjakovës, do të jetë aset i rëndësishëm për Gjakovën, por edhe gjithë Kosovën dhe kjo më bën jashtëzakonisht të lumtur dhe krenar.

  • Bie qarkullimi i industrisë minerare e gurore dhe asaj përpunuese

    Bie qarkullimi i industrisë minerare e gurore dhe asaj përpunuese

    Në muajin prill 2023, ka shënuar rënie indeksi i vëllimit të industrisë nxjerrëse në minierat dhe guroret me 0,7%, industria përpunuese 0,1%); si dhe te furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 0,1%, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Prill 2022).

    Në këtë industri ka shënuar rënie edhe numri i të punësuarve.

    Ndërkaq, në muajin prill të vitit 2023, indeksi i vëllimit të industrisë kishte rritje në sektorin e furnizimit me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave me 0,3%.

    Sa i përket numri të të punësuarve në këtë sektor, ulje kishte në sektorin e industrisë nxjerrëse minierat dhe guroret për 0.1%, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak prill 2022.

    “Në muajin prill 2023, indeksi i numrit të të punësuarve ishte: Furnizimi me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (0,0%); Industria përpunuese (0,0%); si dhe Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (0,0%). Ndërsa, ulje kishte në sektorin e industrisë nxjerrëse (minierat dhe guroret) për (-0.1%), krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Prill 2022)”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Statistikat Afatshkurtra të Industrisë për muajin prill 2023.

  • Abbott shkon për vizitë te Komandanti i KFOR-it për të diskutuar “sigurinë e përgjithshme”

    Abbott shkon për vizitë te Komandanti i KFOR-it për të diskutuar “sigurinë e përgjithshme”

    Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, sot ka vizituar komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia.

    Për këtë takim ka njoftuar KFOR në Twitter, duke thënë se temë e diskutimit ishte situata e sigurisë.

    “Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Shkëlqesia e Tij Nicholas Abbott, erdhi për vizitë te Komandanti i KFOR-it, Major Gjeneral Ristuccia, në kampin Film City në Prishtinë dhe diskutuan rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në vend”.

     

  • ​Abdixhiku: Kosova ka nevojë për ekipe diplomatësh që kërkojnë heqjen e sanksioneve

    ​Abdixhiku: Kosova ka nevojë për ekipe diplomatësh që kërkojnë heqjen e sanksioneve

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat në veri të vendit, dhe hartimin e një ekipi profesionistësh, për të ndërtuar draft statusin e ardhshëm të Asocacionit të Komunave me shumice serbe në Kosovë.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit të dytë që kishte me shoqërinë civile dhe OJQ-të, për të diskutuar për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë relacionet e Kosovës me aleatët, ka theksuar se kishte mbështetjeje të shoqërisë civile për propozimet që vendi të dal sa më shpejtë nga kjo gjendje e rënduar.

    Abdixhiku tha se gjatë takimit kanë prezantuar shtatë pika për të cilën vendi mund të arrijë përpara. Sipas tij, pozicioni i Kosovës ndërkombëtarisht është i dëmtuar, jo vetëm për shkak të politikave të gabuara të kryeministrit Kurti me aleatë, por siç tha ai, edhe paaftësisë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    “Mbi 20 organizata të shoqërisë civile i janë përgjigjur pozitivisht ftesës sonë dhe në takimin që zgjati pothuajse 3 orë folëm hapur për gjendjen e tanishme politike në vend dhe mbi të gjitha për rrugën që duhet dalë përpara. Jam jashtëzakonisht i lumtur, jo vetëm për pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile, por edhe për mendimet e hapura përmbajëtsore dhe thelbësore në atë që po shtrojmë tani. Për LDK gjendja e tanishme kërkon shtensionim, kërkon zgjedhje të reja sa më parë të jetë e mundshme në veri të vendit, me qëllim të kthimit të legjitimitetit tek institucionet lokale në katër komunat veriore, dhe zgjedhjet e reja duhet të organizohen nëpërmjet marrëveshjes politike mes VV-së, PDK-së dhe katër kryetareve aktual atje për dorëheqjen e tyre dhe shkuarjen e zgjedhjeve brenda periudhës 45 ditore. Pozicioni i Kosovës ndërkombëtarisht është i dëmtuar, jo vetëm për shkak të politikave të gabuara, të paprecedente të kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës me aleatët tanë por edhe paaftësisë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka theksuaar Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së, Abdixhiku tha se Kosova duhet të ndërtojë ekipe profesionistësh që të dërgojë në çdo kryeqendër evropiane për të kërkuar jo vetëm heqjen e dënimeve, por edhe për ta parashtruar hapat e ardhshëm të vendit. Për këtë, Abdixhiku tha se kishte pajtueshmëri të plotë pothuajse me të gjithë për gjendjen alarmante që ka Kosova.

    “Kosova duhet të ndërtojë ekipe profesionistësh, diplomatësh me përvojë që të dërgojë në çdo kryeqendër evropiane dhe botërore, në ato kryesoret, për të kërkuar jo vetëm heqjen e dënimeve, masave sanksionuese ndaj Republikës së Kosovës, por edhe për ta parashtruar hapat e ardhshëm të vendit. Po ashtu, prezantuam idenë që Kosova do të ndërtojë një ekip profesionistësh, ekspertesh të rendit kushtetues, drejtës juridike, arsimit, kulturës e zhvillimeve ekonomike për të ndërtuar draft statusin e ardhshëm të Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Po ashtu, kemi prezantuar edhe planin tonë për kërkesa të drejtpërdrejta mbi obligimet që Serbia duhet t’i ketë ndaj Kosovës në marrëveshjet e arritura deri më tani. Dhe ka një pajtueshmëri të plotë me pothuajse të gjithë për gjendje alarmante që ka Kosova”, tha Abdixhiku.

    Mes tjerash, Abdixhiku derisa tha se morën mbështetje për propozime nga shoqëritë civile, u shpreh se nuk sheh rrugë përpara me këtë qeveri.

    “Tani shoqëria civile, organizata të shoqërisë civile, por edhe nga java e kaluar në takimin që patëm dhanë mbështetjen në këtë propozim, si ide që mund të ofrojë fillimisht shtensionimin dhe më pas zgjedhjen afatgjate të Kosovës, por në thelb të këtij angazhimi është vullneti i mirë, i institucioneve të vendit që të ecin drejt integrimit euroatlantik….Unë nuk shohë rrugë përpara me këtë qeveri prandaj rruga jonë nuk ka të bëjë me bashkëpunim me këto institucione që i kanë sjellë vendit edhe tension edhe përplasje dhe nuk janë të aftë të dalin prej kësaj rruge, unë po flasë për një rrugë të tret i cili kryeministri i Kosovës nuk ka vend”, tha Abdixhiku.

    Sipas tij, Kosova duhet të marrë autorësinë mbi draftin, duke shtuar se kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare.

    Ai shtoi se duhet të krijohet një version i qartë që Kosova është vend i paqes dhe stabilitetit, sidomos në veri të vendit.

    “Kosova duhet të marrë autorësinë mbi draftin dhe kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare. Pra, tash e një vit të gjitha institucionet ndërkombëtare në veçanti SHBA-të, kanë kërkuar që Kosova, institucionet e vendit të marrin autorësinë, në mënyrë që kjo autorësi të mos i vihet një pale tjetër. Pra, nuk është e vërtetë se nga ne nuk pritet një gjë e tillë, përkundrazi kërkohet nga ne dhe jo vetëm kaq, Kosovës i garantohet që kjo pritje nuk ka të bëjë me rrenim kushtetues ose me dalje prej Kornizës Kushtetuese. Ne duhet të ndihemi me veten më të sigurtë por edhe duhet të shtrojmë një version të qartë se Kosova është një vend i paqes, stabilitetit, jo vetëm në vend, por sidomos në veri të vendit dhe në rajon”, tha mes tjerash Abdixhiku.

  • ​Komisioni i rekomandon Kuvendit shkarkimin e Bordit të KPMM-së

    ​Komisioni i rekomandon Kuvendit shkarkimin e Bordit të KPMM-së

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, me 6 vota pro i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

    Komisioni me iniciativë të deputetit të Vetëvendosje, Armend Muja ka rekomanduar shkarkimin e Selvete Grajqevci – Pllana kryesuese e Bordit, Gani Maliqi, Gani Kastrati dhe Rozeta Pushkolli Makoll anëtarë.

    Ndërsa, një ditë më parë anëtari i pestë i Bordit të KPMM-së, Jahir Gashi ka dhënë dorëheqje, raporton KosovaPress.

    Fillimisht kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të tërheqin kërkesën për shkarkimin e Bordit të KPMM-së.

    Për shkarkimin e bordit të KPMM-së, kanë votuar deputetët, Mimoza Kusari – Lila, Jeta Statovci, Amend Muja, Gramos Agusholli, Fidan Jilta dhe Driton Hyseni.

    Por, në votim nuk morën pjesë kryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala dhe anëtari i Komisionit nga AAK, Pal Lekaj.

    Gjatë shqyrtimit të kërkesës për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja me ton të lartë ka qortuar kryesuesen e Bordit të KPMM-së, Selevete Grajqevci – Pllana për faljen, siç thotë ai, të rentës minerare në vlerë prej mbi 9 milionë euro kompanisë “Ferronikel”.

  • ​Remi: Zyrtarët për informim në Zonën e Operative të Llapit i kam caktuar unë, jo shtabi

    ​Remi: Zyrtarët për informim në Zonën e Operative të Llapit i kam caktuar unë, jo shtabi

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka filluar dëshminë para Gjykatës Speciale, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse Zyra e Prokurorit të Specializuar insistoi që deklaratën e tij ta paraqesë vetëm me shkrim, trupi gjykues e rrëzoi kërkesën e tyre dhe e solli atë në gjykatore.

    Në seancën e pasdites, prokuroria ka filluar intervistimin e tij me pyetjet për të dhënat personale të Mustafës ku ndër të tjera ai ka pohuar se është i njohur si “Remi” dhe se ka qenë ushtar i UÇK-së dhe komandant i Zonës Operative të Llapit.

    Ai ka konfirmuar se ka dhënë deklarata për procesin gjyqësor qe ka qenë kundër tij gjatë kohës së UNMIK-ut dhe EULEX-it, si dhe deklaratat e dhëna tri vjet më para Gjykatës Speciale.

    Prokurorja Clarie Lawson ka shfaqur një dokument sipas saj me udhëzime që tregon se si duhet të ndërveprohet me gazetarët, vëzhguesit e diplomatët.

    Lidhur me këtë, Mustafa ka thënë se ata të Zonës Operative të Llapit i ka caktuar ai vet dhe jo shtabi i përgjithshëm.

    Lawson: Është një dokument që jep udhëzime tregon si duhet të ndërveprohet me gazetarët, me vëzhguesit, me diplomatet. A ju kujtohet që u janë dhënë udhëzime nga shtabi i përgjithshëm lidhur me këto çështje?

    Mustafa: Unë e di që është diskutuar brenda radhëve të UÇK-së mirësjellja me vëzhgues, me gazetarë, por dokumenti si dokument nuk po më kujtohet tani.

    Lawson: Nëse e shohim paragrafin e dytë të këtij dokumenti që ka të bëjë me vëzhguesit, pra thuhet që shtabi i përgjithshëm ka caktuar personin i cili është i ngarkuar për informim të ndërsjellë me vëzhguesit dhe se ka caktim i këtij personi do të njoftohet me shkresë të veçantë, a ka ndodhur kjo gjë?

    Mustafa: As sot nuk e di kush ka qenë.

    Lawson: Nuk ju kujtohet apo nuk e dini kush ka qenë personi i ngarkuar në zonën operative të Llapit për të mbajtur marrëdhënie me vëzhguesit.

    Mustafa: Për zonën operative të Llapit e kam caktuar unë, nuk e ka caktuar shtabi i përgjithshëm.

    Lawson: Kush ishte ky person?

    Mustafa: Kam pasur nga zyra për informim publik tre ose katër persona.

    Lawson: A mund të na thoni si quheshin këta persona?

    Mustafa: Ismet Cakiqi, Lirak Celaj, Hysen Fazliu, dhe eprorë të lartë të zonës në përgjithësi, shefi i shtabit, zëvendësi im dhe komandant të brigadave.

    Pas kësaj, prokurorja ka shfaqur një tjetër dokument të datës 19 nëntor 1998.

    Mustafa: UÇK shtrirja e saj në teren dhe raporti me vëzhguesit e OSBE-së.

    Lawson: A e shihni aty që Fatmir Humolli është përcaktuar si ndërlidhës për zonën e Llapit. A Ju kujtohet që është bërë ky caktim?

    Mustafa: Më duket është gabim.

    Lawson: Ju nuk e dini që ai ka pasur një rol për të luajtur në lidhje me OSBE-në

    Mustafa: Është emri më sa paku është marrë me këtë çështje. Mund të jetë caktuar por unë nuk e paskam ditë këtë gjë.

    Pas kësaj seanca është ndërprerë për shkak të pauzës së drejtës dhe pritet të vazhdojë pas orës 15:00 me dëshminë e Rrustem Mustafës.

    Ai pritet të intervistohet për rreth 36 orë, prej tyre 12 nga prokuroria, 23 nga mbrojtja e të akuzuarve dhe një orë nga avokati i viktimave.

    Gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të tyre.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • ​Bosnja i jep lamtumirën 30 viktimave të tjera të gjenocidit të Srebrenicës të identifikuara rishtazi

    ​Bosnja i jep lamtumirën 30 viktimave të tjera të gjenocidit të Srebrenicës të identifikuara rishtazi

    Duke shënuar 28 vjetorin e masakrës së Srebrenicës të vitit 1995, Bosnja dhe Hercegovina të martën i dha lamtumirën 30 viktimave të tjera të gjenocidit të identifikuara rishtazi.

    Çdo vit më 11 korrik, viktimat e identifikuara të gjenocidit varrosen në varrezën përkujtimore në Potocari, Bosnja lindore.

    Mijëra vizitorë nga vende të ndryshme marrin pjesë në ceremoni.

    Qendra përkujtimore është pika qendrore e kujtimit për miqtë dhe të afërmit e viktimave, kryesisht burra dhe djemë, të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës.

    Pas funeralit të këtij viti, numri i varreve në varreza u rrit në 6751.

    Kryeministri malazez, Dritan Abazoviq, ministrja turke për shërbimet familjare dhe sociale, Mahira Ozdemor Goktas dhe shumë politikanë vendas morën pjesë në ceremoni.

    Abazoviq tha se gjenocidi i Srebrenicës nuk duhet të mohohet.

    “Gjenocidi nuk duhet mohuar kurrë. E vërteta ju bën të lirë dhe besoj se kur të gjithë ta pranojmë të vërtetën, rajoni do të marrë një rrugë tjetër, rrugën e pajtimit dhe përparimit”, tha Abazoviq.

    Presidenti malazez, Jakov Milatoviq në një video-mesazh tha se gjenocidi në Srebrenicë është tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

    Ministrja e Jashtme bullgare, Mariya Gabriel tha se “Nuk duhet të harrojmë kurrë atë që ndodhi në Srebrenicë”.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në rrjetet sociale tha se Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës mban në vetvete shumë tragjedi të patregueshme.

    “Një ditë kur kujtojmë vrasjen e 8372 njerëzve të pafajshëm dhe krimet e panumërta të përdhunimeve dhe torturave. Është gjithashtu përkujtim se e vërteta nuk nderohet por mohohet nga Serbia, vetë krim çnjerëzor”, tha Kurti.

    – Përkujtime

    Aktivitete të ndryshme u mbajtën për të përkujtuar gjenocidin në kryeqytet, Sarajevë, dhe në qytete të tjera të rajonit.

    Në urën historike në Mostar – një qytet ikonik me shumë besime – njerëzit u mblodhën për të kërcyer pa duartrokitje nga ura rreth 20 metra e lartë.

    Pjesëmarrësit hodhën gjithashtu zambakë të bardhë në lumin Neretva, duke simbolizuar pafajësinë e viktimave të gjenocidit.

    Kryeqyteti i Kroacisë, Zagrebi, mbajti një projeksion të lehtë të lules ikonike të Srebrenicës.

    Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve shpërndau gjithashtu lule të Srebrenicës në qytetin e Novi Pazarit për të kujtuar viktimat.

    Lulja ka një mesazh – e bardha nënkupton pafajësinë, e gjelbërta nënkupton shpresën dhe 11 petale qëndrojnë për datën 11 korrik të viti 1995.

    Ndërkohë, mijëra njerëz morën pjesë në Mars Mira, një marshim i përvitshëm i paqes.

    Mijëra njerëz nga e gjithë bota vijnë në qytetin boshnjak çdo vit dhe ndjekin të njëjtën rrugë pyjore të përdorur nga boshnjakët kur po iknin nga gjenocidi.

    Fushata zgjat tre ditë, duke kulmuar me mbërritjen e pjesëmarrësve në Potoçari.

    – Gjenocidi i Srebrenicës

    Më shumë se 8,000 burra dhe djemë myslimanë boshnjakë u vranë kur forcat serbe të Bosnjës sulmuan qytetin lindor të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht nga prania e trupave paqeruajtëse holandeze.

    Forcat serbe po përpiqeshin të merrnin territorin nga myslimanët boshnjakë dhe kroatët për të formuar një shtet.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kishte shpallur Srebrenicën një “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat e udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së.

    Trupat holandeze nuk arritën të vepronin ndërsa forcat serbe pushtuan zonën, duke vrarë rreth 2,000 burra dhe djem vetëm më 11 korrik.

    Rreth 15,000 banorë të Srebrenicës u larguan në malet përreth, por trupat serbe gjuajtën dhe vranë 6,000 njerëz të tjerë.

    Trupat e viktimave janë gjetur në 570 vende në të gjithë vendin.

    Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.

    Më 8 qershor 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së lanë në fuqi në një gjykim të shkallës së dytë një vendim që dënonte Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë. (AA)

  • ​Muriqi u rikthehet stërvitjeve me Majorkan

    ​Muriqi u rikthehet stërvitjeve me Majorkan

    Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka nisur përgatitjet parasezonale me skuadrën spanjolle Majorka.

    Ai ishte njëri nga më meritoret që kjo skuadër përfundoi në vendin e nëntë me 50 pikë të mbledhura, raporton KosovaPress.

    Në edicionin garues 2023/24, reprezentuesi kosovar realizoi 15 gola, duke u futur në top 5-shen e sulmuesve më të mirë të La Ligas.

    Rikthimin e tij në stërvitje e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Majorkas me mbishkrimin “Rikthimi i Muriqit. Është radha e tij”.

  • ​“Mshele”, Qalaj përplaset me deputeten e VV-së

    ​“Mshele”, Qalaj përplaset me deputeten e VV-së

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj është përplasur me deputeten e LVV-së, Mirlinda Tishukaj Sadiku. Kësaj të fundit, Qalaj i tha “mshele”, gjatë kohës kur debatohej për rezervat shtetërore.

    Qalaj e ka pyetur ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për rezervat shtetërore, por për këtë ajo i tha se është sekret shtetëror dhe nuk i lejohet të flasë. Rozeta Hajdari po ashtu tha se Qalaj po shpif, për çka ka ndërhyrë edhe deputetja Mirlinda Tishukaj Sadiku.

    Kësaj të fundit iu drejtua me fjalën “mshele”, deputeti Rashit Qalaj.

    Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, po shqyrtohet Raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të MINT për vitin 2022.

  • Emisioni “n’mal A n’det”, vjen në ekranet e ATV-së nga 17 korriku

    Emisioni “n’mal A n’det”, vjen në ekranet e ATV-së nga 17 korriku

    Nga 17 korriku, emisioni “n’mal A n’det” vjen në ekranet e ATV-së, çdo ditë, nga e hëna deri të premten me Robin, Jetën dhe Emirën, duke filluar nga ora 21:00.

    Ky emision pritet të ketë materiale interesante të përgatitura nga gazetarët e ATV-së, mysafirë në studio, muzikë, rrëfime personale dhe jo vetëm.

    Ky program rekomandohet për të gjitha moshat, derisa për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta ndjekin në orarin e rregullt do të vijë reprizë gjatë ditës, në YouTube dhe në rrjetet e tjera sociale./atvlive.tv/